Doku Fest shpalosi mbrëmë në Prishtinë pak nga magjia e asaj çka pritet të ofrojë festivali këtë edicion

Arlinda Hajdaraj

Data 4 gusht do të shënoj hapjen zyrtare të Festivalit të Filmit Doku Fest, po ndërkohë festivali mbrëmë zbriti në kryeqytet për të shpalosur pak nga gjithë magjia e asaj çka pritet të ofrojë festivali përgjatë këtij edicioni të 22-të, shkruan KultPlus.

DokuFesti mbrëmë në kryeqytet prezantoi filmat e metrazhit të shkurtër apo filma eksperimental, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve duke riaktualizuar problemet shoqërore në vend dhe jashta saj.

Arti filmik, si çdo lloj arti tjetër, është mënyra më e mirë për të vënë në pah çdo lloj problemi duke spikatur ‘të bukurën dhe artistiken’. Në këtë rrugë, zgjidhet labirinti që shpeshherë nuk shihet nga syri i lirë i njeriut të thjeshtë.

Në hapësirën e objektit të CNP-së u prezantuan tetë filma të metrazhit të shkurtër, në versionin shqip dhe anglisht. Secili film, nxirrte nga vetja formën më të mirë, duke gjuajtur mesazhe direkte dhe indirekte për publikun.

Përpara se të tetë filmat të shfaqen përpara ekranit të madh, fjalën e mori Drejtori Artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari, i cili shpalosi më shumë rreth programit të filmave të DokuFest-it, për natën e mbrëmshme dhe të netëve në vijim.

“Dy filmat e parë janë filma nga programi trajnues i DokuFestit, të moshave  16-18, të cilët kaluan një kurs të filmbërjes duke e finalizuar me krijimin e filmave të parë të tyre. Ndërkaq, filmat e tjerë janë filma të shpërndarë në disa programe, ku njëri nga ta është nga Kanadaja”, u shpreh Nurkollari.

Nurkollari tha gjithashtu se gati të gjithë filmat që do të shfaqen në këtë edicion të DokuFestit përgjatë ditëve në vijim janë me premierë kosovare, por se nuk mungojnë as ata filma me premierë botërore.

“Gati të gjithë filmat janë me premierë kosovare, dikur rreth 12 filma janë me premierë botërore, dhe një numër i konsiderueshëm janë filma ndërkombëtarë. Kanadaja këtë vit është në fokus të DokuFestit, andaj nga ky shtet do të paraqesim dikur rreth 20 e më shumë filma”, u shpreh Nurkollari.

Përgjatë natës së mbrëmshme nuk u sollën filmat garues që synojnë të fitojnë çmime, por filma të kuruar dhe të përgatitur pikërisht për këtë natë.

“Sot sollëm një program të vogël të asaj se çka do të pritet të shfaqet në Dokufest. Këta filma që janë këtu, janë enkas për këtë edicion. Por ne, nuk sollëm filma që janë më lartë, këtë natë, sepse presim që premierat e tyre të shfaqen në Festival”, përfundoi Nurkullari.

E tërë hapësira gjelbëruese e këtij objekti u gjallërua edhe më shumë me prezencën e njerëzve që donin dhe çmonin filmin. Çdo cep u mbush me pozitivitetin e të pranishmëve e hareja zuri vend edhe më shumë me duartrokitjet e pandalshme të tyre.

Kureshtja e madhe për të parë ekranin e për të dëgjuar zërin thumbues të personazheve të filmave, pamundësonte t’iu ikte dëgjuesve ndonjë copëz filmi.

Që prej vuajtjes së shqiptareve nga populli serb përgjatë viteve të 90-ta me detyrim ndalim-shkollimi e deri tek problemi i sotëm i shkollave shqipe, ku degët e ndryshme të studimit detyrohen të përfundojnë praktikat shkollore në të njëjtin vend, janë disa nga tematikat që u shfaqën mbrëmë.

Filmi i parë i shfaqur para publikut prishtinas, pati të bëjë me vetën tonë sot, duke dashur një rikthim pas në kohën e fëmijërisë. Në kohën, kur problemet nuk ekzistonin dhe kur çdo gjë e bënim pa sherrin më të vogël.

Filmi i parë, i krijuar nga Nea Zeka, ishte një film i shkurtër që në thelb ka të bëjë me vlerësim më të madh ndaj vetes dhe mos ndihmesën e njerëzve që nuk e meritojnë.

Ndërkohë, filmi i dytë nga Hana Krasniqi i cili u shfaq përpara publikut, ishte ai kushtuar vitit 1991. Vit ky, në të cilin pushteti serb po bënte shkatërrime masive tek shqiptarët, duke detyruar ata të ndalojnë studimet dhe të mbyllin shkollat shqipe. Në diku rreth 6 minuta të këtij filmi, u shfaqën fotografi nga rezistenca e shqiptarëve dhe qëndrueshmëria e tyre ndaj armikut serb.

