Biblioteka Kombëtare dixhitalizim të mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh dhe antikuarësh

Falë punës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përgjatë gjithë muajve të izolimit si pasojë e COVID-19 është arritur realizimi i një faqeje të re online dhe dixhitalizimi i mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “dikur Borges thoshte se “Parajsën e kam menduar gjithmonë si një bibliotekë”. Në kushtet e pandemisë Covid 19, po “hapim” dyert e kësaj parajse në një tjetër formë, asaj dixhitale. Një pasuri e tërë, e cila tashmë është e aksesueshme nga kushdo, kudo dhe kurdo”.

“Ky revolucion dixhital finalizohet pikërisht në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, kësaj “parajse”, për të cilën ne premtojmë se do punojmë edhe kundër ritmit të kohës, për t’i kthyer dinjitetin që meriton: një godinë me të gjitha standardet e kërkuara në hapësira dhe teknologji”, – tha Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “ndërkohë po ecim me ritme të shpejta për t’ia kthyer “Aneksin” e Bibliotekës Kombëtare, publikut, përmes sallave të dedikuara, ku për herë të parë do të dalin në dritë koleksione të rralla, në gjuhë të ndryshme”.

Sipas saj, puna vazhdon përtej vështirësive dhe me mirëkuptimin e lexuesit, që tashmë duhet të përballet edhe me disa mungesa.

“Falë dixhitalizimit do arrijmë të mbushim disa hendeqe, që na krijon pamundësia e prekjes fizike me librin”, – shtoi  ministrja Margariti.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.

Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej  6000 vëllimesh. Sot  koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.

Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e  politikave të Bibliotekës Kombëtare.  Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien  e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.

BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar./atsh/ KultPlus.com