Sot në moshën 76 vjeçare ka ndërruar jetë “Mjeshtri i Madh”, Agim Doçi.
Doçi (9 maj 1948) ishte një nga krijuesit më të mirë të teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.
Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë mes të cilave “Marshi i UÇK-së” dhe “A vritet pafajësia”.
Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat-Laç, Poligrafik-Tiranë etj. Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.
Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ish-presidenti Bujar Nishani e ka nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”./ KultPlus.com