Me vendim të presidentës, sot ditë zie në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën, 24 nëntor 2021, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga aksidenti në Bullgari, shumica dërmuese bashkëkombas tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari, shkruan KultPlus.

“Shpallet zija shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në shenje solidarizimi dhe nderim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht ne aksident trafiku në Bullgari”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Presidencës

Me vendim të presidentes Osmani, flamujt shtetërorë ulen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. /KultPlus.com

Belgjika shpall ditë zie në nderim të viktimave të vërshimeve

Belgjika ka shpallur një ditë zie kombëtare për javën e ardhshme, pas vdekjes së 20 personave dhe zhdukjes së 20 të tjerëve nga vërshimet.

“Ato që do të duhej të ishin ditë të bukura vere papritmas u shndërruan në ditë të errëta e jashtëzakonisht të dhimbshme për bashkëqytetarët tanë. Këto janë rrethana të veçanta, të cilat vendi ynë s’i ka parë në të kaluarën”, deklaroi Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo.

Reshjet, që zgjatën një javë, më në fund u ndalën, pasi në disa vende e arritën nivelin që normalisht pritet një herë në 200 vjet. Megjithatë, banorët në disa pjesë të Belgjikës ende nuk ndihen të sigurt, sepse Lumi Meuse po e rrit nivelin e ujit. Ky lumë kalon nëpër qytetin Liege.

“Kemi punuar, kemi renovuar gjithçka, po humbim gjithçka që kemi pasur. Tani duhet të nisim nga zeroja dhe të punojmë pak nga pak për t’i kthyer gjërat në vend”, tha Sylvia Calvo Lorente, përderisa i vëzhgonte dëmet në shtëpinë e saj në qytezën Trooz.

Në qytezën lindore, Verviers, lumi me nivel të rritur të ujit ende po i prekte rrugët, ku njerëzit mundoheshin që t’i shpëtojnë dyqanet, shtëpitë dhe veturat, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Qeveria vendosi që dita e martë të jetë ditë zie dhe që të pakësohen festimet një ditë më pas, kur shënohet Dita Kombëtare e Belgjikës.

Belgjika i ka bërë thirrje për ndihmë mekanizmit të BE-së për mbrojtje civile, duke rezultuar në ndihma nga Franca, Austria e Italia, kryesisht përmes barkave, helikopterëve dhe personelit të kërkim-shpëtimit. / Express / KultPlus.com

Sot, Kosova në ditë zie pas vdekjes së Nexhmije Pagarushës

Hashim Thaqi, presidenti i Republikës së Kosovës, e ka shpallur ditë zie 9 shkurtin për të nderuar figurën e mbretëreshës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KulPlus.

Bëhet e ditur se Thaqi këtë vendime e ka marrë në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për këngëtaren e mirënjohur e cila ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.

Sipas asaj që njofton Presidenca, në pajtim me legjislacionin në fuqi, sot në ditën e zisë, flamuri shtetëror do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq edhe varrimi i të ndjerës bëhet sot në Pagarushë të Malishevës. / KultPlus.com