Jahjaga krenare me festivalin DokuFest

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se ndihet krenare me festivalin DokuFest, i cili sivjet ka përfshirë 210 gra regjisore dhe producente.

“Tema e tyre “Reflektimi” jetëson pasqyrimin që vendi ynë duhet ta japë për gratë”, shkruan në një status në Facebook, Jahjaga.

Sot, Jahjaga ka marrë dhuratë nga drejtorja e DokuFest-it, Nita Deda, një bluzë me sloganin e sivjetshëm të këtij festivali, “Girls now”.

Jahjaga ka përgëzuar drejtoren Nita Deda, stafin dhe vullnetarët për punën e bërë në DokuFest./KultPlus.com

“Pro-Rrymës” dhe në mbrojtje të natyrës erdhi mbrëmë në DokuFest

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi dokumentari “Pro Rrymës” realizuar nga Elton Baxhaku, shkruan KultPlus.

“Pro Rrymës” është një dokumentim i përpjekjeve të komuniteteve lokale, organizatave mjedisore dhe aktivistëve të shoqërisë civile për t’u përfshirë në vendimmarrjen për fatet e lumenjve Valbonës dhe Vjosës, si dhe të zonave të mbrojtura përballë lejeve për projekte hidroenergjetike të qeverisë shqiptare.

Dokumentari sjellë sfidën e shekullit për mjedisin në Shqipëri, ku 526 hidrocentrale kanë marrë dritën e gjelbër nga autoritetet qendrore. Kjo është historia e rezistencës së banorëve dhe të aktivistëve mjedisor, kundër valës shkatërruese të HEC-eve në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit.

“Në kohën kur po bënim xhirimet u premtua se do të hapej një mundësi e re drejt energjisë diellore, energjisë së erës dhe burimeve të tjera. Pasi që ekosistemi po dëmtohej rënd por kjo ishte një gënjeshtër e radhës. Projektet që ishin planifikuar për tu bërë pra me burime alternative të energjisë u anuluan dhe u ndryshuan. Për aq sa nuk u bë asnjë projekt përveç HEC-eve”, tregoi për publikun e pranishëm në platonë e DokuKino-së, Elton Baxhaku-regjisor.

Tutje ai tregoi se punimet e HEC-eve po vazhdonin që të realizoheshin dhe e vetmja pengesë që kishin, ishin banorët të cilët kundërshtoni. Pikërisht ky dokumentar paraqet edhe këmbënguljen e tyre për të shpëtuar natyrën në ‘luftë’ me shtetin e tyre i cili ka plane të kundërta.

Diçka tjetër që do mund të shihni në këtë dokumentar janë aktivitet e shumta kulturore dhe sportive të cilat janë mbajtur për të shpëtuar natyrën duke përfshirë koncertin e madh i cili mori shumë jehonë “Mos ma prek Valbonën”, apo marshimin me Kayak që u bë nëpër lumenjtë në gjithë Ballkanin pasi që një situatë të ngjashme po hasin shumë vende në këtë pjesë.

“Nuk është rasti i parë që hasim në Shqipëri, kur një i huaj vjen dhe bënë roli e ‘reflektuesit’ ai që na i hapë sytë duke na treguar se gjërat nuk janë mirë. Këtë e kemi parë edhe në rastin e Vjosës e sidomos në rastin e Valbonës ku shumë të rinj nga vendet e tjera kanë ardhur për të ndihmuar në mbrojtjen e ambientit. Por këta të rinj, nuk kanë dashur që të lidhen me asnjë parti, organizatë apo diçka të tillë ata thjeshtë kanë dashur që të na ndihmojnë pasi që e kanë vënë re se çfarë po humbim”, ka treguar ai.

Ajo që ky dokumentar vë në pah është edhe puna që kanë bërë pikërisht këta të ri duke përfshirë këtu edhe shkencëtarët të cilët kanë dokumentuar gjallesat të cilat ekzistojnë në këto pjesë të Shqipërisë e që më parë nuk janë ditur duke përfshirë këtu edhe “Puqemi”, një specie e re e cila është zbuluar.

Dokumentari “Pro Rrymës” dhe rezistencën për të mbrojtur ambientin do mund ta shikoni edhe sonte në Kino n’lum duke filluar nga ora 22:00, në kuadër të DokuFest-it në Prizren. /KultPlus.com

Përditshmëria e Albanit nga Bekim Guri, pasqyrë e realitetit në Kosovë

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në Prizren në kuadër të DokuFest-it është dhënë premiera kombëtare e dokumentarit ‘Routine’ nga Bekim Guri, shkruan KultPlus.

Pasi i është djegur shtëpia e familjes së Albanit së bashku me dy vëllezërit e tij, e tërë familja ka pësuar shok, çrregullim mental dhe një varfëri të madhe. Ndër familjarët që e përjetuan dhe e pësoi më së rëndi është Albani.

Albani, një fëmijë i pastrehë e më shumë probleme në familje, përmes jetës së tij pasqyron shumë mirë edhe një realitet kosovar. Ai është lënë anash nga shteti dhe shoqëria, derisa mëton t’u bëjë ballë sfidave për mbijetesë. Kështu dokumentari “Routine” tregon jetën e një qenie njerëzore të pafajshme, jeta e të cilit drejtohet nga vendime të vështira dhe i cili kalon nëpër një udhëtim të vështirë.

Albani është një fëmijë që bredh rrugëve për të kërkuar të holla, një fëmijë që rritet me një baba të alkoolizuar i cili vdes pastaj, një fëmijë me të cilin tallen kalimtarët e rastit, një fëmijë që i mohohet hyrja në teatër, një fëmijë që kërkon bukë nga paragostitë që shërbehen nëpër festivale.

Kjo histori ka bërë që regjisori Bekim Guri të kthehet çdo vit, prej 2009-2018, natën e viti të ri në Kosovë për të takuar Albanin dhe për të sjellë një pjesë nga realiteti i tij i dhimbshëm.

Regjisori Bekim Guri i cili ka munguar në premierën e dokumentarit në Prizren e konsideron këtë film një realitet të hidhur të një përditshmërie dhe të një rutine e cila vazhdon e tillë për shumë vite.

“Një realitet, që tregon pasqyrën e jetës sociale në vendin tonë”, kështu e konsideron regjisori atë që paraqitet në dokumentar, tregon producenti i filmit Valon Jakupaj.

Regjisori e ka takuar rastësisht personazhin e dokumentarit, Albanin dhe pasi që ka pasur një kamerë me vete ka filluar që të xhirojë por historia e tij e ka bërë regjisorin të rikthehet çdo vit për të sjellë një pasqyrim sa më të plotë e të fuqishëm.

“Kjo çka patë është jeta e Albanit i cili jeton nëpër rrugët e Ferizajt. Dokumentari është një pasqyre e jetës së Albanit që pak a shumë është paraqitur edhe këtu. Xhirimet janë bo çdoherë në natën e viti të ri, kemi një vit kur regjisori nuk ka rritur që ta takojë Albanin por kjo është rrjedha e filmit pak e shumë. Jeta e Albanit e cila del në pah çdo vit, natën e Vitit të Ri”, u shpreh ai.

Filmi “Routine” do të shfaqet edhe sot, më 6 gusht në DokuFest, prej orës 22:00, në KINO N’LUM, në Prizren. /KultPlus.com

Historia e Adem Rekës dhe reflektimi mbi kohën kur në Shqipëri ‘vlonin’ heronjtë

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi në Kosovë historia e Adem Rekës i cili pas humbjes së jetës u shpall Hero i Punës Socialiste nga regjimi komunist në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Regjinë e filmit “Adem Reka” e ka bërë Ardian Arrëza. Ai është duke përfunduar studimet për regjisorë. Filmi ka ardhur si rezultat i një projekti i cili është realizuar në kuadër të studimeve.

Sipas tij sjellja e periudhës së komunizmit në Shqipëri përmes filmave bënë që shoqëria të reflektojë për atë kohë. Një reflektim të tillë e bënë edhe dokumentari për Adem Rekën, njeriu që u shpall hero edhe pse nuk ishte e tillë.

Historia e Adem Rekës është shumë e thjeshtë, ai u vra derisa punonte në Bigën lundruese në portin e Durrësit. Kjo mund të nxiste debat për sigurinë në punë tani mirëpo, në kohën e komunizmit, një rast i tillë nxiti shpalljen e një heroit. Kështu të urdhëruar njerëzit udhëtonin më qindra kilometra madje edhe nga Saranda për të ardhur dhe për të nderuar heroin e posa shpallur, Adem Rekën.

“Isha student në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe morën fjalën për Adem Rekën. Të gjithë u nisëm për ta nderuar, një shok i imi së bashku me disa të tjerë nuk erdhën. E mbaj mend këtë pasi që pas kësaj ngjarje jeta e shokut tim u shkatërruar, me të vërtet u shkatërruar, ai madje u përjashtua edhe nga fakulteti”, tregon njëri nga protagonistët e dokumentarit.

Ndërsa regjisori i dokumentarit, Ardian Arrëza, tregoi se kishte dëgjuar për Adem Rekën në qytetin e tij. Ai kishte dëgjuar debatin rreth asaj se a është ai heroi apo nuk është dhe pikërisht ky debat e nxiti që të hulumtonte më shumë për të.

“Pash historinë e Adem Rekës dhe mënyrën sesi ishte trajtuar nga koha e atëhershme, një kohë e cila kishte nevojë për të pasur heronj. Në Shqipëri nuk kishe fe, në fakt nuk kishte shumë dhe ishte e nevojshme që të kishte heronj. Pra nuk ishte vetëm rasti i Adme Rekës por kishte edhe raste të tjera kur një person i cili vdiste në vend të punës, shpallej hero”, tregoi Arrëza.

Mirëpo historia e shpalljes hero nuk ishte se pritej mirë nga familjarët. Në dokumentarë mund të shihni vajzën e Adem Rekës e cila shpalos më shumë detaj rreth pasojave që pati kjo në familjen e tyre, ku ata edhe u vënë në qendër të mediave në atë kohë.

