Hillary Clinton, ndër gratë më të fuqishme e më të zëshme të skenës politike, sot shënon 73 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.
Ajo ka publikuar një foto të saj, në rininë e saj të hershme, ndërsa i ka bashkangjitur edhe një shkrim ku bënë thirrje ndaj amerikanëve që të dalin e të votojnë në këto zgjedhje.
“Është ditëlindja ime dhe kjo është dëshira e vetme: që ju të dilni e të inkurajoni të gjitha ata që mendojnë të mos votojnë këtë vit, të dalin e të votojnë e që vota e tyre të shkojë për Biden-Harris. Të gjithë ne kemi fuqi më shumë se që e mendojmë”, ka shkruar Hillary Clinton.
Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël.
Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën Clinton e kishte thënë kohë më parë në një konferencë për media.
‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë‘, ishte shprehur ajo me vendosshmëri të lartë. / KultPlus.com
Komunizmi është i njohur për ndërhyrjen apo cenzurën e theksuar që i bën artit, shkruan KultPlus.
Edhe në periudhën komuniste në Shqipëri, artistët kohë pas kohë i kushtonin këngë Enver Hoxhës.
Në vijim, KultPlus ju sjell një këngë nga ‘Grupi i Bënçës’, e cila ishte kënduar në vitin 1983, me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës. Në video shihet Enver Hoxha tejet i emocionuar nga vargjet e dedikuara atij.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës, tekst ky i shkruar nga Maliq Lila
Dëgjo Argjiro shqiponja
këngën që të sjell gjitonia.
Ç`të ka lezet lëmi i këngës
për birin e shtrenjtë të zemrës.
Moj nëna Gjirokastrite
gjiri yt me qumësht drite,
dhe mbi gjith djepet që rite
ç`ti jepje Shqipes e dite,
lum si ne….
Mbas çdo bore në furtunë
balli i malit thatë më shumë,
në çdo thinjë të mënçurisë
beharët e Shqipërisë.
Mes çdo dallge e rrebeshi sa udhëheqës aq ushtar, Historia siç të deshi komandat dhe komisar. o Maje malit me borë që s`qas hije në sinore. Emri yt gëzim lirie lule në çdo buzë fëmije. Shqipërisë fjala jote, kushtrim dhe flamur epoke. ju bë dritë si ëndërronte rrofsh sa mosha e kësaj toke. Shkon urimi goja gojës shëndet trimit Enver Hoxhës, se të vertetës së kohës i dhe krahët e Shqiponjës.
Shqipëria nënë e gjirit të uron bir jetë të gjatë, dhe kur thotë dita njëmijë nënës prap i duket pak. Moj nëna Gjirokastrite gjiri yt me qumësht drite, dhe mbi gjith djepet që rite ç`ti jepje Shqipes e dite, rrofsh Enver… Nga Saranda në Tropojë shkon urimi goj më gojë, kush ndrit udhën siç do nëna sa vet kombit i rreh zemra…. / KultPlus.com
E kam të vështirë ta kuptoj rëndësinë që i jepet fjalës “kërkim“ në lidhje me pikturën moderne. Simbas meje, në pikturë, kërkim nuk do të thotë asgjë. Të gjesh: ky është problemi. Askujt nuk mund t‘i zgjojë kureshtje një njeri që vështron ngultazi përtokë, duke kërkuar kuletën që rastësia mund ta ketë hedhur në rrugë. Kush gjen diçka, nuk ka rëndësi se çfarë, edhe nëse kërkimi i asaj gjëje s’ishte qëllimi i tij, ai po që na zgjon kureshtjen, pse jo dhe admirimin.
Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente. Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.
Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij. Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.
Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.
Ata flasin për natyralizëm dhe kundërvënie ndaj pikturës modene. Do më pëlqente të njihja ndokënd që ka parë një vepër arti natyrale. Natyra dhe arti, duke qenë dy realitetet krejtësisht të ndryshme, nuk mund të jenë e njejta gjë. Nëpërmjet artit ne shprehim konceptimin e asaj që natyra nuk është.
