Lansohet raporti i parë mbi dokumentimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Era Berisha

Pikërisht në këtë ditë e cila është menduar të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, duke përkujtuar viktimën e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila është dhunuar brutalisht nga forcat serbe e për cka ende nuk është marrë një dënim i merituar për dhunuesin, tanimë nga qendra QKRMT, ka filluar iniciativa që ka nisur tash e 2 vite për një kërkesë zyrtare që iu dedikohet viktimave të dhunës seksuale, shkruan KultPlus.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), sot ka mbajtur një konferencë për media me rastin e publikimit të raportit “E drejta për të vërtetën – Viktimat pa emër”.

Ky raport ka dalë si rezultat i dokumentimit të rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në kuadër të projektit: “Rritja e angazhimit për drejtësi tranzicionale në Kosovë përmes dokumentimit të dhunës seksuale gjatë luftës”, QKRMT ka nisur dokumentimin gjithëpërfshirës të rasteve të dhunës seksuale, në bashkëpunim me organizatat partnere: Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG), Medica Kosova dhe Medica Gjakova.

Të pranishme në këtë konferencë ishin: drejtoresha e QKRMT Feride Rushiti, Fatmire Haliti – udhëheqëse e këtij grumbullimi dhe Mirlinda Sada nga qendra Medica Gjakova, të cilat folën për dokumentimin statistikorë të 345 rasteve të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Ideja e krijimit të një platforme dhe dokumentimin gjithëpërfshirës dhe sistematik të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka qenë prioritet që nga fillimi për organizatën QKRMT dhe organizatat e tjera. Në vitin 2019, është dhënë mundësia nga Ambasada Zvicerane në Kosovë dhe QKRMT ka marrë përsipër dokumentimin e këtyre krimeve”, ka thënë Rushiti.

Sipas saj, institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar për ti grumbulluar dhe krijuar një arkivë gjithëpërfshirëse ku krimet do të duhej të ishin dokumentuar mirë, e pastaj që ky arkiv të jetë një shërbim për gjeneratat e reja. Por, së bashku me 3 organizatat e tjera është arritur dokumentimi i dëshmive që kontribuojnë në të vërtetën, duke krijuar një ballafaqim të drejtë dhe të saktë mbi të kaluarën ku njëkohësisht zëri i këtyre rasteve të dëgjohet.

Ndërsa, ajo që ka udhëhequr këtë program, Fatmire Haliti ka folur mbi të dhënat që kanë dalur nga kjo platformë dhe të cilat priten të pasurohen ende më shumë edhe në vitet në vazhdim.

“Nga 345 raste të dokumentuara, 20 nga ta janë djem dhe burra, 325 janë gra dhe vajza, kurse nga të gjitha rastet e dokumentuara, 6% janë të komunitetit jo shumicë, duke përfshirë boshnjake, rome, egjiptiase etj. Ndërsa, 11% të rasteve kanë qenë të moshës nën 18- vjeçare, kur është përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës. Po ashtu, 22%  e viktimave, dhunën e kanë përjetuar në shtëpinë  e tyre kur forcat e armatosura kanë bastisur shtëpitë e tyre. Këto janë paraqitur si rastet më të vështira të cilat shpalosin historinë e tyre”, ka thënë Haliti.

Sipas saj, ato viktima ende jetojnë në ato shtëpi duke mos pasur guxim që të tregojnë historinë e tyre ndaj familjarëve të tjerë. Këta të mbijetuar jo vetëm që janë raste të dhunimit por edhe kanë qenë dëshmitare të atij akti, duke lënë kështu mjaft pasoja jo vetëm psikologjike por edhe fizike të cilat kanë pasuar edhe në sëmundje organike.

Po ashtu, për këtë iniciativë dhe bashkëpunim që u cilësua si një nismë që do të kompletohet me monstra të tjera në një raport kredibil që do tu shërbejë organizatave të ndryshme dhe institucioneve të tjera për hulumtime dhe do të shërbejë edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale, ka folur edhe Mirlinda Sada.

“Shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje për të pasur një numër dokumentues dhe sa më gjithëpërfshirëse të të gjithë të mbijetuarve. I falënderoj të gjithë të mbijetuarit që morën pjesë në këtë raport për rrëfimet e tyre në një situatë të tillë, dhe të gjithë stafin që është marrë në këtë raport”, tha për fund Sada. / KultPlus.com