Shtëpia Botuese ‘Drita’ prezanton botimet e vitit 2023 në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’

Mbrëmjen e 22 shkurtit, në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’ që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza ne Prishtinë, Shtepia Botuese ‘Drita’ prezantoi botimet e vitit 2023, shkruan KultPlus.

Në ambientet e ngrohta të bibliotekës ‘Ernest Koliqi’ i pari fjalën e mori Don Fatmir Koliqi i cili fillimisht falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen.

“Më lejoni që si përgjejës i Shtëpisë Botuese ‘Drita’ të bëj një prezantim të shkurtër  të ‘Dritës’. Shtëpia jonë botuese është organi i ipeshkvisë sonë, e cila që nga vitet e 90-ta, ka filluar të botojë libra, kryesisht nga lëmi i shkencave humane, botime të kulturës shqiptare dhe kulturës së krishterë ndër ne. Ajo që në fillimet e saja, së pari si revistë e më vonë edhe si shtëpi botuese ka si moto ‘Drita lufton kundër errësirës kur ndriçon’. Botimet janë të ndara në seri botimesh, që aktualisht janë 11 seri. Ajo ndër vite i ka rifreskuar këto seri, disa prej tyre i ka bashkuar apo shkrirë e disa i ka krijuar të reja. Prej këtyre serive janë botuar 148 tituj’, u shpreh Koliqi.

Shtëpia botuese Drita, vitin e kaluar, në bashkëpunim me shtëpinë botuese ‘Alfabet’ Ka botuar njërën ndër librat me vepra të shekullit njëzet: Hyrje në Krishterim, të gjitha krahasitë. Për të folur për këtë libër, i pranjishëm në këtë panel ishte pronari i shtëpisë botuese ‘Alfabet’, Krisë Shkrupi.

“Kjo vepër ka mbetë si doracak kryesor për këtë landë që është shumë e rëndësishme për me e lidhë filozofinë me teologjinë dhe mbetet e tillë si vepër. Është shumë mirë e shkruar, shumë mirë e strukturuar, shumë mirë janë sqaruar dhe shpeshherë me aq kollajtësi termet ose temat, të cilat janë shumë të vështira të teologjisë ose të filozofisë, saqë është për mahnitj edhe për këtë arsye e kam shumë përcjellë, për këtë arsye e kam vendosur që kjo vepër më vonë më u përkthye në gjuhën shqipe”, tha para të pranishmëve Krisë Shkupi.

Shtëpia Botuese ‘Drita’, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në shkup kanë botuar librin e Don Lush Gjergjit ‘Nënë Tereza, dashuria në veprim’, në tri gjuhë. Për këtë vepër, i ftuar të flaës në këtë panel ishte drejtori i institutit, Skender Hasani.

“Ky libër në mënyrë shkencore i argumenton prezencën iliro-arbëroro-shqiptare në këto treva dhe sidomos të Shkupit. Dhe ne po mundohemi që ky liber të jetë edhe vëllimi i parë i historisë së shqiptarëve të Maqedonisë”, theksoi Hasani në fjalimin e tij.

Ndërkaq, për të folur për librat, Martirët: Ekumenizmi i Gjakut dhe librin Etika e Syçeltësisë, fjalën e mori Don Lush Gjergji.

‘Këto letra që i ka zbërthyer në mënyrë të janë zakonshme dhe janë botuar edhe në gjuhën italishte, e tash së fundi edhe në gjuhën shqipe na japin një porosi të jashtëzakonshme, se pa qetësi nuk mund as të besojmë edhe më pak të jetojmë dhe të dëshmojmë. Ja, për këto dy vepra që kanë karakter teologjik, e ata që nuk e kanë përfunduar teologjinë kanë frikë që të lexojnë, po u tregoj që janë një lloj meze që nese i merrni në dorë, do të keni të vështirë t’i lëshoni prapë’, u shpreh Don Lush Gjergji.

E krejt në fund, para të pranishmëve një fjalë rasti e morën edhe autorët e librave./KultPlus.com

Don Lush Gjergji publikon në gjermanisht librin për Nënë Terezën

Këto ditë doli nga shtypi libri „Mutter Teresa ganz nah“ (Gespräche mit der Heiligen Mutter Teresa) e Dr Lush Gjergjit, e përkthyer nga gjuha shqipe me titull „E kam në zemër popullin tim shqiptar“.

Libri është përkthyer nga Selajdin Gashi dhe Arben Gashi dhe i përgaditur për botim nga LSHAKSH-në Gjermani dhe sekretari, Pal Sokoli. Korrektore është Silivia Schmitz-Gashi.

Libri është botuar me një titull tjetër nga ai në gjuhën shqipe “Nëna Terezë nga afër“ vetëm për ta dëshmuar si të afërt për të gjithë e sidomos për lexuesit gjermanfolës.

Shtëpia Botuese; Bernardus-Verlag in der Verlagsgruppe Mainz, në bashkëpunim me, Lidhjen e Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani nxoren këtë libër pikërisht për jubileun e 25 vjetorit të shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe nëntëmbëdhjetë vjetorit të shenjtërimit të saj. Libri përmbanë intervista të autorit dhe intervista të tjera më nënën tonë tanimë shenjtore.

Libri ka 96 faqe dhe i është përmbajtur botimit origjinal të botuar nga Don Fatmir Koliqi. Ky libër kohëve të fundit është promovuar nëpër të gjitha trojet shqiptare dhe është përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe italiane. Pritet të përkthehet edhe në gjuhë të tjera. /Pal Sokoli/ KultPlus.com

Hapen dy ekspozita në Prishtinë kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës

Në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Nënë Terezës” u hapën dy ekspozita në Prishtinë, kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës.

Në qendrën “BogdaniPolis” në Katedralen Shën Nënë Tereza u mbajt ekspozita “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, ku u paraqitën fotografi ekskuzive të Nënë Terezës. Për detajet e ekspozitës dhe fotografitë e saj foli Imzot Don Lush Gjergji, duke shpalosur kujtimet që nga vitet e 80-ta ndërsa foli për rëndësinë, jetën dhe veprën e Nënës Terezë, zemërgjerësinë dhe fisnikërinë që pati ajo.

Ndërsa fotografi shumë të veçanta të Nënë Terezës u paraqitën edhe në ekspozitën që u hap në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ekspozita kishte fotografi që nga fëmijëria e Nënës Terezë, nga shkollimi e deri tek mësimi qe u jepte të tjerëve, nga veshja tradicionale e Prizrenit e deri tek humanizmi i saj në Kalkutë, fotografi këto që pasqyronin shenjtërinë dhe dashurinë e saj.

Në hapjen e ekspozitave mori pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Imzot Don Lush Gjergji, përfaqësues të Ipeshkvisë së Kosovës si dhe personalitete tjera nga jeta politike e kulturore. / KultPlus.com

Pse libri “E kam në zemër pupullin tem Shqiptar”?

Nga Don Lush Gjergji

Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull ”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?

Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.

Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluarnjë lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjilli i pestë”,  sepse botohen si tërësi:

  • 7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minin;
  • 5 vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986);
  • fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” (10 dhjetor 1979);
  • përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me Nënën Tereze gjatë gjithë këtyre viteve, apo “Nëna ime Tereze”, me pesë faksimile apo dorëshkrime burimore të saja në gjuhën shqipe, si dhe shumë fotografi që botohen për herë të parë..

