‘Në teh të erës’, filmi dokumentar për Basri Çapriqin shfaqet në Ditën Botërore të Librit

Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka përkujtuar profesorin e letërsisë shqipe dhe poetin “Basri Çapriqi” përmes shfaqjes së filmit dokumentar “Në teh të erës”, në Ditën Botërore të Librit.

Nga Komuna e Prishtinës janë shprehur se jo rastësisht është përzgjedhur poeti Basri Ҁapriqi për ta shënuar 23 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Librit, pasi sipas tyre Çapriqi na la një trashëgimi të pasur letrare.

“E kujtuam profesorin e letërsisë shqipe, studiuesin, publicistin dhe njeriun shembullor që na la trashëgimi të pasur letrare.

Çapriqi i këndoi lirisë së Kosovës, ai ishte rreshtuar në rezistencën rugoviane kundër së keqes. I këndoi njeriut tradicional që po hynte në modernitet pikërisht përmes vetënjohjes në jodhunë dhe luftës për liri”, thuhet në njoftim.

Shfaqjen e këtij filmi dokumentar e ka mundësuar Ambasada e Malit të Zi, Drejtoria e Kulturës së Komunës së Prishtinës dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. /KultPlus.com

Lufta në Kosovë përmendet si histori suksesi në dokumentarin e fundit të NATO-s (VIDEO)

Aleanca Veri-Atlantike NATO, ka realizuar një dokumentar rreth misionit të saj, gjatë 75 viteve të fundit në disa shtete të ndryshme.

Që nga momenti që është themeluar në vitin 1949 e deri në përforcimin e Evropës Lindore në vitin 2022, ky dokumentar ka përfshirë të gjitha momentet që përcaktojnë organizatën përmes përvojave të njerëzve që kanë parë këto momente.

Gjatë dokumentarit përmendet se si NATO në vitet e 90’, ka ndihmuar që të përfundojnë konfliktet etnike në Ballkan Perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, urdhëron një goditje brutale ndaj shqiptarëve në Kosovë”, nis shpjegimi i ngjarjeve në Kosovë gjatë asaj kohe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë viteve 1995-1999, Javier Solana, është shprehur se ne duhet të ndalojmë dhunën dhe t’i japim fund një katastrofe humanitare që po ndodh tani në Kosovë.

NATO nis një fushatë ajrore në vitin 1999 për të ndalur krizën humanitare që po shpaloset në Kosovë, dhe gjatë dokumentarit thuhet se “Ndërhyrja e NATO-s i dha fund konfliktit”.

Tutje, në dokumentar thuhet se sot KFOR, Forca e NATO-s në Kosovë, që është themeluar në qershor të vitit 1999 nën mandatin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vazhdon të ofrojë siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë. / KultPlus.com

Publikohet dokumentari “Jehona e Dhimbjes”, vjen si kërkesë për drejtësi nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës

Dokumentimi i krimeve të luftës në Kosovë, si torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krime të tjera të kryera nga forcat serbe, ende janë një mision i papërmbushur në Kosovë.

Një nismë e tillë ka ardhur së fundmi përmes dokumentarit “JEHONA E DHIMBJES” i cili dokumentar vjen si kërkesë për drejtësi nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës.

Katër të mbijetuar të dhunës seksuale, gazetari i luftës Nuhi Bytyçi, ekspertë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, prokurori i Prokurorisë Speciale Ilir Morina, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, etj, sjellin panoramën e kësaj plage të hapur në Kosovë dhe thirrjeve për drejtësi.

Shyrete Tahiri Sulimani, një nga gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë e cila ka kohë që është shfaqur publikisht dhe ka rrëfyer për fatkeqësinë e saj, përmes këtij dokumentari, ajo kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale, ndër të tjera ajo shprehet se: “Ata e kan ditë, e kanë ditë se, nëse e kryjmë një veprim kështu, ka me shku me gjenerata, qe qajo nanë ka mbartë te fëmijtë e vet, e fëmijtë e vet te fëmijtë e vet… qajo është shkatërrim total që kurë s’ia fali, kurrë… kurrë, kurrë, kurrë”.

Ky dokumentar vjen edhe si thirrje e fundit që shoqëria jonë t’i tejkalojë paragjykimet ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Dokumentari “Jehona e dhimbjes” është realizuar nga Euronews Albania në bashkëpunim me QKRMT.

Dokumentarin e plotë kliko këtu:

https://youtu.be/aUrpF2LF9Ss?si=1M9tRA8Y0LCUBKiy / KultPlus.com

Së shpejti premiera e dokumentarit për figurën e Joe DioGuardi, arbëreshi që bëri shumë për shpëtimin e Kosovës (VIDEO)

Për ish-kongresistin, kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, për Joe DioGuardi është realizuar një dokumentar i cili vjen premierë në muajin prill, shkruan KultPlus.

Ky dokumentar po vjen edhe si një lloj falënderim ndaj punës së palodhshme së tij, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Joe DioGuardi ishte zëri ynë në kohë të errëta, shpresa jonë në kohën e pashpresë, andaj Hysen Zeqaj, autori dhe producenti i këtij projekti, këtë dokumentar e ka realizuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ku do të sjell një rrëfim ekskluziv me foto dhe pamje poashtu ekskluzive.

I titulluar “Shpëtimtari i Kosovës”, ky dokumentar është një rrëfim autentik që vjen i mbështjellë me foto e video të pa publikuara më herët, që në mënyrë të hatashme shpalos dashurinë dhe përkushtimin e arbëreshit emblemë, DioGuardit për kombin shqiptar.

Producenti Zeqaj pasi a publikuar edhe trailerin e dokumentarit, ka njoftuar se premiera do të shfaqet në New York City në muajin Prill, ndërsa për detajet e tjera do të na njoftojë me kohë. / KultPlus.com

Ministrja greke kritikon ashpër serialin dokumentar të Netflix-it për Aleksandrin e Madh

Ministrja e Kulturës greke, ka kritikuar një dramë-dokumentar të Netflix për Aleksandrin e Madh si “fiction jashtëzakonisht me cilësi të dobët” dhe “përmbajtje të ulët, të mbushur me pasaktësi historike”.