“Rreth 3200 shtëpi, bodrume dhe garazhe private u dhuruan për tu shndërruar në shkolla të improvizuara”.

Ky film i shkurt tregon më së miri ‘mosnënshtrimin’ e shqiptarëve ndaj armikut serb, dhe moslodhjen e tyre për kërkimin e lirisë e ngulmin për shkollim.

Një tjetër film i shfaqur në këtë mbrëmje ishte edhe filmi… i Viti 1949 shënohet me hapjen e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ndërkohë, sot në 2023, nxënësit e asaj shkolle detyrohen që mësimet t’i mbajnë në ndërveprim me nxënësit e mjekësisë, dy drejtime, komplet të kundërta. Zhurmat që shkaktohen nga muzika tek nxënësit e stomatologjisë, farmacisë e drejtimeve mjekësore dhe sfidat e tjera që hasen në këtë shkollë, ishin disa nga pikat kyçe të paraqitura në filmin në vijim.

Një problem serioz, i cili shfaqet më së miri përmes punës artistike të nxënësve shfaq ato problemet që gjinden mes nesh, e nuk merren ‘fort’ përbazë nga askush.

Përgjatë filmit disa minutor, rishfaqen edhe probleme të tjera me të cilat përballet kjo shkollë. Që prej detyrimit të ndërrimit të disa shkollave deri më tani, e deri tek profesorët e njëjtë që detyrohen të japin mësim në të gjitha degët.

Këto ishin disa nga premierat e shfaqura natën e mbrëmshme, me qëllim të vetëdijesimit e të kuptimit të realitetit në të cilin ndodhemi si shoqëri.

Kujtojmë që, DokuFest do të shfaq falas para publikut me më shumë se 230 filma, nga 3500 aplikime të bëra gjithsej. / KultPlus.com

Pas “Sunny Hill” Tirana bëhet sponsor zyrtar i “Doku Fest”

Bashkia e Tiranës sot zyrtarisht është bërë sponsor zyrtar i festivalit të suksesshëm të filmit “Doku Fest” që mbahet çdo vit në Prizren, shkruan KultPlus.

Ky lajm vjen një ditë pas atij për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill, nga Prishtina në Tiranë, lajm ky që po vazhdon të përcillet me reagime të shumta.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë të ditur lajmin duke u shprehur se për ta ka rëndësi që jeta kulturore të zhvillohet kudo ku ka shqiptarë.

“Shume i lumtur qe kete vit Tirana do jete sponsor zyrtar i DokuFest ne Prizren kuruar me nga Vetoni, Erolli, Nita & miq! Ndonese jo ne Tirane, por me sh pjesmarrje nga Tirana, per ne ka rendesi qe jeta kulturore te geloje ketej, andej e gjithandej ka
shqiptare!

“Doku Fest” është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër që mbahet në qytetin e Prizrenit që tërheq artistë dhe audiencë ndërkombëtare dhe rajonale. / KultPlus.com

“How Do I See You?”, projekti i DokuFest që synon krijimin e mundësive për shkëmbime ndërkulturore mes të rinjve të Kosovës dhe Serbisë

Kanë përfunduar aktivitetet e takimit të dytë të gjeneratës së dytë të pjesëmarrësve në kampin ndërkulturor “HOW DO I SEE YOU” që është projekt i përbashkët i DokuFest dhe Free Zone.

Ky projekt i financuar nga zyra e Bashkimit Europian, ka për qëllim krijimin e mundësive për shkëmbime ndërkulturore mes të rinjve të Kosovës dhe Serbisë përmes një programi edukues dhe gjithëpërfshirës për ti pasqyruar mendimet e tyre përmes krijimit të portreteve audiovizuale në të cilat ata do të kenë mundësi t’i shprehin pikëpamjet për bashkëmoshatarët e tyre.

Aktivitetet e projektit, përveç tjerash nxisin krijimin e narracioneve që trajtojnë çështjet ndërkulturore me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Serbi dhe Kosovë përmes një hapësire ku shkëmbehen idetë dhe ku respektohet mendimi ndryshe, e që është i bazuar në respekt të ndërsjellë. Përmes aktiviteteve të projektit të rinjtë kanë mundësinë ta njohin njëri tjetrin përmes artit dhe kulturës në një hapësirë të lirë nga gjuha e urrejtjes dhe paragjykimeve të ndërsjella.

