Sot, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO, në nëntor 1999. Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ishte iniciativë e Bangladeshit.

Sipas të dhënave të OKB, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale.

Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën dixhitale.

Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe multikulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet çdo vit për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare “të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”.

Sot po rritet vetëdija se gjuhët luajnë një rol jetik në zhvillim, në sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor, por edhe në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e arsimit cilësor për të gjithë, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të dijes dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, Sabri Hamiti risjell poezinë ‘Gjuha’

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Sabri Hamiti ndan poezinë e tij, përcjell KultPlus.

GJUHA

Vijnë si valë të zhurmshme me erë me furi
E flasin e thërrasin në gjuhën e lashtë
Plot zëre të ndieshme që kuptimin nuk ua di
Prishin gjumin në gjumë vënë pagjumësinë
E tash që mbrohem nga sëmundjet ngjitëse
Me tym duhani rrjetoj rrenën qetësinë
Duhet ta vjell veten apo gjithë shkretinë
Ta shqiptoj dhembjen ta thërras një fjalë
Të derdh nga trupi mishin deri në asht
Nuk e kuptoj ndryshe gjuhë-thirrjen e lashtë
Vjen nga bregu i largët në ujë merr turbullim
E ndrit yllin shpresën në gji-shkretin tim
Tash mbyt veten shtrydhesh si e si del fjala
Nga gjaku e mishi s’mund shkruhet në letër
E kënga rrjetohet me pikë loti të vjetër
Sa vdes përgjumimi gjumit i del fjala
E mbytem thellë në vete nën vete bie
Përmbysur e përmbytur në terrin që gjëmon
Rrugës së lashtë vonë i bie në fije
Zërit përtej këngës që thërret gjumin zgjon
Dhe niset udha me shtatë e shtatë leqe
Kafshon malin pi detin e shtatë bjeshkë
Zëri me daullet në vesh bumbullon
Përpara më bart fjala si ëndrra e keqe
Si valë e zhurmshme si erë me furi
Rrëmben gjumin e qetësinë gojë-harushë
Kuptimet thejnë dryenat marrin vrap në fushë
Ndien gjuhën e lashtë që e di s’e di
Përmbytesh në vete zërin tënd përgjon
Sheh syrin e kaltër në syrin tënd det
Dhembjen e përkund në tym mjegullën vetë
Ndien s’je ai që ishe tretesh e vdes
Han mishin copë copë zbulon asht të bardhë
Do të këndosh një me zërin e lashtë
Syri vjedh dritën në netët pagjumë-vona
Nga goja rrjedh fjala në gushë jehona
E je pranë vetes aq sa je me valën
E zhurmshme erën që rrah muret e s’pret
Shqipton fjalët e lashta kuptimi gjen halën
Në det gjuha thërret klidhjen e vet
Mjerimet e reja shkruajnë gjurmët e veta
Në trupin e shpirtin e thellë pa fund
As ëndrrën as frikën nuk i mund kund
Deri në shtrirjen e fundit të pafleta
Klith ëndërr në fund fillin ta gjeta
Të rigoj të këndoj të stërpikë me lot
Humba tupin shpirtin ashtu si e treta
E vaji nuk vdiq duke bredhur kot
Vala zien zhurmon era sjell furinë
Dhe vënë në gjumë jete pagjumësinë

Nga “Trungu ilir”, Rilindja, 1979 / KultPlus.com