Komentet e Lina Mendonit për Aleksandrin, ”The Making of a God” vijnë në mes të një buje për përshkrimin e një marrëdhënie romantike në shfaqje midis Aleksandrit të Madh dhe të besuarit dhe mikut të tij Hephaestion, përcjell klankosova.tv.

Në Greqi, një opinion në Eleftheros Typos e quajti shfaqjen “një shtrembërim të së vërtetës” dhe fajësoi filmin Alexander të vitit 2004 të Oliver Stone për fillimin e “një fushate propagandistike rreth homoseksualitetit të Aleksandrit”.

Dimitris Natsiou, presidenti i partisë politike kristiane ortodokse, të ekstremit të djathtë Niki, e quajti serialin “të mjerueshëm, të papranueshëm dhe johistorik” dhe tha se synonte “të përçonte nënkuptueshëm nocionin se homoseksualiteti ishte i pranueshëm në kohët e lashta, një element që nuk ka bazë”.

I pyetur në parlament në lidhje me shfaqjen e Natsiou, siç shkruan The Guardian, Mendoni tha se ai ishte “i mbushur me pasaktësi historike, duke demonstruar shkujdesjen dhe varfërinë e skenarit të regjisorit”.

Ministrja e Kultures greke, Lina Mendoni

Në lidhje me përshkrimin në emision të marrëdhënies mes Aleksandrit dhe Hefestionit, Mendoni tha: “Nuk përmendet në burime se ajo shkon përtej kufijve të miqësisë, siç përcaktohet nga Aristoteli.

“Por do ta dini se koncepti i dashurisë në lashtësi është i gjerë dhe shumëdimensional. Ne nuk mund të interpretojmë as praktikat dhe as personat që kanë vepruar 2300 vjet më parë me masat tona, normat dhe supozimet tona. Aleksandri i Madh, për 2300 vjet, nuk ka pasur kurrë nevojë dhe as tani, ndërhyrja e ndonjë mbrojtësi të pakërkuar të kujtesës së tij historike apo, aq më tepër, të personalitetit dhe të pozitës së tij morale”./klankosova/ KultPlus.com

“Esat Bicurri në përjetësi”, dokumentari i cili sjell portretin jetësor të Esat Bicurrit në tinguj dhe fjalë

Në dimensionin e tingujve shqiptarë, një emër i veçantë, si një melodi e paharrueshme, vazhdon të mbetët gjallë në zemrat e publikut.

Ky është Esat Bicurri, një prej zërave më të mirë shqiptar, një zbulim për festivalin “Akordet e Kosovës” i cili shquhej jo vetëm por zërin por edhe për formimin e tij si njeri me vlera të rralla, shkruan KultPlus.

Për jetën dhe veprën e tij, tashmë me shumë meritë është përgatitur një dokumentar i titulluar “Esat Bicurri në përjetësi”

Ky dokumentar shpërfaq një portret të shkëlqyeshëm të këngëtarit, dhe krijon një udhëtim të ndjeshëm në karrierën e tij muzikore.

Përgatitur nga pikëpamja e etnomuzikologut Krenar Doli, dhe drejtuar nga regjisori Robert Bacaj, ky projekt vizualizohet nga sytë e operatorit Blerim Kokolli.

Në këtë dokumentar, zërat e miqve, kolegëve dhe të afërmve të Esat Bicurrit përshkruajnë këtë personalitet të veçantë. Ndër ta, këngëtari i njohur Sedat Kuçi dhe Pranvera Badiviku.

Premiera e këtij dokumentari vjen ditën e enjte, më datë 28 dhjetor, në ora 21:50, në Radio Televizionin e Kosovës – RTK.

Esat Bicurri vazhdon të mbetët një ndër këngëtarët më të dashur për publikun dhe këngët e tij konsiderohen perla të muzikës popullore shqiptare dhe vazhdojnë të dëgjohen e vlerësohen ende.

Kujt nuk i kujtohet kënga fituese në “Akordet e Kosovës” – “E kujtoj atë takim?”, por edhe këngët e tjera, si: “Eja e bardha verë”, “Një lulishte me trëndafila”, “S’ka më të bukur se pranvera”, e shumë të tjera.

Fatkeqësisht, ai është ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe më 7 maj të 1999 së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë, ndërsa kufoma e tij u gjet dhe u rivendos vetëm në vitin 2004.

Ministria e Kulturës së Kosovës krijoi edhe një çmim kombëtar të quajtur Esat Bicurri për përsosmëri në muzikë popullore dhe urbane.

Ai gjithashtu botoi dy libra të cilat quheshin: “Një këllëf me ar ta çova” dhe tjera, “Ahengjet Gjakovare në shekuj”.  

Por përmes këtij dokumentari, ju do të mësonin shumë më shumë për jetën dhe veprën e kësaj figure të shquar të muzikës shqiptare. / KultPlus.com

‘Uta-Ngjitja për Kosovën’, një dëshmi e shpirtit të paepur njerëzor dhe besimit se çdo majë është e arritshme

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Maleve, alpinistja jonë e njohur, Uta Ibrahimi na sjell dokumentarin e saj “Uta-Ngjitja për Kosovën”.

Ky film dokumentar, lundron thellë në përvojat e fëmijërisë së Utes gjatë luftës në Kosovë dhe arrin të sintetizojë gjithë kujtimin e veprimtarinë e aktin e saj final. Në udhëtimin e saj për të ngritur flamurin e Kosovës në majën e botës, në Everest.

Uta është shprehur se është shumë e emocionuar që po e ndanë këtë dokumentar me publikun dhe ju fton ta ndiqni në rehatinë e shtëpive, në ekranet tuaja.

“Përtej shfaqjes së ngjitjes sime personale, dokumentari hedh dritë mbi punën e palodhur që kam bërë në Kosovë, duke u përpjekur të frymëzojë të rinjët që të ndjekin ëndrrat e tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballen. Kjo nuk është vetëm një histori ngjitjeje malore; ka të bëjë me tejkalimin e fatkeqësive, gjetjen e forcës në rrënjët e dikujt dhe nxitjen e një shpirti vendosmërie tek gjeneratat e ardhshme.

Bashkohuni me mua në këtë udhëtim, duke eksploruar majat e triumfeve personale dhe luginat e betejave të përbashkëta. ‘Uta-Ngjitja për Kosovën’ është një dëshmi e shpirtit të paepur njerëzor dhe besimit se çdo majë është e arritshme”, shkruan Uta.