Botimi anglisht ka edhe dy risi: kapitulli i fundit, Shën Nëna Tereze dhe bashkësia shqiptaro-amerikane, f. 94- 106; intervista e Avni Spahiut me Nënën Tereze në aeroportin e Prishtinës (1980), f. 1 107 – 109.

Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajoka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar që, sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk ka pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

  • Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;
  • Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;
  • Për ta imituar, së paku në mirësi dhe dashuri, në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe.”
  • Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
  • Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, sipas parimi:“Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.
  • Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.
  • Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen. Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor,  si dëshmi e krishterimit ndër ne nga koha apostolike, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.
  • Tradita jonë ilire, arbërore, shqiptare, mikpritja dhe bujaria, të begatuara me motive ungjillore, janë gërshetuar mjeshtërisht, hyjnisht në jetën dhe veprën e Shenjtëreshës së jetës dhe të dashurisë, në Shën Nënën Tereze.
  • Prandaj, 25 – vite pa Nënën Tereze, fizikisht, vite këto të hireve dhe bekimeve me të Lumen dhe Shën Nënën Tereze, për Kishën dhe Popullin tonë.

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin  tonë Shqiptar si dhe për botën mbarë!/drita.info / KultPlus.com

Fillojnë ‘Ditët e Nënë Terezës’, Imzot Dodë Gjergji: Gjatë këtyre ditëve do të mundohemi të ecim në shembullin dhe mendësinë e saj

Flonja Haxhaj

“Jeta është mundësi, pranoje!
Jeta është bukuri, sodite!
Jeta është lumturi, shijoje!
Jeta është ëndërr, realizoje!
Jeta është sfidë, përballoje!
Jeta është detyrë, kryeje!
Jeta është lojë, luaje!….”

Janë pikërisht këto vargje e uratë e Nënë Terezës, me të cilat filloi Akademia Solemne që edhe i parapriu ‘Ditëve të Nënë Terezës’, të cilat mbahen për nder të ditëlindjes dhe 25-vjetorit të vdekjes së saj, shkruan KultPlus.

Para pjesëmarrësve të cilët kishin mbushur plot sallën e qendrës ‘Bogdanopolis’, të parit iu dha fjala Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit.

“Përgjatë këtyre 10 ditëve të Nënë Terezës do të përpiqemi që të ecim në shembullin e saj, në mendësinë e saj dhe në sugjerimet që na i jep ajo nëpërmjet jetës, nëpërmjet fjalës dhe nëpërmjet uratës. Janë 25 vite që kur Nënë Tereza kaloi në amshim dhe ajo nuk është më fizikisht në mesin tonë, por janë 25 vite kur ne intenzivisht jemi me të sepse dëshirojmë t’i ngjajmë asaj”,  u shpreh Dodë Gjergji, duke bërë thirrje që nëpërmjet rrugëve që ndoqi Nënë Tereza, të punohet për të dhënë sa më shumë dashuri, sepse është pikërisht kjo për çka njerëzit janë të etur.

Akademia Solemne vazhdoi me promovimin e librit në gjuhën angleze të Don Lush Gjergjit, ‘I hold my albanian people in my heart’, i cili është përkthim i librit shqip ‘E kam në zemër popullin tim shqiptar’, bashkëbisedime me Nënë Terezën.

E për të folur rreth këtij libri, foli vetë përkthyesi i tij në gjuhën angleze, Avni Spahiu, i cili mes tjerash tha se Nënë Tereza është një prej shenjtoreve të pakta që u përzgjodh për ta shenjtëruar botën, dhe e cila hyri në historinë botërore e shpirtërore.

“Ka pasur shumë humanistë në historinë e botës, shumë njerëz që i kanë sjellë njerëzimit vepra të mira, që kanë mbetur në historinë e përgjithshme, por prej tyre vetëm disa në historinë shpirtërore, një numër i vogël i të përzgjedhurve që e kanë shenjtëruar botën. Kombi ynë dha të paktën një shenjtore në historinë e vetë, dhe Nënë Terezë të vetmen në shekullin e XX-të. Nënë Tereza qëndron mes këtyre njerëzish të përzgjedhur.”, tha Spahiu, i cili më tutje shtoi se kjo shenjtëri i shtoi virtytet për kombin shqiptar dhe e lartësoi atë mbi kombet e tjera.

Më pas, sopranoja Arta Jashari dhe pianistja Pranvera Hoxha interpretuan ‘Valsin hyjnor’ e i cili edhe konsiderohet si himni i Nënë Terezës.

E menjëherë pas kësaj pike muzikore, fjala iu dha Don Lush Gjergjit, i cili ka shkruar me dhjetëra libra në nderim të figurës dhe jetës së Nënë Terezës. Në këtë Akademi Solemne, Don Lush Gjergji mbajti ligjëratë me temën ‘Shën Nënë Tereza, 25 vite pas kalimit në amshim, trashëgim dhe frymëzim’.  

“Çka kam parë, çka kam dëgjuar dhe çka kam përjetuar gjatë shoqërimit me Nënë Terezën prej takimit tim të parë më 29 mars të vitit 1969, një kohë të gjatë i kam ruajtur në rezervuarin e mendjes dhe zemrës sime dhe pastaj i kam thënë vetvetes, kjo mund të jetë vetëm një egoizëm dhe një egocentrizëm, prandaj kishës sime dhe popullit tim shqiptar dua me një libër përmbledhës t’ua dhuroj atë çka unë me sytë e mi pashë, me veshët e mi dëgjova, me zemrën time përjetova”, tha Don Lush Gjergji, duke u shprehur më tutje se të gjithë ata që nuk e kanë pasur mundësinë të takohen me Nënë Terezën, të jenë pjesëmarrës të kësaj ngjarje nëpërmjet librit.

Don Lush Gjergji, po ashtu, dha lajmin se në ditën e 25-vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, libri i tij është botuar edhe në gjuhën gjermane.

Mbrëmja vazhdoi edhe me interpretimin e këngës ‘Kroi i fshatit tonë’, që u interpretua sërish nga Arta Jashari dhe Pranvera Hoxha.

I pranishëm në akademinë që hapi ‘Ditët e Nënë Terezës’ ishte edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili rrëfeu para publikut edhe lidhshmërinë e tij me figurën e Nënë Terezës.

“Isha 16-vjeçar kur kam dalë prej Prishtinës dhe kam shkuar në Londër dhe aso kohe si 16-vjeçar në një kryeqytet kaq të madh dhe krejt ndryshe nga ai që kam lindë e jam rritë deri në atë kohë. Kur njerëzit më pyesnin se nga vija, kur i thoja nga Prishtina, njerëzit në vitin 1992 nuk e dinin ku është Prishtina, as ku është Kosova, as ku është Shqipëria. E ajo që u thosha në Londër është ‘Unë jam shqiptar, si Nëna Terezë’”, tha Rama, duke i uruar të pranishmit për hapjen e kësaj akademie./ KultPlus.com

Kush është Gonxhe Bojaxhiu – Shën Nënë Tereza

Nga Don Lush Gjergji

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910, nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane l. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18  vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos”, që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi si infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”.

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe selakim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën. U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza bazore jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997). Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: feja, shpresa dhe dashuria.