“Mediat shkruan sesi nëna ime po udhëtonte me aeroplan me parat që shteti i ka ndarë për heroin, kur në fakt ajo asnjëherë në jetën e saj nuk hipi në aeroplan. Pastaj kur erdhi Enveri të ne, ai erdhi me njerëzit e tij dhe ata i bënin të gjitha për të madje edhe kafen që e piu, por mediat pyesnin: Si e pinte kafen Enveri?”, tregon në dokumentar ajo.

Gjersa shton tutje se ajo që ishte më e dhimbshmja ishte fakti se njerëzit detyroheshin që të marshonin dhe të vinin në nderime.

“Nëna ime gjithmonë thoshte: Përse po vinë gjithë këta njerëz, ata do na mallkojnë. Do thotë: ‘Ah more Adem Reka çka na bërë’”, kujton vajza e tij.

Ngjarja përmblidhet përmes materialit arkivor të kohës edhe rrëfimet e njerëzve që e kanë përjetuar atë, të cilat përfshijnë anëtarë të familjes së Adem Rekës. Të vërtetat e tyre dhe përfitimi nga rezultati ekspozon propagandën e regjimit. /KultPlus.com

“Kurrizi”, mburoja e nëndheshme e të rinjve në Prishtinë

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në DokuKino përmes dokumentarit të shkurtër “Kurrizi”, të pranishmit u kthyen prapa në kohë për të parë rëndësinë që kishte ky lokacion për shqiptaret në vitet e ’90, si dhe për të zbuluar jetën kulturore që zhvillohej aty, shkruan KultPlus.

Për të përmbushur misionin e sivjetshëm të DokuFest-it, të zbulojmë përmes reflektimit se kush jemi, sigurisht që duhet të gërmojmë edhe të kaluarën dhe ta vëmë atë në pah.

Ndoshta ajo mund edhe të mos na kujtohet dhe të mos jemi të lidhur direkt me disa ngjarje të caktuar të viteve që kemi lënë pas por disa prej tyre kanë lënë aq shumë gjurmë në shoqërinë tonë sa nuk mund të iu shmangesh. E tillë ka qenë edhe historia e “Kurrizit”, për regjisoren Orgesa Arifi.

“Përzgjedhje e ‘Kurrizit’ si memorie kolektive e Kosovës jo vetëm e Prishtinës ka rrjedhur prej dëshirës time që më është ngujuar në nëndije e që gjithmonë më ka bë që më tregu tregime për të cilat shumë pak është fol”, tregon regjisorja Arifi.

‘Kurrizi’, një kompleks banesor dhe afarist në lagjen Dardania u bë një pikëtakim për të rinjtë shqiptar në vitet 1990. Lokalet të cilat u hapen nga shqiptarët bënë që në këtë pjesë të nëndheshme të zhvillohej jeta kulturore e Kosovës dhe jo vetëm kaq, pasi që “Kurrizi” ka një vend të posaçëm edhe social por edhe historik për Prishtinën.

“Kurrizi” u bë vendi ku lindën dhe u krijuan edhe shumë grupe muzikore, të tilla si “Terrori”, grupi që përbëhej vetëm nga femrat e që është përfshirë edhe në dokumentar.

Vendet si “London”, “Venusi”, më vonë “Blues”, “Piramida”, “Papiloni i Bekës”, “Hani i dy Robertëve”, “Bebe”, “Besniki”, “Bekimi i Sahatçisë” , “Gaz Domi”, “Gebo”, ishin vetëm disa nga vendet ku të rinjtë shqiptarë kalonin kohën.

“Fatmirësisht e kam parë pas dokumentarit tim që ka shumë arkiva dhe kjo vlen me u përmend për shkak se shumë pak është diskutuar për ‘Kurrizin’ në televizionet tona”, thekson regjisorja.

Tutje ajo tregon se gjithë ky dokumentar është bërë me qëllim që ‘Kurrizi’ të mos mbetet vetëm në mendjet e njerëzve që kane pasur fatin me e jetu atë periudhë. Ajo mendon që kjo pjesë është një oazë e kulturës së Kosovës, dhe si e tillë duhet që të dokumentohet.

“Kurrizi” u bë një vend ku të rinjtë shfaqni idetë e tyre dhe ndjeheshin pjesë e Evropës, një vend i sigurt ku ata ishin të mbrojtur nga të gjithë, prindërit e tyre, shoqëri por edhe policia. Edhe pse kjo e fundit shpesh herë hynte dhe kontrollonte të gjitha lokalet.

“Racia”, ashtu si quhej policia që e kontrollonte “Kurrizin”, në atë kohë ishin shpeshherë të ashpër dhe shumë njerëz u torturuan nga ta vetëm pse frekuentonin këtë vend. Në mesin e tyre ata që shpeshherë pësonin më shumë ishin studentët që vini nga qytet e tjera jashtë Prishtinës.

Të qëndrosh në Prishtinë derisa ishe i ri, i lindur në një qytet tjetër, nënkuptonte për pushtuesit serb se ti ishe student, student në “Universitetin e Prishtinës” të cilin e kishin mbyllur. Dhe kjo mjaftonte për të torturuar studentë, në kohën kur lindën edhe “Shtëpitë-Shkolla”.

“Protagonistët që i kam zgjedhur janë bërë në atë formë që të kem një barazi gjinore, pastaj profesione të ndryshme pasi që jo vetëm artistët kanë qëndruar aty. Ai vend u ka takuar të gjithëve dhe të gjithë kanë pasur diçka për të ndarë. Siç edhe e vërehet në film kanë pasur shumë gjëra të përbashkët dha kanë qëndruar shumë me njëri-tjetrin. Një union i cili ja vlen me u përmend e pse jo ndoshta edhe me u rikthye”, u shpreh regjisorja Orgesa Arifi.

Nita Luci, Ilir Bajri, Albin Kurti, Jehona Shaqiri, Vjosa Shala, Leart Zeqa, Astrit Salihu, Dritero Nikqi, Adrian Hasimja, Shkumbin Istrefi, Flutura Bekqeli Qena, Sali Shoshi, Nesim Maxhuni, Arben Islami, Bajram Bylykbashi – B.B. Poqi, Dardan Shkreli, Rrustem Geci, Arton Krasniqi, Lumnije Menxhiqi Shehu, Blerta Puka Mulhaxha, Drin Shala, Jeta Rexha, Kaltrina Thaçi, janë njerëzit të cilët kanë kontribuar në këtë dokumentar.

“Kurrizi është realizuar nga Arif Muharremi, Doruntina Basha, Orgesa Arifi, Fatos Mehmeti, Dritëro Mehmetaj, Anyla Berisha, Roland Sylejmani, Pëllumb Ballata dhe Kaltrina Thaçi. /KultPlus.com

Reportazh: Reflektimi i DokuFest-it në Prizren (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Të këndosh këngën “I’ll Be Your Mirror’, nga The Velvet Underground, së bashku me dhjetëra njerëz shumicën e të cilëve asnjëherë më parë nuk i ke takuar, por që i pranon ashtu siç janë, gjersa reflektoni së bashku për atë që jeni, kjo është fuqia e DokuFes-it dhe ajo që shënoi edhe hapjen e këtij edicionit të XVII.

“Unë jam pasqyra jote, reflekto çfarë ti je, në rast se nuk e di,
Unë do të jem era, shiu dhe perëndimi i dellit,
Drita e shtëpisë që të tregon se je në shtëpi”, janë fjalët që i kanë shqiptuar dhjetëra persona në ambient të hapur të Kino Lumbardhi, të premten.

E ftesës së festivalit “Eja, ashtu qysh je”, po i përgjigjen një numër i madh i vizitorëve. Në ekranin e vendosur nga festivali te Shatërvani, numri i vizitorëve shënoi 1 mijë e 300 mbrëmjen e kaluar, në ditën e dytë të festivalit.

Të gjithë ata kanë ardhur për të qenë pjesë e DokuFest-it dhe programit të tij të larmishëm ku do shfaqen më shumë se 250 filma. Përveç filmave, vizitorët do shijojnë shfaqjet, bisedat, ekspozitat dhe koncertet, do kënaqen me art por njëkohësisht edhe do reflektojnë përmes mediumeve të ndryshme mbi veten dhe ambientin.

Në një situatë kur thjeshtë të duhet të marrësh frymë dhe të reflektosh, sigurisht qyteti i Prizrenit është i duhur. Një qytet ku bota moderne dhe ajo antike gërshetohen shumë bukur me njëra tjetrën, qytet në të cilin mund ta gjejë veten çdo kush, falë laramanisë që ofron.

Fillimisht ajo që duhet të zgjedhësh është lartësia mbidetare në të cilën dëshiron që të qëndrosh dhe të reflektosh. Kështu në qoftë se dëshironi që të jeni 525 m. mbi nivelin e detit, duhet që të ngjiteni të Kalaja e Prizrenit, 15 minutave ecje në këmbë nëpër rrugicën që lidhë qytetin me Kalanë. Me të arritur, për shkak të ecjes, frymëmarrja juaj për disa sekonda mund të jetë më e thellë pasi që organizmi juaj do ketë nevojë për më shumë oksigjen, por ju, ka shumë gjasa të mos i kushtoni vëmendje pasi që pamja e qytetit, i cili reflekton si një pasqyrë drejt jush, do jetë e paharrueshme. Gjersa qëndroni të Kala, vend i cili është shndërruar në kinema do jeni po ashtu në vëmendjen e kalimtarëve në qytet të cilët në muret e kalasë lexojnë mbishkrimin “AS WE ARE”, pjesë e instalacionit të festivalit.

Në anën tjetër përgjatë Lumbadhit të Prizrenit, “Lumbardhi outdoor” dhe “Kino n’lum” janë bërë zgjedhje për shumë vizitorë, të cilët po përcjellin filmat. Veçanërisht në ‘Kino n’lum’ zhurma që krijon rrjedhja e lumit po gërshetohet me filmat të cilët janë duke u shfaqur aty. Rrjedha e lumit po krijon njëkohësisht edhe një freski, e për ata të cilët kjo nuk mjafton një pijë dhe disa grimëtësira për të ngrënë gjersa përcjellin filmat janë ideal.
Mirëpo kur dielli fillon që të perëndojë ajo që duhet që të bëni është që të vazhdoni tek Platoja “DokuKino”.

