Doli nga shtypi, në botim të shtëpisë botuese “Artini” nga Prishtina, libri më i ri i Profesor Agim Vincës: “DITARI I PANDEMISË. Rrëfime nga karantina”. Libri ka rreth 300 faqe. Në parathënien me titull “Dy fjalë lexuesit”, vetë autori, ndër të tjera, shkruan:
«As në ëndërr nuk më kishte shkuar ndër mend se do të vinte dita të shkruaja një libër si ky. Kisha plane të tjera, të shumta, prej të cilave nuk kam hequr dorë, por ato mbetet të presin një kohë tjetër, më të mirë. Sepse, nuk i ngjan puna punës, thonë në vendlindjen time. Ka punë që presin dhe ka të tjera që ose bëhen sot, në këtë moment, ose nuk bëhen fare.
Më 14 mars, një ditë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë, vendosa të mbaja ditar, gjë që e kam bërë, herë pas here, edhe më parë.
Thashë me vete: të lë një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të neve që na ra në hise ta përjetojmë pandeminë Covid-19.
Të lija një dëshmi dhe të shlyeja një borxh ndaj atyre që i vunë gjoksin kësaj sëmundjeje, duke rrezikuar veten, mjekëve në radhë të parë, por edhe infermierëve, laborantëve, ekspertëve të mikrobiologjisë, përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, në radhë të parë atyre shëndetësore, por edhe policëve që ditë e natë ishin në krye të detyrës, duke u kujdesur për rendin.
Për pandeminë do të shkruhen libra në të ardhmen (ndoshta tashmë janë shkruar ose po shkruhen). Do të shkruhen libra e do të bëhen shfaqje e filma. Dokumentarë e artistikë. Secili që e ka përjetuar mbylljen dhe izolimin e, larg qoftë, edhe sëmundjen, ka rrëfimin e vet për të.
Ky është rrëfimi im, ashtu siç e kam parë e përjetuar unë këtë situatë: situatën nëpër të cilën kaluam në muajt mars, prill, maj të këtij viti.
Këto janë shënime të mbajtura rregullisht gjatë ditëve të pandemisë, ndërsa qëndroja i mbyllur në shtëpi, në banesën time në Prishtinë. E fillova si diçka të vogël, por ditë pas dite e javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë.
Janë gjithsej 80 ditë: nga data 14 mars, që do të thotë një ditë pas zbulimit të rastit të parë me koronavirus në Kosovë, deri më 1 qershor, kur filloi faza e tretë dhe, le të shpresojmë, edhe e fundit e masave kufizuese dhe, deri diku, edhe normalizimi i jetës, së paku në krahasim me periudhën e mëparshme.
Dhe, ja, një rastësi e bukur: Një Qershori është Dita e Fëmijëve, e atyre që janë fëmijë sot dhe e atyre që do të vijnë paskëtaj në këtë botë dhe që këtë ditar do ta lexojnë një ditë mbase si një përrallë, të bukur, por edhe të frikshme njëkohësisht.
Jam përpjekur të vë ekuilibër mes aspektit intim, personal e familjar, që është karakteristikë e ditarit si formë e shkrimit dhe atij publik, shoqëror e kombëtar, gjë që e rrit, besoj, peshën dhe rëndësinë e këtij rrëfimi.
Kamyja thotë te Murtaja se njerëzit e mbyllur në karantinë, më shumë se në të tashmen (dhe të ardhmen), jetojnë në të kaluarën. Kështu ka ndodhur edhe me mua që në këto shënime kam evokuar shumë kujtime dhe ngjarje nga e kaluara. Ato edhe janë ndoshta pjesët më të bukura të këtij libri.
Prishtinë, 1 qershor 2020 A. V.
Ndërsa recensenti i libit, shkrimtari dhe publicisti Rushit Ramabaja, shkruan:
«Gjithkahnaja e librit më të ri të Agim Vincës DITARI I PANDEMISË, Rrëfime nga karantina mbërthen në vete 80 ditë zymtore të kësaj pranvere të sëmurë. Këtë libër (që, ndonëse i shkruar në formë ditari, ma merr mendja se më së miri mund të lexohet si prozë dokumentare) e bën të jashtëzakonshëm, jo ngjarjet e përditshme të një kohe morti me të vdekur e vaje, por ngjallja e zombive provincialë pikërisht në kohë të dergjës botërore, për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe për të hëngër lirinë tonë. Ky është zëri i intelektualit dhe poetit, që del nga brendësia. Këta atdhengrënës, shkelën idealin dhe lirinë duke përdhosur ligjet mijëvjeçare që kishin rregulluar raportet e etnisë në kohë morti e fatkeqësie. Ky akt i lig është vënë në qendër të magjisë së rrëfimit, në dukje ndonëse duket i pasforcuar, i privuar nga hidhërimi. Por, përbrenda vlon drama e mllefi kolektiv. Kështu e pasforcuar, vëngjilla e kësaj pranvere ka dalë aq e natyrshme, aq spontane dhe aq e lexueshme. Në vetë aktin e shkrimit të këtij ditari në kohë të fatkeqësisë kolektive, mund të lexojmë shpirtin human të Profesorit tonë dhe mesazhin për metaforën e paplakur të lirisë». / KultPlus.com