Linku:
https://www.youtube.com/watch?v=AyD__7PFDzQ / KultPlus.com

Nga kalldrëmet e Prizrenit tek reflektorët e Hollywood-it, Bekim Fehmiu u rikthye dje në vendin e tij të preferuar

Jeta Zymberi

“Nëse e fitoj këtë rol, unë shkova”, këto ishin fjalët e Bekim Fehmiut drejtuar vëllait të tij, Arsim Fehmiut, pasi kishte marr në duar skenarin e filmit “Mbledhësi i Puplave”. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe vetë Bekimi, ky film ishte drita jeshile për aktorin tonë i cili do ta sillte në krye të skenës së artit botëror.

Madhështia e Bekim Fehmiut dje u rikthye në Kinemanë ABC përmes filmit dokumentar  të cilin e punoi me shumë dashni regjisori Valmir Tertini. Ky film ishte një kthim në kohë, një rikthim i emocioneve dhe shpërblim i vogël për punën e jashtëzakonshme të aktorit pasi filmi solli një kujtim të bukur që do të ruhet në historinë e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Hyrja për në kinema dje nuk ishte e lehtë, pasi numri i të interesuarve ishte i madh, por megjithatë të gjithë zunë vendin e tyre dhe emocionet ishin në ajër pasi në një mënyrë ose tjetër, Bekimin do ta kishim në sallë.

Por para se të vijë ky moment, fjala ju dha kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës i cili u shpreh se ky film mundohet të hedh dritë mbi figurën e Bekim Fehmiut.

“Në këtë film, arti i shtatë, rrëfimtaria si dhe historia e përbashkët e popujve të Ballkanit, ndërthuren nëpërmjet një emri të përveçshëm, atij të legjendës kinematografike shqiptare, jugosllave e botërore, të madhit, Bekim Fehmiut. Prej hapave të parë artistik që i nisi në kalldrëmin e Prizrenit e deri te reflektorët e ndritshëm të Hollywoodit, Bekim Fehmiu u ngrit si një gjigant që i ka kapërcy barrierat e kufijve dhe për këtë arsye emri i tij do të mbetet i gdhendur përgjithmonë në historinë e kinematografisë botërore”, u shpreh Rama teksa tha se ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është autenciteti i tij si portret real i aktorit.

“Historia e Bekim Fehmiut është më shumë se sa një Odise e suksesshme kinematografike, një dëshmi e fuqisë së artit për t’i kapërcyer hendeqet sado të mëdha që janë ato”, përfundoi Rama.

“Mirëdita” tha në shqip Branka Petric, zonja që ndau dallgët e jetës me aktorin tonë të madh e cila u ngjit në skenë për të thënë disa fjalë rreth këtij dokumentari dhe ndjenjave të saj të përziera në ato momente.

“Jam shumë e lumtur dhe njëkohësisht shumë e shqetësuar që jam e pranishme këtu sepse hapësira e Kinemasë ABC ishte vendi i preferuar i Bekimit”, tha Branka e cila shqetësimin e saj u mundua ta fshehtë me qeshje, një qeshje që dukej si një ironi thurur ndjenjave të saj dhe një barrierë përmes të cilës mundohej t’i mbante lotët.

“Kur erdhëm në Prishtinë ishte duke rënë një shi shumë i madh dhe ja sot dielli ka dal dhe ka zbukuruar këtë ditë”, u shpreh Branka duke na lënë të kuptojmë se Bekimi ishte dielli i Prishtinës në këtë ditë vjeshte.

“Shpresoj që do të ju pëlqej ky projeksion dhe jam e bindur se edhe Bekimit do ti pëlqej ky film sepse unë jam e bindur se është dikush atje lart që na sheh”.

Për të marr përshtypjet e tyre të gjithë të pranishmit, në ekranin e madh të kinemasë filmi nisi me aktin e vdekjes së aktorit, akt përmes të cilit jo vetëm u shua jeta e një ylli të madh por u privua edhe mundësia e dëshira e madhe e shumë njerëzve që ëndërronin ta takonin një ditë. Por ky akt i cili ndodhi më 15 qershor të vitit 2010 në apartamentin e tij në Beograd, kur ai ishte 74 vjeçar, nuk e zbehi asnjëherë madhështinë e tij e cila vazhdon të frymëzojë edhe gjeneratat e reja.

I lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, në gjirin e një familje gjakovare, Bekim Fehmiu ishte i biri i Ibrahim Fehmiut dhe Hedijes. Pasi i ati i tij ishte internuar në kryeqendrën boshnjake nga autoritetet mbretërore jugosllave. Më 1939 familja u zhvendos në Shkodër, ku kaluan tre vite dhe pas bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia, u vendosën në Prizren.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Fëmijëria e tij u rrëfye në këtë film nga vëllai i tij, Arsim Fehmiu, i cili mungoi në shfaqjen e këtij dokumentari, pasi vitin e kaluar u nda nga jeta. Por rrëfimi i tij tashmë ka mbetur i dokumentuar dhe emocionet i përçoi fuqishëm tek publiku.

Ndërsa bashkudhëtarja e aktorit, Branka Petric me të cilën ka edhe dy djem, rrëfimin e saj në këtë dokumentar e nis këndshëm. Pas 10 vitesh, ajo për herë të parë hapë valixhen ku ruante gjithçka që i përkiste bashkëshortit të saj, nga kapela me të cilën u paraqit te filmi “Mbledhësi i Puplave”, një fletore shënimesh, arma me të cilën luajti në një film e shumë gjëra të tera të çmuara të aktorit.

Gjatë rrëfimit të saj, Branka qan, qesh e madje edhe këndon derisa shpalos shumë detaje nga jeta e përbashkët me Bekimin.

Gjatë 60 minutave dokumentar i cili erdhi në formë të intervistave ekskluzive nga familjarë, të afërm, miq, artistë e bashkëpunëtorë, u shpalosën më shumë përshtypjet që këta personazh kishin për Bekim Fehmiu, por nuk munguan edhe detaje që zbulonin më shumë për karakterin e aktorit.