FEJA – KËRKIM

Faza e pare 18 vjeçare karakterizohet me kërkime. Gonxhja së pari në gjirinë e saj familjar gjithnjë kërkonte prej prindërve babës Kolë dhe nënës Drane, kuptimin e jetës dhe domethënien e veprimit. Më vonë këtë kërkim e kishte vazhduar edhe në bashkësinë famullitare të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, së bashku me rininë katolike, por edhe me të gjithë të tjerët. Kërkonte në brendi dhe në thellësi pse-hin e shumëçkahit, nuk ndalej vetëm në vrojtime dhe konstatime, por gjithnjë hulumtonte, gjurmonte, analizonte…

Ja dëshmia e saj: “Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’u dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur… Në fillim nuk më pëlqente fare ky mendim, “tundim”. Disa herë kam menduar se isha liruar nga kjo dëshirë… Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ndihmoi shumë për ta arritur një vendim të tillë”.

Pas afro gjashtë viteve të “luftës” me Zotin, ajo kupton, pranon, përcaktohet për jetën rregulltare. Ajo thoshte: “Më 14 gusht të vitit 1928 u gjunjëzova para trupores së Zonjës së Letnicës me qiri në dorë dhe me zemër të dhezur duke u lutur kështu: Më munde o Zot, fitove o Zonjë! Unë kam vendosur që të bëhem motër misionare për t’iu kushtuar Zotit dhe të afërmit, sidomos të varfërve të botës”.

Dhe kjo fe, ky kërkim nuk u ndërpre më askurrë. Kërkonte vullnetin e Zotit, Zotin, nëpërmjet njeriut, dhe në njeriun vëlla – motër – Zotin, bile edhe në ata që s’kishin më as dukje njerëzore, sepse ishin të shëmtuar nga varfëria, uria, sëmundja, dëbimi, gërbula… Gjithnjë kërkonte dhe gjithnjë gjente Zotin në çdo njeri, dhe mu për këtë ishte aq e lumtur, më e lumtura në botë “sepse 24 orë në ditë jetonte dhe vepronte me Zotin, për Zotin, me njeriun, për njeriun”.

Kërkimi i saj vazhdoi gjatë tërë jetës, në çdo hap dhe kënd të botës, në çdo mënyrë dhe rrethanë jetësore, me çdo mjet dhe mundësi, me një qëllim të vetëm: Që njeriu – njerëzimi mos të pësojë, por të jetojë, mos të urrejë, por të dashurojë, mos të vdesë, por të jetojë tani dhe në amshim. Syri, mendja dhe zemrae saj e madhe ishin gjithnjë në kërkim në nder dhe lavdi të Zotit, në të mire dhe në dobi të njeriut, të popullit.

Për Nënën Tereze të besosh domethënë të kërkosh.

SHPRESA – VEPRIM

Faza e dytë jetësore e Nënës Tereze karakterizohej me veprim sipas stilit dhe porosisë së Jezu Krishtit i cili thotë: S’kam ardhur të më shërbejnë, por të shëbej dhe ta dhuroj jetën time për shëlbimin e botës. Motra Tereze e Loretos shpresën e konkretizoi në veprim shërbimi. Së pari si infermiere, më vonë si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme të Motrave të Loretos në Kalkutë dhe në rrethinë, gjithnjë me shumë përkushti dhe me plot dashuri. Së shpejti bëhet Histori e kërkimit të pashoq dhe të veprimit shembullor në dobi të vëllaut njeri, pa dallime gjinore, kombëtare, fetare, rasore, kastore… Për afro 20 vite e mësonte rininë e Kalkutës, i edukonte me fjalë, mësime,  shembull, jetë gjithnjë e udhëhequr nga fuqia e fesë dhe nga frymëzimi i dashurisë. Mirëpo as kjo nuk e kënaqte. Të gjithë e donin dhe e nderonin, e admironin, mrekulloheshin me jetën dhe veprimtarinë e saj, ndërsa ajo gjithnjë kërkonte, vepronte dhe e pyste vetveten para Zotit dhe para ndërgjegjjes: Kush jam unë? Çka kërkon dhe prêt Zoti prej meje? Çka duhet të bëj unë këtu dhe tani për këta njerëz, për mbarë Kalkutën, Indinë, për mbarë njerëzimin?

Dhe ja prapë dëshmia e saj: “Si fluturon koha këtu. Kur ndalem dhe mendoj për thirrjen time misionare, mund të them vetëm një FALËNDERIM të madh e të përzemërt, Ty o Zot, që më ke dashur aq shumë dhe që më ke dhënë mundësinë e dashurisë së përkujdesjes ndaj të tjerëve” (Nga letra vëllaut Lazër në viti 1937).

DASHURIA – FLIJIM DHE DHURIM

Nga kjo fe – kërkim – shqetësim kreativ, nga ky veprim – shërbim që ishte shpresa e saj e madhe dhe e pathyeshme, lindi edhe faza e tretë: NËNA TERZE – MISIONARE E DASHURISË, dhurimi dhe flijimi si shprehje e vazhdueshme dhe e plotë e Dashurisë. Kërkimi (feja), veprimi (shpresa) dhe dhurimi (dashuria) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprim – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

Vetëm duke dhënë njeriu merr;

Vetëm duke harruar vetveten, njeriu e gjen veten;

Vetëm duke falur njeriu është i falur;

Vetëm duke dashuruar njeriu gjen jetën dhe lumturinë”.

Dhe vazhdon:

            “Më bëj të denjë, o Zoti im

            t’u shërbej të gjithë të varfërve të mbarë botës

            të cilët jetojnë dhe vdesin në uri dhe në varfëri.

            Jepju atyre nëpër duart tona  bukën e përditshme

            nëpër dashurinë tonë paqen dhe gëzimin”.

Së bashku me Nënën tone Tereze edhe ne do të besojmë në Zotin dhe në Njeriun, do ta kërkojmë njeriun vëlla ose motër, për t’u takuar, afruar, vëllazëruar dhe bashkuar në shërbim të të Mirës, të të Drejtës, të Vërtetës, mbi të gjitha të Dashurisë. Nëna Tereze me ZOTIN – DASHURI dhe me VËLLAUN – NJERI bëri vërtet mrekullii si binom i pandashëm i jetës dhe veprimit të saj të madh në të gjitha meridianet e botës. Risia e vjetër dhe gjithnjë e re është feja, shpresa dhe dashuria, që për Nënën Tereze ishin kërkimi, veprimi dhe dhurimi, e vetmja  mundësi dhe fuqi për ta ndërruar dhe përmirësuar së pari veten, pastaj edhe të tjerët. Plagët tona të vjetra apo të reja ende gjakojnë dhe si të tilla na kërcnojnë dhe rrezikojnë.

T’i çelim sytë për të parë më mire, më qartë, më thellë dhe më larg, ta angazhojmë mendjen për të kuptuar më mirë dhe më rrënjësisht vetveten dhe botën rreth nesh, ta zgjojmë dhe zgjerojmë ndërgjegjjen dhe zemrën për kërkim, veprim dhe dhurim, për bashkpunim dhe bashkëjetesë dhe vëllazëri me të gjithë. Nëse nuk i mundim ndarjet dhe përqarjet e çfarëdo lloji, atëherë ne ende nuk jemi të lirë, aq më pak të mirë, por të robëruar nga e keqja. Ta flakim urrejtjen dhe ta mësojmë dhe zbatojmë artin e jetës – dashurisë, sepse vetëm kështu ne do të jemi bijtë dhe bijat e denja të Nënës së Dashurisë, dhe ajo do të jetë dhe do të mbetet Nëna jonë Tereze, së shpejti Shën Terezja jonë. Kështu ajo na mëson dhe na frymëzon, këtë ajo na dhuron. Me të të gjithë t’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, dmth. së pari Zotit, pastaj njëri – tjetrit, sepse vetëm vëlazërisht dhe bashkarisht mund të jetojmë dhe përparojmë duke u mbështetur në të vërtetën dhe në dashurinë.

