Për të shënuar datat që lidhen me jetën dhe veprën e Nënë Terezës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare në Shkup, ka planifikuar disa aktivitete dhe evente, me qëllim që kujtesa për këtë figurë të madhe të humanizmit planetar, të rifreskohet në vazhdimësi.
Kreu i këtij institucioni, Skender Asani njofton se më 26 gusht do të promovohet kompleti i veprave të shkrimtarit nga Prishtina, Anton Nikë Berishës, një korpus i lidhur tematik që i kushtohet figurës komplekse të Nënë Terezës. Me këtë rast ITSHKSH ka ftuar emra të shquar të letrave dhe të kulturës për të shpalosur të panjohurat e jetës dhe veprës së Nënë Terezës përmes këtij projekti voluminoz të shkrimtarit Anton Nikë Berisha.
“Gonxhe Agnes Bojaxhiu , e njohur botërisht si Shën Nënë Tereza, është e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup dhe ne si Institut kemi planifikuar që në shenjë të ditëlindjes së saj të promovojmë një komplet prej shtatë veprash, ‘NËNA TEREZE NË SHTATË VËLLIME’ të studiuesit të shquar të letrave shqipe, Anton Nikë Berisha. Me këtë komplet veprash, në shtatë vëllime, për Nënën Terezën, autori zbulon një tjetër hapësirë mundësish të pakufishme jo vetëm trajtime teologjike por edhe për kundrime eseistike, për përsiatje të përshpirtshme dhe për zbërthime meditative. Sipas optikës studimore të Anton N.Berishës del se vepra e Nënë Terezës ishte dhe mbetët një shembull i rrallë në historinë e njerëzimit për dashurinë që tregoi dhe për flijimin që bëri për tjetrin sidomos për të varfëritë, për fëmijët jetimë e për të braktisurit. Do të donim që ne si ITSHKSH të vendosim një standardizim në valorizimin e veprave që ndërlidhen me figura të shquara të kombit tone dhe njerëzimit mbarë”, i ka thënë gazetës KOHA, Skender Asani.
Gonxhja u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Për ta rikujtuar këtë ngjarje Asani veçon një fragment të letrës që ajo kishte shkruar drejtuar tezes së saj:
“E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e deshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju deshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.
ITSHK do të jetë epiqendra e aktiviteteve që do të shënojnë ditët e Nënë Terezës, përfshi edhe 3 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, që bota tash më i njeh si ditë të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor.
Asani njofton se tash së fundmi ai dhe ekipi që drejton kanë siguruar dokumente shtesë nga arkiva të ndryshme evropiane që ndriçojnë historinë e sagës familjare të Gonxhe Bojaxhiut, e njohur në Shkup si strumbullari i vetëdijes kombëtare shqiptare të fillimshekullit të kaluar, kurse babai i Gonxhes, Kolë Bojaxhiu, ishte bartësi kryesor i kësaj vetëdije. Në këtë kontekst janë bërë edhe disa hulumtime në arkivat e Beogradit, prej nga Asani ka sjellur në Shkup dhjetëra dokumente e fotografi që plotësojnë mozaikun e njohurive mbi familjet katolike shqiptare të Shkupit, por edhe të familjeve katolike shqiptare të Shkupit.
Për një shënim sa më dinjitoz të Ditëve të Nënë Terezës në Shkup, Skender Asani apelon dhe fton të gjithë intelektualët, mediat, universitetet, shkollat të jenë bashkë me ITSHKSH që të dëshmojnë në praktikë përkushtimin ndaj kësaj nëne të madhe që shqiptaria i dha njerëzimit. /Koha.mk/ KultPlus.com