Perëndimi i diellit është një njoftim se aty shfaqja e filmave do të fillojë shumë shpejtë. Kështu kuadrot e filmave gërshetohen shumë bukur me ngjyrën e kuqërremtë, e të arit, të cilat fillojnë që të shfaqen në qiell. Një pamje e mrekullueshme për të marrë fryme thellë dhe reflektuar. E meqenëse qyteti është i rrethuar me xhamia të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane atëherë thirrja e ezanit do bëhet pjesë e filmit po ashtu.

Më të përfunduar filmi vëmendja e vizitorëve kthehet te Rruga e Çarshisë. Vendi i cili prezanton më së miri laramanin e qyteti dhe shijet e ndryshme të vizitorëve. Lokalet e shumta të vendosura në këtë rrugë janë çdo natë të stërmbushura nga vizitorët. Disa marrin miqtë dhe ndalojnë për një birrë, të tjerët për një kafe turke, e njohur për shijen e veçantë, e të tjerët të uritur shijojnë një byrek apo qebapët. Sigurisht që një fluks i tillë ndikon pozitivisht të prizrenasit të cilët kanë hapur dyqane të ndryshme, kafeteri e lokale.

Një e veçantë tjetër e vizitorëve të cilët bredhin rrugëve me kalldrëm të Prizrenit është se shumica e tyre janë vizitorët të huaj. Ndërsa një pjesë e tyre janë edhe filmbërës, aktorë, muzikantë, e artistë të ndryshëm të cilët janë të lidhur me kinematografinë dhe me festivalin. Disa vijnë për të prezantuar punën e tyre gjersa shpalose në festival, e të tjerët për ta shijuar atë që po prezantohet. Prandaj rrugëve të kalldrëmit arrin të takosh edhe artistët edhe nga Kosova.

Kur ora shënon 24:00 në qytetin e Prizrenit akoma nuk ka gjumë, kjo pasi që edhe jeta e natës është e pranishme përmes performancave të bendeve dhe artistë të ndryshëm të cilët perfomojnë në skenën “ANDRRA”. Vizitorët gjatë kësaj kohë drejtohen drejt “Marashit” ku shijojnë muzikë deri në orët e para të mëngjesit. Për të vazhduar përsëri një ditë tjetër reflektuese duke zbuluar prurjet e reja të këtij edicioni të DokuFestit.

Në mëngjes, trokitja e rrotave të valixhes, nëpër rrugët e kalldrëmit në kërkim të shtëpive për të qëndruar është zhurma paralajmëruese për vendasit se në lagjen e tyre po hyn edhe një vizitor i ri. Kështu mikpritës i-ja e shtëpisë, me një buzëqeshje në fytyrë i drejton mysafirët e saj në dhomën e tyre, të cilën e ka lëshuar për vizitorët e festivalit.

E veçanta e këtyre rrugëve këtë vit për dallim nga vitet e kaluar është se trungu i pemëve të vendosura gjatë rrugëve është mbështjell me punime dore të realizuara nga gratë e qyteti. Punimet këtë vit kanë zëvendësuar njoftimet e ndryshme të cilat më parë janë ngjitur nëpër pemë. Kështu përmes kësaj performance të titulluar “Drunjtë e pastër” është promovuar punë e grave të qytetit por njëkohësisht është vënë theksi mbi rëndësinë që ka ambienti.

Një veprim i tillë e ka bërë qytetin edhe më të dashur për vizitorët të cilët gjersa kalojnë rrugës i veshtojnë më kujdes edhe këto punime. Mirëpo, kjo është gërshetuar shumë bukur edhe me programin “Green Dox”, të festivalit.
Në këtë rrotacion i cili do zgjasë nëntë ditë aq sa zgjatë edhe festivali, 3-11 gusht, çdokush do mund të gjejë diçka të veçantë në Prizren. Mund të jetë diçka shumë e thjeshtë, ndoshta edhe një pikturë e Prizrenit të vjetër, e varur në murin e dhomës suaj, e ngjashme me timen në shtëpinë e zonjës Tyrkan Opoja. Pikturë të cilën një mik i familjes ia dhuroi bashkëshortit të saj të ndjerë, si shenjë respekti dhe falënderimi pasi që ishte pediatër i fëmijës së të tij.

Gjithçka mund të jetë nxitje për të reflektuar, për aq kohë sa ju jeni vetvetja, ashtu qysh jeni, kokëfortë, të guximshëm, të frikësuar, të sinqertë, krenarë, të thjeshtë, të komplikuar, të lirë, të mrekullueshëm…/KultPlus.com

Filmi “Kiem Holijanda” reflektimi i DukFestit që vë në pah lidhjen vëllazërore, pornografinë dhe migrimin

Alberina Haxhijaj – Prizren

Në platonë e DokuKino-së, ka ardhur mbrëmë premiera kombëtare e filmit “Kiem Holijanda”, shkruan KultPlus.

Qindra qytetarë të cilët janë duke e vizituar Prizrenin këto ditë, po shijojnë edhe programin e larmishëm që po sjell DokuFesti. Në mesin e tyre pati edhe të tillë të cilët mbrëmjen e 4 gushtit, vendosën që të shikojnë filmin “Kiem Holijanda”.

Filmi sjellë historinë e dy vëllezërve, personazhe këto të cilat vijnë përmes dy aktorëve Andi dhe Florist Bajgora, me regji nga Sarah Veltmeyer.

Andi shet shishe me qumësht në fshat, për të ndihmuar familjen e tij. Mirëpo ai po kursen disa nga fitimet e tij dhe nuk po i ndanë me familjen në mënyrë që të blejë një telefon për veten e tij.

Në anën tjetër vëllai i tij, Floristi, të gjitha fitimet i ndanë më familjen pasi që ai tashmë i ka siguruar të hollat që i nevojiten për t’u larguar nga shtëpia.

Filmi së fundmi është paraqitur edhe në Berlinale ku para publikut u shpërblye me “Ariun e Kristaltë” në Berlinale”. Mirëpo për aktoren Arbnesha Grabovci Nixha, e cila në film vjen si nëna e dy vëllezërve, emocionet më të fuqishme i përjetuan në DokuFest.

“Çdo herë kam qenë skeptike dhe çdo herë eci në tokë dhe nuk ëndërroj shumë pasi që çdo herë jam më kritike për projektin apo filmin. Mirëpo, sonte mu krijua një besim më i madh kur i pash edhe filmat tjerë. Më të vërtet kemi bërë një punë të mirë sidomos dy djem e mi në rol”, u shpreh ajo.

Bashkëpunimi me produksionin holandez ajo e konsideroi shumë të suksesshëm edhe pse kishte qenë mjaft skeptike në fillim.

“Provat i kemi mbajtur si në çdo film tjetër ndërsa vendet për xhirim i ka vendosur regjisorja. Regjisorja është shumë e re dhe të them të drejtën njëherë derisa kam fituar besim në punën e saj, më ka marrë pak kohë. Ajo që është e veçantë e këtij filmi është që përveç produksionit nga Holanda të gjitha të tjerat kanë qenë nga Kosova”, tregoi ajo për KultPlus.

E lumtur me suksesin që ka shënuar filmi deri tani aktorja zbuloi se janë duke pritur akoma lajme të mira për rrugëtimin e mëtutjeshëm të këtij filmi.

E kur flitet për filmat ku vëllezërit Bajgora luajnë së bashku dhe për bashkëpunimin e tyre ajo që theksohet nga ata janë fjalët “Kuptohemi në ajër”. Sigurisht lidhja e fuqishme që kanë si vëllezërit, e që reflekton edhe në film, e bënë gjithë procesin shumë më të lehtë.

“Është shumë lehtë më improvizu edhe me lujt, me qenë skena sa më reale pasi që kuptohemi shumë mirë. Janë disa kontakte që i kemi zhvilluar gjatë jetës sonë. Gjithmonë e përmirësojmë njëri-tjetrin, ia dojmë të mirën njëri-tjetrit prandaj mendoj që gjithmonë sa herë që luajmë bashkë e dimë që ka me dal shumë mirë”, tregon Andi për KultPlus i cili tematikën e filmit e konsideron mjaft të ndjeshme për publikun shqiptar.

Në film Andi zbulon një kartë të një ylli holandez pornografie në dhomën e tyre të gjumit dhe opsesionet që të kontaktojë me të. Ai është aq i fiksuar me të dhe me blerjen e telefonit që ta kontaktojë sa nuk e vëren se kjo është dita e fundit së bashku me vëllain e tij.

Kjo deri në momentin kur Andi përballet në oborr me Floristin të cilin para derës po e pret një makinë që ta dërgojë në Holandë. Me një rrëfim shumë intrigues, regjisorja vë në pah lidhjen e fuqishme në mes të vëllezërve dhe rrugët e tyre të ndryshme që udhëhiqen nga ndjenja të fuqishme.

“Filmi është pak temë prekëse për shqiptarët por që besoj që është e nevojshme me u përmend dhe me qenë pjesë e kinematografisë tonë. Ndoshta pikërisht kjo edhe ka qenë arsyeja që më ka bërë ta pranoj rolin në film, duke mos anashkaluar faktin që do luaja së bashku me vëllanë dhe me një ekip shumë të mirë”, thotë ai.

Në anën tjetër Florist Bajgora tregoi për KultPlus se ajo që i ka shtuar erëza të veçanta këtij projekti ka qenë loja së bashku me profesoreshën e tij, aktoren Arbresha Grabovci Nixha.

“Është ndjenjë ndryshe të luash me aktorë të mëdhenj e krejt tjetër të luash me një profesor. Është ndryshe kur e dinë që dikush që të ka mësua ty, që ti e donë edhe që në një formë i ke përcjellë hapat e saj, do jetë së bashku me ty në film. Është e veçantë pasi që çdo ditë i thua profesoreshe edhe pastaj ditën tjetër je duke luajtur në film së bashku me të, kjo e bënë edhe më të veçantë, këtë projekt”, u shpreh ai.