Këtë ia kemi borxh Nënës Tereze, vetvetes, të tashmes dhe ardhmërisë sonë./drita.info / KultPlus.com

Dom Lush Gjergji: Për Nënë Terezën, sëmundja më e keqe ishte mungesa e dashurisë

Dom Lush Gjergji, autor i 17 librave rreth Nënë Terezës thotë se vepra dhe jeta e saj ka një aktualitet të jashtëzakonshëm, megjithëse po bëhen 25 vjet nga vdekja e Shenjtores me origjinë shqiptare. 

Dom Lush Gjergji i Ipeshkvisë së Prishtinës dhe Prizrenit, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se mesazhi i saj ishte që dashuria është mbi të gjitha.

Ajo mbi të gjitha është nëna e jetës. Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne. Pra na meson se si duhet ta çmojmë, ta nderojmë dhe ta duam jetën prej zanafillës deri tek ofshama e fundit, apo kalimi në amëshim. Është nëna e dashurisë. Dashuria është nevoja kryesore dhe e vetmja mundësi që njeriu të jetë i lumtur”, thotë Dom Lush Gjergji, duke shtuar se për Nënë Terezën “sëmundja më e keqe është mungesa e dashurisë”.

Biografi i Nënë Terezës e takoi atë për herë të parë në vitin 1968 dhe më dhjetra herë më pas. Ai thotë se elementet që karakterizojnë disa nga vlerat e shqiptarëve si mikpritja dhe bujaria kanë qenë të mishëruara në veprën e Nënë Terezës që u shërbeu njerëzve ne nevojë.

“Nëna Terezë nuk e ka ndarë kurrë Zotin prej njeriut dhe kurrë njeriun prej Zotit dhe pikërisht për këtë e ka dashur Zotin në njeriun dhe njeriun në Zotin. Dhe kjo duhet të jetë porosia jonë”, thotë ai.

“Duhet ta kultivojmë sa më tepër vëllazërinë gjithëshqiptare, në çdo njeri ta njohim vëllain apo motrën, aq më tepër në çdo njeri shqiptar dhe ta kemi një dashuri konkrete, jo spektakolare, jo të jashtëzakonshme, jo vetëm mendimore por edhe vepruese”, thotë ai.

Dom Lush Gjergji thekson se marrëdhëniet mes bashkësive fetare në Kosovë janë të rëndësishme për të mirën e përgjithshme.

“Ne si bashkësi fetare, si Kishë Katolike si edhe Bashkësia Myslimane apo Islame, si edhe Kisha Ortodokse e kemi një detyrë të jashtëzakonshme dhe një borxh ndaj Zotit dhe ndaj njeriut që ta bëjmë këtë lloj harmonizimi që të mos biem në ndikime të së keqes, që të mos jemi të kufizuar në atë çka është e mira (vetëm) vetjake, ose e bashkësisë (fetare). E mira është gjithmonë e përbashkët dhe nuk ka të mire tjetër përpos vëllazërisht dhe bashkërisht të jemi mirë dhe të jemi të lumtur”, tha ai.

Duke iu referuar marrëdhënieve me Kishën Serbe në Kosovë ai thotë se vështirësitë nuk janë teologjike apo fetare, por shton se gjithmonë duhet shtruar dora e komunikimit.“Rrethanat janë ndonjëherë më të favorshme, ndonjëherë më pak të pafavorshme, mirëpo mundësi për bisedim, për dialog, për komunikim ka gjithmonë”, tha ai. /VOA/ KultPlus.com

Don Lush Gjergji i përgjigjet Husamedin Abazit: Askush në botë s’mund të krahasohet me Nënën Terezë

Një deklaratë e Hoxhës Husamedin Abazi, e dhënë në Pressing të T7, ku tha se Nëna Terezë nuk është vlerë nacionale dhe se nëpër institucione më mirë është të vendoset fotografia e Mulla Idriz Gjilanit, ka ngjallur reagime. Kësaj deklarate të Abazit, i ka dhënë përgjigje Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, raporton Express.

Në një prononcim për Gazetën Express, Don Lush Gjergji ka thënë se askush në botë s’mund të krahasohet me Nënën Terezë.

Sipas tij, Nëna Tereze është një “përjashtim” pozitiv jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për mbarë njerëzimin.

“Çdo njeri dhe personalitet e ka vendin e vet. Nëna Tereze është një “përjashtim” pozitiv jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për mbarë njerëzimin, si figurë karizmatike kushtuar Zotit – Dashuri dhe vëllait apo motrës – njeri, bile atyre që askush nuk kujdeset për ata. Shembulli dhe dëshmia e saj janë universale dhe unike jo vetëm në historinë e krishterimit, por edhe të njerëzimit.

Çdo nderim Mulla Idriz Gjilanit, si dhe figurat tjera tona të njohura dhe të nderuara, që janë të mëdhaja dhe të rëndësishme për ne, megjithatë askush në botë, e jo vetëm në botën shqiptare, nuk mund të krahasohet me Shën Nënën Tereze”, ka deklaruar Gjergji.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Abazit, Don Lushi ka thënë se është mirë që të mësohemi t’i njohim, nderojmë, duam dhe mbi të gjitha t’i imitojmë figurat e ndritshme.

“Është mirë që edhe ne si shqiptarë të mësohemi t’i njohim, nderojmë, duam, mbi të gjitha t’i imitojmë figurat tona të ndritshme, sepse kur zemra është plotë, goja mbetet e zbrazët – memece, dhe anasjelltas, kur kur goja është plotë, mos po rrezikojmë që zemrën ta kemi të zbrazët. Le të garojmë për të mirë të gjithë!”, ka thënë ai për Express.

Ndryshe, Hoxhë Hysamedin Abazi ka thënë mbrëmë se myslimanët janë të diskriminuar në vendin tonë.

Ai deklaroi se Mulla Idriz Gjilani ka bërë shumë më shumë për Kosovën se Nëna Terezë, ndërkohë vetëm fotoja e nobelistes së paqes ndodhet në të gjitha institucionet e vendit.

“Ne kemi një lloj diskriminimi të shumicës absolute të këtij vendi e që janë myslimanët”, tha Abazi.

“Ne me gjithë respektin që kemi ndaj asaj gruaje të madhe që e kemi pasur si popull, Nënën Terezë, e cila e dimë se është një murgeshë e cila sot nuk ka institucion tek ne, prej presidentes e kryeministrit e të tjerë që nuk e kanë të vendosur fotografinë e saj”, shtoi ai.

Sipas Abazit, Nëna Terezë nuk është vlerë nacionale.

“Ajo (Nënë Tereza) nuk është vlerë nacionale. Shumë më vlerë nacionale kishte me qenë Mulla Idriz Gjilanin me pas nëpër institucionet e tona por nuk e ke askund”, tha Abazi.

Abazi tha se ka respektin më të madh për punën e nobelistes për njerëzimin.