“Bekim Fehmiu ishte i madhërishëm dhe shumë modest në të njëjtën kohë”. “Ai ishte Odisea jonë”. “Bekimi ishte aktori më i madh i kohës sonë”. Këto ishin vetëm disa nga fjalët e shumta që u thanë për aktorin Bekim Fehmiu nga personazhet si: Enver Petrovci, Timo Flloko, Roza Agnanosti si dhe regjisorë e bashkëpunëtorë të huaj me të cilët punoi Bekim Fehmiu.

Një pjesë mjaft emocionuese e këtij dokumentari ishte edhe momenti kur Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972. Momente ku shfaqet malli dhe dashuria e tij për këtë vend. Gjatë kësaj vizite ai kishte shkuar edhe tek shtëpia në Shkodër ku i kaloi tre vite të fëmijërisë së tij.

Ky film dokumentar, është i pari krijim mbi figurën e Bekim Fehmiut i cili u ndërtua nga skenari i gazetarit Fahri Musliut dhe nënë përkujdesjen regjisoriale të Valmir Tertinit.

Padyshim që një film është e pamundur të mbërthejë gjithë jetën dhe karrierën e një ylli të tillë siç është Bekim Fehmiu, këtë e pranoi edhe skenaristi Fahri Musliu i cili u shpreh se nuk ishte i lehtë as vendimi për të pranuar ofertën e bashkëpunimit nga regjisori por gjithsesi për të kjo tashmë është një ëndërr e realizuar.

“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, ka thënë Musliu.

Pas përfundimit të filmit dokumentar i cili u përcoll me duartrokitje të shumta, për KultPlus përshtypjet e saj i ndau edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që tashmë është realizuar një film për figurën e Bekim Fehmiut sepse një i tillë i ka munguar shumë Kosovës.

“Ky film flet shumë për jetën e tij si artist dhe është diçka që i ka munguar Kosovës. Shpresoj që këtë film ta shohin sa më shumë njerëz, sa më shumë të rinjë, që ta dijnë se kush ishte Bekim Fehmiu. I uroj suksese regjisorit për këtë punë të madhe që e ka bërë sepse është shumë e rëndësishme të punosh film për një figurë kaq të madhe. Ky film e ofroj një dritare të vogël për madhështinë e Bekimit sepse shumë njerëz sot nuk e dijnë andaj filmat janë të domosdoshëm që këto të përcillen edhe te gjeneratat e reja”, u shpreh Zeqiri.

Ndërsa, profesoresha dhe shefja e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, Naile Imami e cila e njihte Bekim Fehmiun për vite të tëra në Beograd dhe njohu nga afër jetën dhe familjen e tij, në momentin që po e realizonim intervistën ende nuk kishte një mendim të prerë për filmin, por ajo ishte e sigurte për një gjë.

“Ende nuk kam një mendim të prerë për këtë film dokumentar për shkak të faktit se unë e njoha Bekim Fehmiun me vite të tëra në Beograd dhe njoh jetën e familjen e tij, di shumë gjëra të bukura dhe në këto momente i kam të përziera këto emocione. Në film, nuk pash shumë detaje për Bekim Fehmiun dhe për këtë më vjen keq. Gjithashtu përzgjedhja e personazheve që folën në film për Bekim Fehmiun nuk më pëlqeu sepse po të ishte Bekimi gjallë nuk do t’i pëlqente. Por e rëndësishme është që është realizuar ky film, më mirë pak se hiq”, u shpreh Imami ndër të tjera.

Krejt për fund, disa fjalë i ndau për KultPlus edhe personi i cili qëndron pas gjithë këtij filmi, regjisori i cili mori guximin të bëjë një film për një figurë kaq të madhe, Valmir Tertini. Ai shpalosi sfidat gjatë realizimit të këtij dokumentari të cilat nuk ishin të pakta.

“Ka qenë një sfidë e madhe si kohore ashtu edhe financiare për realizimin e këtij filmi. Por megjithatë filmi arriti të finalizohet pas më shumë se 5 viteve punë e peripeci. Unë kam vendos që në këtë dokumentar mos të përdorim asnjë fotografi por vetëm video, kryesisht nga filmat e tij dhe disa video janë ekskluzive”, tha Tertini i cili u shpreh tutje se figura e Bekimit ka qenë e keqkuptuar dhe beson shumë se ky dokumentar tregon shumë për të që nga lindja e deri të kulminacioni i tij.

Krejt për fund, Tertini tregoi se filmi pas premierës në Tiranë, Prizren dhe Prishtinë, do të vazhdoj me premierat e radhës në Beograd dhe Romë e gjithashtu do të udhëtojë edhe nëpër festivale. / KultPlus.com

Nesër lansohet në Prishtinë, dokumentari “Dita Botërore e Popullsisë”

Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime – SIT dhe UNFPA, do të bëjnë lansimin e dokumentarit për shënimin e “Ditës Botërore të Popullsisë”, përcjell KultPlus.

Qëllimi i këtij dokumentari është vetëdijesimi i popullsisë rreth temave që kanë të bëjnë me ditën botërore të popullsisë e që këtë vit tematika ka të bëjë me barazinë gjinore dhe ndërtimin e paqes.

Dokumentari është zhvilluar në kuadër të projektit “Të Rinjtë për Përfshirje, Barazi dhe Besim” financuar nga UN Peace Building Fund dhe zbatuar nga UNFPA.

Ngjarja do të mbahet me datën 11 korrik 2023, nga ora 11:00 në “Kino Armata” në Prishtinë. / KultPlus.com

Publikohet traileri i dokumentarit artistik për Bekim Fehmiun (VIDEO)

Sot, në 13 vjetorin e vdekjes së aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiut, publikohet traileri i dokumentarit artistik në të cilin shfaqet jeta dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.

Ky dokumentar i cili paraqet copëza dhe histori nga jeta e autorit të madh shqiptar, Bekim Fehmiut, është realizuar me skenar të Fahri Musliut dhe regji të Valmir Tertinit.

Dokumentari është xhiruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Itali/KultPlus.com

Dokumentari për Rikard Ljarjen shfaqet në Shkodër, Marjeta: Nder të jem nuse këtu

Rikard Ljarja, një prej aktorëve më të mëdhenj shqiptar në tre vjetorin e ndarjes nga jeta u rijetësua në një dokumentar me regji të mikut të tij Mevlan Shanaj.