Velázques na ka përcjellë shëmbëlltyrën e njerëzve të epokës së tij: pa dyshim që ata ishin ndryshe nga ç’i ka pikturuar ai, por ne nuk mund të konceptojmë Filipin IV ndryshe nga ç’e ka pikturuar Velázques. Edhe Rubens ka bërë një portret të të njejtit mbret, por duket tjetër njeri. Ne besojmë në atë që ka pikturuar Velázques sepse ai na bind me të drejtën e pushtetit.
Qysh nga origjina, nga primitivët, veprat e të cilëve janë qartësisht të ndryshme nga natyra, dhe deri tek artistë si David, Ingres, e deri dhe Bouguereau, të cilët besonin se e pikturonin natyrën ashtu siç është, arti ka qenë përherë art dhe jo natyrë. Dhe nga pikëpamja e artit nuk ka forma konkrete apo abstrakte, por vetëm forma, të cilat s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtra bindëse. Nuk ka dyshim se këto gënjeshtra janë të nevojshme për pjesën tonë mendore, sepse pikërisht përmes tyre ne mund të krijojmë këndvështrimin tonë estetik mbi jetën.
Kubizmi nuk është i ndryshëm nga asnjë shkollë tjetër e pikturës. Për të gjitha shkollat janë të përbashkëta të njejtët parime e të njejtët elementë. Fakti se për shumë vite kubizmi nuk është kuptuar, dhe ka ende sot ka njerëz të cilët nuk arrijnë ta shohin, nuk do të thotë kurrgjë. Unë nuk di të lexoj në anglisht. Një libër në anglisht për mua është një libër i bardhë. Por ama kjo s‘do të thotë se gjuha angleze nuk ekziston. Përse duhet të qortoj ndokënd, veç vetvetes, nëse nuk arrij të kuptoj diçka rreth së cilës nuk di kurrgjë?
Shpesh dëgjoj të shqiptohet fjala evolucion. Më kërkojnë të shpjegoj se si evoluon piktura ime. Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë. Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt- e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.
Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.
Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo të ardhmen. Nuk besoj se në mënyrat e mija të ndryshme kam përdorur elementë rrënjësisht të ndryshëm; nëse objektet që kam dashur të shpreh më kanë propozuar mënyra të ndryshme ekspresioni, unë nuk kam ngurruar fare t’i përdor. Unë nuk kam bërë as eksperimente e as prova. Kur kam diçka për të thënë, e them në mënyrën që më duket më natyrale. Motive të ndryshme kërkojnë në mënyrë të pashmangshme metoda të ndryshme ekspresioni. Kjo nuk do të thotë evoluim apo ecje përpara, por përshtatje e idesë që duam të shprehim me mënyrat e shprehjes së kësaj ideje.
Arti kalimtar nuk ekziston. Në historinë kronologjike të artit ka periudha që janë më pozitive dhe më të plota se të tjerat; kjo do të thotë vetëm se ka periudha në të cilat ekzistojnë artistë më të mirë se në periudhat e tjera. Nëse historia e artit do mund të paraqitej në mënyrë grafike, ashtu siç veprohet me digramat që shënojnë ndryshimet e temperaturës së të sëmurit, do viheshin re të njejtat linja që ulen e çohen, duke provuar kështu që në art nuk ka ngjitje dhe përparim, por shënohen do lloj uljesh e ngritjesh si në çdo tjetër fushë. E njejta gjë ndodh edhe në punën individuale të një artisti.
Shumë njerëz mendojnë se kubizmi është një art kalimtar, një eksperiment që nuk mund të sjellë rezultate të mëtejshme. Ata që mendojnë kështu nuk e kanë kuptuar. Kubizmi nuk është një farë apo fetus, por art që trajton një shkallë formash parësore, dhe kur një formë realizohet shfaqet aty për të jetuar jetën e saj. Një lëndë minerale që ka një formë gjeometrike nuk është bërë për qëllime kalimtare; ajo është aty për të mbetur dhe mbetur përherë në formën e saj; nëse duam të zbatojmë në art ligjet e evolucionit dhe të transformizmit, atëherë duhet të pranojmë që gjithçka është kalimtare. Por, në të kundërt, arti nuk hyn në këto absolutizma filozofike. Në qoftë se kubizmi ishte art kalimtar, unë jam i bindur se e vetmja formë që do mund ta pasonte kishte për të qenë një formë tjetër e kubizmit.