“Mulla Idriz Gjilani ka punu, ka luftu dhe ka derdh gjak për këtë vend. Kur është puna për ne Nëna Terezë s’ka bërë sa ka bërë Mulla Idriz Gjilani e shumë të tjerë”, tha Abazi në Pressing./Gazeta Express

 

“Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, Don Lush Gjergji: Kjo ekspozitë tregon se Skënderbeu pati guxim që t’i kthehet vetvetes si ilir, si arbëror

Era Berisha

Dorëshkrime, vula, gravura, ksilografi, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare, manuskripte mbi pergamenë, buste në mermerë, vepra diverisve të punuara në teknika të ndryshme, mbrëmë kishin zënë vend në hapësirën e Galerisë Kombëtare të Kosovës, me rastin e hapjes së ekspozitës të titulluar “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve”, ekspozitë kjo nga artisti Luan Tashi me kurator Remzi Hasani, që synoi të fuqizojë akoma më shumë figurën tonë historike, Gjergj Kastriot Skënderbeu, shkruan KultPlus.

Kur ora shënoi 19:00, të pranishmit pothuajse mbushën plot hapësirën përreth duke admiruar e duke u përqendruar në jo vetëm pikturat artistike të punuara me temperë afresk apo edhe me vaj, por edhe në fotografitë e dimensioneve të mëdha që artisti Tashi i ka sjellë në një formë të re të artit konceptual. Identifikimi, përshkrimi, interpretimi i përmbajtjes së imazheve, subjektet e përshkruara e deri tek detajet e veçanta të përdorura për ta bërë këtë, duket se kanë krijuar një ikonografi skënderbejane që nga fillimi i ekspozitës e deri në mbarim, duke rezultuar në një gërshetim të stilit artistik dhe dimensionit historik.

Pas hulumtimeve shumë-vjeçare shkencore të portreteve të heroit kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu si vazhdimësi e librit monografik të botuar më parë, artisti Tashi hap këtë ekspozitë që shpërfaqë mbi 65 vepra dhe artefakte të tjera mjaft të begatshme duke filluar qysh nga vepra e parë e skalitur në gurë nga skulptori dhe arkitekti shqiptar Andrea Nikollë Aleksi, punuar në vitin 1455, për të vazhduar tek vepra e punuar nga piktori arbëresh, Roberto Gammone, i cili e ka punuar portretin e Skënderbeut në teknikën ‘vaj në pëlhurë’ në vitin 2018, e deri tek monumenti madhështor i Skënderbeut të skulptorit shqiptar, Bujar Vani, të vitit 2022.

Përgjatë mureve të Galerisë Kombëtare të Kosovës që ka nisur tashmë programin për vitin 2022, shihet qartazi portreti i Skënderbeut në versione të ndryshme nga autorë të ndryshëm të cilët e shfaqin atë zakonisht me kapelë apo përkrenare me kokën e dhisë. Kurse, fytyra e tij është e kthyer anash në gjysmë profil ku dallohet hunda e tij skifter, mjekra e gjatë e rrallë herë atë e shohim edhe me flokë të gjata. Ndërsa, në veshje dallohet mbizotërimi i ngjyrës së kuqe, për ti dhënë kështu atij një karakter të guximshëm e jashtëzakonisht frymëzues.

Tërë këto vepra artistike me një cilësi shumë të lartë sot gjenden gjithandej qyteteve evropiane për të dëshmuar për njërën nga figurat historike dhe këto vepra sot ruhen në galeri, muze, biblioteka si dhe në koleksione private duke filluar nga Vjena, Parisi, Londra e deri në New York.

Nëpërmjet kësaj ekspozite, artisti Luan Tashi konsiderohet se i ka dhënë një dimension të ri projektit të tij studimor, duke e përafruar artistikisht më pranë publikut të gjerë, figurën e Skënderbeut, të këtij kalorësi që deri në fund të jetës së tij u rezistoi me sukses të gjitha sulmeve dhe pushtimeve osmane, i cili duke e mbrojtur popullin shqiptar, u bë edhe mburojë e qytetërimit evropian.

Pastaj në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës për të treguar për këtë ekspozitë që vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga artisti Tashi i cili solli hulumtimin e tij me vite të tëra, foli profesoresha nga Maqedonia e Veriut, Jëlldëz Asani.

“Sa kam përgjegjësinë, po aq kam edhe kënaqësinë që sonte ta bëj hapjen e ekspozitës me fotografi kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të përzgjedhura në mënyrë artistike nga artisti, portretisti dhe studiuesi shumëvjeçar, Luan Tashi. Kryesisht këto imazhe që do ti shihni këtu shfaqen si faksimile të letërkëmbimeve dhe manuskripteve, si fotografi të stemave dhe vulave por më tepër janë edhe reproduksione të pikturave, skulpturave dhe gravurave”, thotë Asani.

Sipas saj, Skënderbeu sa ka qenë figurë historike, po aq është edhe artistike, andaj dhe jo rastësisht, edhe heroi kombëtar ka frymëzuar një numër të madh të krijuesve nga vendi dhe bota ku figura e tij në vazhdimësi ka qenë objekt trajtimi jo vetëm i historianëve, i letërsisë, dramës, muzikës por edhe arteve pamore.

“Çdo trajtim vizual i kësaj figure personaliteti ka një histori dhe një rrëfim në vete duke paraqitur dokumente, dëshmi historike si dhe mjete komunikimi dhe mediume artistike. Andaj, këto vepra figurative përbëjnë thelbin e idesë dhe subjektin tematik të trajtimit shumëdimensional të Luan Tashit, i cili e pasqyron figurën e Skënderbeut dhe njëkohësisht bënë lidhjet mes pikturës dhe fotografisë. Pra, ai krijon një lloj relacioni që është evidente edhe sonte në këtë ekspozitë”, shpalos Asani.

Ndërsa, kuratori Remzi Hasani foli rreth figurës së Skënderbeut, figurë kjo që është bërë pjesë e arteve shqiptare qysh nga viti 1968.

“Artistët shqiptar e trajtojnë figurën e Skënderbeut dhe ndoqën punën e artistëve botërorë. Figura e tij bëhet pjesë e arteve shqiptare qysh në vitin 1968 me rastin e shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së tij. Busti i portretit të Skënderbeut e vitit 1889 është i punuar nga atdhetari, skulptori dhe piktori Murat Toptani, bust ky që njihet si i pari në botën shqiptare. Versioni i Skënderbeut vjen nga ikonografi Anastas N. Ballamaçi në vitin 1898 i frymëzuar nga piktura e rojës perandorake të piktorit francez Théodore Géricault në vitin 1812. Më 1890, është punuar një portret nga Kolë Idromeno. Figura e tij është e paraqitur edhe në pikturën e punuar më 1927 nga Zef Kolombi”, shpalos Hasani.

Sipas tij, pas një sërë monumentesh të ngritura në sheshet e qyteteve shqiptare, Odhise Pasakli në vitin 1939, realizoi portretin epik të heroit kombëtar me tipare me fuqi titanike. Ndërsa, ndër monumentet më madhështore të figurës së Skënderbeut cilësohet vepra e mjeshtrit shqiptar, Janaq Paço.

Kurse, Don Lush Gjergji, foli për rëndësinë që kjo ekspozitë ngërthen në vete, duke bërë thirrje që kjo ekspozitë duhet të prekë në zemrën dhe ndërgjegjen tonë.