Tutje ai theksoi se janë të lumtur që po rikthehen përsëri në DokuDest. Festival i cili përgjatë 17 edicioneve ka mirëpritur rreth pesë filma ku Floristi ka qenë pjesë e tyre dhe 3 filma me Andin, në kastën e aktorëve.

Në film përveç Andi Bajgora, Florist Bajgora dhe Arbresha Grabovci Nixha, luajnë edhe Xhylsyme Thaci, Shpetim Kastrati dhe Rexhep Llugiqi. /KultPlus.com

U shfaq premiera kombëtare e “Gardhi”-t, solli një familje kosovare brenda 15 minutash

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë u dha premiera kombëtare e filmit “Gardhi” me regji nga Lendita Zeqiraj, në kuadër të edicionit të 17-të të Festivalit DokuFest, shkruan KultPlus.

Genti (Arti Lokaj), është personazhi i parë që shohim në filmin e regjisores Lendita Zeqiraj, ai me një shkop në dorë i bie përqark gardhit të shtëpisë së tij. Brenda po qëndrojnë gratë e familjes ndërsa jashtë nëna e tij dhe tezja duke përgatitur fli.

Shfaqja e moshatarit të tij Xenit, të dera e shtëpisë së tij së bashku me qenin Aaj, bënë që Genti t’ia shpreh dëshirën për të pasur një qenush edhe anëtareve të familjes së tij që janë mbledhur në shtëpi. Kjo sjellë argumente në mes të të rriturve. Por, pas një mosmiratimi të shpejtë ky diskutim ndërron komplet kahje.

Ajo që shohim më pas është një përplasje në mes të gjeneratave, konflikt në mes të traditave, besimeve dhe mënyrave të reja të jetesës. Përplasje kjo e cila përmes grave që janë pjesë e filmit reflektojnë problemet në shoqëri dhe mentalitetin.

Kështu publikut në kuadër të DokuFest-it, iu shfaq edhe një film i cili e luan më së miri rolin e temës së sivjetshëm, atë të reflektimit.

“Jam shume e lumtur që për herë të parë e pash reagimin shqip-folës, dhe u kënaqa më të vërtet shumë. E falënderoj DokuFest-in për krejt punën që e bënë gati që dy dekada. Filmat çdo herë kur i kemi punuar e kemi ditur që këtu do të jetë vendi ku do bëhet premiera kombëtare”, u shpreh regjisorja Zeqiraj.

Filmi ka mjaft ngjashmëri për nga forma e realizimit me filmin e mëparshëm të regjisores, “Ballkoni”. Këtu mund të theksojmë se edhe ky film është realizuar me një kuadër. Sipas regjisores kjo vjen si arsye që ajo për filma e saj zakonisht zgjedh vetëm një moment të caktuar.

“Zakonisht zgjedh një moment të veçantë të jetës. Ai moment normal që përzgjidhet qëllimisht dhe është i imagjinuar. Pra, janë 15 minuta të jetës në një familje kosovare. Nëse ky moment zgjatë dhe është i pandërprerë atëherë pse kemi nevojë që ta ndërpresim, çdo herë nëse mundemi me e bo pa ndërprerje, në mënyrë që të jetë sa më i vërtetë”, u shpreh ajo.

Një detaj tjetër i veçantë i këtij filmi është sigurisht gardhi i shtëpisë. Një gardh i cili është i mbyllur por përsëri kalohet nga Genti. Ai i mbetur në mes të dëshirës për të adoptuar një qen, mosvëmendjes nga nëna e tij dhe një debati aspak të këndshëm në familje, kërcen gardhin dhe i bashkohet mikut të tij Xenit. Kështu Genti së bashku me Xenin dhe qenushin e tij Aaj, nisën për të kërkuar një qen edhe për Gentin.

“Gardhi sigurisht e ka një simbolikë. E dimë që gardhi është kufizues dhe nuk bon me dal përtej tij. Pra mënyra pse e kam zgjedh gardhin por edhe vet formati i filmit 4:3, që është më i ngushtë ndoshta shpreh edhe mentalitetin e ngushtë të njerëzve që nuk janë të hapur. Pra del ndoshta edhe si një lloj kritike që përfshinë edhe shumë shtresa tjera e fenomene dhe mendoj që të gjithë mund të gjejnë një mesazh aty”, sqaroi regjisorja.

Pjesë e këtij filmi janë aktorët: Arti Lokaj, Ilire Vinca, Adriana Matoshi, Rozafa Celaj, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan, Norik Xhemajli dhe qenushja Nina.

Për aktoren Ilire Vinca dhënia e premierës në Kosovës ishte një emocion i veçantë krahasua me parapremierën në Paris dhe premierën në kuadër të festivalit Palm Springs, ku triumfoi si filmi më i mirë i shkurtër duke fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR.

“Është kënaqësi me e pa sallën plotë pasi që si artistë çdo herë kemi dëshirë me e pa reagimin e publikut. Ishte kënaqësi e rrallë sonte me i pa reagimet e juaja, me të cila mu krijua përshtypja që edhe i dhatë vulë gjithë asaj që ne jemi munduar që ta krijojmë. Prandaj, ju faleminderit shumë që i ndatë emocionet me ne”, u shpreh ajo.

‘Gardhi’ është bashkëprodhim i shtëpisë filmike kosovare N’art, Sacrebleu Productions nga Franca dhe Woof Films nga Kroacia, dhe është përkrahur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Cinema Fondacioni – Region Ile De France, dhe me mbështetje nga Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Sonte filloi edhe një edicion magjik i DokuFest-it

Alberina Haxhijaj

DokuFest, festivali i cili për vite me radhë e shndërron qytetin e Prizrenit në një vend ku mblidhen artdashësit për të përjetuar netët magjike të cilat i ofron ky festival, nisi rrugëtimin e tij sonte, shkruan KultPlus.

Edhe këtë vit, qyteti i bukur i Prizrenit, duket më ndryshe, qysh sonte ai është mbi populluar dhe gjallëria i është shtuar dukshëm. Ky është efekti DokuFest, të cilin të gjithë e kanë mësuar.

Ritmet e muzikës më të mirë, e filmat e përzgjedhur me shumë delikatesë do të ju shoqërojnë për gjatë ditëve sa do të zgjatë festivali më i madh në vend.

Sonte të gjithë ishin mbledhur te Kino Lumbardhi për të shënuar hapjen e festivalit, dhe për të ju uruar mirëseardhje, fjalën fillimisht e mori, Eroll Shporta, bashkëthemelues i festivalit, i cili me pak humor e filloi gjithë këtë mbrëmje.

“E rëndësishme është që edhe sivjet Dokufesti ka filluar me bereqet. Krejt kjo falë motit me reduktime 4 orë diell, 2 orë shi, u shpreh Shporta. Ai tutje nuk la pa thumbuar edhe politikanët tanë.

“Si mëlmesë, vetëm për ju mysafirë, kemi emëruar nja 30 zyrtarë të lartë për flladitje”.

Krejt për fund, ai i ftoi të gjithë që t’i bashkëngjiten festivalit ashtu siç janë.

“E juve ju mbetet vetëm një gjë: të vini ashtu sikurse jeni. Sikurse programi i larmishëm i Dokufest. Hajdeni edhe nëse ju pëlqejnë reflektimet me rreze të gjata, të shkurta, kombëtare apo ndërkombëtare. Nëse jeni gra, fëmijë, pleq, të rritur, radikal, të thjeshtë, të butë, të mençur, sidomos të mençur, apo thjesht dëshironi të reflektoni “në temë të lirë”. E ashtu qysh jena, këtu sonte, ju thërras që ta bëjmë një hapje si asnjëherë në DokuFest”.

Tema e sivjetme, që është “Reflektimi” vjen si frymëzim nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, këngë me të cilën edhe filloi ky edicion, përderisa teksti I saj u shfaq në një projektor të madh dhe të ftuarit këndonin të gjithë njëzëri.

Programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi. Kjo temë do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.

Ky edicion i DokuFest shënohet edhe me një laramani të gjerë të paneleve, të cilat do të eksplorojnë në thellësi temën e reflektimit. Përmes tyre, do të reflektohet mbi të kaluarën e Kosovës dhe rajonit, por edhe mbi të ardhmen e filmit në Kosovë me anë të industri-eventeve të
Kosovës Kreative.

Filmi ‘The Raft’ me regji të Marcus Lindeen ishte filmi i cili bëri hapjen e këtij edicioni të shtatëmbëdhjetë të DokuFest-it. Si zakonisht, edhe këtë vit ka një numër të madh të filmave të shkurtër. Si talentet e rinj ashtu edhe një numër të filmbërësve të shpërblyer, nuk do të mungojnë as këtë vit.

Po ashtu për herë të parë në Kosovë ky festival do të sjellë një retrospektivë të gjerë të kinemasë tajvaneze me filma të mjeshtërve siç janë Edëard Yang dhe Hou Hsiao-hsien, si dhe një numër të perlave të rralla nga ky vend i vogël me trashëgimi të shquar të kinemasë.

Në hapje të festivalit ndër të tjera u tha që një pjesë e programit i kushtohet fuqisë së grave dhe kjo është pikërisht ajo që do të gjeni në një program të mrekullueshëm të kinemasë eksperimentale me regjisore femra.

Edicioni i XVIII do të zgjasë nga 3-11 gusht. Për të mësuar më shumë për programin e këtij edicioni mund të ndiqni faqen zyrtare të DokuFest-it. Po ashtu KultPlus do të vazhdojë që të ju informoj çdo ditë për festivalin. /KultPlus.com

ProCredit Bankë vazhdon të përkrahë rrugëtimin e DokuFest

DokuFest, ngjarje përvitshme kulturore që mbush plot rrugët e Prizrenit, është shndërruar në ngjarjen më të madhe kombëtare. Ky festival e ka vendosur Kosovën në agjendën e shumë mysafirëve nga mbarë bota që shijojnë ditët plot diell e aktivitetet në bukuritë e Prizrenit.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale. As edhe këtë vit, nuk do të mungojnë përformancat, punëtoritë dhe panelet e ndryshme, që synojnë ta shndërrojnë Prizrenin në pasqyrë, përmes temës së “Reflektimit”.

