Si u vetëvra djali i Mehmet Shehut

Gjithnjë mbeten gjëra pa thënë… Ndonjëherë sepse nuk është momenti, sepse nuk është pjekur koha, ndonjëherë sepse nuk do të lëndosh të tjerë.

Vera Bekteshi i është rikthyer sërish autobiografisë së saj, duke i shtuar një portë të tretë. “Vila me tri porta”, kështu titullohet autobiografia e botuar nga UET Press.

Janë histori, detaje, kujtime, që ia ka shtuar rrëfimeve të mëparshme, duke e bërë kështu edhe më të plotë historinë e saj në tri kohë, para, gjatë dhe pas internimit, për shkak të dënimit të të atit, gjeneralit Sadik Bekteshi, me grupin “puçist” të ushtarakëve në vitin 1974. Duke jetuar brenda dhe jashtë Bllokut të udhëheqjes, Vera Bekteshi di jo pak “sekrete” nga ajo lagje e pakapërcyeshme për shqiptarët deri në vitin 1991, transmeton “Panorama”.

Shumë syresh i ka rrëfyer në autobiografinë e saj. Një nga faqet që ia vlen të veçohet është një analizë krahasuese që Bekteshi u bën dy figurave kryesore të diktaturës, Enver HoxhësUdhëheqësit dhe Mehmet Shehut-Kryeministrit.

Ky ndryshonin ata nga njëri-tjetri dhe se si ai burri gjithnjë i vrenjtur (Mehmet Shehu) uli kokën dhe u dorëzua përpara udhëheqësit me buzëqeshjen e stamposur në fytyrë. Si u përgatit eliminimi i Kryeministrit të vendit, i cili ishte dhe pasardhësi i sigurt i diktatorit dhe si e pësoi familja e tij.

Njëri prej djemve të ish-Kryeministrit, VladimirLadi, inxhinier me shpirt artisti, ishte shok i saj dhe Bekteshi tregon se ai u vetëvra, pikërisht ashtu si kishte premtuar, me rrymë elektrike. Teksa rrëfen për ato ditë ankthi, kur frikej se mund ta ndanin nga i biri, ajo tregon edhe për një takim me Spartak Ngjelën, i cili do t’i tregonte për premtimin e Ladit. “…më tregoi për Ladin, që i vinte keq që nuk mund të më takonte dhe se fjalët e tij të fundit, në rast se atij do t’i ndodhte e njëjta gjë me mua, ishte se do dinte si t’u shpëtonte pasojave me një mënyrë që inxhinierët elektrikë dinë ta bëjnë fare kollaj.

– Kam frikë se ai e bën, – tha Taku, – sepse ai është më i brishti nga ne.

– Mund ta bëjë, – shtova unë.

– Por s’ka për të pasur rast, kurse unë s’do bëj asgjë tjetër veçse do mbyll gojën, sepse në asnjë mënyrë nuk dua të humbas djalin, – shtova në fund. Qe vërtet hera e fundit që takova Takun para largimit nga Tirana, ndërsa Ladin nuk do ta takoja kurrë më.

Të tre i mbajtëm ato premtime të shprehura në shenjë ‘solidariteti’ ndaj njëritjetrit, të thëna në dukje ashtu si kot, të tre bëmë pikërisht atë që thamë jo nga vaniteti, por ndoshta sepse nuk kishim tjetër zgjedhje: Taku u arrestua dy javë pas të atit, Ladi u vetëvra duke lidhur rrymën me sustën e hekurt të krevatit, unë mbylla gojën dhe nuk e humba djalin…”

Vera bektashi – Vila labirint

Vila e kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, Mehmet Shehut, ndodhej në të njëjtën rrugë me atë të Udhëheqësit, përkarshi Vilës së Partisë. Kjo e fundit mbante këtë emër sepse ishte një lloj klubi ku mblidhej darkave udhëheqja e lartë, për të parë ndonjë film ose për të luajtur ndonjë lojë shahu, bilardo apo letrash. Blloku i Udhëheqjes, i ndarë me postbllok nga pjesët e tjera të Tiranës së Re, përfshinte tri rrugë paralele dhe një tërthore me to.

E para ishte rruga jonë e Vilës me tri Porta dhe e nja tetë vilave të tjera. Në rrugën e dytë ndodheshin tri vilat kryesore që sapo përmenda, në rrugën e tretë të Bllokut, nja pesë apo gjashtë vila, në rrugën tërthore dy ose tri të tjera. Kaq ishte gjithë Blloku i famshëm. Që të shkoje në rrugën e dytë duhet të mendoheshe mirë.

