Pasioni mbi kërcimin i bashkon të gjitha moshat, dhe disa studime shkencore konfirmojnë se kërcimi është shumë i mirë për ne. Ai përmirëson humorin, redukton stresin dhe parandalon sëmundje të tilla si Parkinson dhe Demenca shumë më tepër sesa aktivitetet e tjera fizike dhe mendore, përfshirë çiklizmin, golfin, notin, leximin dhe tenisin.
Kjo dëshmohet edhe nga një studim i botuar së fundmi në “New England Journal of Medicine”, autorët e të cilit ia atribuojnë fuqinë që ka kërcimi, faktit që ai përfshin si përpjekjet mendore ashtu edhe ndërveprimin social. Dhe ky stimulim i dyfishtë krijon lidhje të reja neuronale.
Madje kërcimi ndikon pozitivisht edhe tek kujtesa në përgjithësi. Një ekip studiuesish kanadezë analizoi performancën njohëse të dy grupe njerëzish, të cilëve iu dhanë shirita me ngjyra, distinktivë dhe kufje Ipod, përmes të cilave secili grup dëgjonte një këngë të ndryshme.
U pa se pjesëmarrësit mbanin mend ngjyrën e grupeve dhe distinktivët e atyre që kërcenin me ritmin e tyre, ndërsa ishin më pak të saktë në lidhje me shenjat që mbanin ata që ndiqnin një ritëm tjetër. Pra lëvizja në një kohë na ndihmon të kujtojmë gjërat për njerëzit me të cilët kërcejmë. Sigurisht, ne mund të kërcejmë edhe vetëm.
Por dimensioni social, pra marrëdhënia me të tjerët, mbetet elementi vendimtar për të kuptuar se çfarë kuptimi ka pasur ky aktivitet në evolucionin njerëzor, dhe çfarë kuptimi ka ende sot.
Në fakt kërcimi kërkon aktivizimin e neuroneve motorike, pra të neuroneve që kontrollojnë muskujt.
Kjo vlen për çdo lëvizje, por gjatë kërcimit qelizat e trurit aktivizohen në harmoni me ritmin. Sa më shpesh të lëvizim në kohë, aq më e lehtë e ka trupi ta bëjë këtë pa një përpjekje të vetëdijshme. Jo vetëm kaq:është thjesht e pamundur që ne të qëndrojmë të qetë kur dëgjojmë muzikë.
Studiuesit nga Universiteti i Oslos në Norvegji, kanë zbuluar se duke dëgjuar një këngë, ne tundim kokën në mënyrë të pavullnetshme 7 milimetra në çdo sekondë, dhe kjo ndodh pavarësisht moshës dhe gjinisë. Për një kohë të gjatë besohej se vetëm njerëzit, duke filluar nga mosha 3-5 muajsh, zotëronin aftësinë për t’u stimuluar nga një ritëm i rregullt.
Në fakt, disa kafshë, siç janë luanët e detit në Kaliforni, majmunët makakë dhe papagajtë, dinë të mbajnë “ritmin”. Antropologia amerikane Sara Hardi, thotë se të kërcyerit është një aftësi që ne njerëzit e kemi fituar gjatë Epokës së Pleistocenit (midis 1.8 milion dhe 10 mijë vjet më parë), kur të porsalindurit që ushqeheshin me gji, detyroheshin t’i përshtatnin lëvizjete tyre me ato të të rriturve, si në një vallëzim primordial në çift.
Nga këtu buron edhe pyetja: çfarë dobie ka vallëzimi? Ekspertët parashtrojnë dy hipoteza: e para është se vallëzimi nuk ka një kuptim të veçantë, por buron rastësisht nga zhvillimi i gjuhës dhe lëvizja e drejtë, pra tipare që na dallojnë më shumë nga kafshët e tjera që “mbajnë ritmin”.
E dyta është se vallëzimi është një sjellje adaptive, e dobishme për forcimin e lidhjeve shoqërore njerëzore, në mënyrë që të përmirësohen shanset e mbijetesës së individit falë forcës së grupit. Në këtë drejtim, antropologu i Universitetit Shtetëror të Uashingtonit, Eduard Hagen, shkoi aq larg sa të hipotetizonte se vallëzimi evoluoi si një mënyrë e përdorur nga grupet e hershme njerëzore për të vlerësuar njëri-tjetrin, duke testuar nëse kishte “kimi”midis tyre.
“Avantazhi konkurrues i një shoqërie që ekzistonte nga praktika e kërcimit, ishte njëkohezioni më i madh midis individëve”- thotë Klajv Gembëll, profesor i arkeologjisë në Universitetin e Sauthemptonit në Britani. Kjo do të shpjegonte arsyen pse disa studiues besojnë se vallëzimet në grupe të mëdha u zhvilluan që 40.000 vjet më parë. Kohët e fundit,janë zbuluar skena të paqarta kërcimi në shpellat e Valkamonikas në Lombardi dhe të Adauras në Siçili, që datojnë thuajse 10,000 vjet më parë.
Sipas Stiven Miten, arkeolog në Universitetin anglez të Ridingut, vallëzimi ka qenë në fillim një mjet për të treguar formën fizike dhe koordinimin e dikujt, cilësi që në shoqëritë parahistorike ishin veçanërisht të dobishme për mbijetesën.
Marrë me shkurtime nga Focus – / KultPlus.com