Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.
Në këtë ditë ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur se të zhdukurit janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, familjarët, sikurse edhe e gjithë Kosova ende është në pritje të zbardhjes së fatit të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ata janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë. Mbi të gjitha, ata janë pengu i lirisë sonë, ndaj zbardhja e fatit të tyre është përkushtim i çdoditshëm.
Paqe të qëndrueshme nuk mund të ketë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Jemi të përkushtuar e të vendosur që fati i tyre të zbardhet, e vërteta të ngadhënjejë dhe drejtësia të triumfojë”, shkruan Osmani. / KultPlus.com