Janë bërë përpjekje për ta shpjeguar kubizmin nëpërmjet matematikës, trigonometrisë, kimisë, psikanalizës, muzikës, e kushedi ç’gjëje tjetër. E tërë kjo s’ka prodhuar send tjetër përpos letërsi, për të mos thënë “pa kuptim“, dhe ka sjellë rezultatin e keq të verbimit të njerëzve përmes teorive.
Kubizmi ka qëndruar përherë brënda kufinjve të pikturës, duke mos mëtuar kurrë të dalë jashtë saj. Vizatimi, piktura dhe ngjyra janë mirëkuptuar dhe përkushtuar në kubizëm po me të njejtin shpirt dhe mënyrë siç janë mirëkuptuar në shkollat tjera. Kohërat tona mund të jenë të ndryshme sepse ne kemi ndërkallur në pikturë objekte dhe forma të panjohura më parë, kemi hapur sytë mbi gjithë çfarë na qarkon, e edhe mendjen.
Formës dhe ngjyrës u kemi dhënë kuptimin e tyre të veçantë gjer ku kemi arritur ta shohim. Në objektet tanë ruajmë harenë e zbulimit, kënaqësinë e së papriturës; vetë objekti ynë duhet të jetë një burim vëmendjeje. Por ç’dobi ka vallë të flasim rreth asaj që bëjmë, në një kohë kur të gjithë mund ta shikojnë, nëse duan?
Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij. Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jufusin në udhëtimet, tragjeditë e të mirat e jetës së tij.
Sot, në 77 vjetorin e lindjes së tij, KultPlus ju sjell këtë letër mjaft emocionale të Jusuf Gërvallës.
“ Nanë e dashtun! Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!
Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!
Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.
Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë. Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?
Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” . / KultPlus.com
Sot në 37 vjetorin e lindjes së yllit të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, Edi Rama e ka ururar atë përmes një statusi në Facebook, ku e quan atë edhe kingun kosovar.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Ramës.
”LORIK CANA është ndoshta i vetmi bartës i fanellës kuqezi apo të paktën i vetmi që unë njoh, që fushën e blertë të futbollit dhe fushën e historisë së shqiptarëve, i ka jetuar si dy gjysmat e së njëjtës fushë të pasionit të tij. I dhënë tërësisht pas sportit më popullor në botë, qysh në fëmijëri, falë talentit, vullnetit dhe një babai të paepur në ëndrrën për ta parë djalin në majat e lojës me top, Loriku u ngjit lart e la gjurmë në çdo skuadër ku luajti. Ai mbajti shiritin e kapitenit në shpellën e ujqve francezë të Olimpikut të Marsejës dhe u bë simboli i Kombëtares së shqiponjave të mbledhura nga tërë trojet shqiptare, për ta çuar flamurin kuqezi për herë të parë në histori në Finalet e Europës.
Po çka e bën krejt të veçantë kingun kosovar, në rrugën e mundimshme drejt majave të futbollit, ku pati jo njëherë dhe taksiratin e dëmtimeve fizike që do kishin shtrirë përtokë edhe një elefant, është pasioni i tij për historinë, origjinën, gjuhën, luftrat, përpjekjet e shqiptarëve në shekuj. Nuk e di a ishte fanella kuqezi që e çoi Lorikun tek leximet mbi betejat e shqiptarëve në shekuj apo ishin leximet e betejave që e bënë atë ta përjetonte fanellën si koracë lufte për Shqipërinë në fushën e betejave sportive, por sa herë e kam takuar e folur me të për Kombëtaren, aq herë më është dukur sikur flisja me ndonjë prijës ushtarak të etur për fitore të vështira, e jo me një sportist të ngopur me lavdinë e tij.