Për këtë arsye, këtë rrugë e kujtoj vetëm nga fëmijëria e hershme kur s’kishe nevojë të mendoje shumë. Anash kësaj rruge, nuk e di se nga buronte një përrua i vogël, po di se kalonte fare pranë vilës së Kryeministrit dhe vazhdonte më tej, duke u lidhur me vilën Belotti të Udhëheqësit, me një lulishte jo fort të sistemuar, por plot jeshillëk. Kur ishim të vegjël, luanim kukafshehthi rreth këtij përroi të vogël ku kishte shelgje dhe mund të fshiheshe lehtë.

Të gjitha këto pamje m’u kujtuan papritur, kur në fshat, natën e 18 dhjetorit të vitit 1982, morëm vesh për vetëvrasjen e Kryeministrit. Po atë vit, disa muaj përpara ngjarjes, kishte ardhur lajmi gojor edhe te ne në fshat se pas ngritjes së vilës së re të Udhëheqësit, me rastin e martesës së bijve të tij, po ndërtohej edhe një e re për Kryeministrin. Lajmi i fundit qe se kjo vilë po e konkurronte të parën. Fakti që ky lajm mbërriti deri në veshët tanë, tregonte se diçka po vlonte në Tiranë.

Jo vetëm ne fëmijët që u rritëm në Bllok, kur filluam të mendonim me mendjen tonë (kush e pati atë fat), por edhe shumë të tjerë, e dinin fare mirë se e kaluara e Kryeministrit shqiptar ishte për t’u pasur zili: shkolla amerikane e Fultzit në Tiranë, më pas akademia ushtarake në Itali, Lufta e Spanjës, eksperienca në Francë, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese gjatë Luftës së Dytë, nja pesë gjuhë të huaja që ai njihte, biblioteka e tij etj.. Nuk e di për ç’arsye ai mbante kurdoherë një pamje të ngrysur, pothuajse të egër në fytyrë.

Image
E mbante ngaqë ndihej në nivele shumë të larta krahasuar me të tjerët, apo ia donte puna meqë ish kryetar i ministrave. Nuk e di, por, nganjëherë më dukej se e përdorte si maskë këtë egërsi. Kjo hamendje m’u përforcua në vizitën që kreva në vilën e tyre, me rastin e vdekjes së nënës së Kryeministrit. Në vizitën e ngushëllimit pra, ai më priti personalisht, gjë që s’e prisja aspak. Mendoja se do më takonte vetëm Fiqreti, e shoqja e tij, që nuk linte rast pa më hedhur ndonjë thumb.

E gjithë biseda atë mbasdite u soll rreth historisë së të ëmës, për të ritë e saj, kur përpiqej të pengonte hedhjen e të bijve nga çatia e shtëpisë, që donin të imitonin fluturimin e Dedalit me të birin Ikarin, pasi e kishin lexuar këtë gjë në një libër. Ai krijoi një situatë kaq komike me këtë kujtim, saqë ne harruam ku ndodheshim dhe shpërthyem në të qeshura të forta. Nganjëherë më dukej se atë maskë e përdorte për kontrast me Udhëheqësin.

Nëse Udhëheqësi ecte madhërishëm si patriark, sikur shkiste nëpër rrugë të kadifenjta, Kryeministri do manifestonte kaq shumë energji në lëvizjet e tij, saqë do dukej përherë si djalosh. Nëse Udhëheqësi do t’u prekte kalamanëve flokët me ëmbëlsi, kalamanët do iknin me vrap sapo të shfaqej Kryeministri. Nëse nga goja e Udhëheqësit gju më gju me popullin do buronte vetëm ‘mjaltë’ dhe nga buzët e tij të trasha do çlirohej ajo buzëqeshja e fiksuar një herë e përgjithmonë, të dytit nuk do t’ia njihnim kurrë buzëqeshjen.

Nëse i pari s’kish qëlluar kurrë me dorën e tij, për të dytin thuhej se kishte vrarë shumë, por kurrë pas shpine. Por me gjithë këtë pamje të egër dhe kontrast të plotë me Udhëheqësin, Kryeministri shqiptar dukej sikur e admironte Atë, dhe, nga të gjithë dihej, se i kish zbatuar me përpikëri dhe bindje të plotë urdhrat dhe vendimet e dhëna prej Tij.

Në Tiranë nuk na binte kurrë ta shihnim Kryeministrin, sepse ajo rruga e dytë, siç thashë, ishte pothuaj e pakalueshme për ne, por në plazh vilat tona ishin afër dhe megjithëse na duhej të kalonim rreth e qark që të mos ia prishnim atij qetësinë gjatë gjumit të drekës, e shihnim herë pas here.

