Jeta Zymberi
Në mesin e shumë dizajnerëve të rijnë që çdo ditë e më shumë po i shtohen tregut tonë, një vëmendje të theksuar këto ditë ka marrë dizajnerja Orhidea Berisha. Kreacionet e saj krejt të veçanta, me një frymë ndryshe dhe një stil ushtarak, kanë bërë që puna e saj të bie në sy e të marrë dritën e gjelbër menjëherë, shkruan KultPlus.
Ndonëse ende e re në moshë, Orhidea tashmë ka një përvojë 8 vjeçare në fushën e modës. Këtë rrugë ajo e kishte të shtruar fillimisht nga familja, por me dëshirën e saj për ta profesionalizuar edhe më shumë, ajo nisi shkollimin në këtë drejtim, ku tashmë edhe ka përfunduar studimet në Akademinë Evolucion.

Ajo çka e veçon Orhidean në punën e saj është përkushtimi në gjithë procesin e punës. Ajo për KultPlus ka shpalosur më shumë rreth procesit të krijimit.
“Duke pasur parasysh punën që kryen një dizajner/e, e veçanta e imja është se i gjithë procesi i krijimit të veshjes prej skicimit, realizimit të patronit e deri të qepja përfundohen nga unë dhe garantoj në cilësinë e asaj veshje”, ka thënë Orhidea.
Veshjet që ajo krijon përfshijë të dyja gjinitë, madje ajo është ndër të pakta dizajnere në vendin tonë që krijon për gjininë mashkullore. Kreacionet e saj për të dyja gjinitë vijnë me një lidhshmëri të mrekullueshme mes vete. Përkushtimi ndaj detajeve është pika e saj më e fortë.

“Do e përshkruaja stilin tim si më elegant, por loja dhe kombinimi i ngjyrave që përdoren në veshje bëjnë që personi që i vesh ato të jetë në qendër të vëmendjes”.
Orhidea këto ditë është duke shpalosur dalëngadalë koleksionin e saj të parë të cilin e ka titulluar “Stories of Imagination” që është̈ koleksion vjeshtë-dimër 2019/20. Ky koleksion përfshinë veshje për femra dhe meshkuj të krijuara për një nivel të mesëm të statusit shoqëror, por shumë të interesuar për modën dhe zhvillimet e saj.
Koleksioni përmban gjithsej 10 kreacione në të cilat ngjyrat e përdorura janë më vjeshtore por ajo që i bënë veshjet më unike janë dizajnet kubiste të cilat sjellin një trend të lartë.

Disenjatorja ka treguar që inspirimi i ka ardhur nga piktor i cili ka qenë edhe ushtar në Luftën e Parë Botërore.
“Inspirimi për këtë koleksion erdhi nga punimet e piktorit kubist Fernand Léger. Me ka tërhequr stili i tij dhe jam e interesuar për format e tij gjeometrike të cilat i ka përdorur. Andaj reprezentimi për koleksionin tim është̈ ky piktor dhe disa forma nga pikturat e tij. Po ashtu unë̈ jam inspiruar edhe nga uniforma ushtarake. Ideja më erdhi nga ky piktorë i cili ishte ushtar në Luftën e Parë Botërore. Më pëlqen uniforma ushtarake sepse tregon elegancë, fuqi, dhe përgjithësisht një pamje të zgjuar”.

Ky koleksion ka mbërthyer rreth vetes xhaketa, pantallona, këmisha dhe detaje nga këto uniforma të përziera me forma apo dizajnët e piktorit Leger.
“Komentet që i kam marr, kanë kaluar çdo pritshmëri timen pasi që edhe ishte koleksioni im i parë nuk isha e sigurt nëse njerëzit tjerë do mund ta gjenin veten në botën time”.
Konkurrenca mes dizajnerëve tek ne nuk mungon, por kjo vetëm sa e shtynë Orhidean të punoj edhe më shumë.
“Unë besoj që sado e madhe të jetë konkurrenca, nëse ke diçka të re dhe më ndryshe nga ajo që njerëzit janë mësuar të shohin në treg, atëherë nuk është e vështir të jesh në mesin e dizajnerëve të dalluar në vend. Përveç kësaj konkurrenca është ajo që të shtyn të japësh më të mirën nga vetja”, ka thënë tutje ajo.

Orhidea synon që përmes kreacioneve të saj të sjell të njerëzit që i veshin rehati, cilësi dhe të jenë të veçuar në dukje. Por, gjithashtu ajo pretendon që kreacionet e saj të gjejnë hapësirë edhe në tregun ndërkombëtarë. / KultPlus.com