“Skënderbeu është moisiu arbëror edhe pas 554 viteve ai jeton në kujtesën e jo vetëm popullit shqiptar por në atë të mbarë njerëzimit. Kemi shumë elemente dhe dimensione historike dhe aktuale të jetës dhe veprës së tij. Figura e tij zgjon shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime deri edhe tek kundërshtimet apo diskutimet. Kjo dëshmon bindshëm se aktualiteti i tij vazhdon të jetë sfidë për çdo njeri të vullnetit dhe të zemrës së mirë e sidomos për ne, dikur ilir në kohën e tij, arbëror, e sot shqiptar. Ai popullit tonë i’a kthej dinjitetin dhe personalitetin, i’a kthej lirinë dhe pavarësinë duke përmirësuar gabime të shumta të dinastive apo principatave tona të ndara e të përçara. Ky njeri arriti ti bind arbërorët se vetëm të vëllazëruar e bashkuar, mund të jetojmë dhe mbijetojmë”, thotë ai.

Sipas tij, Besëlidhja e Lezhës, akti kulmor i artit dhe strategjisë së vizionit të Skënderbeut, vuri gurë themelin për shtetin arbëror me një kohezion dhe bashkëpunim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit të rëndësishëm, ‘shtet dhe komb’.

“Skënderbeu e ndriçoi dhe vlerësoi historinë tonë ilire, pra lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin duke frymëzuar për vlera dhe virtyte. Kjo ekspozitë e pikturave të ndryshme të kohërave të ndryshme na mëson se Skënderbeu pati forcë, vizion, guxim e trimëri që t’i kthehet vetvetes si ilir, si arbëror dhe të bëjë që principatat shqiptare të jenë të vëllazëruar e të bashkuar, duke lënë anash ndarjet e përçarjet për një ide të lartë të vëllazërimit shqiptar. Kjo ekspozitë nuk mund të shihet vetëm me sy, nuk mund të jetohet vetëm me mend por duhet të prekë zemrën dhe ndërgjegjen e secilit prej nesh se sa ne në Gjergjin tonë, gjejmë pasqyrën për ta parë vetveten, për të qenë vetvetja e për të dëshmuar lashtësinë tonë por edhe të tashmen”, përfundon ai.

Po ashtu, artistja Zake Prelvukaj erdhi me një rrëfim rreth autorit e njëkohësisht bëri thirrje që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Sa krenare qëndron sot Galeria, flet ndryshe, flet më shumë se kurrë më gjuhën e shpirtit, gjuhën e shenjtë të kombit tonë. Luani është artist rebel multidisiplinar sepse asnjëherë nuk është ndalë në vetëm një stacion krijues por në shumë prej tyre. Ai gjithmonë vazhdon të hulumtojë duke mos u ndalur fare duke i dhënë vetes detyrë shumë të vështirë; hulumtime në terrene të ndryshme për veprat nga artistë evropianë e shqiptarë si: dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaikë, monedha, medalje, pulla postare e të tjera. Për shumë arsye, sidomos për brezin e ri kërkoj që kjo ekspozitë të zë vend të përhershëm në hapësirat e Muzeut tonë Kombëtar”, thotë ajo.

Gjithashtu, artisti Luan Tashi krejt në fund falënderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre duke i përshëndetur ata përzemërsisht me ç’rast shënoi të hapur ekspozitën.

Me hapjen e kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës fillon me sukses planprogramin e vitit 2022.

Ndërkaq, ekspozita “Portrete të Skenderbeut gjatë shekujve” do të qëndrojë e hapur për një muaj. / KultPlus.com

Dun Lush Gjergji: Koha e Coronavirusit të na mësojë ta duam jetën dhe njëri-tjetrin

Ky virus, për mendimin dhe vlerësimin tim, e ka “zhveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës”  dhe arrogancës, nga besëtytnitë që njeriu i sotëm, di dhe mund shumëçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit  të vetë njeriut. Ndoshta, kjo na bënë mirë të gjithëve, dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domosdoshëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të varur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri – tjetrit.

Një intervistë e Don Lush Gjergjit dhënë Linda Karadakut, Tiranë

Çfarë ka ndodhur me familjen tuaj? Si u infektuan?

Një pjesë e familjes time, si dhe shumë familje shqiptare nga Kosova, por edhe nga viset e ndryshme shqiptare, janë në punë dhe në jetë në botën e jashtme. Familjarët e mi janë vite të tëra kryesisht në Bergamo dhe në rrethinë. Atje tashmë janë ambientuar si në jetë, ashtu edhe në punë, edhe pse ëndrrat dhe zemra e tyre është gjithnjë në Kosovë. Ata, si dhe të tjerë, me një anë nuk pajtohen me këtë realitet të ri, por hetojnë dhe konstatojnë që tash për tash zgjidhje tjetër nuk ka. Gjithnjë më thonë: na mbyti pagjumësia dhe malli! Tash janë të rrezikuar edhe nga koronavirusi më së tepërmi atje. Për t’i ikur kësaj vatre tejet të rrezikshme të infektimeve, por edhe për t’u shmall dhe pushuar në vendlindje, me pranverë shumë “dallëndyshe” kthehen në çerdhet e tyre stërgjyshore. Kështu bëri edhe vëllai im Mihilli, me gruan e tij, Dranën, erdhën në Kosovë me fluturim Verona – Prishtina, më 5 mars 2020. Çdo gjë ishte rregull me kontrollime mjekësore, si në Verona, po ashtu edhe në Prishtinë. Si duket, së paku kështu thonë ekspertët, virusi ishte në fazën e inkubacionit, dhe pasi një javë dite, ishte tejet agresiv dhe aktiv. Vëllai pati kollitje, shtrëngim në gjoks, plogështi. Pas kontrollimeve fillestare, “amatoreske” në Viti dhe në Gjilani, pa fajin e tyre, qe dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë, ku gjendet edhe tash, së bashku me të birin Robertin, dhe me shoqen e tij, Suzanën, në terapi. Mjekët thojnë se gjendja e tyre tash për tash është stabile. Lusim Zotin jo vetëm për familjarët e mi, por edhe për të gjitha ata që janë të kërcënuar dhe të rrezikuar nga kjo sëmundje ngjitëse, e cila, fatkeqësisht na ka gjetur neve, por edhe mbarë botën, të papërgatitur. Bota po e paguna ndoshta tepër shtrenjtë vetëbesimin e tepruar,  nënçmimin e këtij rreziku, mos të them prepotencën dhe arrogancën…

Si jeni ju vete?

Unë të dielën e kaluar, më 8 mars 2020, isha në Stubëll, në vendlindje, dhe si çdo herë u shmalla dhe u kënaqa me takime, Meshë dhe shumë çka tjetër. Kuptohet, me vëllain Mihillin, si dhe me familjen e tij në Kosovë, patëm edhe darkën, së bashku me famullitarin e vendit, Don Jeton Thaqin. Të ejtën e kaluar, më 12 mars, kuptova që im vëlla Mihilli, ishte hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Prishtinë. Fill, për përgjegjësi ndaj vetes, edhe më shumë ndaj bashkëpunëtorëve, por edhe publikut, iu nënshtrova testimit të premten në mbrëmje, 13 mars 2020, diku rreth orës 19. 00.

Çfarë shenjash kishin familjarët tuaj?

Temperaturë, plogështi, kollitje, shtrëngim në fyt dhe në gjoks, shenja karateristike të këtij virusi, si duket, mjaft agresiv dhe për disa, sidomos për të moshuar dhe njerëz me sëmundje kronike, edhe i rrezikshëm.