Të gjithë ia njihnim huqet, sidomos ato të gjumit, ngaqë ai preferonte të pushonte në tendën jashtë në kopsht dhe të mbuluar me fier erëmirë. Por çuditërisht, me gjithë këtë egërsi, brenda shtëpisë së tij gëlonte një lloj antikonformizmi: Dadoja e tre djemve të tij, Maria, ishte një grua çeke me sy të kaltër dhe zë basi, që u plak dhe vdiq në këtë familje si të ishte pjesëtare e saj.

Ishte një grua që s’e hiqte librin nga dora dhe që na drejtohej kurdoherë me mirësjellje dhe një distancë të pëlqyeshme. Por nga ana tjetër ishte dhe një kameriere plot forma të lakuara, me një emër të çuditshëm grek, që sillej në plazh sikur të ishte pushimtare dhe s’kishte asnjë lidhje me shërbimin apo punën në përgjithësi.

Ajo ishte kaq e guximshme, saqë herë pas here kur kaloja në rrugën pranë vilës së tyre më drejtohej me nofkën “Vera Sadiku” duke qeshur, me gojën plot dhëmbë të bardhë e të bukur, thjesht për të më qesëndisur, meqë rridhja nga e vetmja familje veriore në Bllok. Ajo me sa duket kish dëgjuar se në anët tona rreshtohej pas emrit tënd ai i babës dhe kjo gjë i dukej se mund të përligjte qesëndinë.

Por e papritura e madhe në këtë familje ishin të tre djemtë e Kryeministrit shqiptar, që në kontrast me të dy prindërit e tyre, ishin të qeshur dhe miqësorë. Siç e kam thënë më parë, unë kisha shok Vladimirin, të madhin. Ladi lexonte shumë dhe shpesh këmbenim libra që mezi gjendeshin dhe që ishin të ndaluar. Kishim besim të plotë te njëri-tjetri. Kishte kaq dhunti në të treguarit e librave që lexonte, saqë kur po më fliste për Centaurin e Abdajkut, për një moment m’u duk se njeriu-kalë ishte aty pranë.

Në vitet e gjimnazit ai shkroi disa tregime në gazetën “Zëri i Rinisë”, që u komentuan më së shumti jo për vlerën, sesa për pesimizmin e tyre dhe ai i dëshpëruar nuk botoi më të tjera. Kam menduar gjithnjë se ai do të bëhej një shkrimtar shumë i mirë, për shkak të thellësisë së mendimit dhe humanizmit të tij, përveç modestisë befasuese dhe një të qeshuri të pastër e të mrekullueshëm, që nuk mund ta harroj dhe që s’ka të bëjë aspak me të shkruarin, por me personalitetin e tij të veçantë.

Durrsakët e kujtojnë me dashuri për vitet kur drejtoi URT-në, uzinën e prodhimit të radiotelevizorëve dhe ku qëndroi gjatë në atë detyrë, duke krijuar edhe rrethin e tij shoqëror jo vetëm me kolegët inxhinierë, por edhe artistët e qytetit. Bashkë me lajmin se po ndërtohej vila e re e Kryeministrit (që më saktë po lidhej me të vjetrën duke krijuar një labirint të nëndheshëm e sipërdheshëm korridoresh), në fshat erdhi edhe lajmi i fejesës së Skënderit, djalit të tij të dytë me një vajzë nga një familje e prekur.

Në atë kohë, dikush quhej i prekur nëse kishte një birë politike, që do të thoshte se kishte dikë të dënuar nga regjimi. Silva, e porsafejuara e Skënderit, rridhte nga një familje e pasur, me një dajë të së ëmës të arratisur pas burgut politik. Për më tepër, i arratisuri, Arshi Pipa, profesor letërsie në SHBA, fliste pa da kundër regjimit të Tiranës në radion “Zëri i Amerikës”.

Gjithandej nëpër Shqipëri nuk kish bisedë më të lakuar se kjo fejesë. Ne të dënuarit duhej të gëzoheshim me këtë lajm sepse në dukje ishte një lëvizje mëse liberale, por kish diçka që s’kuadronte dhe të gjithë ishim në një lloj pritjeje. Parë nga larg, mua nuk më është dukur asnjëherë se Mehmet Shehu aprovoi fejesën e djalit të dytë me një vajzë nga një familje e prekur, thjesht nga siguria që kishte fituar apo nga mendjelehtësia.