Loriku u tërhoq nga fusha e blertë, kur trupi i plagosur nuk e ndiqte dot më ambicien e heroit, për të udhëhequr me forcën e shembullit beteja deri në pikën e fundit të gjakut dhe iu përkushtua krijimit e zhvillimit të një fondacioni për fëmijët. Duke ia uruar sot ditëlindjen kapitenit të paharrueshëm të kuqezinjve, nuk e di pse kam bindjen se nuk do të jetë e largët dita kur prijësi i hijshëm, do të zbresë përsëri në arenë për të udhëhequr kuqezinjtë e Shqipërisë a verdheblutë e Kosovës apo kushedi, pse jo, një armatë të trojeve të bashkuara në të ardhmen, në ndonjë luftë sportive të paharrueshme përsëri. Amen!” / KultPlus.com
Martin Camaj ishte shkrimtar, akademik dhe albanolog shqiptar.
Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore.
Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.
Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 21 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari.
Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5 vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në Kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës.
Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kap. Gjon Destanishtës dhe në gusht qe i detyruar me jetuar në ilegalitet deri sa ia arriti me ikë në Jugosllavi bashkë me Át Daniel Gjeçajn OFM dhe grupin e përbërë prej 36 vetësh. Kështu nuk pati më rast të kontaktojë me familjen, një vëlla i tij bëri 30 vjet burg. Kryen për tre muaj një kurs intensiv për mësuesinë në Pejë (1 korrik – 30 shtator 1949), mandej punon një vit (1949-’50) mësues në Tuz në shkollën “Mahmut Lekiq”.
Viti 1950 e gjen Martinin në Beograd ku u regjistrua në universitetin e kryeqytetit jugosllav. Diplomohet pas pesë vitesh më 2 korrik 1955 duke dhënë provime diplome në degën e filologjisë romane me fusha kryesore gjuhë dhe letërsi italiane. Në qershor 1951 martohet në fillim ne bashki, mandej ne kishën ortodokse e më pas atë katolike me mësuesen Nina Bogdanoviç. Pas mbylljes së studimeve në Beograd, Camaj përgatitet për formimin pasuniversitar në albanologji pranë fakultetit filozofik të Univ. të Sarajevës, i udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.
Në bashkëpunim me të dhe me mentorin e dytë prof. Rikard Kuzhmiç vendos të promovojë në filologji duke përzgjedhur si temë doktorate “Gjuha e Gjon Buzukut”. Kërkesa përkatëse e mentorëve të tij miratohet prej këshillit shkencor të atij fakultet në mbledhjen që u mbajt më 16 shkurt 1956.
Po atë vit, duke parë shëndetin në rënje të profesorit dhe gjendjen e rënduar në Republikën Federale, vajti në Itali (të paktën qysh më 20 shtator të 1956) ku e shoqja nga sëmundja detyrohet të heqë një veshkë.
Nën mentoratin e Koliqit më 15 mars 1960 mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistes “Shêjzat” (që e redaktonte tash tre vite dhe do ta bënte deri më 1971) nën titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi.
Ndarja përfundimtare me Martinin ndodh në vitin 1968, dhe mbas kësaj date Nina kthehet në Milano ku do të jetojë deri në nandor të vitit 1987.
Prej 1965 deri në 1971 qenë vitet vendimtare për konsolidimin e vatrës albanologjike duke e vështruar si fushë komplekse të kërkimit shkencor. Më 1969 martohet me Erikën, me të cilën nuk do kishte fëmijë. Më dt. 16 korrik 1971 merr emërimin si profesor joordinar në albanologji, ndërsa më 14 shtator 1978 emërohet ordinar me marrëdhënie punësimi të përhershëm, më 30 shtator 1990 lirohet nga detyra si profesor i emërtuar. Jetoi në Lenggries, vend që i kujtonte trojet ku kishte lindë. Vdes më 12 mars të vitit 1992 në Mynih.
Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë.
Kërkimet akademike të Camajt u përqëndruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.
Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.
Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti. Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij.
Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”, Munich & New York 1991. / KultPlus.com
Në dhjetor të vitit të kaluar Angela Merkel u shpall gruaja më e fuqishme në botë nga revista prestigjioze ‘Forbes’, shkruan KultPlus.
