“Ditët e drejtshkrimit” në COD, për prirjet e shqipes së sotme

“Ditët e drejtshkrimit” nisën sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në Bibliotekën e Kryeministrisë.

Kjo veprimtari, e cila do të zhvillohet deri në 25 nëntor, është organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

“Ditët e drejtshkrimit” që po zhvillohen në COD, janë një sintezë e arritjeve të deritanishme, por edhe një paraqitje e zhvillimeve të reja dhe e prirjeve të shqipes së sotme.

Tema e trajtuar në ditën e parë ishte: “Shqipja standarde në funksionet zyrtare”, për të cilën folën prof. dr. Emil Lafe, akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj dhe prof. asoc. dr. Linda Mëniku. Të pranishëm në takim ishin akademikë, studiues, profesorë e studentë.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) ishte një tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë në datat 20-25 nëntor 1972./atsh/ KultPlus.com