Me f’tyrë t’mbulueme nën harrnat e qenisun,
mburojë m’u bá shtirja, andrrën teme t’gjatë nuk po e k’putka
as hija e jote mbi tá.
Në një botë të mbushur me ngutje dhe nxitim të jetës së përditshme, arti shpesh shërben si një mjet për të eksploruar ndërveprimin kompleks midis ëndrrave dhe realitetit, në fakt edhe duke hyrë thelbësisht në ëndërr. Një eksplorim i tillë u ilustrua në ekspozitën “Dita Natë, Nata Vjet”, një vepër konceptuale që bëri të pranishmit të mos e lëshojnë telefonin duke fotografuar për asnjë moment. Galeria Kombëtar e Kosovës mori një pamje mes emocioneve e mendimeve.
E vendosur brenda Galerisë Kombëtare të Kosovës, e cila me të hyrë brenda dukej sikurse po futeshe në një jorgan labirintik të mbushur me ngjyrë rozë, kjo ekspozitë, e realizuar nga kolektivi feminist “Haveit” me kuratorin Lulzim Beqiri, ofroi një eksplorim të thellë të natyrës njerëzore brenda një konteksti aspak-specifik në kohë dhe hapësirë.
Udhëtimi në “Dita Natë, Nata Vjet” filloi me një jorgan të nuancës rozë të lehtë. Ndërsa vizitorët hynë në këtë ekspozitë të ngjashme me hyrjen në një tunel, ata u transportuan në një “botë ëndrrash”. Butësia dhe përqafimi ngushëllues i jorganit lë të kuptohet për iluzionin e gjumit, duke ftuar individë dhe grupe të zhyten plotësisht në të. Kati i parë, i mbështjellë tërësisht me jorgan rozë, veproi si një prelud i shfaqjes “Haveit”, një përzierje unike e artit dhe emocionit.
Sapo të pranishmit ngjiteshin në katin e dytë gjatë 19 Janarit, këndvështrimi i tyre ndryshoi në mënyrë drastike. Këtu, anëtarët e kolektivit feminist “Haveit”, Alketa dhe Lola Sylaj, së bashku me Hanën dhe Vesa Qenën, u shtrinë në një divan, duke u bërë elementë integralë të performancës në vazhdim. Krahasimi i katit të parë si ëndërr me realitetin e zymtë të katit të dytë shërbeu si një metaforë e fuqishme për dualitetin e ekzistencës – ëndrrat të ndërthurura me jetën e përditshme.
Thelbi i ekspozitës qëndron në aftësinë e saj për të transportuar individë nga kati në kat, duke i inkurajuar ata të zhyten më thellë në eksplorimin e ëndrrave, të panjohurës dhe realitetit të pamohueshëm të jetës. Duke filluar me histori personale, instalacioni u zhyt në gjendjet fizike të trupit, veçanërisht në momentet enigmatike të gjumit dhe në mbretërinë ende misterioze të ëndrrave.
Profesori i artit, Mehmet Behluli, në një prononcim për KultPlus është shprehur se “Haveit” kanë shprehje artistike më ndryshe sesa jemi mësuar t’i shohim.
“Për mendimin tim ekspozita sotme është shprehje atraktive, shprehje që lë mbresa tek ata që përcjellin artin. Ishte rast i rrallë të shohim një vepër të kompletuar në galeri. Mbresat e mia të para janë shumë pozitive, sepse thjesht është një model shumë specifik që e lehtëson skenën e artistëve të pavarur e të rinj që zgjedhin mënyra e forma të shprehen sa më bindshëm”, u shpreh profesori Behluli, i cili në të kaluarën ishte edhe vet artist pjesëmarrës me ekspozitë në GKK.
Ëndrra, siç paraqitet këtu, u përshkrua si një “kurth joshëse”, e mbështjellë me butësi dhe rehati, duke i ftuar vizitorët t’i dorëzoheshin joshjes së saj mashtruese ndërkohë që ekzistonte brenda kufijve të një realiteti të detyruar.
Kjo ekspozitë na thelloi në një territor të cilit shumë prej nesh i frikësohemi, territorit të paeksploruar të ëndrrave, duke demonstruar se arti ka fuqinë e jashtëzakonshme për të provokuar mendime, ndezur emocione dhe turbulluar linjat midis asaj që ne e perceptojmë si realitet dhe asaj që guxojmë të ëndërrojmë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në GKK deri më 20 shkurt, me ç’rast shënohet edhe fundi i programit të vitit të kaluar të galerisë, derisa shumë shpejt pritet të publikohet orari për vitin 2024. /KultPlus.com