Nën organizimin e Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, sot, 2 shkurt 2023, nga ora 17:30, në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, do të zhvillohet një ceremoni për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në mesin e folësve do të jenë Ambasadorja Ziv, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Matthias Konrad, Zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, dhe Lekë Rezniqi trashëgimtar i Asllan Rezniqi, i cili kishte shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit dhe është njohur nga Qendra e Përkujtimit të Holokaustit “Yad Vashem” si “Fisnik mes Kombeve”.
Artistët kosovarë të njohur ndërkombëtarisht, Prof. Valton Beqiri, ish-ministër i Kulturës i Republikës së Kosovës, njëherësh kompozitor, pianist, aranzhues e dirigjent, dhe sopranoja Besa Llugiqi do t’i interpretojnë dy këngë që identifikohen me Holokaustin:
– Këngën “Eli, Eli, shelo yigamer le’olam” (“Zoti im”), të bazuar në poemën e titulluar “LeKeisarya” (Çezarea), të shkruar nga ish-luftëtarja e rezistencës hebreje hungareze e Luftës së Dytë Botërore, Hannah Szenes, të cilën kompozitori izraelit David Zehavi e shndërroi në këngë më 1945. Szenes e shkroi poemën ndërsa banonte në një kibucin Sdot Yam në Qarkun e Haifës të Shtetit të Izraelit i cili ndodhet në një distancë të shkurtë përgjatë bregut të Mesdheut nga qyteti i lashtë port i Çezaresë;
– Këngën “Ha’ayara Bo’eret” (“Qyteti i vogël po digjet”), teksti i së cilës buron nga poema e vitit 1936 “Es brennt” nga Mordechai Bertig, një poet dhe kompozitor polak me ndikim i periudhës së mesluftës, i vrarë nga nazistët më 1942.
Aktorja e talentuar, Fitore Jashari do të interpretojë një monolog bazuar në romanin e Annelies Marie “Anne” Frank, një vajzë hebreje e lindur në Gjermani, e cila mbante një ditar në të cilin dokumentonte jetën e fshehur nën persekutimin nazist.
Gjithashtu, do të ekranizohet dokumentari “Ata më dhanë jetë” (“They Gave Me Life”) me protagoniste Rena Quint, e mbijetuar e Holokaustit.
Në fund, do të ndizen gjashtë qirinj, një nga një, në kujtim të gjashtë milionë viktimave të Holokaustit, nga ana e SH.S. Ambasadores Ziv, Kryeministrit Kurti, Zëvendësambasadorit Konrad, Kryetarit të Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, si dhe Lekë Rezniqi dhe Zana Mustafa-Bukoshi, trashëgimtare e Faik Sharri dhe Sabrije Sharri, të cilët kishin shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit dhe janë njohur nga Yad Vashem si “Fisnikë mes Kombeve”. / KultPlus.com
27 janari përkon me (Holocaust Memorial Day), ditën kur e gjithë bota kujton viktimat e Holocaust-it, ku mbetën të vrarë rreth 6 milionë hebrenj. Sot, bëhen plot 77 vite nga çlirimi i kampit të Auschëitz-Birkenau, njohur ndryshe si “kampi i vdekjes” të nazistëve në Poloni.
Më poshtë do të gjeni një listë me filma/serialë që rrëfejnë historitë rrënqethëse dhe çnjerëzore që ndodhën brenda kampit fatkeq.
1. The Pianist (2002)
Bazuar në librin autobiografik me të njëjtin titull, ky film tregon për jetën dhe kujtimet e një pianisti polak-hebre, W?adys?aë Szpilman, që i shpëtoi Holocaust-it.
2. La Vita e Bella
Një dramë-komedi italiane e vitit 1997 me skenar dhe pjesëmarrje të Roberto Benigni-it. La Vita e Bella tregon për rrugëtimin e një familjeje që përballet me internimin në kampet e përqëndrimit të nazistëve. E gjithë historia shihet nga sytë e një vogëlushi dhe përpjekjet e të atit për t’i zbukuruar realitetin horror që iu desh ta përjetonte që herët.
