Aktivitete të ndryshme po zhvillohen për ditët e Evropës në Shqipëri.
Në këtë kuadër, në muzeun Etnografik në Krujë u zhvillua një aktivitet, ku merrnin pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE në Tiranë, specialistë të fushës së trashëgimisë, etj.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se takimi u zhvillua në një muze, që do të rijetëzohet për të dëshmuar vlerat. “Ne shqiptarët synojmë të bëhemi pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar.
E pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook, për këtë takim ditët e fundit që ka publikuar edhe foto.
Sipas saj, takimi shërbeu dhe për të folur mbi projekte të ndryshme dhe shkëmbim idesh. Ndër tjera Margariti shprehet se falënderon ambasadorin Soreca për ndihmën, në projektet me monumentet e kulturës në vendin tonë.
“Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zv. kryetari i Bashkisë së Krujës Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal diskutuam projektet tona e shkëmbyem ide të reja.
Një falenderim i veçantë për ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE; por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama (County menager) e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës”, shprehet ministrja Margariti. Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës.
Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.
Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.
Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /sot/ KultPlus.com