Një nga shtyrësit më të fuqishëm të këtij rrugëtimi, pa dyshim që është banka e madhe ProCredit Bankë, e cila vazhdon të besoj fuqishëm në vlerat që posedon ky festival, e në vlerat e artit e kulturës në përgjithësi.

ProCredit Bankë vazhdon besnikërinë ndaj festivalit edhe këtë vit, si nga hapat e parë të rrugëtimit, duke e mundësuar ngritjen e këtij festivali dhe duke mundësuar idealizimin e qëllimeve të tij.
Artistë të huaj që i përkasin jo vetëm fushës së kinematografisë por edhe me gjerë, kur flitet për Kosovën, atë e njohin pikërisht përmes këtij festivali.

Magjia e mbrëmjeve në Kala, në Marash, në Kino Lumëbardhin do të vazhdoi edhe këtë vit për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, duke filluar nga sot kur edhe do të filloi ky festival, më 3 gusht për të vazhduar deri më 11 gusht.

ProCredit Bank, është një ndër bankat që i jep shumë hapësirë ngjarjeve të mirëfillta kulturore në vend e kjo është dëshmuar jo vetëm me DokuFest-in, por edhe me shumë ngjarje të tjera që ka organizuar ProCredit./KultPlus.com

DokuFest kërkon reflektim përmes diskutimeve të sivjetshme

Ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonave të mbrojtura, kujtimet nga të ’90, roli i të rinjve në nxitjen e mobilitetit, qasja në drejtësi si luftim i stigmës për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë, e drejta e gruas në prona, janë disa nga çështjet që do të diskutohen në këtë edicioni, shkruan KultPlus.

Me qëllim që tema e sivjetme e DokuFest “REFLEKTIMI” të ofrojë një debat sa më të thellë, festivali ka zgjedhur me shumë kujdes një numër panelesh që do të mbahen përgjatë festivalit.

Reflekto të jeshilten në ty 06 Gusht – Ora 17:00

Zhvillimi i dëmshëm i hidrocentralit është një kërcënim i vazhdueshëm, jo vetëm për parqet kombëtare, por edhe rrjedhat e poshtme të rrymës afatgjata. Ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonave të mbrojtura nuk është përjashtim, por më tepër si rregull në Ballkan. Në zonat me statusin më të lartë të mbrojtjes edhe hidrocentralet e vogla nuk janë të pranueshme si një zgjidhje e qëndrueshme.Panelistët:Elton Baxhaku – Regjisor i filmit dokumentar “Free Flow” – Shqipëri

Besar Likmeta – BIRN Albania – Shqipëri
Ena Bavčić – Civil Rights Defenders – Bosnjë and Herzegovinë
Aleksandra Bujaroska – Front – Maqedoni
Visar Azemi – Balkan Green Foundation – Kosovë

Ana tjetër e ’90 07 Gusht – Ora 17:00

Pavarësisht nga koncepti i përbashkët se ekziston një e vërtetë që mund të vërtetohet nga e kaluara dhe se zbulimi i saj do të sjellë drejtësi dhe llogaridhënie, kur mendojmë për të kaluarën, gjithashtu e lidhim me kujtimet, të cilat për nga natyra janë të pakapshme.Në Jugosllavi, kujtimet personale dhe të përbashkëta u instrumentalizuan nga rrëfimet shtetërore në vitet 1990, duke evokuar një të kaluar armiqësore dhe duke ushqyer konfliktet etnike midis njerëzve që jetuan së bashku për dekada të tëra. Përvetësimi i tyre gjithashtu solli në dritë mosmarrëveshjen ndërmjet rrëfimeve të mbajtura nga komunitete të ndryshme.Si mund të rrëfejmë një të kaluar të dhunshme tek “ish-armiqtë” tanë, perceptimet dhe interpretimet e së kaluarës të së cilëve janë formuar përmes tregimeve të ndryshme të ngjarjeve të njëjta?Është e qartë se të rinjtë sot nuk janë “armiq të mëparshëm”, në kuptimin që ata nuk morën pjesë në luftë, por megjithatë kanë një trashëgimi të vështirë, e cila është edhe një subjekt i ndjeshëm dhe mbart potencial për të sjellë paqen.A ka ndonjë mënyrë për t’i trajtuar përvojat e dhimbshme të së kaluarës, duke përdorur kujtime për procesin e shërimit?

Panelistët:Srbijanka Turajlić
Shkelzen Maliqi
Erëmirë Krasniqi
Moderator: Lura Limani

Duke reflektuar mbi rolin e të rinjve në nxitjen e mobilitetit dhe bashkëpunimit te të rinjve- Çfarë mund të bëjmë më shumë? 08 Gusht – Ora 17:00

Paneli i diskutimit do të fokusohet në bashkëpunimin dhe mobilitetin e të rinjve në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Panelistët do të ndajnë perspektivat e tyre se si kanë qenë të angazhuar në mbështetjen e shkëmbimeve rinore dhe çfarë mund të bëhet më shumë, me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit të të rinjve.

Panelistët:Kujtim Gashi – Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Jehona Gjurgjeala – Drejtoreshë e OJQ TOKA
Arianit Jashari – ICHAT
Fatos Mustafa – Zëvendës Sekretar Gjeneral i RYCOModeratore: Krenare Gashi, RYCO

Qasja në drejtësi si luftim i stigmës për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë 09 August – 16:00 HRS

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet pas konfliktit në Kosovë, çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale akoma nuk është adresuar sa duhet dhe probleme kryesore mbeten stigma dhe qasja e tyre në drejtësi. Hapi i parë institucional si njohje nga shteti i Kosovës është padyshim kompenzimi pensional për këtë kategori por a është kjo e majftueshme?Çfarë duhet të bëjë shteti dhe shoqëria në Kosovë për destigmatizimin, qasjen e tyre në drejtësi dhe integrimin e tyre të plotë?

Panelistët:Atifete Jahjaga – Presidente e Kosovës (2011-2016) dhe kryetare e Bordit të Fondacionit Jahjaga
Igballe Rogova- Drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës
Flora Macula, Head of UN Women Office in KosovoModerator: Gresa Kraja,

DokuFest NUK ËSHTË PRONA JUAJ: Të kuptuarit e lidhjes midis dhunës në familje dhe te drejtave të pronës së grave në Kosovë 09 August – Ora 18:00

Shfaqja e dokumentarit “Nuk është prona juaj” nga Amanda Fisher, duke treguar rrëfimet e të mbijetuarve nga komunitetet e ndryshme të Kosovës. Më pas do të ketë panel diskutimi të udhëhequr nga OKB mbi mënyrën se sa jashtëzakonisht i vogël është numri i grave që kanë prona, për shkak të normave dhe zakonve që i lënë gratë të pambrojtura ndaj dhunës në familje.

Panelistët:Amanda Fisher, Regjisore, UNMIK
Flora Macula, Kryetare e UN Women në Kosovë
Luljeta Aliu, Drejtoreshë Ekzekutive e INJECT Initiative

Më poshtë mund të shihni listën e plotë të eventeve që do të mbahen në Hamam në kuadër të DokuFest-it. /KultPlus.com

http://dokufest.com/sq/programi-panelet/

Kumbaro: Dokufest, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë

Sot në Tiranë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se DokuFest ka sjellë gjithmonë tema të fuqishme, dhe është shndërruar në ngjarjen më të rëndësishme kulturore në botën e artit shqiptar.

“DokuFest është pa dyshim një ngjarje kulturore shumë e rëndësishme kombëtare. Në mos, në botën e filmit, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë në botën e artit shqiptar me një rreze veprimi ndërkombëtare, dhe jo vetëm rajonale”, tha Kumbaro.

Organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht temën dhe programin e sivjetmë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale, do të ketë përformanca, punëtori dhe panele të ndryshme, që synojnë do ta shndërrojnë Prizrenin në pasqyrë, përmes temës së Reflektimit.

DokuFest në po të njëjtën ditë, do të shfaqë disa filma të përzgjedhur në Amfiteatrin e Tiranës nga ora 20:00. / KultPlus.com

Për mbarëvajtjen e DokuFest-it, shumë aktivitete e koordinime në Prizren

Kanë mbetur më pak se 10 ditë nga fillimi i festivalit më të madh i filmit dokumentar në rajon, DokuFestit dhe në qytetin ku mbahet. në Prizren, janë ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtje të tij.

Të paktën kështu ka thënë kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,transmeton Koha.net.

Lidhur me këto përgatitje, Haskuka ka shkruar në Facebook: .

Me tre gusht fillon DokuFest-i, festivali më i madh i filmit dokumentar në rajon, i cili pritet të tejkalojë mbi 40.000 vizitorë vendorë e ndërkombëtarë në të gjitha programet e tij.

Pos 200 të ftuarve nga 70 shtete të ndryshme, që përbëjnë juritë, programet dhe panelet e ndryshme të festivalit në Prizren çdo ditë do të organizohen pritje të ndryshme nga shumë organizata e ambasada të akredituara në Kosovë.

Me fjalë të tjera këtyre ditëve tërë bota do të jetë në Prizren ndërsa për Komunën tonë është posaçërisht me rëndësi aspekti i sigurisë gjatë festivalit.

Për këtë arsye kemi pasur takim shumëpalësh mes organizatorëve të DokuFestit, përfaqësuesëve të Policisë Rajonale e Lokale si dhe Drejtorisë së Inspektorateve në mënyrë që të kordinohen aktivitetet për mbarëvajtjen e organizimit. Gjithashtu në dispozicion do të jenë edhe Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Emergjencave dhe QKMF-ja. Në këto takime jemi dakorduar për shtimin e masave të sigurisë në aspekte të ndryshme, pastërisë, shërbimeve tjera komunale dhe kontrollit të zhurmës në Qendrën Historike të qytetit.

Organizatorët e festivalit janë duke sjellur edicionin më të mirë të DokuFest#17 të cilën Komuna do të plotësojë me shërbime në kapacitet të plotë, në dobi të qytetarëve të saj. Ky është rast që të tregojmë mikpritjen dhe kulturën tonë në përgjithësi.