Dokumentari “Rikard” u shfaq në kinema “Millenium” në Shkodër mes miqve të shumtë duke sjellë mes të tjerave edhe disa rrëfime të vetë aktorit të madh.

Regjisori Mevlan Shanaj e quante ndjerin Rikard Ljarja aktorin më të madh të filmit shqiptar.

Bashkëshortja e Ljarjes, aktorja Marjeta Ljarja tha se përjetoi një emocion më të madh me shfaqjen e dokumentarin në Shkodër, qytetin e lindjes të Rikardit

Rikard Ljarja lindi më 1 prill të vitit 1943 ndërsa u nda nga jeta më 20 prill të 2020-ës kur ishte 77 vjeç./ballkanweb/KultPlus.com

KITU promovon përmbledhjen e raporteve dhe shfaq dokumentarin “GJYSËM shekulli UNIVERSITET”

Organizatat e shoqërisë civile që funksionojnë në kuadër të Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), të mbështetura nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), do të promovojnë përmbledhjen e raporteve të tyre (2017 – 2022), me titull “Universiteti i Prishtinës nën llupë”, me ç’rast do të shfaqet edhe dokumentari “GJYSËM shekulli UNIVERSITET”, me autor Shkëlzen Gashin.

Promovimi do të mbahet më 15 shkurt 2023, në orën 18:00, në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës (mbrapa Ministrisë së Arsimit). / KultPlus.com

Jim Belushi po realizon dokumentar për Tiranën, Veliaj: Një dhuratë e çmuar për promovimin e kryeqytetit shqiptar

Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi ka ardhur për vizitë në Tiranë.

Ardhja e tij lidhet me një dokumentar që Belushi po e realizon për Tiranën dhe më pas do të shfaqet në një nga mediat kryesore në Amerikë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur sot në zyrën e tij aktorin e njohur duke e dhënë edhe lajmin e madh për realizimin e  dokumentarit.

Veliaj e konsideron këtë si një dhuratë të çmuar dhe promovim i kryeqytetit shqiptar.

“Shikoni kush na ka ardhur për vizitë! I madhi Jim Belushi po realizon një super dokumentar për Tiranën, që do të shfaqet në një nga mediat kryesore amerikane – një dhuratë e çmuar për promovimin e kryeqytetit shqiptar, të cilin e do shumë.

Faleminderit Jim!”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com

“Misteri i Marilyn Monroe”, dokumentari që tregon anën e errët të vdekjes së ikonës

Tashmë që nga data e vdekjes së aktores ikonike Marilyn Monroe e deri tek viti 1962, pyetjet për të zbuluar më shumë rreth saj ende vazhdojnë.

Platforma e njohur Netflix, që prej kësaj të mërkure shfaq dokumentarin e titulluar “Misteri i Marilyn Monroe” i cili synon të tregojë të gjitha realitetet e errëta rreth vdekjes së saj.

“Vdekja tragjike e ikonës së Holivudit, Marilyn Monroe, shkaktoi komplote dhe thashetheme për dekada, shpesh duke lënë në hije talentin dhe mendjemprehtësinë e saj”, thuhet në përmbledhjen zyrtare.

“Duke bashkuar javët, ditët dhe orët e saj të fundit përmes regjistrimeve të padëgjuara më parë, të atyre që e njihnin më mirë, ky dokumentar e ndriçon më shumë jetën e saj magjepsëse, të ndërlikuar dhe ofron një këndvështrim të ri të natës fatale të vdekjes”.

Traileri nis me një pamje të afërt të fytyrës së Monroe, teksa dëgjohet një zë: “Gjërat e vërteta rrallë dalin në qarkullim – zakonisht dalin vetëm gjërat e rreme. Është e vështirë të dish se ku të fillosh nëse nuk e nis me të vërtetën”. / KultPlus.com

Tashmë që nga data e vdekjes së aktores ikonike Marilyn Monroe e deri tek viti 1962, pyetjet për të zbuluar më shumë rreth saj ende vazhdojnë.

Dokumentari i Uta Ibrahimit po rrugëton nëpër festivale botërore, së shpejti edhe në Kosovë (VIDEO)

Dokumentari i realizuar për Uta Ibrahimin po shfaqet nëpër festivale të ndryshme botërore, derisa shumë shpejt do të vijë edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi të bërë në rrjete sociale, është publikuar edhe një video e shkurtër e dokumentarit që përshkruan rrugëtimin e alpinistes, teksa kjo e fundit përpiqet të bëhet personi i parë nga Kosova që ngjitet në majën më të lartë në botë, Everest.

“Për ne si regjisorë, historia e Utës kapërcen aventurën dhe sportin. Jo vetëm sepse Uta vjen nga Kosova dhe u rrit gjatë një konflikti të ashpër etnik, por edhe sepse, si një grua nga Kosova, asaj i është dashur të luftojë për sponsorizim dhe njohje gjatë gjithë jetës së saj. Uta tani ka ngjitur gjashtë nga 14 majat e botës 8000 metra dhe qëllimi i saj është të ngjitet në pjesën tjetër. Askush, mbi të gjithë ne, nuk do të habitej nëse ajo e arrinte këtë më shpejt se sa vonë”, thuhet në njoftimin e regjisorëve.

Por ky film i shkurtër, i prodhuar nga Vest Media në bashkëpunim me Fondacionin Utalaya, ka të bëjë me ngjitjen e saj në Everest, atë që e vendosi atë në hartën brenda dhe jashtë vendit.

Duke përdorur pamjet që janë xhiruar me Utën, familjen dhe miqtë e saj në Kosovë, të kombinuara me pamjet personale të Utës të filmuara gjatë ekspeditës, mendohet që të jetë një histori që do të frymëzojë gratë dhe vajzat e reja anembanë botës. /KultPlus.com

Dokumentari i ri për jetën e Aviciit publikohet më 2023

Një dokumentar i ri që fokusohet në jetën dhe muzikën e producentit të ndjerë suedez, Avicii, do të publikohet dhe detaje të reja janë dhënë mbi të.