3. Schindler’s List
Schindler’s List, një dramë historike e 1993-shit me regji të Steven Spielberg. Filmi flet për Oskar Schindler, gjermanin që shpëtoi me mijëra refugjatë hebre-polakë nga Holokausti duke i punësuar në fabrikat e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
4. The Boy in the Striped Pajamas
Bruno është djali 8-vjeçar i komandantit të kampit të përqëndrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rastësisht ai takon moshatarin e tij hebre përtej gardhit të kampit dhe mes tyre lind një miqësi e pastër. Çfarë nuk dinte vogëlushi ishin pasojat e kësaj miqësie prej të cilave nuk mund të shpëtonte.
5.Holocaust (1978)
Mini-serial që tregon perceptimet e ndryshme të familjeve gjatë asaj periudhe. Dy familje gjermane nga Berlini: njëra palë e krishterë, pjesëtarët e të cilës u bënë nazistë si pasojë e nevojave ekonomike, ndërsa familja tjetër hebre, përfunduan duke qenë viktimat e tyre.
6. Train of Life (1998)
Një tragjikomedi që flet për historinë e hebrenjve nga Europa Lindore dhe përpjekjet e tyre për t’i shpëtuar Holocaust-it.
7. Anne Frank: The Whole Story (2007)
Mini-seriali i bazuar në ditarin e famshëm të Anne Frank dhe perceptimi i botës sipas syve të saj, menjëherë pasi kupton që krejt papritur ajo dhe familja nuk kanë më të drejta.
Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave të Holokaustit”.
Kjo ditë përkujton miliona viktima të politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqendrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit.
Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore. Muzeu Historik Kombëtar në Shqipëri i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre. / KultPlus.com
Asambleja e Përgjithshme OKB-së do të caktonte në vitin 2005, 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, në nderim të viktimave të Holokaustit.
Meta: Shqipëria i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre
Në kuadër të kësaj dite, Presidenti Ilir Meta shprehet se “sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë kurrë më të tilla gjenocide e akte çnjerëzore”.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës”, thekson Meta.
Ai shton se “ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes besa”.
“I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit”, u shpreh Meta.
Ruçi: Shqipëria, lider në luftën kundër antisemitizmit
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i bashkohet fushatës “WEREMEMBER-NE KUJTOJMË”, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin.
Duke përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin, Ruçi, u shpreh se “Shqipëria është mjaft aktive dhe në sinergji me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen këtij fronti”.
“Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të rajonit të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit. Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, humanizmi mbi përndjekjet, vuajtjen e dhimbjen në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë, dashurinë dhe humanizmin. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson kryeparlamentari.
Ai nënvizon se “shqiptarët bota i njeh si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rrallë herë në histori. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne jetërsojmë veprën e brezave para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta”.
“Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin nuk është një ditë urrejtjeje, por dashurie; nuk është një ditë armiqësie, por miqësie; nuk është një ditë që ndan, por që bashkon; nuk është kujtimi i një dite lufte, por thirrja për një epokë paqeje. Është një ditë që fton e bashkon në pajtim të gjitha qytetërimet, komunitetet e besimet fetare, kombet, rajonet, racat, të gjithë njerëzimin”, deklaron Ruçi.
Këtë vit, Kuvendi i Shqipërisë përkujton Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin, pas organizimit, në 28 tetor 2020, të Forumit të Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, një nismë e Kuvendit në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë.
Forumi bashkoi në një platformë virtuale autoritete të larta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Izraeli dhe vendet e rajonit.
Në Forum përshëndetën Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamenit të Izraelit Yariv Levin, dhe drejtuesit e parlamenteve të vendeve ballkanike etj. Forumit i parapriu adoptimi nga Kuvendi i Shqipërisë, më 22 tetor 2020, i Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”. Të dyja këto nisma e bënë Shqipërinë një vend lider në rajon për luftën kundër antisemitizmit.
Xhaçka: Thellësisht krenarë për shqiptarët në misionin e shpëtimit të hebrenjve
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura.
Ministrja thekson se nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën ndaj antisemitizmit.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës.
Kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit. Thellësisht krenarë për Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin diplomatik në misionin e shpëtimit të hebrenjve”, shprehet Xhaçka.