Merkel u vlerësua për qëndrueshmërinë e saj, për qëndrimin përballë Presidentit amerikan Donald Trump dhe për politikën e saj ndaj refugjatëve.
Merkel është kancelarë e Gjermanisë që nga viti 2005, ndërsa shpesh është përshëndetur si udhëheqëse de fakto e Bashkimit Evropian e madje edhe udhëheqëse e ‘botës së lirë ’.
Sot, në 66 vjetorin e lindjes së Merkel, KultPlus ju sjell disa fakte pak të njohura rreth saj.
-Angela Merkel është gruaja me mandatin më të gjatë në Evropë. Ajo ka udhëhequr Gjermaninë që nga viti 2005.
-Angela është një bukëpjekëse dhe një kuzhinere eksperte.
-Gjyshi i saj ishte polak. Ludwig Kazmierczak lindi në Poznan, Poloni në 1896. Babai i saj gjermanizoi emrin e familjes në vitet 1930.
-Nofka e Angela’s është ”Mutti”, ose ”Mami”. Përkundër faktit se ajo nuk ka fëmijë, gjermanët i kanë vënë asaj këtë pseudonim.
-Ajo ka shumë frikë nga qentë. Angela u frikësua nga qentë pasi u kafshua nga një në vitet 1990. Vladimir Putin e dintë këtë kur lejoi qentë e tij në një takim me Merkel, disa vjet më parë.
-Ajo flet rrjedhshëm rusisht.
-Ajo është gruaja e vetme që zë pozicionin në seksionin e kimisë teorike të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë Lindore.
-Angela mbajti mbiemrin e burrit të saj të parë. Burri i saj i parë ishte një fizikant, me të cilin Angela ishte e martuar për 5 vite. Më pas ajo u martua me Joachim Sauer që nga viti 1998.
-Ajo është një impresioniste e shkëlqyer. Angela Merkel pëlqen të bëjë përshtypje tek liderët e tjerë botërorë, përfshirë Vladimir Putin, Papa Benedikti XVI, ish presidentin francez Nicolas Sarcozy etj./ KultPlus.com
Më 6 korrik të vitit 1907, lindi artistja e njohur meksikane Frida Kahlo, emri i vërtetë i së cilës është Magdalena Carmen Frida Kahlo y Calderón.
Frida Kahlo u bë e famshme me autoportretet e saj dhe punimet e saj të inspiruara nga natyra meskikane, shkruan KultPlus.
Mirëpo, Kahlo prapa vetes ka lënë edhe shumë poezi me tematikë dashurie, ndërsa sot në ditëlindjen e artistes së madhe, KultPlus ju sjell një poezi shumë të njohur të saj.
Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.
Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.
Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.
Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.
Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com
Më datën 6 shkurt të vitit 1945 ka lindur kantautori i famshëm Bob Marley, shkruan KultPlus.
Bob Marley ishte këngëtar i muzikës reggae të cilën arriti ta bëj po ashtu të njohur kudo.
Shkroi qindra tekste unike, këngët e tij u kënduan e rikënduan. Sot me rastin e ditëlindjes së tij, po i sjellim disa nga shprehjet e Bob Marleyt për dashurinë:
Nëse ajo është e shkëlqyeshme, ajo nuk do të jetë e lehtë. Nëse ajo është e lehtë, ajo nuk do të jetë e shkëlqyeshme. Nëse ajo nuk është e rëndësishme, ju nuk do të dorzoheni. Nëse dorzoheni, ju nuk do të jeni të rëndësishëm…. E vërteta është se të gjithë do të të lëndojnë; ju duhet vetëm të gjeni atë e cila është aq e rëndësishme për të sakrifikuar.”
“Era e cila do të na merr atë të cilën e duam, është ajo e njejta e cilat do të na sjellin neve diçka për të dashuruar. Prandaj nuk duhet të qajmë për gjërat të cilat kan ikur, sepse ajo që na përket neve me të vërtetë nuk largohet asnjëherë.”
