Ajnshtajn pikturohet në murin e shkollës nga nxënësja Djellza Isufi (FOTO)

Fotografi dhe thënie të ndryshme nga fizikanti Albert Ajnshtajn, shihen ngado, por si pikturë murale, sidomos në vendin tonë kjo gjë është e rrallë.

Një ide të tillë e shprehi dhe realizoj Djellza Isufi, nxënëse në Gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skënderaj.

Ajo vendosi të pikturonte figurën e Albert Ajnshtajnit pasi që është në gjimnazin e shkencave, dhe sipas saj qëllimi ishte të lidh artin me shkencën, për t’iu përshtatur profilit të shkollës.

Kjo pikturë murale me dimensionet afërsisht 2.50 metra e gjatë dhe po aq e gjerë, i mori rreth një muaj kohë Djellzës që ta punonte, dhe se ende nuk e ka finalizuar.

“Puna ka filluar një muaj më parë, por nuk ka qenë intensive, sepse i kam vijuar mësimet, punën e kam zhvilluar para orarit mësimor, rreth tre orë në ditë”, tha Djellza, nxënëse në klasën e XI-të.

Djellza tregoi se pasionin për art e ka që prej moshës katër vjeçe, kur edhe zbuloj se kishte këtë talent.

Nga atëherë, ajo ka qenë e përkrahur nga familja dhe shoqëria e saj. Ajo tha se shkolla e ka mbështetur me lëvdata dhe mirënjohje.

Ndër të tjera Isufi tha se mund të bëjë shumë punime të tjera, të llojeve të ndryshme, murale, portret me laps, me ngjyra, me të cilat ka zënë edhe vendin e parë në garat komunale, ndërsa të dytin në nivel republike për kreativitet dhe mendim kritik.

“Punoj të gjitha zhanret e artit figurativ, mirëpo më të përsosura i kam portretet. Mundem edhe të nxjerrë portrete drejtpërdrejt”, tregon 17 vjeçarja.

Diellza shprehet se përveç aktiviteteve në shkollë, dëshiron të marrë pjesë edhe në evente të tjera jashtë shkollës dhe qytetit, që ta sfidojë veten më shumë, sepse është në proces të formimit.

Sa i përket të ardhmes së saj, mendon se nga piktura nuk do të ketë të ardhurat e mjaftueshme.

“Realisht, unë e dua shumë pikturën, por jam duke e shqyrtuar si mundësi t’i ndjek studimet në dizajn grafik, për të pas më shumë mundësi punësimi”, tregon Djellza.

Gjithashtu, profesoresha e Artit Figurativ, Remzije Shabani Beqa, tregon se me Djellzën punon që prej klasës së VI-të, dhe e ka vërejtur talentin e saj me paraqitjen e vijave të lirshme artistike dhe formave shumë të sakta në krahasim me moshën që kishte.

Mësimdhënësja thotë se është munduar ta përkrahë gjithmonë Djellzën, duke ia marrë punimet e saj si shembull dhe duke i diskutuar në klasë. Por, edhe duke e angazhuar në ekspozita që mbaheshin në shkollë dhe në gara të ndryshme.

“Është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë kur e shoh Djellzën duke punuar në talentin e saj, i përjetoj shumë sukseset e saj dhe te gjithë nxënësve të tjerë që kanë pasion për artin”, tha Shabani Beqa.

Drejtori Hajdar Beka thotë se i përkrahin këta nxënës me talent herë pas here me bursa të cilat i jep Drejtoria e Arsimit në Skenderaj, dhe i blejnë gjithë̈ ngjyrat dhe mjetet që u nevojiten, në rastet kur realizojnë ndonjë vepër për shkollën, siç është rasti i pikturës murale të Ajnshtajnit.

Beka kërkon nga Drejtoria e Arsimit që të vazhdon t’i mbështetë nxënësit me mjete financiare, në mënyrë që talentin e tyre të mund ta prezantojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.

Gjithashtu, drejtori shprehet se kishte qenë ide e mirë të hapeshin edhe ekspozita në këtë komunë, ku pikturat mund të shiteshin, poashtu të organizoheshin më shumë gara në nivel republike dhe regjionale, duke i motivuar më shumë nxënësit.

Ndërkaq, Gjimnazi “Hamëz Jashari”, punën e filloi në vitet 1967/68 në kuadër të Gjimnazit të Mitrovicës, për ta vazhduar punën më i pavarur në Skenderaj që nga vitet 1969/70.

Aktualisht në këtë gjimnaz vijojnë mësimet 622 nxënës, në dy drejtime, shoqëror dhe atë natyror. / Zelfije Zeneli / KultPlus.com