“Edhe pse transformimi digjital ka lehtësuar qasjen në të dhëna dhe informacione duke përshpejtuar komunikimin me audiencat e targetuara, njëkohësisht përmes teknologjive të reja, ajo sfidon gazetarinë profesionale në mënyrë të vazhdueshme përmes të ashtuquajturave fake-news duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe duke ndërtuar lajme të rreme përplot paragjykime e stereotipizime për njëri tjetrin, shpesh duke përdorur fakte të paketuara në narracion etnocentrik”, tha Eroll Bilibani udhëheqës i DokuLab, departamentit edukativ të DokuFest duke shtuar “ideja për këtë projekt ka qenë e konceptuar një kohë të gjatë, por ja që tani na u dha mundësia, përmes mbështetjes së BE-së për të krijuar mundësi për të rinjë nga të dy shtetet të krijojnë kundër narrativa vizavi etnocentrizmit dhe nacionalizmit në rritje që vazhdimisht promovohet dhe shpërndahet nga platformat joetike të mediave që pastaj gjejnë vend tek rrjetet sociale të individëve të papërgjegjshëm”.

Zbatimi i projektit nisi në mesin e muajit Mars 2020, por situata dhe rrethanat me pandeminë penguan disa nga aktivitetet e projektit. Megjithatë, bashkë me partnerët e projektit vazhduam me zbatimin e aktiviteteve të cilat ishin të mundshme të realizohen përmes hapësirës virtuale që na mundësoi t’i organizojmë aktivitetet. Pavarësisht situatës së krijuar, grupi i parë i pjesëmarrësve nga Kosova dhe Serbia, arritën që të krijojnë portretet e para audiovizuale për njeri-tjetrin.

Grupi i dytë i të rinjëve u konsolidua në muajin prill 2021, dhe deri në muajin maj krijuan portrete audiovizuale pas takimeve individuale që u fasilituan nga partnerët e projektit.

“Këtë të martë dhe të mërkurë ne organizuam takime virtuale ku të rinjëve iu dha hapësirë për ti shfaqur portretet e njeri tjetrit, duke u bazuar në eksperiencën e takimeve individuale me njeri tjetrin” tha Zana Arapi-Xheladini menaxhere e projektit dhe shtoi “respekti i ndërsjellë i pjesëmarrësve gjatë këtyre takimeve mund të jetë si model i komunikimit mes shteteve të rajonit, pa gjuhë të urrejtjes dhe me respekt për mendim ndryshe”.

Projekti parasheh edhe një tubim fizik të të dy grupeve të pjesëmarrësve për të krijuar punime artistike në formë portretesh audiovizuale që do të ekspozohen në edicionin jubilar të DokuFest në Prizren nga 6 deri më 14 gusht 2021, si dhe gjatë edicionit të 17’të të Free Zone në nëntor të këtij viti në Beograd. / KultPlus.com

‘She Asked Me Where I Was From’ nga Aulona Fetahaj, fitues në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë

Në festivalin DokuFest, filmi i Aulona Fetahaj, “She asked me where i was from” ka arritur të shpallet fitues i në kategorinë e Garës Kombëtare të Filmit të Shkurtë.

Fotografitë që shpalosin kujtime, periudha të ndryshme kohore, nga njëri vend në tjetrin, vende sa të huaja, aq edhe të vogla, por mjaftueshëm sa për të krijuar një të kaluar që do mbetet vetëm suvenir në kohë. Kjo është përmbajtja e filmit “She asked me where I came from”, që sjell historinë personale të regjisores Aulona Fetahaj, që filloi të ndihej e huaj në vendin ku jetonte, sepse një nga pesë njerëz nuk pëlqenin refugjatët si ajo, shkruan KultPlus.

Filmi kishte filluar të realizohej si një ide për temën e bachellorit, si dëshirë e  regjisores që tash e sa kohë jetonte në Belgjikë, për të krijuar diçka për vendin e saj, Kosovën. Ajo në një intervistë për KultPlus tregon se nga pamundësia për të udhëtuar për në Kosovë asaj i lindi ideja që të krijoj një film të tillë nga prapa ekranit të saj.

“Nuk kam mundur të shkoj në Kosovë për të filmuar, kështu që u detyrova me mendu se si mund të krijoja diçka për Kosovën nga Belgjika. Si një e huaj në Belgjikë, ishte një pozicion që automatikisht përcaktoi përmbajtjen e filmit. Duke qenë e tillë, mendoj se këtu është formuar edhe forma e narracioni i filmit, nga një distancë (nga prapa ekranit tim) duke parë botën e jashtme ishte në gjendje të reflektoja më mirë për të”, ka deklaruar ajo. /KultPlus.com