Siç raportohet nga Billboard, filmi, që publikohet më 2023, do të shfaqë “material të ri”, si dhe pamje nga prapaskenat, intervista me familjen, miqtë dhe kolegët, klipe arkivore dhe intervista me Aviciin

Ndërsa titulli i filmit ende nuk është zbuluar, një deklaratë për Billboard e përshkruan atë si një pasqyrë në “muzikën dhe artistin që përcaktoi një epokë dhe ndryshoi botën e muzikës përgjithmonë, dhe është një histori nga afër, intime dhe epike për sukseset e tij të pashembullta dhe përpjekjet e tij për të përballuar presionin”.

Dokumentari do të prodhohet nga regjisori dhe kinematografi Björn Tjärnberg dhe Candamo Film, në bashkëpunim me Televizionin Kombëtar Suedez. / KultPlus.com

Dokumentari “Becoming Led Zeppelin” do të shfaqet në festivalin e Venecies

Dokumentari i ardhshëm “Becoming Led Zeppelin”, i autorizuar nga anëtarët e grupit, do ta shënojë premierën në kuadër të edicionit të sivjetmë të Festivalit të filmit në Venecie, i cili mbahet muajin e ardhshëm.

Projekti me regji të Bernard MacMahonit do të përfshijë intervista të reja me muzikantët si: Jimmy Page, John Paul Jones dhe Robert Plant, si dhe intervista të rralla nga arkiva bateristin e ndjerë, John Bonham, i cili vdiq në vitin 1980.

Dokumentari është vendosur të shfaqet jashtë konkurrencës për “Luanin e Artë”, në festivalin e njohur italian i cili mbahet nga 1 deri më 11 shtator, në qytetin e bukur, Venecie. 

Kjo është hera e parë që anëtarët e bendit “Led Zeppelin” kanë marrë pjesë në një dokumentar, në këto 50 vjetët e fundit. Bendi madje i ka ofruar regjisorit MacMahon qasje të paparë në arkivat e tyre. 

Ende nuk ka datë të lansimit të filmit “Becoming Led Zeppelin”, për publikun e gjerë. / KultPlus.com

Sonte publikohet dokumentari rreth Princeshës Diana

Një seri e dokumentarëve në lidhje me jetën e Lady Dianas dhe ndikimin që ka pasur ajo në shekullin e 20-të, do të nisin të publikohen të enjten në ITV.

Dokumentari do të përmbajë tri episode, ku secili do të bazohet në epoka të ndryshme të jetës së Dianas, ndërkohë që në episodin e parë që do të publikohet sonte, fokusi do të jetë në takimin e saj me Princin Charles dhe bashkimin me Familjen Mbretërore.

Sipas dokumentarit, Diana ishte magjepsur me Charlesin ndonëse nuk e njihte shumë mirë dhe vetëm pas disa takimeve, ata edhe ishin fejuar dhe ajo ishte shpërngulur në Pallatin Kensignton. Mirëpo, me kalimin e kohës, një prej femrave më të famshme në botë, kishte filluar të kishte dyshime se Charlesi kishte lidhje me Camilla Parker Bowles, e cila tani edhe është bashkëshortja e Princit, shkruan Express.co.uk, transmeton Koha.net. Kështu, Diana kishte filluar të ndihej e palumtur dhe po mendonte të linte gjithçka mbrapa, vetëm dy ditë para se të martohej me Charles.

Princi Charles dhe bashkëshortja aktuale Camilla Parker Bowles/Foto: AP

Dokumentari thekson se ishin motrat e saj, Lady Sarah McCorquodale dhe Jane, ato të cilat i kishin folur duke i thënë se tashmë ishte shumë vonë që të kthehej mbrapa.

Duke folur për televizionin italian Tv2000, ekspertja Elena Mora, sqaron se Diana e kishte kuptuar që nuk donte të martohej dhe se po planifikonte t’i jepte fund edhe fejesës.

“Të gjithë e dinë se Diana dëshironte të ikte vetëm dy ditë para ditës së dasmës dhe të shpëtonte. Mirëpo motrat i thanë: e dashur, fytyra jote është tashmë në të gjithë filxhanët dhe peshqirët e Pallatit. Është pak vonë”, ka rrëfyer Mora.

Siç thuhet, edhe Princi i Walesit ishte i pajtimit që t’i jepte fund rrugës për në martesë me Dianan dhe po synonte të merrte mbështetjen e shoqërisë me një letër që babai i tij, Princi Philip i kishte shkruar, ku kinse ai e kishte obliguar atë që të martohej me Dianan.

“Edhe Charlesi dëshironte të shpëtonte”, ka shpjeguar Mora.

Vetëm dy ditë para ditës së dasmës, ai u kishte treguar shokëve të tij një letër në të cilën babai në fakt e urdhëronte që për nder të vajzës dhe për mbrojtje të familjes, të martohej me të.

“Dhe ai e kishte përdorur këtë si një alibi për të thënë se ishte i detyruar të martohej. Kjo nuk ishte në rregull, ai ishte princ, një zotëri 30-vjeçar. Nuk duhej të pajtohej me martesën që nuk e donte”, ka vazhduar Mora.

Pavarësisht dyshimeve nga të dyja palët, megjithatë martesa u zhvillua në sytë e miliona njerëzve anë e mbanë botës dhe bëri bujë të madhe.

Dasma e Princit Charles me Lady Diana/Foto: AP

Episodi i parë i dokumentarit për Dianan tregon se si ajo kishte pësuar depresion pas lindjes së fëmijës së parë, Princit William në këtë martesë.

Nga viti 1986, Charles kishte rifilluar lidhjen e tij me Camillan, gjë që e shtyu Dianan të largohej edhe më shumë, dhe nganjëherë madje, edhe të hidhej në krahët e meshkujve të tjerë, siç ishte rasti me instruktorin e saj të kalërimit James Hewitt.

Ndërkohë, në vitin 1992, lidhja mes Dianas dhe Charlesit ishte thyer në mënyrë të pakthyeshme gjë që kishte çuar në një marrëveshje dypalëshe që të ndaheshin. Divorci i tyre u finalizua në vitin 1996, dhe vetëm një vit më vonë, Diana kishte vdekur tragjikisht, në një aksident komunikacioni në Paris.

Ajo ka lënë pas dy fëmijë, Princin William dhe Princin Harry. Ata të dy tashmë janë të martuar. William ka tre fëmijë ndërkaq Harry dy. / Koha.net / KultPlus.com

Princi William dhe Princi Harry në përurimin e shtatores së nënës së tyre, Diana, muajin e kaluar/Foto: AP
Foto: AP

Princeshë Diana ringjallet përmes kamerave me fakte dhe dëshmi të padëgjuara më parë

Imazhi dhe jeta e Princeshës Diana do të shfaqen përmes një filmi artistik dhe një serie dokumentarësh.

