21 Maji festohet praktikisht në gjithë botën që nga nëntori 2001, muaj në të cilin është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor si “Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor”, ditë në të cilën festohet dhe reflektohet mbi vlerat e këtij diversiteti dhe “të jetuarit së bashku”.
Përmes kësaj dite UNESCO dhe vendet anëtare të saj, vazhdojnë të promovojnë rritjen e ndërgjegjësimit për marrëdhëniet mes kulturës dhe zhvillimit ekonomik të një vendi si dhe rolin e teknologjive të komunikimit në këto marrëdhënie.
Deklarata e mësipërme, shihet si instrumenti ligjor i parë, që e sheh diversitetin kulturor si “Trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit” dhe e konsideron ruajtjen e saj si një aksion konkret dhe etikë të pandashme nga respekti për dinjitetin njerëzor.
Ndërsa bota e djeshme e kishte vënë theksin në ndryshimet e saj, zhvillimet e sotme janë drejt unifikimit dhe të shkuarit drejt një drejtimi.
Për të theksuar karakterin fondamental të identitetit tonë kolektiv dhe individual, kultura është mjeti i pashoq për ta përcjellë në mënyrën e duhur këtë mesazh.
Aktivitetet që zhvillohen në këtë ditë synojnë të promovojë lidhjen mes Konventës së Diversitetit Kulturor dhe trashëgimisë shpirtërore të minoriteteve, duke risjellë edhe një herë atë që shprehet se trashëgimia shpirtërore, e transmetuar nga një brez në tjetrin, rikrijohet vazhdimisht nga komunitetet dhe grupet si përgjigje e gjenisë së tyre krijuese ndaj mjedisit rrethues, ndërveprimit të tyre me natyrën dhe historinë, dhe u jep kuptim vazhdimësisë dhe identitetit, duke promovuar kështu respektin për diversitetin kulturor dhe kreativitetin njerëzor.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër e sheh 21 Majin si një mundësi të shkëlqyer për të festuar dhe për të promovuar dialogun mes kulturave, por edhe për të vizituar parqet arkeologjike Rozafa-Lezha, duke inkurajuar njohjen e trashëgimisë kulturore. Hyrja do të jetë falas./ATSH/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, Dialogut dhe Zhvillimit zhvilloi një veprimtari me anëtarë dhe përfaqësues të disa prej pakicave kombëtare në Shqipëri.
Presidenti Meta gjatë takimit me përfaqësuesit e pakicave kombëtare, u shpreh se, kjo ditë na ofron një mundësi të madhe për të promovuar diversitetin kulturor dhe për të kuptuar vlerat e tij, për të promovuar dhe nxitur dialogun ndërkulturor, duke nxjerrë në pah pasuritë e kulturave të pakicave në vendin tonë.
“Shqipëria dhe shqiptarët u kanë kushtuar dhe u kushtojnë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit me pakicat kombëtare, që jetojnë në vendin tonë, duke mos njohur apo nxitur konflikte dhe probleme etnike, racore apo fetare. Kjo është një pasuri, që e kemi ruajtur ndër breza, ashtu siç ruajmë edhe harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, për të gjithë ne jemi një shembull i shkëlqyer në të gjithë botën”, theksoi tutje Meta.
“Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për pakicat kombëtare, por edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga miratimi i tij, një pjesë e legjislacionit dytësor ka mbetur ende pa u implementuar. Kjo sjell pengesë edhe në çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, sepse respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare bën pjesë në kriteret kryesore që BE-ja i ka vendosur Shqipërisë për çeljen e negociatave për anëtarësim”, tha Meta.
“Duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, të gjithë së bashku, për të forcuar bashkëjetesën tonë harmonike, tolerancën dhe mirëkuptimin, si dhe njëkohësisht, për të ruajtur diversitetet tona, si një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe europiane. Mos të harrojmë se në këtë rajon, çdo komb është diku shumicë dhe diku pakicë, sepse e tillë ka qenë historia. E vetmja rrugë për të ecur përpara, në paqe, në begati dhe në prosperitet është që në çdo shtet, pakicat të respektohen njëlloj, sipas standardeve më të avancuara europiane. Jam i bindur që ne, do të punojmë në këtë drejtim edhe më mirë në të ardhmen së bashku”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com
Pikturat shumëngjyrëshe të cilat krijuan iluzionin se po vallëzonin në një horizont ylberi e po shpalosnin ëndrrat dhe shpresat e shumta të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, janë prezantuar sot në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës përmes një ekspozite të titulluar ‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e realizuar nga vajzat rome, shkruan KultPlus.
Ky projekt për qëllim pati thyerjen e barrierave dhe luftën ndaj stereotipave të shoqërisë në përgjithësi, ku vajzat rome patën rastin të prezantojnë rreth 50 piktura, nëpërmjet së cilave shpaloset se si ato e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e shoqërisë kosovare.
Pikërisht për të arritur këtë qëllim, fuqia e artit është konsideruar pikënisja më e mirë për të drejta të barabarta pa dallim të religjionit, ngjyrës, gjinisë apo moshës dhe njëkohësisht edhe për qasjen në aktivitete dhe programe socio-kulturore e edukativo-sportive.
Kjo ekspozitë që ngërthen në vetë një mesazh shumë të fortë dhe mjaft domethënës ka pritur sot vizitorë të shumtë të cilët patën rastin që nga afër ti ndjenjë emocionet dhe ndjenjat e veçanta me të cilat vajzat rome frymojnë dhe shpresojnë çdo ditë për ekzistencën totale të diversitetit.
‘’E ardhmja jonë’’, ekspozitë kjo e zhvilluar nga mentorja dhe kreatorja e cila ka punuar me vajzat nga Mitrovica, duke i realizuar pikturat së bashku dhe duke dhënë kështu mesazhin se piktura më e mirë është ajo e cila ka më shumë ngjyra dhe që po e njëjta vlen për shoqërinë. Pra, shoqëria më e mirë është ajo e cila ka më së shumti diversitet.
Pas hapjes së parë të kësaj ekspozite në Parlament me 8 mars, ku i është dhuruar veçanti temës për gruan dhe fuqinë e saj, tani në hapjen e dytë është fokusuar po e njëjta temë, me ç’rast përmes pikturave të cilat burojnë ngjyrë për diversitet në mbarë botën, mendohet të arrihet një e ardhme më e mirë për këto komunitete.
Në mesin e llojllojshmërisë së ngjyrave të vendosura në muret e korridorit, të pranishëm ishin edhe organizatorët e këtij projekti si: UN Women dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar si dhe Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha.
Ai që nisi këtë hapje ishte vetë Berisha, i cili ka shprehur se për të është një kënaqësi që ai ndodhet në mesin e të pranishmëve duke shpresuar kështu për më shumë bashkëpunime të tilla.
“Është kënaqësi shumë e madhe që për fatin tonë të dashur na keni mbushur muret ngjyrë. Por është ende më e veçantë që për këto punime janë përkujdesur vajzat rome. Në të ardhmen do kisha dëshirë që të ndodhin pikërisht këto bashkëpunime për realizimin e këtyre projekteve e në veçanti projektet të cilat ndërlidhen me të gjitha komunitetet në Kosovë”, thotë Berisha.
Ndërsa, Jacob Webber nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ka falënderuar Komunën e Prishtinës për këtë mundësi.
“Është një kënaqësi e madhe që sot jam këtu dhe që kemi mbështetur këtë projekt sepse është një pjesë e një projekti të madh në Kosovë, për arsye se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe mundësitë për këtë projekt janë shumë të rëndësishme për shpresën e këtyre komuniteteve’’, tha ai.
