Anneliese Marie Frank lindi më 12 qershor 1929 në Frankfurt am Main dhe vdiq në fillim të muajit mars të vitit 1945 në KZ Bergen-Belsen.
Ishte me prejardhje gjermane-hebreje, që ishte fshehur me familjen e saj në Amsterdam, në kohën nacionaliste, por që nuk arriti t’i shpëtonte vdekjes para mbarimit të luftës.
Anne Frank u bë e njohur me ditarin e mbajtur gjatë periudhës së fshehjes.
KultPlus ju sjell një paragraf të shkëputur nga Ditari i Anne Frank.
“Dëshiroj që një herë, të paktën një natë, disa ditë, një javë, të jetoj në atë mënyrë, pa halle dhe e gëzuar, por ama në fund të kësaj jave, do të kisha falenderuar të parin njeri që do ta takoja dhe që do të më fliste seriozisht. Nuk dua admironjës, por shokë, nuk dua të më adhurojnë për buzëqeshjen ose për shakatë e mia, por të vlerësojnë drej cilësitë e mija dhe karakterin tim. E di mirë se kështu do të zvogëlohet shumë numri i njerëzve që më rrethojnë. Po s’ka gjë, më mjaftojnë vetëm pak njerëz, veçse njerëz të vërtetë, të drejtë!”/ KultPlus.com
Botimi “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919” me autore Teuta Toskën sjell ditarin e veprimtares së vetme shqiptare, që lundroi në vitin 1919 nga Nju-Jorku për në Paris, për të përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes.
Studiuesja Teuta Toksa ndalet te kontributi i Parashqevi Qiriazit në konsolidimin e shtetit shqiptar të pavarur rreth 100 vite më parë.
“Ky ditar ka qenë në Arkivin e Shtetit, por është i njohur vetëm për studiuesit, jo për publikun. Më shumë se një ditar kujtimesh, është si një agjent pune. Prandaj, ishte e nevojshme që do t’i jepej publikut, i plotësuar me komente. 1919-ta është një vit shumë i rëndësishëm, një vit ndarës në politikën shqiptare. Por për mua ky vit është më i rëndësishmi, në jetën politike dhe diplomatike të saj. Para 100 vitesh, problem madhor ishte formimi i shtetit shqiptar”, shprehet Toska.
Në ditarin e saj, mbajtur nga data 1 janar të vitit 1919, mes të tjerash Qiriazi shkruante për kuvendin e datës 29 dhjetor, të organizuar nga Federata panshqiptare, Vatra’ së:
“1 janar. Sot pas si arnova pak dhe u vesha, shkrova ca letra edhe spastrova deskun. Këtu kishim z.Sadik Lekdushin, Kost Lakrorin, Rafail Burgalecin dhe z.Grameno po është këtu prej një muaj. Sot u bë një meting organizuar prej vatrës, ku u bënë protestime për çështjen të Çamërisë dhe të Kosovës…”
Përpos koordinimit të delegacioneve shqiptare, Toska thekson rolin e Qiriazit për transformimin e shoqërisë shqiptare, duke shkruar një strategji për arsimin.
“Unë mendoj se i gjithë libri jep një panoramë të plotë, të asaj që Parashqevi Qiriazi ishte. Pjesa e parë e tregon gruan e thjeshtë, që befas transformohet në një diplomate shumë aktive, që shndërrohet në një diplomate aktive dhe që koordinon veprimtarinë e delegacioneve shqiptare. Në Paris gërshetohet përmes ditarit; jeta e një gruaje, pasionet e një intelektualeje dhe veprimtaria e ethshme diplomatike e saj. Pjesa e dytë, i kushtohet mendimit të saj politik. Aty shpaloset edhe më shumë mendimi i saj për transformimin e shoqërisë shqiptare. Ajo kishte shkruar një strategji kombëtare për arsimit. Prandaj mendoj se kjo është panorama e një intelektualeje shumë të guximshme shqiptare, për kohën që ne flasim, përpara 100 viteve. Është unike”, përfundon Toska. / ReportTV/ KultPlus.com