Mbarëvajtja e festivalit është qëllimi ynë i përbashkët./KultPlus.com

DokuFest sjellë këngët e çikave me defa

Më 07 Gusht, do të reflektojmë hyjneshat brenda nesh përmes performancës së Kangëve të Çikave në Kalanë e qytetit, shkruan KultPlus.

Grupi do të interpretojë këngë popullore të çikave me Def, të cilat këndohen për të shënuar ceremoni të ndryshme shoqërore.

Performanca do të përfshijë edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifik për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.

Për shumë vite, këto këngë ishin një nga mënyrat e pakta për femrat kosovare që të shprehnin veten. Ato na tregojnë histori të sinqerta dhe zëra shumë shpesh të padëgjuar dhe për ne janë një festë e forcës dhe krijimtarisë së femrave të Kosovës.

Performanca është organizuar në bashkëpunim dhe me mbështetjen e CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës.

Performueset janë :Merita Rama, Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti dhe Gentiana Krasniqi./ KultPlus.com

https://web.facebook.com/dokufestprizren/videos/2204026796336281/

Rrëfimet shqiptare që vijnë sivjet në Programin Kombëtar të DokuFest

Në kuadër të edicionit të sivjetshëm të DokuFest-it, në kategorinë e filmave kombëtar do të prezantohen gjithsej 13-të filma, shkruan KultPlus.

Kjo është vetëm njëra ndër kategoritë që sjellë rrugëtimi i 17-të i këtij festivali që ka kthyer vëmendjen ndërkombëtare në Kosovë.

Po sjellim kësisoj, filmat e regjisorëve tashmë të dëshmuar që janë në garën National të DokuFest:

“Një histori e vërtetë” nga Viron Roboçi,
Historia e filmit tregon një ngjarje të vitit 1950. Tre anëtarë të një familjeje shpallen fajtorë dhe dënohen për vrasjen e vajzës së tyre pasi ajo u divorcua. Çdo gjë fillon me zhdukjen e vajzës. Katër vjet më vonë, autoritetet iniciuan një hetim që përfundoi me shpalljen e të gjithë anëtarët e familjes si “fajtor për vrasje.”

“Routine” nga Bekim Guri

Pasi i është djegur shtëpia e familjes së Albanit së bashku me dy vëllezërit e tij, e tërë familja ka pësuar shok, çrregullim mental dhe një varfëri të madhe. Ndër familjarët që e përjetuan dhe e pësoi më së rëndi është Albani.

“Shukria” nga Visar Jusufi

Derisa temperamenti e Shukries së vogël po zhvillohet ngadalë, ajo na e tregon mënyrën primitive të të menduarit në shoqërinë patriarkale dhe rolin e gruas në atë kohë deri më sot. Ngjarja ndodh në një fshat të vogël në Kosovë. Nga pikëpamja e saj, ne jemi në një lloj “Parajse në Tokë” ku ajo i takohen motrat e saj, nënën pastaj edhe veten duke u përpjekur ta ndalojë martesën e saj.

“Triumph” nga Kreshnik Jonuzi

Më 14 tetor 2014, dy shtetet e Evropës Lindore Shqipëria dhe Serbia përballën në fushën e futbollit në kryeqytetin e Serbisë Beograd. Me tifozë shqiptarë të cilët nuk u lejuan të ndjekin ndeshjen për shkaqe sigurie, stadiumi plot me tifozë serbë jehonte me këngë raciste dhe kërcënime me vdekje. Tensionet u rritën në pikën e vlimit kur një dron që bartte flamurin shqiptar fluturoi sipër lojtarëve në fushë. Tifozë të inatosur ia mësynë fushës, duke sulmuar lojtarët shqiptarë, duke detyruar që loja të përfundojë. Një histori e tensioneve politike, luftës, dhe sportit eksplorohet teksa ndjekim udhëtimin e ekipit kombëtar shqiptar në paraqitjen e tyre të parë në një turnir të madh.

“Home away from home” nga Sami Mustafa

Samueli 10 vjeçar rom që jeton në Kampin Konik në periferi të Podgoricës në Malin e Zi. Prindërit e tij ikin nga lufta e Kosovës më 1999 dhe kanë jetuar atje që prej atëherë. Çdo ditë Samueli shkon në shkollë me autobus. Të gjithë fëmijët romë shkonin në shkollë në kamp, të izoluar nga pjesa tjetër. Nuk ka shumë kohë që kjo ka ndryshuar, dhe ne ndjekim Samuelin rrugës për në shkollë, dhe ndërveprimet e tij dhe të shokëve të tij me mësuesit e rinj.

“Adem Reka” nga Ardian Arrëza
Një udhëtim mbi figurën e Adem Rekës i cili pas humbjes ë jetës më 1966, u shpall Hero i Punës Socialiste nga regjimi komunist në Shqipëri. Ngjarja përmblidhet përmes materialit arkivor të kohës dhe rrëfimet e njerëzve që e kanë përjetuar, të cilat përfshijnë anëtarë të familjes së Adem Rekës. Të vërtetat e tyre dhe përfitimi nga rezultati ekspozon propagandën e regjimit.

“Curveless Line” nga Donjeta Hyseni

Sara dhe Shkurta janë dy vajza të reja, qindarkat përfundojnë në situata të njëjta. Ato njihen aksidentalisht në rrugë dhe vendosin ta mbështesin njëra tjetrën. Sara është studente dhe është në një histori dashurie me një djalë i cili është anëtar i klubit tifozëve “Plisat”. Ai vendos ti ndihmojë Sarës me para, por ajo nuk i do ato dhe vendos që ta braktis jetën e saj dhe gjithashtu e braktis konviktin dhe vendos ta lind fëmijën e saj. Këtu, në këtë situatë Shkurta i ndihmon Sarës. Shkurta është aktore, dhe i dashuri i saj Driloni gjithashtu luan në njërin prej filmave të saj. Në një pikë ai bëhet shumë xheloz gjatë xhirimeve, dhe të dy i humbin rolet e tyre. Ajo është në rrugë, pa para dhe pa asgjë.

“Kurrizi” nga Orgesa Arifi

Kurrizi, një kompleks banesor dhe afarist në lagjen Dardania, i cili është ndërtuar në mes të viteve 1970 dhe 1980 – posaçërisht për shqiptarët, të cilët nën regjimin e Millosheviçit ishin tërësisht të përjashtuar nga jeta kulturore dhe institucionale.

“Verbalisht i saktë” nga Leutrim Voka

Muharrem Protoduari, djali i cili u dënua me 20 vjet burg vetëm sepse kishte dëgjuar muzikë të huaj, pas 46 vitesh e tregon historinë se si u bë pjesë e gjyqit të montuar nga hetuesia e regjimit komunist të Shqipërisë.

“Një muaj” nga Zgjim Terziqi

Tregimi i vërtetë i një gruaje të verbër pa shtëpi, që e jeton paktin e katër motrave të saj për ta mbajtur atë në shtëpitë e tyre përkatëse nga një muaj secila.

“Pro Rrymës” Elton Baxhaku

Filmi është një dokumentim i përpjekjeve të komuniteteve lokale, organizatave mjedisore dhe aktivistëve të shoqërisë civile për t’u përfshirë në vendimmarrjen për fatet e lumenjve Valbonë dhe Vjosë, si dhe të zonave të mbrojtura përballë lejeve për projekte hidroenergjetike të qeverisë shqiptare. Kjo është sfida e shekullit për mjedisin në Shqipëri, janë 526 hidrocentrale të cilat kanë marrë dritën e gjelbër nga autoritetet qendrore. Kjo është historia e rezistencës së banorëve dhe të aktivistëve mjedisor, kundër valës shkatërruese të HEC-eve në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit.

“Tirana 100KM” nga Lorin Terezi

Jeta e ëmbël e Lindës mbaron kur vdes Stefani, një biznesmen i martuar i cili është kujdesur për të. Tani familja e tij dhe miqtë e ashtuquajtur të saj po ia kthejnë shpinën. E zënë në një situatë agresive dhe armiqësore, ajo vendos të kthehet në vendlindje, një fshat i vogël larg nga Tirana. Jeta periferike është shumë larg prej jetës së re dhe ambicieve të Lindës.

https://vimeo.com/252057958

“Në pritje” nga Laura Kajtazi – Testa
Filmi shqyrton çështjen e Humbjes së Dyfishtë përmes dëshmisë së 5 grave, të cilat i kanë humbur anëtarët meshkuj të familjeve të tyre gjatë luftës në Kosovë dhe kanë vuajtur vite të kërkimit me ankth për eshtrat e tyre.

Tema e reflektimit do të theksohet në këtë edicion të DokuFest, i cili organizohet nga data 03-11 gusht në Prizren.
Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi./KultPlus.com

DokuFest thotë “I’ll Be Your Mirror” (VIDEO)

Tema e reflektimit do të theksohet në këtë edicion të DokuFest, i cili organizohet nga data 03-11 gusht në Prizren.

Përmes një njoftimi për media, ky festival ka njoftuar se tema do të trajtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.

Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi./ KultPlus.com

DokuFest përmes filmave tajvanez do të shpalosë çështjet e kombësisë dhe identitetit

DokuFest në këtë edicion do të prezantojë “Focus on Taiwan”, një retrospektivë të gjerë të filmave tajvanez që audiencën kosovare të njoftohet me çështjet shoqërore dhe politike të Tajvanit, shkruan KultPlus.

Kjo është hera e parë që një shtet aziatik prezantohet në festival me një retrospektivë gjithëpërfshirëse, ndërsa Wood Lin, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Tajvanit, është ftuar të kurojë programin i cili përmban 23 filma.

“Birth of a National Focus on Taiëan@DokuFest” është një shfaqje e filmbërjes tajvaneze që përfshin një periudhë prej pothuajse njëqind vitesh të historisë së Tajvanit, prej periudhës së kolonisë japoneze deri te lëvizja luledielli e udhëhequr nga studentët më 2014.

Programi përfshin filma nga mjeshtër të njohur ndërkombëtarisht të kinematografisë tajvaneze, si dhe vepra të regjisorëve të rinj, dhe mbulon të gjitha zhanret, nga dokumentari, videot eksperimentale, deri te filmat e gjatë.