Po ashtu, Vlora Tushi Nuzi nga UN Women është shprehur se ky projekt për të ishte njëri ndër projektet më të bukura përmes së cilës janë bashkuar të gjitha forcat për të dhënë kontributin në mirëqenien e qytetarëve.
“Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, për mbështetjen e tyre sepse ky projekt kontribuon në mirëqenien e këtyre komuniteteve dhe në të gjitha kombinimet e kushteve me të cilat ne jemi detyruar të jetojmë në këtë izolim”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka falënderuar vajzat rome për kreativitetin dhe guximin e tyre dhe ka shpresuar që ende të ekspozohet puna e tyre edhe në ndërtesa të tjera, pasi që tashmë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, ka shprehur dëshirën e saj që të ketë pikturat e vajzave rome në zyrën e saj.
Gjithashtu, vetë mentorja e këtyre pikturave Mirjeta Qehaja, ka shprehur kënaqësinë e saj për një mundësi të tillë duke e pasur parasysh se këto vajza janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian por të cilat shumë nga to nuk merren me art.
“Fatkeqësisht për momentin unë jam e para dhe e vetmja e diplomuar në këtë drejtim dhe ende nuk kemi asnjë të regjistruar në fakultet. Prandaj, për mua është një përgjegjësi e dyfishtë jo vetëm për karrierën time por edhe për të gjitha vajzat dhe të rinjtë e komuniteteve që të arrijnë sa më shumë në art dhe që arti të zhvillohet sa më shumë në Kosovë”, thotë Qehaja.
Ajo tutje ka thënë se procesi i pikturimit ka qenë tepër i mirë sepse puna me këto vajza ishte një veçanti e bukur.
“Unë shpresoj shumë që në të ardhmen do të kemi më shumë artistë që i përkasin këtyre komuniteteve. Vajzat janë gëzuar shumë që kanë pasur një mundësi të tillë sepse jo çdo herë jepet kjo mundësi duke e pasur parasysh që arti është shumë i kushtueshëm, prandaj për vajzat e reja duhet të ekzistojnë fonde të posaçme ku jepet mundësia për ti shfrytëzuar ato materiale për të paraqitur talentin e tyre”, shpreh Qehaja për KultPlus.
Sipas saj, përderisa ngjyra e lëkurës vlerësohet më shumë sesa ngjyra e syve do të thotë se gjithmonë do të ketë një luftë në botë. Ndërsa, gëzimi i saj më i madh ishte gëzimi i vajzave rome kur ato panë materialet dhe kur filluan të pikturojnë.
Krejt në fund, teksa të pranishmit po bisedonin rreth pikturave dhe domethënies unike të tyre, drejtori i Kulturës për KultPlus është shprehur se piktura që atij i ka lënë më së shumti përshtypje, ishte piktura me një prapavijë të verdhë ku shihen katër vajza duke vallëzuar me njëra-tjetrën dhe të gjitha ato kanë një ngjyrë ndryshe nga njëra-tjetra dhe në vallëzim ato janë duke e krijuar një siluetë të një vajze që po buzëqesh.
“Unë e kuptova që vajzat rome e shohin shoqërinë duke vallëzuar me njëra-tjetrën pa dallime të ngjyrës së lëkurës dhe buzëqeshja do të ishte ajo e cila do të simbolizonte atë valle të cilën po e hedhin ato”, përfundon Berisha për KultPlus.
Ky projekt është realizuar nga UN Women, IPKO Foundation dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa nikoqire e këtij projekti është Komuna e Prishtinës.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe Fondacionin ‘Tradita popullore’ organizon ngjarjen kulturore në të cilën do të promovohet diversiteti ynë i pasur kulturor, përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në rrjetin social Facebook.
Ndër të tjera, në njoftimin e Ministrisë poashtu bëhet e ditur se aktiviteti do të mbahet në Parkun Arkeologjik Ulpiana’ më datë 22 shtator të këtij viti, duke filluar nga ora 17:00. / KultPlus.com