Era Berisha
Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku përveç që zënë vend organizimet nga më të ndryshme për të rinjtë që dashurojnë artin, kulturën dhe jo vetëm, tani hapësira u shfrytëzua edhe nga fëmijët të cilët përmes vizatimeve dhe pikturimit, me rastin e 1 qershorit, ata kaluan një pasdite mjaft të bukur me piktorin e njohur Kosta Zhonga, shkruan KultPlus.
Dje, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh të fëmijëve dhe prindërve të tyre, ku të gjithë kishin ardhur për të kaluar një pasdite nën shoqërimin e melodive të këngëve të ndryshme për fëmijë dhe përmes ngjyrave të shumta të cilat ishin të shpërndara gjithandej, ata arritën të krijojnë një kryevepër krejt në fund, një mozaik i formuar nga copëzat e shumta që fëmijët kanë ngjyrosur, me ç’rast mozaiku zuri vend në dritaret e KultPlus Caffe Gallery.
Përmes një aktiviteti të tillë u dallua mjaft shumë edhe dëshira dhe nevoja e madhe për ngjarje të tilla që organizohen nga dhe rreth fëmijëve. Këto ngjarje jo vetëm që shpalosin talentin e tyre në një moshë të re por aty në fakt mund të nis edhe rrugëtimi i tyre për një të ardhme që ngërthen artin në formën më të mirë të mundshme.
Me fleta të bardha dhe ngjyra të shumta, fëmijët nisën të pikturonin figurën e vendosur para tyre. Lumturia që dallohej në sytë e piktorit ishte në të njëjtin nivel me atë të fëmijëve, të cilët kishin një energji të pa krahasueshme duke shfrytëzuar kështu në masë të madhe ndihmën e Zhongës për ti mësuar dy apo tre teknika të veçanta të pikturimit.
Teksa fëmijët pikturonin, prindërit ishin ata që po ndiqnin punën e tyre më buzëqeshje në fytyrat e tyre, e disa të tjerë iu vinin në ndihmë fëmijëve të tyre kur ata hasnin në ndonjë problem. Po ashtu, fotografitë dhe bisedat e ndryshme ishin bërë pjesë kyçe e këtij aktiviteti që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Kështu krejt në fund, pas përfundimit të pikturimit të tyre, fëmijët së bashku me piktorin morën vizatimet e tyre afër vetes dhe me një buzëqeshje që nuk hiqej dot asnjë sekondë, ata vendosën ngadalë vizatimet e tyre në dritare duke formuar kështu mozaikun final, një mozaik ku fjala ‘1 qershor’ ishte ngjyrosur nga secili fëmijë i pranishëm ku u formua edhe rasti më i mirë për të bërë një fotografi unike me piktorin.
Gjithashtu, fletoret e vizatimit të botuara dhe të firmosura nga vetë piktori ishin një kujtim i bukur i ditës së djeshme që fëmijët do ta kenë gjithmonë me vete.
Ndërsa, për të folur më shumë rreth këtyre momenteve, për KultPlus foli vetë piktori Kosta Zhonga.
“Kjo ditë është e mrekullueshme sepse po e shoh se sa të interesuar janë fëmijët dhe prindërit e tyre prandaj dua edhe ti uroj 1 qershorin. Ajo çka më pëlqeu ishte se të gjithë fëmijët shumë të talentuar me sa po e shikoj unë. Janë të mrekullueshëm si vajzat edhe djemtë. Por edhe prindërit janë shumë ta pasionuar pas pikturës”, thotë Zhonga.
Sipas tij, të gjithë ata të pranishëm e donin pikturën sepse vazhdimisht kërkonin akoma më shumë letra e ngjyra, prandaj edhe ai mundohej t’ia shpjegonte fëmijëve lëvizjet dhe teknikat e dorës për të krijuar figura të ndryshme.
“Unë jam i gatshëm gjithmonë për aktivitete të tjera të njëjta sepse përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë”, përfundon Zhonga për KultPlus.
KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës organizoi punëtorinë me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori. / KultPlus.com