Përkundrazi, kam mendimin se kjo fejesë, që në pamje të parë dukej si sfidë ndaj Udhëheqësit gati të verbuar dhe të ‘lehtosur’ nga një diabet i gjatë, u manipulua prej tij, duke e aprovuar fillimisht, por qe në të vërtetë një kurth i mirëstudiuar dhe i ngritur për ta eliminuar Kryeministrin. Nga fjalët që qarkullonin dhe që vinin nga Tirana, thuhej se Kryeministri nuk e anuloi fejesën e të birit edhe kur Ai u shpreh qartas kundër saj. Këtu besoj, nuk qe më çështje dhembshurie për të birin, por çështje sinjali për në krye të pushtetit…

Udhëheqësi veproi edhe më me mjeshtëri se në rastet e tjera të ngjashme të ‘rrezikimit’ të pushtetit, saqë u krijua përshtypja e gabuar se po lëshonte pakëz frerët. Po ta ndjekësh me vëmendje, skenari i ngjan pakëz atij të Fshesës së Hekurt, kur Ai vetë i çoi lajm Kryeministrit, se në Ministrinë e Mbrojtjes po hartoheshin tezat e reja të mbrojtjes, ndërkohë që kishte urdhëruar vetë për to. Por ky ishte rast shumë më i komplikuar, ishte skenari për eliminimin e pasardhësit të tij.

Kështu, Udhëheqësi fillimisht e aprovoi fejesën, duke shkuar me të shoqen edhe për urim, fejesë që pas disa muajsh do ta përdorte për goditjen përfundimtare të Kryeministrit. Ky rol u luajt aq mrekullisht, saqë edhe të burgosurit politikë që bënin analiza të sakta të situatave politike, ranë në kurth.

Në momentin e transmetimit të një komunikate shumë të rëndësishme, të dhënë nga Radio Tirana më 18 Dhjetor 1982, ata prisnin me gojë hapur marrjen e pushtetit nga Kryeministri, ndërkohë që mësuan për vetëvrasjen e tij. Këto i shpjegon hollësisht djali i tretë i Kryeministrit, Bashkimi, në librin e tij “Vjeshta e Ankthit”, botuar në vitin 1993. Ndërsa për ne lajmi i vdekjes së Kryeministrit, më tronditësi i të gjitha lajmeve të deriatëhershme, nuk qe krejtësisht i papritur.

Në familje analizonim pamjen e tij në televizor kur shfaqej herë pas here kohët e fundit dhe vinim re se e kishte humbur egërsinë dhe fytyra si e squllur për herë të parë shprehte dhimbje. Dhe fjala e tij e fundit në plenum: – Asgjë nuk më ndan nga Partia ime! – ra si rrufe në sallën e ngrirë. Atë çast ne po ndiqnim lajmet dhe kthyem njëkohësisht kokat nga njëri-tjetri.

E kuptuam se ai ishte thyer përfundimisht prej Udhëheqësit dhe se fundi i tij do ishte i shpejtë. Ai, si tregon me hollësi i biri në po këtë libër, nuk bëri asnjë rezistencë ndaj sulmit, thjesht uli kokën që Udhëheqësi t’ia hiqte sa më shpejt. Kryeministri kishte kuptuar më së fundmi se sinjali i dërguar qe i rremë dhe i hedhur prej vetë Atij për ta groposur. Kryeministri mund të kishte pasur plot aftësi, por në intrigat e pushtetit ishte diletant para Udhëheqësit.

Mbase gaboj, por mua më ka mbetur përshtypja se Kryeministri shqiptar u largua nga kjo botë, duke e admiruar vrasësin e tij pikërisht për shkak të së vetmes aftësi që Ai kish’ dhe që atij i mungonte… Brenda gjashtë muajve nga vetëvrasja e Kryeministrit, familja e tij u shpërbë: E shoqja u arrestua dhe mbas pak kohësh u eliminua.

Ladi vrau veten në po atë mënyrë që i kishte kumtuar vite më parë, në 1974-n Spartak Ngjelës dhe mua, domethënë duke lidhur me korrent sustën e krevatit të tij. U arrestuan dhe burgosën, gjithashtu, djemtë e mbetur gjallë, i dyti Skënderi dhe i treti Bashkimi. I vëllai i Kryeministrit, oficer madhor gjithashtu u burgos, kurse një vëlla tjetër u vetëvra duke u hedhur nga ura. Kryeministri shqiptar që kishte bërë gjatë jetës aq e aq “kurbane” për Partinë dhe Udhëheqësin e saj, u bë vetë përfundimisht kurbani më “i kushtueshëm” i kësaj Partie./ KultPlus.com