BE i jep Microsoft 10 ditë afat për të dorëzuar dokumentet e Bing AI

 Komisioni Evropian i ka dhënë Microsoft-it një afat ligjërisht të detyrueshëm deri në 27 maj për të dorëzuar dokumente në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese (IA) në motorin e tij të kërkimit Bing.

Urdhri ka të bëjë me dy veçori: “Copilot në Bing”, një sistem me shumë qëllime që mund të krijojë tekste dhe imazhe bazuar në kërkesat nga përdoruesi dhe “Image Creator by Designer”, një gjenerues imazhi.

Komisioni tha se dyshon se informacionet e rreme të gjeneruara nga IA-ja  – të njohura si “halucinacione” – nga këto sisteme, si dhe “deepfakes” të krijuara nga IA-ja dhe manipulimi i votuesve, mund të shkelin Aktin e Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian (DSA).

DSA është një ligj i gjerë i përmbajtjes në internet që ndër të tjera kërkon që platforma shumë të mëdha si Microsoft të menaxhojnë një gamë të gjerë rreziqesh të ndryshme që lidhen me shërbimet e tyre.

Nëse Microsoft nuk arrin të sigurojë dokumentet e kërkuara në kohë, DSA lejon komisionin të gjobisë kompaninë deri në 1% të të ardhurave të saj vjetore globale, përfshirë gjobat ditore deri në 5% të të ardhurave të saj ditore./atsh/ KultPlus.com

Ndërhyrja e forcave amerikane për të çliruar të burgosurit nga kampi në Dakau, AQSH publikon 3 dokumente

29 Prilli i vitit 1945 shënon ndërhyrjen e forcave amerikane të cilat liruan 31.601 të burgosurit nga kampi i përqendrimit nazist në Dakau, Gjermani ku kanë vuajtur internimin edhe shtetas shqiptarë.

Arkivi Qendror Shtetëror për të përkujtuar këtë ditë publikon 3 dokumente shumë interesante.

Përmes një letre të sigluar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Dakaut që mban datën 8 Korrik 1964 dhe që i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Mehmet Shehu, njoftohet shteti shqiptar se do të ngrihet një monument në kujtim të të internuarve të kampit.

“Monumenti i cili do të ngrihet me rastin e 20 – vjetorit të çlirimit të tyre, nuk do të jetë një vepër urrejtjeje, por respekti dhe mishërimi.

Ai ka për qëllim që të bëjë njeriun e soçëm që të rikujtojë tmerret që është në gjendje të kryejë, po qe se ndjek gjurmët e profetëve falso, të këqijat e racizmit, të fashizmit dhe të luftës”.

Ky është një kamp ku vuajtën edhe shqiptarë ndaj edhe për ngritjen e tij, kërkohet ndihma financiare e Shqipërisë, sikurse edhe të shumë shteteve të tjera, shtetas të të cilave vuajtën në këtë kamp.

“Monumenti i ish-të internuarve do të ngrihet në bazë të një financimi ndërkombëtar i cili do të sigurohet në radhë të parë nga kuotat vullnetare të popullsive të vendeve tona të ndryshme. Por ne e pamë të udhës Z. Kryeministër për një kontribut zyrtar të Qeverisë suaj”.

Paskëtaj, Komiteti i Veteranëve të Luftës i drejton kërkesën Kryeministrit të Shqipërisë për akordimin e një shume prej 500 dollarësh nga buxheti i shtetit shqiptar për ndërtimin e këtij memoriali.

Në përgjigje të kësaj kërkese, me firmë të Zv/Kryeministrit, udhëzohet Ministria e Financave për akordimin e 500 dollarëve nga fondi i rezervave në valutë, si kontribut për ndërtimin e këtij memoriali.

I krijuar në mars të vitit 1933, kampi i përqendrimit Dakau (Dachau) ishte kampi i parë i rregullt i ngritur nga qeveria Nacional – Socialiste (naziste) gjermane për të burgosurit politikë.

Kur trupat amerikane hynë në kamp, ata gjetën më shumë se 30 vagona treni mbushur me kufoma, shumica të dekompozuara.

Numri i personave të burgosur në Dakau mes viteve 1933 dhe 1945 llogaritet të ketë qenë mbi 188,000. Numri i përgjithshëm i viktimave të cilët vdiqën në Dakau nuk dihet. / atsh / KultPlus.com