Si ndjeheshit ndërkohë që prisnit rezultatin e analizës?

Eh, ta them të vërtetën, të “rrëfehem” botërisht, pritja edhe për mua ishte mjaft e gjatë dhe jo e lehtë, diku 24 orë, edhe pse më kishin thënë që do të bëhej më shpejtë. E kuptoj “vonesën”, nëse kështu mund të them, sepse tashmë “Kosova”, sidomos vendlindja ime, Stublla, por edhe Klina, janë vatra e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Ditën e kalova në uratë, aty-këtu shkrim dhe lexim, në pritje të “gjatë”, por gjithsesi me fe dhe shpresë…

Çfarë këshille do t’u jepnit njerëzve ne Kosove dhe kudo tjetër?

Së pari të jemi sa më të përgjegjshëm për shëndetin tonë, si dhe të të afërmve, familjarëve tanë, dhe t’iu përmbahemi përpikërisht udhëzimeve nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ndoshta kemi harruar tashmë të jetojmë së bashku në rrethin apo ambientin familjar, duke jetuar dhe punuar me një lloj “vrapimi” dhe frenezie që po na merr “frymën”, shpirtin, vlerat tona tradicionale, përkujdesjen për fëmijë dhe për pleq dhe plaka. Më kujtohen dy thëne tejet të qëlluara, tash edhe shumë aktuale: “Mjerë ajo shtëpi së s’ka pleq dhe fëmijë” dhe “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, vlera këto që na kanë mbajtur nëpër shekuj dhe e kanë ruajtur vitalitein tonë. Është bllokuar thuaj gjithçka, shkolla, puna, udhëtimi, prodhimi, një botë e mbështetur vetëm në materializëm, konsumizëm, hedonizëm, relativizëm dhe ateizëm praktik, është në rrezik dhe çrregullim të tërësishëm…

Ky virus, për mendimin dhe vlerësimin tim, e ka “zhveshur” shoqërinë tonë bashkëkohore nga ndjenja e “prepotencës”  dhe arrogancës, nga besëtytnitë që njeriu i sotëm, di dhe mund shumëçka, mos të them gjithçka, duke paraqitur brishtësinë e teknikës, teknologjisë, shkencës, mjekësisë, fundi i fundit  të vetë njeriut.

Ndoshta, kjo na bënë mirë të gjithëve, dhe është një mësim dhe qortim i rëndë, por edhe i domosdoshëm. Mësimi është ky: jemi një familje e madhe botërore, të varur, së pari prej Zotit, pastaj prej njëri – tjetrit. Virusi nuk njeh kufij, “viza Shengen”, ndalime, kontrollime…

Sa bukur do të ishte që bota jonë të jetë e tillë, me përgjegjësi, liri, paqe, demokraci, vëllazëri, e mbështetur me vlera dhe virtyte gjithënjerëzore dhe të krishtera. Lusim Zotin dhe shpresojmë për një botë më të mirë, më njerëzore, jo vetëm ekonomike, komerciale, ku paraja mbiçmohet, jemi të robëruar nga “zoti – para”, ndërsa Zoti dhe njeriu nënçmohet dhe anashkalohet…  Populli thotë mirë: çdo e keqe sjell ndonjë të mirë!

A duhet të na shërbejë kjo pandemi për te qenë me njerëzor, t’u kthehemi vlerave dhe te duam me shume jetën dhe njeri-tjetrin?

Kjo do të ishte edhe porosia më e bukur, mirësi, afërsi, bujari, vëllazëri me çdo njeri, sepse jeta është tepër e shkurtë, dhe ne atë nuk mund ta jetojmë sido, me egoizëm, egocentrizëm, bajraktarizëm, “partitizëm”, me ndarje dhe përçarje të pakuptimta dhe vetëvrasëse dhe vëllavrasëse…

T’i kthehemi vetvetes dhe të Vërtetës, kjo është ftesa ime për çdo shqiptarë apo shqiptare, por edhe më gjerë, sepse “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”, “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën” dhe “veprat e dashursië janë vepra të paqes” do të na porosiste Shën Nëna jonë Tereze.

Besojmë, shpresojmë dhe dashurojmë Zotin, njëri-tjetrin, në krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë.

Veçanërisht a duhet të kemi me shumë kujdes për të moshuarit? Dhe një sistem më të mirë shëndetësor?

Sistemi shëndetësore në nivelin global, evropian dhe botëror, është treguar shumë I dobët, pa ndonjë përgatitje të mirëfilltë njerëzore dhe profesionale, pa struktura adekuate… E te ne, e dimë që është edhe më keq. Na ruajt Zoti prej çdo të keqeje dhe rreziku!

Të vdekurve nga koronavirusi, ta gëzojnë pushim e pasosur, të sëmurëve shërim sa më të shpejtë dhe të mirë, atyre që janë për ngushëllime, së pari Zoti i ngushëlloftë, pastaj afërsia dhe pjesëmarrja jonë dhe  e tjerëve, në këto dhembje dhe pikëllime, u qoftë mbështetje dhe përkrahje!/drita.info /KultPlus.com

Euridicioni krijues dhe shpresëdhënës, gjallëri dhe interpretim kulturor për brezin e ri ilir

Nga Don Lush Gjergji

Djaloshin poliglot dhe me informacion universal Elvi Sidherin e kam njohur vite me parë, gjatë perkthimit të një libri studimor e monografik të studiusit të njohur italian dhe evropian Luca DE POLI, Ibrahim Rugova, viaggio nella memoria tra il Kosovo e l’Italia, (Ibrahim Rugova Rrugëtimi në kujtesën e tij mes Kosovës dhe Italisë), në përkthim të shkëlqyeshëm shqip të Elvit, botuar nga Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2017, f. 220.

Ky botim e mori Shpërblimin e parë në Itali në konkursin ndërkombëtar në vitin 2016 në Firence, Seksioni: Biografitë, dhe ishte çmuar jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë, kudo në botë, si studim shumë i qëlluar dhe dokumetuar.

Përkthimi dhe botimi shqip quditërisht mbeti pa zë dhe pa jehonë ndër ne, përse askush nuk e di dhe nuk e thotë. Siç duket, të tillë jemi ne, që nënçmojmë vetveten, njëri-tjetrin, dhe mbiçmojmë të tjerët, sidomos nëse janë të huaj. Kësaj radhe edhe i huaji shkruan mjaft mirë për dr. Ibrahim Rugovën, për Kosovën, për Popullin shqiptar, por kot.

Duket intreset tona nuk janë më libri, krijimtari, kultura, arti, por diçka tjetër… Populli thotë: E kemi humbur rrugën në oborr. Sfidat e reja të jetës dhe veprimtarisë, si duket, na kanë gjetur “në gjumë”, pa përgatitje.

Përthimi shqip i Elvi Sidhedherit është shumë i rrjedhëshëm dhe mjaft besnik, si i tillë, pra, edhe i suksesshëm. Fill sa e mora në dorë dhe e lexova versionin shqip e kuptova që ishte një njeri me njohuri të begtashme gjuhësore, me përgatitje solide kulturore dhe jetësore, me përspektivë të mirë për punë dhe krijimtari artistike, sepse puna dhe përkthim ishte bërë vërtet me përkushtim dhe shumë dashuri.