Filmi titullohet “Diana”, prodhuar nga “72 Films” i cili përdor dëshmi që nuk janë dëgjuar më parë, foto dhe letra për të paraqitur jetën e Dianës nga adoleshenca deri në momentin kur ajo u bë gruaja e Princit Charles të Uellsit.

Mark Rafael dhe David Glover janë producentët ekzekutivë të filmit.

“Ka diçka pak magjike në lidhje me Princeshën Diana dhe pavarësisht nga vështirësitë në jetën e saj personale”, pohuan Mark dhe David.

“Në datën 1 korrik në 60 vjetorin e saj të lindjes është koha e duhur për të rishikuar jetën dhe trashëgiminë e saj dhe për të eksploruar se si nga një adoleshente relativisht e panjohur te personi më i trishtuar që ka jetuar ndonjëherë”, tha David Glover.

Dokumentari i titulluar “Dekadat e Diana” në çdo episod 60 minutësh, do të nxjerrë në pah mënyrën se si Diana frymëzoi ndryshime të thella shoqërore në periudha të ndryshme të jetës së saj.

“Kjo është historia e Dianës, por është gjithashtu historia jonë, dhe se si jeta e saj na ka ndikuar, madje edhe në mënyra që ne nuk i dimë plotësisht”, shtuan producentët.

Diana, nëna e Princit William dhe Princit Harry, vdiq në një aksident automobilistik ndërsa ndiqej nga një paparac në moshën 36 vjeç në gusht 1997.

Djali i saj Harry tha se ai kishte përdorur alkool dhe drogë për të përballuar vdekjen e nënës. /paolina/ KultPlus.com

Britney Spears kritikon dokumentarët që bëhen për jetën e saj

Këngëtarja me famë botërore Britney Spears ka postuar një mesazh të gjatë në rrjetin social Instagram, me ç’rast ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me dokumentarët e shumtë që bëhen për jetën e saj e në veçanti kur bëhet fjalë për procesin gjyqësor, shkruan BBC, përcjellë KultPlus.

29 milionë ndjekës patën rastin që të shohin postimin e saj ku Spears është shprehur duke shkruar pjesërisht, “Kaq shumë dokumentarë për mua këtë vit me përshtypjet e njerëzve të tjerë në jetën time. Këta dokumentarë janë kaq hipokritë, ata kritikojnë mediat dhe pastaj bëj të njëjtën gjë?????”.

Ajo tutje ka shkruar se është e kënaqur që po i kujton të gjithëve se pavarësisht periudhave të vështira në jetën e saj, ajo ka pasur edhe kohë të mahnitshme. Kurse, sipas saj, bota është fokusuar më shumë në negativitet.

Pas betejës gjyqësore midis saj dhe babit, Jamie Spears për pasurinë e saj prej 60 milion dollarësh, Spears është hapur për interesin e ri në jetën e saj.

Po ashtu, këngëtarja ka thënë se menjëherë pas publikimit të ‘’Framing Britney Spears’’ nga The New York Times, ajo qau për dy javë pavarësisht se nuk e ka shikuar atë.

Tani, BBC ka lëshuar dokumentarin e tyre të titulluar “The Battle For Britney”. Ndërsa, është bërë e ditur se seanca tjetër në lidhje me procesin gjyqësor të saj do të zhvillohet në LA më 23 Qershor dhe Spears pritet të flasë për herë të parë. / KultPlus.com

‘Nostromo’ i Fisnik Maxville fiton çmimin kryesor në festivalin zviceran ‘Visions du Réel’

Era Berisha

Realizimi i filmave në kuadër të emocioneve që shpalosen tërësisht në një histori eksperimentale jashtëzakonisht të vrazhdë është gjithmonë një nisje e rrezikshme, e sidomos kur ato emocione rezonojnë fuqishëm me situatën pandemike e cila aktualisht po vë në pikëpyetje të gjitha mundësitë për të jetuar me të tjerët duke çuar në një përfundim të distancuar nga ‘turma e çmendur’, e pikërisht këtë histori e sjell edhe regjisori Fisnik Maxville në dokumentarin e tij ‘’Nostromo’’, shkruan KultPlus.

Regjisori i filmit i cili fitoi çmimin ‘Pack & Pitch’, të Talenteve të Sarajevës me filmin e tij “The Land Within Me”, kësaj radhe erdhi me një dokumentar për të shfaqur një histori të një njeriu i cili dëshiron të jetojë vetëm duke dhuruar kështu emocione unike të përplasura së bashku në një vetmi dëshiruese.

‘’Nostromo’’, ngërthen në vete tre histori të tre personazheve të dokumentarit, i cili për regjisorin radhitet si dokumentari i tij i tretë me metrazh të gjatë. Dokumentari është filmuar në vitin 2019 në territoret veriore të Kanadasë, ku ekipi ka kaluar rreth 6 javë nga procesi i xhirimit në një ishull shumë të vogël të titulluar ‘Great Slave Lake’, pak para fillimit të stinës së dimrit.

Ndërsa, se si erdhi ideja për realizimin e këtij dokumentari dhe nga ku lindi inspirimi, për KultPlus, ka folur edhe vetë regjisori.

“Historia e protagonistit tim kryesor, Oliver, më është sjellë nga një mik që personazhin e ka takuar dy vjet më parë. Miku im më tregoi për këtë personazh i cili vendosi të shkojë të jetojë vetë, në ‘egërsinë’ e Kanadasë, duke u përpjekur të ndërtojë një jetë të mirë, prandaj në ato momente unë menjëherë ndjeva që potenciali narrativ ishte absolutisht i pranishëm”, tregon Maxville.

Sipas tij, finalizimi i dokumentarit ishte mjaft i shpejtë, pasi që ai e ka shkruar historinë gjatë stinës së verës në vitin 2019 për rreth dy muaj kur edhe është arritur të financohet. Së pari, është kërkuar financimi i një filmi të shkurtër, i cili u mundësua në Zvicër. Pastaj, nga fundi i vitit 2019 deri në gjysmën e parë të vitit 2020 është përfunduar dhe redaktuar i tërë filmi duke kaluar në fazën e post-produksionit.