“Ju thuani se e doni shiun, por ju e përdorni një çadër për të ecur përfundi saj. Ju thuani se e doni diellin, por ju kërkoni shtrehim kur shkëlqen. Ju thoni se e doni erën, por kur vjen ju i mbyllni dritaret. Prandaj friksohem kur më thua se më do.”
“Dashuria asnjëherë nuk do të na lë vetëm”
“Frikacaku më i madh i një njeriut është që të zgjojë dashurinë e një gruaje, pa qëllim për të dashur atë.”
“Kurrë nuk do të ketë dashuri në të gjitha.”
“Ajo nuk mund të jetë njëra ndër vajzat më të njohura ose më e bukura por nëse ju e doni atë dhe ajo të bën të buzëqeshë….ç’rëndësi ka tjetër?”
“Një dashuri, një zemër”
“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën.”
“Me të vërtetë besoj se vetëm njëherë në jetë ju do të gjeni dikë e cila do të rrotullojë tërë botën përreth jush.”
“Dashuro fortë kur ka dashuri për të pasur. Sepse djem perfekt nuk ekzistojnë, por gjithmonë do të jetë një djalë i cili do të jetë perfekt për ju.”
“Bukuria e dashurisë. Dashuria e bukurisë.” /KultPlus.com
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli është i paharruar jo vetëm për kombin por ai është një nga njerëzit më të dashur e të cmuar edhe në vendlindjen e tij, Menkulas të Devollit. Gjithmonë ai ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit e tokës ku lindi.
Ndaj me rastin e ditëlindjes Bashkia e Devollit dhe shoqata .’Agolli .’ organizojnë sot një koncert madhështor për poetin e madh “Nder i Kombit” Dritëro Agolli. Festa oganizohet në vendlindjen e tij në fshatin Menkulas.
Me këtë rast Këshilli Bashkiak, mori vendim qe data 13 Tetor, ditelindja e te madhit Agolli, të caktohet “Festa Lokale e Krahines” me emertesën “DITA E Driteroit. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Falkutetin e Arteve në Shën Petersburg.
Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku.
Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.
Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip.
Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një semundje kronike në mushkri por, ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare. / KultPlus.com
Sot është ditëlindja e ikonës së muzikës dhe këngës shqiptare Merita Halili, e cila falë zërit të saj të mrekullueshëm dhe buzëqeshjes së ëmbël në skenë dhe ekran, ka dhuruar emocione për vite e vite me radhë.
E shpallur tashmë si
“Mbretëresha e Muzikës Shqiptare’ në New York. Ku lajmi është publikuar nga AAWO (Albanian
American Women’s Organization). Merita Halili është konsideruar nga AAWO
si një nga interpretueset më të mira të Shqipërisë.
E lindur në Tiranë, debutimin e saj në shkallë kombëtare e bëri në vitin 1983 në moshën 16 vjeçare kur këndoi në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës. Menjëherë më pas ajo filloi të këndonte në Radio Televizionin Shqiptar dhe si soliste në Ansamblin e Shtetit për Këngët dhe Vallet Folklorike.
Ajo u bë më shumë e njohur në vitin 1995
kur u nderua me çmimin e parë në një Festival Gala të mbajtur në Tiranë, ku
morën pjesë 90 këngëtarë nga diaspora. Në korrik 1995, Merita me bashkëshortin
e saj Raif Hyseni dhe vajzën e tyre erdhën në SHBA dhe u vendosën në zonën e
Nju Jorkut dhe New Jersey.
Merita Halili luajti në sallat dhe ambientet më të famshme dhe prestigjioze muzikore. Merita është fituese e shumë çmimeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Dy nga çmimet më prestigjioze kombëtare që mori nga Presidentët e Shqipërisë ishin “Ambasadore e Kombit” dhe “Mjeshtre e Madhe”/KultPlus.com
Ja gjashtë arsyet pse për ta festuar sa më mirë një ditëlindje, duhet të udhëtoni.
