Xhemile Hysenaj
Vargun dhe aparatin i do shumë, e përmes tyre ajo shpalos pjesën më të bukur që struket brenda njeriut, artin. Rozafa Shpuza, poetja dhe fotografja shkodrane përveç e zonja në punën që bën, ajo njihet edhe për një person shumë të çiltër e të dashur, e padyshim që këto cilësi I hasim edhe në artin e saj që tashmë ka zënë një vend të rëndësishëm.
Në këtë kohë kur pandemia ka shpërndarë degët e saj edhe në Kosovë e Shqipëri, artistët nuk janë dorëzuar përballë izolimit, por kanë shfrytëzuar këtë kohë për të sjell sa më shumë art për njerëzit që po luftojnë me një virus krejt të papritur.
‘Ditari i një stine të mrrolun’ është projekti përmes së cilit Rozafa Shpuza ka fokusuar momente nga kjo situatë krejt e pazakontë për njerëzit. Ky Projekt Brenda vetës ndërthurëemocione të mëdha të pasqyruara në portretet e njerëzve e rrugët e boshatisura.
Në një intervistë për KultPlus, Rozafa tregon më shumë rreth ditëve të saj si artiste në karantinë dhe artit të saj që kësaj radhe vjen përmes fotografisë.

KultPlus: Virusi Covid-19 ka sjell një situatë të jashtëzakonshme për të gjithë njerëzimin në botë, por arti po konsiderohet si forma m e mirë për të tejkaluar këtë situatë të izolimit. Si po e përjeton karantinën një artiste si ju?
Rozafa Shpuza: Kjo pranverë më befasoi skajshëm me fatalitetin që ajo përcolli. Lajmet e kobshme që vinin nga Italia fqinje po tronditninpareshtur, me një ritëm makabër, mbarë botën dhe vetëdija e gjithsecilit nuk qe e zonja me arsyetue ekzistencën e ardhmënisë pas kësaj situate tejet të dhimbshme e të dalun jashtë kontrollit. Ditët e para të ngujimit qenë të ngarkueme me ankth, frikë, pasiguri, mandej u ambientova disi e fillova me krijue për mos me e lanë vedin me ra në pesimizëm. Kam fotografu shumë nga dritaret apo edhe veten, meqenëse ishte e pamundun me takue njerëz. Kam filluepër herë të parë me pikturu e kjo më dha një adrenalinë të pashoqe, si dhe kam krijuetasheparë vargje apo prozë të shkurtë, sipas muzave të çastit.
KultPlus: ‘Ditari i një stine të mrrolun’ ka fokusuar kryesisht imazhe njerëzish, pse jeni përqendruar pikërisht tek imazhet, çfarë ju pëlqen të fokusoni më tepër?
Rozafa Shpuza: Më pëlqen shumë fotografia e rrugës, se aty arrij me fiksue personazhe në jetën e tyre të përditshme, ashtu origjinalë, të patrukuem, pa marrë poza si në një foto në studio. Këto ditët e ngujimit kam realizue shumë fotografi të tilla e albumi jem i titulluem “Ditari i nji stine të mrrolun” po plotësohet çdo ditë me foto të reja. Ky album, përveç vlerave artiste mbart në vetvete edhe vlera sociale e historike, se dokumenton historinë e personazheve të zakonshëm në këtë kohë pandemie.

KultPlus: A mendoni se në këto kohë për një artist vlen thënia ‘Më jep një dhimbje të jap një kryevepër’?
Rozafa Shpuza: Shprehjen “Më nep një dhimbje, të të jap nji kryevepër” e kam pas përdor në kohën kur shkruva librin tem të parë “Kohë ikonash”. Ishte koha kur im atë po jetonte ditët e fundit e kjo dhimbje më dha forcë me krijue. Edhe në këtë pranverë të mrrolun kam krijue shumë. Si duket vetëdija jeme reagon skajshëm ndaj ekstremeve emocionale.
KultPlus:Fotografia juaj mund tëpërmblidhet ndoshta me fjalën ‘çast’, por ju pretendoni të përçoni mesazh përmes këtyre fotografive apo thjesht i realizoni sepse i ndjeni ?
Rozafa Shpuza: Kurrë nuk kam mendue se çfarë kanë me përçue fotot e mia. Fotografia jeme asht nji reagim i beftë, asht frymë, asht dëshirë me ngri nji çast, me e përjetësue. Ndoshta, kur fotot grupohen nëpër albume apo ekspozita të ndryshme, u jepet mundësia artdashësve me marrë emocione secili sipas mënyrës së vet. Jam kundër arit shabllon, artit komercial, artit të stisun vetëm për me përcjellë interesat e nji pjese të caktueme të shoqnisë.

KultPlus: Situata që është krijuar nga pandemia është parë në këndvështrime të ndryshme, madje shumë zëra kanë radhitur edhe anë pozitive të kësaj situate, po ju si e shihni në këtë aspekt ?
Rozafa Shpuza: Nuk mundem me mendue se nji ngujim i detyruem mbart anë të mira. Kam ndie nëpër media disa intervista kallpe, sikur u desht kjo pandemi për me e kuptuerandësinë e familjes. Më duken krejt të pasinqerta këto deklarata e nuk jam hiç darkord me to. Mundem me thane se ky ngujim më bani me u ndalë nji hop, me u shkëputë nga rutina, me ndërrue orare kryeneçe e plane të miroganizueme, me frymue me tjetër ritëm, me pa përtej axhendës ditore bajate dhe me e pa ardhmëninë me të tjera ngjyra.
KultPlus: Karantina duket sikur i ka aktivizuar artistët, a mendoni që ka ndikuar kjo kohë izolimi që artistët të jenë edhe më aktiv se zakonisht ?
Rozafa Shpuza: Nëpërmjet publikimeve në rrjetet sociale kam vue re me admirim se miqtë e mi artistë kanë krijue shumë ma tepër se në nji situatë të zakonshme. Kjo më ban me besue se pas kësaj pandemie kena me pasënji vërshim ekspozitash, librash, veprash muzikore e gjithëçka tjetër që ka lidhje me artin e letërsinë.
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë në këto kohë pandemia?
Rozafa Shpuza: Unë mundem me ju rrëfye lexuesve të KultPlusit se cila asht motoja jeme në këtë kohë pandemi e ata janë të mirëpritun me e marrë ose jo si mesazh: Me jetuetue i dhanë kuptim çdo çasti… / KultPlus.com