Titulli provokativ i programit reflekton misionin e DokuFest-it në Kosovë që të inkurajojë debatet në lidhje me pavarësinë kombëtare, sovranitetin, të drejtat e njeriut, dhe lëvizjet shoqërore. Meqë pyetjet e kombësisë dhe njohjes ndërkombëtare janë çështje qenësore në të dyja shtetet, filmat për zhvillimet e fundit historike dhe politike të Tajvanit pritet të zgjojnë interesim të madh te ndjekësit e festivalit në Kosovë.

“Birth of a Nation: Focus on Taiëan” e njofton audiencën e Kosovës me pikat e referimit të zhvillimeve shoqërore dhe politike të Tajvanit duke e vënë popullin e Tajvanit në qendër të vëmendjes.

Filmat në pjesën e tij të parë, Portraits of a Nation, janë fotografi individësh që përfaqësojnë grupe shoqërore që i kanë dhënë formë shoqërisë së Tajvanit. E restauruar së fundi në formë digjitale Liu Pi Chia (1967) për një veteran lufte nga Kina qendrore, është një portretizim realistik dhe i fuqishëm i jetës së përditshme të kinezëve që janë vendosur në Tajvan pas luftës.

Një tjetër pjesë e programit, Memory of a Nation, paraqet shtatë filma që reflektojnë mbi të kaluarën përmes syve të protagonistëve të tyre. Një nga më kryesorët është filmi A Time To Live, A Time To Die (1985) e Hou Hsiao-hsien, një tregim në rritje në lidhje me konfliktet e brezave në atmosferën e mbytur të Tajvanit të pas luftës.

Pjesa e tretë, Paradox of a Nation, shfaq vrazhdësinë e një regjimi autoritativ që i shtyp qytetarët e vet në vend se t’i mbrojë ata. Ai përfshin një nga video-dokumentimet e Green Team të një numri lëvizjesh protestuese të viteve 1980 që po përgatisnin terrenin për demokratizimin e Tajvanit.

Në Time(s) of a Nation, ndjekësve të festivalit do t’u servohen disa nga filmat më të mirë të gjatë dhe dokumentarë të kinematografisë të Tajvanit.

Filmat, ku secili prej tyre janë më të gjatë se njëqind minuta, janë portrete të kohës së tyre që do të lejojnë audiencën të zhyten në botën tajvaneze.

Kryevepra e Edward Yang Yi Yi (A One and a Two) (2000) është një nga shumë gostitë e ofruara për kineastët e Kosovës në këtë vitrinë shfaqjesh të paprecedentë të kinematografisë tajvaneze.

Retrospektiva “Birth of a Nation: Focus on Taiëan @DokuFest” u organizua me mbështetjen e Institutit të Filmit të Tajvanit dhe Zyra e Përfaqësuesit të Taipeit në Budapest, Hungari./KultPlus.com

Hacking Urban Space: Projekt bashkëpunimi mes DokuFes, Anibar dhe Termokiss

DokuFest, Anibar dhe Termokiss i kanë bashkuar forcat që përmes projektit HACKING URBAN SPACE të sjellin një seri të jashtëzakonshme të filmave që përqendrohen kryesisht në sfidat e efikasitetit në strategjitë urbane, rritjen e popullsisë, transportin e ngulfatur, mjedisin dhe problemet e tjera të veçanta me të cilat ballafaqohen 3 qytetet më të mëdha të Kosovës: Prishtina, Prizreni dhe Peja.

Ky program u dedikohet studentëve të Universiteteve dhe nxënësve të Shkollave të Mesme të Larta të këtyre qyteteve të cilët në fund të çdo cikli do të kenë mundësinë të debatojnë për këto sfida me vendimmarrësit e qeverive përkatëse lokale si dhe planet e tyre në përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivistëve për një menaxhim më të mirë të hapësirave publike.

Cikli i parë i filmave fillon me 5 mars me shfaqjen e filmit CITIZEN JANE, një aktiviste që luftoj për t’i mbrojtur komunitetet urbane përballë projekteve destruktive zhvillimore në Nju Jork. Në përfundim të këtij cikli do të shfaqet filmi SKOPJE 2014 që është një vështrim vizual i ndërhyrjes së egër për të ndryshuar karakterin urban të qytetit nga ai modernist soc-realist në pothuajse ekskluzivisht stil të ri barok dhe neoklasik.

Programi i filmave do të përfshijë projektet filmike që do të nxisin debatin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në kohërat e urbanizimit të shpejtë përmes filmit ECUMENOPOLIS: CITY WITHOUT LIMITS, për të vazhduar me diskutimin për modernizimin e qyteteve përmes vendosjes së njerëzve në qendër të planifikimit zhvillimor të cilës do ti paraprijë shfaqja e filmit HUMAN SCALE.

2 ciklet e fundit do të sjellin filmat dokumentarë BIKES vs. CARS për të promovuar çiklizmin si mjet transporti ditor dhe për të diskutuar qeveritë lokale nuk kanë bërë aq shumë në krijimin e infrastrukturës urbane që i jep përparësi çiklizmit kundrejt makinës. Seria e diskutimeve dhe shfaqjeve do të përmbyllet me shfaqjen e filmit BOGOTA CHANGE, që do të sjellë rrëfimin për kryetarin e Bogotës i cili përmes metodave të pazakonta të qeverisjes i mësoi qytetarët të jetojnë së bashku dhe të marrin përgjegjësi.

Filmat do të shfaqen në kinematë “DokuKino” në Prizren, “Jusuf Gërvalla” në Pejë përderisa lokacioni në Prishtinë do të kumtohet së shpejti.

Ky projekt implementohet nga DokuFest në partneritet me Anibar dhe Termokis dhe është përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë./ KultPlus.com

DokuFest dhe Komuna e Prizrenit me Memorandum të Bashkëpunimit

Të mërkurën, më 7 shkurt, DokuFest në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prizrenit nënshkruajnë “Memorandum të Bashkëpunimit”, në hapësirat e kinemasë së qytetit “DokuKino”.

Përmes këtij memorandumi synohet funksionalizimi i bashkëpunimit afatgjatë në mes të dy institucioneve për krijimin e një platforme që nxit dhe mbështet përdorimin e mjeteve audiovizuale në planifikimin dhe zhvillimin e procesit edukativ-mësimor, në shkollat e mesme të larta të komunës, me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe rezultateve të Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar të Kosovës./ KultPlus.com

DokuFest hapë thirrjen për edicionin e 17-të

Festivali i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtë “DokuFest”, ka hapë thirrjen për aplikim, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bërë të ditur se tashmë është hapur thirrja për aplikantë dhe afati i fundit për aplikim është 28 shkurti i vitit 2018.

Thirrja për aplikim është e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, filma animacion dhe eksperimental. Edicioni i ardhshëm i DokuFest do të mbahet nga data 3 – 11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë, kurse për më shumë informata mund të vizitoni linkun
: http://dokufest.com/sq/dokufest-hap-thirrjen-per-aplikim/KultPlus.com

‘Me dasht’ Me dasht’ Me dasht’ nga Ilir Hasanaj merr çmimin e audiencës në DokuFest

Filmi “Me dasht’ Me dasht’ Me dasht’ nga Ilir Hasanj është shpërblyer me çmimin e audiencës, në mbrëmjen e së shtunës në DokuFest, shkruan KultPlus.

Vetë Ilir Hasanaj përgjatë pranimit të këtij çmimi është shprehur të jetë i lumtur për këtë vlerësim nga ana e audiencës./KultPlus.com

Dea Gjinovci, fituese në kategorinë e filmit kombëtar në DokuFest

Me filmin dokumentar ‘Sans le Kosovo’ Dea Gjinovci sapo është shpërblyer me cmimin për filmin më të mirë në kategorinë e filmit kombëtar në DokuFest, që tash për tash është duke ndarë cmimet.

Ky film ka një rrëfim persoanal të regjisores, pasi që filmi bën fjalë për babain e vetë regjisores.
Cmimi është ndarë nga ministrja e Ministrisë së Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila me rastin e ndarjes së këtij cmimi ka potencuar edhe rëndësinë e asaj se cdo Qeveri duhet të mbështetë kulturën./KultPlus.com

‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’ sjellë një rrëfim dashurie të baronit hungarez dhe sekretarit shqiptar

Sarandë Selimi

‘Doda-The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’. Krejt kjo nisi nga një fotografi e Bayazid Elmas Dodës dhe Franz Baron Nopcsës, të cilën e gjeti skenaristi dhe regjisori i këtij dokumentari – Visar Vishka. Ajo fotografi e tërhoqi jashtë mase, gjë që e shtyu të nisë hulumtimin rreth këtyre dy personazheve për të nxjerrë vetëm një skenar e më pastaj atë skenar ta bëjë film fiction. Gjërat nuk rrodhën kështu, sepse Visar Vishka, mblodhi aq shumë material saqë mesditën e së enjtës atë material – filmin dokumentar 107 minutësh e shfaqi para audiencës së Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, pikërisht në ditën e fundit të shfaqjes së filmave të kategorisë kombëtare.

Një rrëfim që asnjëherë nuk të lejon të ikësh. Nisë duke treguar për jetën e shkencëtarit Franz Baron Nopcsa, i cili ishte i apasionuar pas kombit shqiptar, gjë që e bëri të udhëtojë e ta studiojë më shumë këtë komb dhe këtë vend. Një njeri i zgjuar si ai, takoi bashkëudhëtarin e tij, sekretarin dhe dashnorin Bayazid Elmas Dodën, të cilin e mori pas vetes edhe atëherë kur vendosi t’i jap fund jetës së tij. Aventurë pas aventure tregohet përgjatë 107 minutave nga shkencëtarë të tjerë që janë pjesë e këtij dokumentari. Një ndër ta që dinte më së shumëti për jetën e këtyre dy njerëzve ishte edhe Robert Elsie. Ky dokumentar nuk mbaroi vetëm me jetën e dy të dashuruarve që ishin qift homoseksual që nuk e lanë asnjëherë njëri tjetrin vetëm. Aty tregohej pak nga jeta e Ismail Qemailit dhe djalit të tij e pak nga shumëçka që e karakterizonte kombin shqiptarë asokohe -para një shekulli.

