Natyra&Diellza sjellin koleksionin debutues, sjellin freski në botën e modës

Jeta Zymberi

Bota e modës po evoluon vazhdimisht dhe është gjithmonë emocionuese të shohësh dizajnerë të rinj që hyjnë në industri me perspektiva të reja dhe ide novatore. Së fundmi, pata kënaqësinë të shikoj koleksionin debutues të dy motrave të talentuara Natyra&Diellza të cilat kanë sjell freski në botën e modës me fustanet e tyre elegante, vëmendjen ndaj detajeve dhe mjeshtërinë e tyre deri në perfeksion, shkruan KultPlus.

Që në momentin që hodha sytë te krijimet e tyre, u rrëmbeva nga bukuria e modeleve. Çdo pjesë ishte punuar me kujdes dhe saktësi, duke përdorur materialet më të mira për të siguruar një përshtatje të përsosur dhe një ndjenjë luksoze. Vëmendja ndaj detajeve ishte karakteristikë e tyre, në çdo fustan ato vëreheshin në mënyrë unike duke arritur përfundime të shkëlqyera që i dallonin nga çdo gjë tjetër në treg.

Ajo që më bëri më shumë përshtypje në koleksionin e tyre ishte mënyra se si ato ndërthurën pa problem stilet klasike dhe bashkëkohore për të krijuar diçka vërtet unike. Ata kanë një sy të mprehtë për modën dhe kjo është e dukshme në mënyrën se si kombinojnë pëlhura, tekstura dhe ngjyra të ndryshme për të krijuar pamje që janë sa të sofistikuara aq edhe të përparuara në modë.

Ky pasion i madh për dizajnin dhe të bukurën, motrat i bëri bashkë edhe në biznes. Ato vendosën që bashkërisht, duke realizuar ëndrrën e tyre, njëkohësisht të realizojnë edhe ëndrrën e çdo vajze/gruaje që të duket bukur e të ndihet rehat me kreacionet e tyre, andaj edhe sollën koleksionin debutues.

“Gjithçka nisi me pasionin për artin dhe krijimin e diçkaje të re. Mes bisedave të shumta mes nesh, vumë re që ndanim të njëjtin pasion për modën dhe dëshirën për të bukurën, në veçanti shfaqjen e gruas në mënyrën më elegante. Andaj menduam të mbledhim forcat dhe si motra të bënim realitet ëndrrën tonë e me pas të bëjmë realitet ëndrrën e çdo gruaje që do të duket bukur”, shprehen disenjatoret që përkundër faktit që vetëm sa kanë hyrë në treg, suksesi nuk po ju mungon.

Figura e gruas ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi dhe inspirimi për dizajnerët në fushën e modës, dhe kjo nuk është e habitshme sepse gratë janë shpesh të shquara për elegancën dhe stilin e tyre, duke sjellë një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën e modës. Edhe për Natyrën e Diellzën, muza e tyre është gruaja.

“Frymëzimi dhe kreativiteti jonë si dizajnere bazohet në vet figurën e gruas, forcën, elegancën dhe pasionin që ato përçojnë”, shprehen dizajneret që në këtë koleksion debutues të titulluar “DIVINE”, ashtu sikur vet emri, kanë për qëllim të shfaqin një grua hyjnore që ka guxim dhe vetëbesim në paraqitjen e saj.

Këtij koleksioni, nuk i ka munguar vëmendja e menjëhershme dhe kjo padyshim që është shndërruar në motivim për motrat.

“Për fatin tonë të mirë, ky koleksion ka kaluar çdo pritshmëri tonën si koleksion startues në biznesin tonë, jemi shumë mirënjohëse për të gjitha komentet dhe përkrahjen që kemi marr.”

Por për të arritur suksesin, padyshim që është një proces dhe sfidë e ngjeshur por lidhshmëria që disenjatoret kanë me këtë profesion kalon edhe në nivel personal.

“Ne të dyja kemi një lidhje të ngushtë me këtë profesion, jemi detajiste dhe të përkushtuara në maksimum që çdo produkt që e nxjerrim të jetë i punuar me dashurinë më të madhe, kjo bën që këtë profesion ta dashurojmë çdo ditë e më shumë”, shprehen vajzat.

Vëmendja e tyre ndaj detajeve, mjeshtëria e patëmetë dhe ndjenja unike e stilit i bëjnë ata një forcë për t’u llogaritur në botën e modës. Nuk kam asnjë dyshim se do të shohim shumë më tepër prej tyre në vitet në vijim dhe mezi pres të shoh se çfarë kanë rezervuar për më tutje.

Krejt për fund, ato premtojnë: “Koleksione më shumë, punë të palodhshme dhe detaje unike.” / KultPlus.com