1. Udhëtimi zgjat një jetë. Lulet thahen menjëherë. Bizhuteritë, pas mrekullimit të momenteve të para, bëhen të zakonshme. Për të mos përmendur pastaj objektet që ndoshta janë gjithashtu të padobishme. Udhëtimi zgjat një jetë. Kujtimi i përvojave që kemi nga vendet që vizitojmë, te njerëzit që takojmë: këto janë të përjetshme. Kjo është arsyeja pse ne duhet të udhëtojmë në ditëlindjen tonë. Nëse askush nuk na e dhuron, duhet t’ia dhurojmë vetes.
2. Një festë pa fund. Festimet e ditëlindjes zgjasin deri në 24 orë. Nëse udhëtoni, festa zgjat gjithë kohën që jeni larg.
3. Një dhuratë për veten tonë. Është një dhuratë që i japim vetes, sepse udhëtimi na lejon të largohemi nga jeta e përditshme, nga gjërat dhe njerëzit që janë pjesë e rutinës tonë dhe që nganjëherë edhe na bezdisin.
4. Udhëtimi është i mirë për shëndetin. Dhe nëse zgjedh një destinacion si detin apo malet ose një vend ku natyra është e mrekullueshme, do të jetë një dhuratë që do t’i japim edhe trupit tonë dhe që me siguri do të sjellë mirëqenie psiko-fizike. Ajri i mirë, stresi zero… lëkura, flokët, sistemi i tretjes dhe i gjithë sistemi i frymëmarrjes do të përfitojnë. Studimet e fundit në Suedi kanë treguar se të qenit në kontakt me natyrën – madje edhe vetëm 72 orë – është shumë e mirë dhe përmirëson jetën. Por studimet që e konfirmojnë atë janë të panumërta.
5 Një sfond kulturor i pasuruar. Gjatë një udhëtimi ju shihni vende të reja dhe mësoni gjëra të reja, kështu që është gjithashtu një dhuratë që i bëjmë kulturës sonë. Nga pushimet ju ktheheni me një pasuri të njohurive dhe përvojës së pasuruar.
6. Miq të rinj për jetën. Për të mos përmendur pra njohje të reja. Ndonjëherë në rrugë bëjmë miqësi të përhershme, madje edhe miq më të mirë se ata që kemi lënë pas. Nëse kjo nuk është një dhuratë e bukur … / bota.al / KultPlus.com
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë është lindur më 26 gusht 1910 në Shkup.
Ajo tërë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.
Nëna Terezë ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Për vlerat e saja jetësore, Nëna Terezë nga Kisha e Shenjt në Vatikan u shpall Shën Tereza. Ipeshvia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës, nisin “Ditët e Nënë Terezës”, që tradicionalisht mbahen nga sot dhe vazhdojnë deri më 5 shtator, në ditën e festës së saj.
Ipeshkvia thotë se sivjet është një përvjetor i rëndësishmi, pasi përkujtohet 90-vjetori i nisjes së saj në Kalkuta të Indisë.
“Me rastin 90-vjetorit të nisjes së Shën Nënë Tereza (1910-1997) në Indi dhe 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit”, thuhet në njoftimin e Ipeshkvinë e Kosovës, e cila të dielën në mbrëmje organizon akademi kulturore dhe ekspozitë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut: ekspozitë me dokumente”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Shoqata “Miqtë e Amerikës” ka shënuar sot ditëlindjen e 72-të të ish presidentit Bill Clinton.
Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe ish-Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu.
Forma e organizimit të sotëm dallon nga organizimet tjera, u tha gjatë ceremonisë festive të shoqatës e cila po pret edhe mysafir sot për ditëlindjen Clinton.
“Ia urojmë ditëlindjen ish presidentit me dhurata kosovare dhe me dhurata tjera të zakonshme për ditëlindje”, tha nga Agim Rexhepi kryetar i shoqatës gjatë ceremonisë.
Ish-Presidentit Bill Clinton iu dhuruan edhe libra nga mjekë e shkrimtarë të Kosovës. Ndërsa ish Presidenti Sejdiu e vlerësoi Clinton si engjëll mbrojtës të Kosovës.