Basha: Përballja me të keqen është imperative edhe sot
Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Holakaustit, ndërsa thekson se përballja me të keqen është imperative edhe sot.
Basha shprehet se sot në Ditën Ndërkombëtare të Holakaustit kujtojmë dhe nderojmë viktimat e Holokaustit dhe gjithë brezat e humbur prej tij.
“Qëndresa dhe përballja me të keqen është imperative edhe sot kur fatkeqësisht fuqia e propagandës është akoma shkatërrimtare “, shprehet ai./ atsh/ KultPlus.com
Anna Frank është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, shkruan KultPlus.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të kësj vajze që tashmë konsiderohet si zëri i të gjitha viktimave të Luftës së Dytë Botërore.
-Madhështia e njeriut nuk bazohet në pasuri dhe forcë, por në karakter dhe mirësi.
-Njerëzit mund të të thonë mbylle gojën, por kjo nuk të ndalon e as nuk të pengon që të kesh mendimin tënd.
-Mund të jesh i vetmuar madje edhe atëherë kur shumë njerëz të duan, nëse për askënd nuk je një dhe i vetëm.
-Pse disa njerëz duhet të durojnë urie, përderisa ne viset tjera të botës ka tepricë? Oh, pse njerëzit janë ashtu të çmendur.
-Prindërit mund të japin këshillë të mirë ose ta orientojnë fëmijën në rrugë të drejtë, por përfundimisht formimi i karakterit të ndokujt qëndron në duart e tij.
-Megjithëse jam 14 vjeçe, e di mjaft mirë se çfarë dua, e di çfarë është e drejta dhe çfarë është e gabuara.
-Kam opinionet e mia, idetë e mia dhe pariemt e mia, dhe megjithëse mund të duket çmenduri për një adoleshente, ndihem më shumë përson se sa fëmijë, ndihem më e pavarur se çdokush.
-Pavarësisht gjithçkaje unë besoj akoma që njerëzit kanë një zemër të mirë.
-Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende.
-Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?
-Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt.
-Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish./ KultPlus.com
Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ku përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në Kosovë, më gjerësisht në hapësirat e “Roma Versitas Kosova” u organizua një gamë e gjerë aktivitetesh, të cilat përkujtuan kujtimin e Viktimave të Holokaustit përmes promovimit të edukimit dhe luftës kundër racizmit, anti-gipsizmit dhe antisemitizmit, shkruan KultPlus.
“Roma Veristas Kosova” në tre vjetët e fundit përkujton gjenocidin e kryer ndaj hebrenjve, romëve, zezakëve, homoseksualëve, Dëshmitarëve të Jehovës dhe grupeve të tjera të njerëzve si kundërshtarët politikë që u persekutuan dhe shfarosën nën regjimin nazist dhe Aktivitet kanë përfshirë: Ekspozita e Holokaustit nga Artistja Mirjeta Qehaja, Diskutim në panel mbi antigipizmin dhe antisemitizmin, si dhe Peticion për Republikën e Kosovës për njohjen e 2 gushtit Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit si ditë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në këtë përkujtim prezentë ishin të gjithë partnerët nga Organizatat e të Drejtave të Njeriut, studentët, si dhe anëtarët e komunitetit.
Nga panelistët që morën fjalën ishin: Artistja Mirjeta Qehaja, Burhan Gashi, Fatlum Kryeziu dhe Bajram Ilazi.
Burhan Gashi, mes të tjerash tregoi edhe për përvojën e tij si student i historisë, si dhe për interesimin e tij në Romë si aktivist i të Drejtave të Njeriut. Ai tha se ne si shoqëri duhet të trajtohemi njësoj dhe jo në bazë të ngjyrës. Ai gjithashtu shpjegoi edhe përvojën e tij në Austri.
“Perceptimi ynë si shoqëri është shumë i dhimbshëm, sepse njerëzit shikohen në bazë të asaj se duken – në fakt ish dashtë të jetë e kundërta dhe se morali nuk duhet të jetë pjesë e historisë”, tha Gashi.
Fatlum Kryeziu, student në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Sociologjisë, shpjegoi në pika të shkurtra Holokaustin në kohën kur ka ndodh dhe tash. Pra, tërheqi disa vija dalluese.