“The Metamorphosis of Birds” fitues në kategorinë e Dokumentarëve Ndërkombëtar

Për rindërtimin e saj elegant të një historie të përjetshme dhe universale dhe për ndjeshmërinë e saj ndaj mundësive krijuese të ofruara nga kinemaja jo fiction, juria vendosi të shpërblejë një film të parë mbresëlënës, duke konfirmuar gjallërinë e kinemasë bashkëkohore portugeze”, ishin këto komentet e jurisë së kategorisë për dokumentarin ndërkombëtar, fituese kryesore e të cilit ishte Catarina Vasconcelos me “The metamorphosis of birds”

Në film trajtohet ngjarja e Beatriz dhe Henrique të cilët u martuan në ditën kur ajo u mbush 21 vjeç. Henrique, një oficer detar, kaloi periudha të gjata në det. Në tokë, Beatriz, e cila mësoi gjithçka nga vertikaliteti i bimëve, u kujdes për rrënjët e gjashtë fëmijëve të saj. / KultPlus.com

Filmi i metrazhit të shkurtër “Salloni” do të shfaqet në edicionin e ri të DokuFestit

Filmi i metrazhit të shkurtër “Salloni” me regji të Zgjim Terziqit do të shfaqet në edicionin e sivjetmë të DokuFestit, që mbahet nga data 7 deri më 25 gusht, shkruan KultPlus.

Edicioni i 19-të i DokuFestit do të mbahet online për shkak të pandemisë covid-19.

Laji është bërë i ditur në faqen e festivalit.

“Salloni” pati premiera botërore nëpër vende të ndryshme, ndërsa kasta e tij përbëhet nga aktorët: Armond Morina, Irena Cahani, Xhejlane Terbunja, Anisa Ismajli, Njomëza Fetiu, Igballe Qena, Sheqerie Buqaj, Marigona Përvetica, Lurni Krasniqi dhe Jara Saqipi. /KultPlus.com

Programi “E ardhmja është këtu” i DokuFest këtë vit reflekton shpresën e të rinjve

Ky vit shënon gjeneratën e gjashtë të nxënësve të shkollave të mesme të cilët regjistrohen në kampet e trajnimit të organizuara nga programi edukativ “Shkolla dhe dokumentari”, i cili fokusohet në natyrën praktike të filmave, duke u ofruar nxënësve mjetet, njohuritë dhe asistencën profesionale të nevojshme për të bërë filmat e tyre, shkruan KultPlus.

“Kur filluam shkollën e filmit “E ardhmja është këtu” para 6 vjetësh, nuk na shkoi mëndja që do të arrijmë të frymëzojmë kaq shumë gjenerata të të rinjve të talentuar, që të kthejnë pasionin e tyre në projekte konkrete”, shkruhet në njoftimin e DokuFest.

Një grup tutorësh me përvojë janë aty për të ndërtuar një urë mes nxënësve. Në edicionin e gjashtë janë pranuar 15 të rinj entuziastë, nga 88 aplikime për t’iu bashkuar kampit të parë veror ku do të trajnohen përmes qendrës së produksionit të dokumentarëve në DokuFest, përmes procesit të udhëhequr nga profesionistët në terren, prej ideve deri në fazat përfundimtare. Kureshtja e tyre për botën që i rrethon është kyçe për aspektin transformues në punëtori.

Së fundmi, janë përzgjedhur shtatë projekte premtuese për t’u udhëhequr më tutje nga tutorët e programit Blerta Zeqiri, Gullermo Careras-Candi, Emilio Guerra, Gazmend Bajri, Hakan Karamuço dhe Samir Karahoda. Duke ju dhënë kamera për të treguar historitë e tyre dhe për të krijuar një ndërgjegjësim më të madh mbi çështjet sociale, u ngjall dashuria për procesin e realizimit të tregimeve mes këtyre shtatë studentëve të mahnitshëm.

Filmat e tyre janë personal, që përshkruajnë jetën e tyre përmes historive të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse. Shtrirja e gjerë e temave trajtojnë çështje se si media sociale formon jetën e përditshme të adoleshentëve, ose se si paragjykimet dhe diskriminimi ndikojnë në jetën e një të riu në Kosovë. Një nxënës rom vendosi të filmonte një festë që simbolizon lumturinë e cila kremtohet me shumë krenari nga komuniteti rom, ndërsa një tjetër histori e një filmbërësi të ri ka të bëjë me krijesat magjike dhe mitike shqiptare që posedojnë fuqitë mbinatyrore dhe bukurinë e jashtëzakonshme.

Rrëfimet e këtyre të rinjve janë pasqyrim i shoqërisë dhe reflektojnë shpresë dhe optimizëm. Prandaj DokuFest i fton të gjithë që të bashkohen në shfaqjen e këtyre filmave në kinemanë e mbi lum të DokuFest, nën mbishkrimin “E ardhmja është këtu”./ KultPlus.com