Sejdiu tha se ende Kosova e ka interesimin e Clinton për situatën në vend. Ndërsa kryetari i shoqatës, Agim Rexhepi tha se nga bisedimet dhe takimet që i kanë me ish presidentin, kane kuptuar se politikat e Amerikës ndaj Kosovës nuk do të ndryshojnë.
Gjatë ceremonisë u realizua edhe një video falënderimi për Bill Clinton, e cila iu dërgua personalisht ish presidentit, ku edhe iu dërguan urimet për rastin e ditëlindjes./ KultPlus.com
Në librin amzë të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit.
Numrat personalë në ish-Jugosllavi fillonin me ditën, muajin dhe tre numrat e fundit të vitit të lindjes. Numri personal i Adem Jasharit fillon me 2811955.. në udhëzuesit administrativë të asaj kohe, shkruan Gazeta Express.
Debati rreth datës së lindjes u hap dje kur analisti Nexhmedin Spahiu tha se dikush e kishte falsifikuar datën e lindjes së Adem Jasharit sepse ai ka lindur më 10 tetor, e jo me 28 nëntor.
“Kush është ai që i falsifikoi ditëlindjen Adem Jasharit. Nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955?!!!Duhet me u hi gazetave mbas 1998 e me gjetë kush është ai falsifikator i rrezikshëm e me e dënu. Sa më vjen inat që edhe vetë e kam hangër këtë mashtrim të paskrupullt e e kam përdorë në një shkrim timin, se nuk më shkonte mendja se dikush ka nevojë me rrejtë publikisht aq paskrupullt”, ka shkruar dje Spahiu.
Atij i reagoi menjëherë kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili është nipi i komandatit Adem Jashari.
Jashari publikoi certifikatën e vdekjes së komandantit, dokument ky i administratës së UNMIK’ut ku shkruhej se Adem Jashari kishte lindur me datë 28 të muajit nëntor./ KultPlus.com
Më 4 janar të vitit 1924, kishte lindur aktori i madh shqiptar Kadri Roshi, shkruan KultPlus.
Sot, Roshi ka 94 vjetorin e lindjes ndërsa Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, zgjodhi që ta përkujtoj me disa fjalë e disa fotografi.
Kadri Roshi vdiq më 6 shkurt të vitit 2007.
Po sjellim të plotë shkrimin nga Ministria e Kulturës:
“Përkujtojmë sot me respekt dhe nderim 94-vjetorin e lindjes së aktorit Kadri Roshi, “Artist i Popullit”, Ezopi shqiptar, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” si e ka cilësuar poeti Dritëro Agolli-Fjala në gojën e tij sjell tingullin e zileve të këmboreve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të kengës polifonike, apo rrjedhës se lumenjve.
Jo vetëm aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë, apo ekonomisë botërore. Këto njohuri i konsideronte të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Pasionant i duhanit dhe peshkimit. Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej më shumë punë dhe pak talent. U nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën.
“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit”.
Jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një portret që mbeti i dashur në celuloid, me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur të fjalës. Dhe mbeti i dashuruar me vendin e tij: “Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem””, thuhet në shkrimin nga Ministria e Kulturës./ KultPlus.com
Ikona e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti do të festojë datëlindjen e 85-të në Teatrin “Migjeni”, në Shkodër, shkruan KultPlus.
Me datën 17 dhjetor ajo do të festojë datëlindjen në këtë teatër ku edhe është rritur profesionalisht. Ajo pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.
Ajo u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar./ KultPlus.com
Këngëtarja legjendare, ikona e popit botëror Madonna, ka mbushur plot 59 vjeçe, shkruan KultPlus.
Gjithmonë e përfshirë në listën e 100 këngëtareve më të mira të të gjitha kohërave, Madonna është aktive në muzikë që nga viti 1979. Ajo ka shitur më shumë se 300 milionë kopje të albumeve të saj në mbarë botën.
Një miqësi të mirë me të ka edhe artistja me prejardhje shqiptare, Rita Ora, e cila nuk ka harruar që të ja uroj yllit të popit ditëlindjen me një fotografi interesante ku ato shihen bashkë në skenë.
“Urime ditëlindjen mbretëreshë”, ka shkruar Ora poshtë fotografisë. / KultPlus.com