Bajram Ilazi, student i fakultetit ekonomik në kolegjin AAB tha se pasioni i tij është të punojë me komunitetin Rom, Ashkali e Egjiptian
. “Kam shumë dëshirë me punu me Rom, Ashkali, e Egjiptian. Thënia ime e preferuar është: Shumë njerëz më akuzojnë se flas shumë, por harrojnë se flas për komunitetin tim”, tha ai.
Në fund të aktivitetit, studentët e komunitetit Rom, Ashkali e Egjiptian, recituan disa poezi para publikut shumë të interesuar dhe preken me emocionet e tyre. /KultPlus.com
Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ku përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa në Kosovë, më gjerësisht në hapësirat e “Roma Versitas Kosova” u organizua një gamë e gjerë aktivitetesh, me theks të veçantë Ekspozita nga Mirjeta Qehaja, shkruan KultPlus.
Ky angazhim i “Roma Versitas Kosova”, qoftë përmes diskutimeve ose përmës ekspozitës kishtë si qëllim për të kujtuar të gjitha viktimat e Përndjekjes Naziste dhe viktimat e të gjithë gjenocidit dhe ne e pranojmë se Holokausti është një fakt që na mëson se e keqja nuk fle kurrë dhe është një mësim për të gjithë ne për të luftuar të gjitha format e diskriminimit dhe persekutimeve në shoqëritë tona.
Artistja Mirjeta Qehaja tha se kjo ekspozitë është punuar në prill të vitit të kaluar, ndërsa kjo ide i ka ardhë si rezultat i disa krahasimeve duke filluar nga ajo se kush ka qenë targetgrupi i gjenocidit.
“Kjo ide më ka ardhë pasi kam zbuluar se kush ishte targetgrupi i gjenocidit, duke filluar nga: njerëzit që kishin ngjyrën e zezë, njerëzit me aftësi të kufizuar, komuniteti i LGBT dhe shumë komunitete të tjera. Janë pikërisht këto komunitete që edhe sot kanë probleme të ngjashme”.
Ajo gjithashtu tha se shoqëria jonë nuk mund të quhet e modenizuar derisa lë jashtë këto komunitete.
“Përderisa nuk ekziton paqja mas pari në zemrat tona dhe t’i pranojmë njerëzit sic janë, nuk mund të quhemi shoqëri e modernizuar”, përfundoi Qehaja.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të javës dhe të gjithë të interesuarit mund t’i shohin punimet e artistes, Mirjeta Qehaja. /KultPlus.com
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ku përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rreth gjashtë milionë hebre u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e tyre.
Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.
Një rol të rëndësishëm për të shpëtuar hebrenjtë, e kanë luajtur shqiptarët, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebre që kishin ikur nga vendet tjera apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri, transmeton lajmi.net.
Për nder të kësaj dite, sot në Prishtinë dhe Prizren do të ketë aktivitete të ndryshme, ku do të marrin pjesë edhe krerët e institucioneve shtetërore./KultPlus.com
Në mbarë botën më 27 janar, shënohet Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, për të nderuar viktimat e luftës së dytë botërore që u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz dhe u lanë të vdisnin urie, shkruan KultPlus.
Bashkësia Hebraike në Kosovë në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, organizojnë ngjarjen që shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Të pranishëm për të hapur këtë ngjarje do të jenë edhe shumë fytyra publike të njohura, si George Katcharava, Presidenti i Kosovës Hashim Thaqi, Ambasadori Jan Braathu, Votim Demiri kryetar i Komunitetit Hebre të Kosovës, Ambasadori amerikan Philip S. Kosnett dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.
Në këtë ngjarje do të hapet edhe ekspozita ”Komuniteti Hebre i Kosovës para luftës së dytë botërore dhe pas saj”, duke vazhduar më pas edhe me një prezantim të Muezut të historisë së hebrenjëve të Kosovës.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve.
Ngjarja do të mbahet në Doku Kino – Kompleksi Europa, më datë 27 janar të këtij viti, duke filluar nga ora 12 në mesditë. / KultPlus.com