Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.
Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.
Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutohen tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.
Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.
Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.
Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas.
“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com