Për krejt këtë punë të mahnitshme, Visar Vishka ka punuar përgjatë pesë viteve, e krejt kjo për arsye të buxhetit. Por edhe kjo pritje ishte e mirë, pasi pikërisht për shkak të kësaj, Vishka u bë zbuluesi i varrezave të Dodës dhe Nopcsës.

“Kam punuar rreth pesë vite për këtë projekt. Ishte një krizë në gjithë botën dhe lëshoheshin pak para nga të gjitha fondet, pasi xhirimet ishin jashtë Maqedonisë dhe më duheshin ato. Ishte pak palidhje ta quaj ashtu të dalësh nga filmi dhe të hysh prapë por një gjë e mirë që ishte nga kjo është se zbulova varrezat e tyre. Ka pasur shumë gjëra të reja që patën dalur e edhe montazhi më mori goxha kohë për shkak të materialit, dhe duhej ta gjeja mënyrën si ta tregoj këtë rrëfim sepse duhej të kombinoja shumë gjëra”, pohoi para të pranishmëve dhe para jurisë së filmave të kategorisë kombëtare krijuesi i dokumentarit – Visar Vishka.

Aventurat e Dodës dhe Nopcsës, përfunduan atëherë kur Nopcsa, shkruan një letër ku tregon për vetëvrajsen e tij dhe vrasjen e Dodës. Nopcsa për pak edhe të bëhet Mbret i Shqipërisë, nga një person i thjeshtë vjenez.
“E bëra këtë vrasje, pasi që Doda nuk do të kishte mundur të jetojë pa mua. Do t’i dhimbte shumë”, thuhej në letrën e Nopcsës.

Nopcsa vrau fillimisht Dodën, një shqiptar të ri e të zot, teksa ishte në gjumë e më pastaj edhe veten me një plumb në gojë, plumb ky i cili përveç kafkës së tij shpoi edhe ulësen.
Por thuhej se nuk ishte arsyeja që Nopcsa vrau Dodën, pasi ky i fundit nuk mund të jetojë pa të. Në këtë dokumentar thuhet se Nopcsa vrau Dodën, pasi që Bayazid Elmas Doda e tradhtoi atë me një djalë tjetër. Ishte shkak i xhelozisë.

Jo vetëm jeta e dashurisë së tyre u tregua përmes këtij dokumentari. Edhe shumë zbulime të tyre nëpër vendet shqiptare u paraqitën përmes imazheve që kishte gjetur Vishka.
“Nuk ka qenë asnjëherë ideja që të bëj film, ideja ishte që të bëj hulumtim dhe ta krijoj një skenar për film. Mirëpo në fund kur pashë materialet dhe pashë montazhin e parë 2 orë e gjysmë kishte shumë material dhe ishte fiks për film. Kur e shfaqa premierë të mbyllur mbetën të mahnitur filmbërësit që ishin, duke thënë që ky është film në vete”, u shpreh regjisori Visar Vishka, i cili me këtë film dokumentar është në garën kombëtare të filmave në këtë edicion të DokuFest.

Me këtë film përmbyllet shfaqja e filmave të kategorisë kombëtare në Dokufest, festival ky i cili edhe këtë rrugëtim e ka drejt fundit./ KultPlus.com

Tregimet e refugjatëve dhe racizmi modern u shpalosën në ekranin e DokuFest

Sarandë Selimi
‘Sans le Kosovo’, ‘Ethnophobia’, ‘The Remigrant’ dhe ‘ATA’ ishin katër filmat e mbrëmjes së gjashtë të edicionit të 16-të të DokuFest, i cili nisi të premten me 4 gusht. Ky festival i njohur si më i madhi në rajon, po vazhdon çdo ditë të sjellë premiera rajonale e botërore përmes programeve të tij të ndryshme. Filmat që u shfaqën të mërkurën mbrëma, i takojnë kategorisë kombëtare, me dy regjisorë nga Shqipëria e dy nga Kosova. Duartrokitje e audiencës që ishin në një numër shumë të madh nuk munguan ndërsa erdhën shumë tema interesante duke nisur nga rrëfimi personal e deri tek trillimi që duket gjithmonë bukur në pamje vizuale.

Dea Gjinovci sjellë rrëfimin e babait të saj përmes ‘Sans le Kosovo’
Ajo udhëtoi me të atin i cili ishte larguar në moshën 19 vjeç nga shtëpia e tij për në mërgim, duke mos u kthyer as atëherë kur më të dashurit e tij kishin ‘nevojë’ për të. Familja e tij u vra në luftën e fundit në Kosovë e krejt çka ai gjeti kur u kthye ishin vetëm varret e tyre. Përmes dhembjes së shpirtit, Dea Gjinovci solli babain e saj në ekranin e madh të Doku Plato.
“Është e rëndësishme ta shfaqi këtë film këtu sepse është eksperiencë intime, po ashtu edhe për distancën. Aq shumë njerëz e kanë braktisur Kosovën për arsye të ndryshme dhe unë doja ta eksploroja atë kohë dhe gjeneratën tjetër që janë larguar nga Kosova, të cilët po mundohen të rindërtojnë ato lidhje”, pohoi Dea, e cila e pati më të lehtë komunikimin me audiencën në gjuhën angleze.
Ajo vazhdoi tutje të tregonte se ka qenë shumë e rëndësishme për të ta tregojë historinë e babait të saj, sepse edhe pasi që e kishte lënë Kosovën, ai edhe më tutje ka qenë i dashuruar në të.
“Ka edhe aq shumë dhimbje e vuajtje që e kanë detyruar të dalë në azil, për shkak të asaj çfarë kishte ndodhur në vend. Prandaj ky film ka për qëllim që t’i rindërtojë ato lidhje. Kam lindur në Gjenevë, por jam shpërngulur në Londër në moshën 15 vjeçare. Mendoj se nuk është e njëjtë të migrosh tani, në krahasim se si ishte para 40 vitesh. Në atë kohë nuk ka pasur telefonë për të kontaktuar me familjen është dashur të dërgojë letra”, u shpreh regjisorja Gjinovci.



‘Ethnophobia’ përmes filmit të animuar

Gjëra të krijuara nga plastelina, në një film të animuar 14 minutësh i morrën fiks katër vite punë regjisorit Joan Zhonga. Racizmi ishte ajo çka e karakterizoi këtë film, i cili shumë qartë tregon një anë e cila është ende shumë aktuale tek të gjithë njerëzit në botë. Joan Zhonga, përveç që trajton një temë shumë serioze me anë të filmit të animuar, ky projekt i tij në Kino Plato u përcoll edhe me buzëqeshje nga audienca, pasi që, ‘personazhet’ e krijuara nga Zhonga ishin shumë karakteristik e me plot ngjyra gjersa një stuhi bie mbi ta dhe i bën gjithë të njëjtë.

Nga ajo kohë të gjithë e shohin se janë të njëjtë, vetëm ngjyrat i dallojnë.
“Rëndësi ka që është një film shqiptar. Edhe ju e kuptoni së sa kohë ka marrë, pra janë 2 vite xhirim, dhe gati 4 vite për përfundim, pra 4 vite për 14 minuta. Titulli është ‘Ethnophobia’, zgjodha një fjalë ndërkombëtare që kuptohet edhe në shqip. Atë që doja të thoja është se racizmi në 20 vitet e fundit është bërë një plagë për gjithë botën, dhe problem i madh që krijohet te kjo është se shohim te tjetri gjërat që na ndajnë e jo ato që na bashkojnë. Doja të kapja këtë temë dhe nuk ishte aq e thjeshtë që në këtë teknikë të shtjelloja këtë temë”, u shpreh regjisori Joan Zhonga, i cili përmes tre ngjyrave bazë të pikturës gjeti çelësin e zhvillimit të filmit.

‘The Remigrant’ solli për herë të parë Astrit Alihajdarin në rolin e regjisorit
Erdhi premierë botërore mbrëmë në DokuFest. Edhe kasta e aktorëve ishin aty, gjë që e madhështoi edhe më shumë këtë premierë. Astrit Alihajdari i cili deri mbrëmë në audiencën shqipfolëse është njohur si aktor, erdhi si regjisor i një filmi 18 minutësh duke shpalosur temën e migrimit. Një familje kthehet nga Diaspora me fëmiun e tyre të vetëm – Besnikun (Florist Bajgora).
Ky film solli në rolet e tjera Leze Qenën, Ilire Vincën dhe Veton Osmanin. ‘The Remigrant’, flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve.
“Nuk është rrëfim direkt personal por mund të themi që pak më prek dhe mua. Ma merr mendja që nuk ka familje në Kosovë që nuk ballafaqohet me këtë temë. Është ndryshe kur shkon diku jashë nëse vendosë vullnetarisht, e ndryshe kur je i detyruar. Ka qenë mundësi e mirë që ti trajtoj edhe temat e tjera që i pamë dhe po e shoh që nuk është e lehtë të bëhet film por jam munduar që t’i fus të gjitha ato që më preokupojnë”, theksoi Alihajdari .
Ky është filmi i parë ku Alihajdari vjen si skenarist dhe regjisor.

‘ATA’ sjellë jetën e Adit dhe Sonit, barinjë të vegjël
Flmi i Emiljo Leka, film 27 minutësh solli jetën e dy fëmijëve të vegjël, njëri 12 vjeç e tjetri 9 vjeç. Soni merrte tinëzisht cigare nga i ati për t’ia dërguar Adit, që ky i fundit t’i tregonte atij se çfarë është kompjuteri, Ipadi e teknologjitë tjera që fëmijët sot i kanë. Ata dy nuk i kishin. Shihnin një gjuetar teksta gjuante lepuj dhe ëndërronin të bëheshin si ai. Tregimi nuk përfundon këtu. Gjuetari vret babain e Sonit pa qëllim, gjersa ai thurte tokën deri aty ku prekte pjesën e babait të Adit.
Emiljo Leka nuk qe i pranishëm mbrëmjen e së mërkurës që të flasë më shumë për filmin, por padyshim që edhe ky film u duartrokit shumë nga publiku, sidomos loja e dy fëmijëve të vegjël.