“Ishte vërtetë e vështirë të editoje një film artistik (tani 82 minuta) me buxhetin e një filmi të shkurtër, por e gjithë ekipi e kuptoi që ia vlente”, potencon ai.

Për Maxville, ishte një surprizë e madhe që dokumentari ishte zgjedhur në kategorinë ‘filmi më i mirë’ në konkursin kombëtar në festivalin ‘’Visions du Réel’’, sepse Zvicra është shumë e njohur për filmat dokumentarë, dhe për këtë arsye, të jesh pjesë e garës, ishte tashmë një sukses i madh për të.

‘Visions du Reel’ u cilësua nga regjisori si një nga festivalet më të mira të dokumentarëve në botë prandaj edhe rreziku për të paraqitur këtë lloj filmi që është shumë i vrazhdë, shumë i dhunshëm, dhe shumë eksperimental, është shumë i lartë por megjithatë ai shprehet i kënaqur dhe i lumtur që shumica e kritikave ishin shumë pozitivë dhe inkurajues.

Pjesëmarrjen në këtë festival me filmin ‘’Nostromo’’, regjisori e ka shoqëruar edhe me rrëmbimin e çmimit për filmin më të mirë. Këtë vlerësim dhe arritje të veçantë regjisori e ka pritur me një habi të vërtetë.

“Ishte një befasi e plotë, për arsye se konkursi i dokumentarëve zviceranë është shumë i vështirë dhe dalja nga festivali me çmime për filmin më të mirë nuk është vetëm një befasi por një nder masiv”, shprehet ai.

Tutje ai ka shprehur dëshirën dhe shpresën e madhe që filmi të shfaqet edhe në Kosovë.

“Unë gjithashtu shpresoj që ne do të jemi në gjendje ta sjellim filmin në Kosovë shumë shpejt. Atëherë, padyshim, një shfaqje në kinema do të ishte e shkëlqyeshme, por situata aktuale është aq e komplikuar për tu trajtuar”, përfundon Maxville.

Ndërsa, rrugëtimi i dokumentarit pas këtij çmimi të fituar është menduar të pritet një reagim mbështetës për potencialin e filmit nga disa kompani shpërndarëse. “Visions du Réel”, ishte një premierë botërore dhe tani filmi pritet që të ketë premierën ndërkombëtare të filmit në festivale të tjerë gjithashtu shumë të mëdha. / KultPlus.com

Pink e ka paralajmëruar dokumentarin e ri mbi jetën e saj

Këngëtarja e njohur amerikane, Pink, ka ndarë detaje nga dokumentari i saj i ri, i cili do të shfaqet në platformën digjitale “Amazon Prime Video”.

Me titull “P!NK: All I Know So Far”, dokumentari vjen i punuar nga regjisori i filmit “The Greatest Showman”, Michael Gracey. Ai sjell pamje nga prapaskenat e turneut të vitit 2019 të këngëtares, “Beautiful Trauma Tour”, kësaj mundohet ta balancoj jetën si nënë e dy fëmijëve, grua, afariste dhe performuese.

“I realizuar nga regjisori shumë i talentuar Michael Gracey. Me protagonist fëmijët më të lezetshëm, të krijuar nga unë. Edhe unë përfshihem në këtë dokumentar të ri. Bashkohuni me ne në prapaskenat e turneut, dhe shikojeni si realizohen këto ngjarje”, kishte shkruar Pink në postimin e saj në Twitter.

Dokumentari i cili e përfshinë një përzierje të pamjeve nga prapaskenat e koncerteve, intervista dhe xhirime personale të këngëtares dhe familjes së saj, do të lansohet më 21 maj 2021.

Vitin e kaluar, Pink e kishte ndarë me publikun lajmin se ajo dhe djali i saj janë prekur nga koronavirusi, menjëherë pasi ishin diagnostikuar, duke shpjeguar se kjo sëmundje ua kishte vështirësuar frymëmarrjen dhe Jameson ishte ankuar për dhimbje të mëdha të gjoksit. Këtë eksperiencë këngëtarja e përshkroi si një prej gjërave më të frikshme që i ka kaluar në jetë.

Pas shërimit nga COVID-19, këngëtarja e famshme e muzikës i dhuroi 1 milion dollarë, të cilat i kishte ndarë në dy pjesë të barabarta për fonacionet, “Temple University Hospital Emergency Fund” në Philadelphia dhe “City of Los Angeles Mayor’s Emergency COVID-19 Crisis Fund”. / KultPlus.com

2017 MTV Video Music Awards – Arrivals – Inglewood, California, U.S., 27/08/2017 – Pink. REUTERS/Danny Moloshok

Si jetonin shqiptarët, shfaqet pas 37 vitesh dokumentari që e ndaluan komunistët

Paul Lendvai, dikur një gazetar që nga Hungaria shkoi në Shqipërinë e viteve ‘80, sot profesor dhe njohës i shkencave politike, sjell për herë të parë për publikun shqiptar dokumentarin ‘‘Shqipëria nga Skënderbeu te Enver Hoxha’’.

Më shumë se 30 vite më vonë, përmes këtij filmi dokumentar do të mund të kthehet koka pas në Shqipërinë e atyre viteve ku edhe vizitat e gazetarëve planifikoheshin nga sistemi.

Filmi shoqërohet me vijën melodike të këngës ‘’Enver Hoxha tungjatjeta’’, ndërsa pamjet e para të dokumentarit e nisin rrugëtimin e tij në Tiranë me imazhin e Stalinit në shtatore. Radhët e gjata, mungesa e ushqimeve, “tollonat” dhe shumëçka që sot duket e harruar rikthehet me imazhet e këtij filmi.

“Në një moment, drejtuesve të udhëheqjes nuk i pëlqeu filmi, nuk mundet t’i pëlqente, dhe filluan të diskutonin mes tyre se kush i kishte mundësuar këtij ardhjen në Shqipëri”, kujton përkthyesi e atëhershëm i dokumentarit, Sokol Mici.

Filmi dokumentar shfaqet në kuadër të ditëve të kujtesës si një ndër ngjarjet e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë. \ a2news / KultPlus.com