Në shënim të 25-vjetorit të kalimit në amshim të Nënë Terezës, të hënën mbrëma, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës përmbyllën manifestimin “Ditët e Nënë Terezës”.
Me program tematik në Qendrën “Bogdani Polis” në Prishtinë, koncerti u hap me ‘Vals Hyjnor – Himn për Nënë Terezën’ të kompozuar nga Genc Tukiçi (mbi një temë të Lorenc Antonit dhe vargje të Nënë Terezës) dhe në interpretim të sopranos Adelina Paloja.

Ky himn qe interpretuar premierë nga Filharmonia e Kosovës në Prishtinë më 4 shtator 2015 në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë dhe në koncertin e organizuar në vigjilje të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Bazilikën e Shën Palit (jashtë mureve) në Romë, më 3 shtator të vitit 2016.
Në pjesën e parë të koncertit u interpretuan edhe veprat ‘Nënë Tereza’ nga Kreshnik Aliçkaj në interpretim të sopranos Arta Jashari dhe Mustafë Ramajt në lahutë dhe ‘Rilindjes’ (‘Rrugëtimi’) e kompozitorit Valton Beqiri e nën dirigjimin Edon Ramadanit.
Mbrëmja u përmbyll me fragmente nga ‘Rekuiemi’ i Mozartit me solistët Kaltrina Miftari (soprano), Diellza Sylejmani (mexosoprano), Granit Musliu (tenor) dhe Armando Likaj (bas) e nën dirigjimin e Baki Jasharit. /KultPlus.com