Pastaj e njoha edhe në krijimtarinë e tij letrare, sidomos nëpërmjet dy romaneve që sot po i paraqesim dhe promovojmë, ku përpos njohjes dhe begatisë gjuhësore, punës dhe përkushtimit në shkrim, përshkrim, do të thoja gati “pikturim” gjuhësor, ai është një krijues i ri, gjithnjë i etshëm dhe uritur për të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, duke lënë gjurma të pashlyeshme nëpërmjet përshkrimeve dhe përjetimeve artistike dhe letrare.

Albanologjia shqiptare ka nevoje për kësi lloj mendjesh të përndritura, sikurse kishte nevojë dikur Kisha universale për një Shën Jeronim ilir, studiues, përkthyes dhe komentues të “Vulgates”, përkthimit të tërësishëm të Biblës nga gjuhët e vjetra hebraishte, greqishte, pjesërisht aramaishte, në gjuhën e asaj kohe dhe bote, që ishte latinishtja, (sivjet përkujtojmë dhe kremtojmë së bashku me botën e kulturës 1600 vjetorin e vdekjse së tij).

Ai, por edhe shumë të tjerë, klerikë dhe shekullarë, gjatë shekujve, prej Pal Engjëllit deri te i ndjeri Dr. Don Gaspër GJINI, Don Simon FILIPAJ, ishin studiues, gjuhëtar, përkthyes dhe krijues të zellshëm dhe të suksesshëm, përkrahës të komunikimit jo vetëm gjuhësor, por edhe të vlerave dhe virtyteve tona dhe anasjelltas, të botës për ne dhe ndër ne.

Përkthyesit i ngjasojnë një urë – lidhjes mes kulturave e popujve, ku përmes kësaj simbioze shpirtërore, intelektuale e integruese, planetin tonë e bëjnë në vazo kulturore të përbashkët në shkëmbimin e vlerave letrare, kulturore e kombëtare, botën e bëjnë më të njësuar, më tolerante, më të informuar, por edhe me të vëllazëruar, të mbështetur në të Vërtetën dhe të begatuar dhe fisnikëruar me Dashuri.

Këtë dimension intelektual dhe letrar, synime kulturore dhe artistike, pa dyshim i ka edhe margaritari i lindur apo i fituar nga puna e palodhshme dhe me përkushtim, Elvi Sidheri, i cili përmes botimit të këtyre dy romaneve jep prova, porosi dhe dëshmi për rininë shqiptare se: emancipimi letrar e kulturor nuk është privilegj, por flijim dhe përkushtim, dhe mundësia që të jesh vetvetja, nuk është utopi, por mundësi konkrete dhe reale.

Mesazhi i Ronald Rolanit: ,,Te krijosh d.m.th. te vrasësh vdekjen’’ është gjithmonë aktual e maksim për të gjithë, sidomos për brezin e ri në trojet tona stërgjyshore, edhe më shumë në diasporë, që mos të pësojë nga materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, por të jetë vetvetja gjithnjë, si në jetë dhe në veprimtari, po ashtu edhe në krijimtari, që hyjnorja dhe njerëzorja të gërshetohen dhe begatohen.

Shoqëria, populli pa vlera dhe virtyte, pa krijimtari burimore, nuk ka as të tashme, edhe më pak të ardhme.

Të shkruash roman domethënë angazhimi i të gjithë mendjes e qenies, që brendia të shpaloset, vlerat të përpunohen dhe ofrohen, ngjarjet dhe personazhet të përshkruhen dhe portretohen, si përjetim artistik, por edhe si përvojë jete dhe porosi frymëzuese.

Bota e brendshme, mendore dhe shpirtërore, dhurohet, paraqitet, ofrohet, bëhet pjesë edhe për të tjerët, në veçanti për lexuesit e botimeve.

Autori Elvi Sidheri, i frymëzuar nga këto ide, dëshira dhe porosi të romaneve, shkëlqen si në planin ideor dhe artistik, po ashtu edhe në atë gjuhësor dhe botëkuptimor, ku në qendër të rrëfimit është etnopsikologjia shqiptare dhe mbijetesa e individit në kohëra të mjegulluara dhe të pasigurta.

Këtë bërthamë narrative e ngërthejnë në vete edhe romanet “Emigrantja” dhe “Dy Botë”, që reflektojnë një frymë post moderne letrare, si një model kulturor e universalizëm letrar, i cili nuk i pranon cenimet apo copëtimet, po as ngurtësimet që imponohen nga jashtë.

Është nder për Institutin Albanologjik dhe dashamirët e tij dhe të letërsisë, qe ta promovojmë krijimtarinë e këtij krijuesi, model për brezin e ri, i cili përmes rrugës jo të lehtë, po hyn krah-hapur dhe natyrshëm në botën e letërsisë shqiptare, pse jo edhe asaj universale.

Urojmë që emri Elvit tonë të dashur t’i pushtojë majat e letërsisë kombëtare dhe ndërkombëtare, së bashku me shumë krijues tanë, dhe të tjerë, për një botë më njerëzore, për një takim, afrim dhe bashkim më të ngrohtë, për një “shtëpi” të përbashkët në bukuri, vlera dhe virtyte, që jetën tonë e bëjnë më të mirë, përjetimet tona më të bukura, ëndrrat tona më të realizueshme, idetë dhe idealet e përbashkëta të vëllazërisë gjithë-njerëzore të përjetuara dhe të dëshmuara në përditësi.

Shpresojmë dhe urojmë që në këtë mozaik kombëtar dhe ndërkombëtar, Elvi Sidheri të jetë një margaritar i çmuar dhe i dalluar. Urime dhe përgëzime!

Prishtinë, 6 shkurt 2020

(Reflektim për Romanet “Emigrantja” dhe “Dy Botë” të shkrimtarit Elvi Sidheri) / KultPlus.com

Ibrahim Rugova në vlerësimin tim

NgaDon Lush Gjergji

Filozofia dhe politika sipas Dr. Ibrahim Rugovës

Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu.

Këtë përcaktim e shpjegonte  kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atë herë ishte edhe fatbardhësia jonë (vërejtja ime), por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri…

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë…Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd…Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet…Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Lidershipi i Dr. Ibrahim Rugovës dhe qëndrueshmëria e tij sot

Vizioni i tij ishte mjaft i qartë, shumë i vendosur dhe shi për këtë së shpejti ishte shndërruar në Lider, udhërrëfyes dhe vizionar në nivelin popullor, te intelektualet, te rinia, me paraqitje të dinjiteteshme dhe të qeta, njëkohësisht të vendosura dhe parimore, por edhe të argumentuara dhe paqësore. Natyra e tij e butë, niveli i tij intelektual i lartë, largpamësie e tij pothuaj profetike e ndihmonin dukshëm në këto veprime. Nga bashkëpunimi dhe njohja ime që nga viti 1981 e deri në vdekje, kam pasur përshtypje dhe përvoja shumë pozitive. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënën Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Bota dhe Dr. Ibrahim Rugova dhe trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci

Trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci pa dyshim ishte filozofia dhe përcaktimi i tij politik dhe jetësor. Këtë e kanë cekur edhe autorët dhe studiuesit tanë dhe të huaj. Dr. Enver Bytyqi  nënvizon politikën e tij kombëtare dhe ndërkombëtare kështu: “Madje vizioni i Ibrahim Rugovës nuk ishte shfaqur ndonjëherë në historinë e të gjitha vendeve ballkanike. Ai ishte një lloj lëvizjeje që synonte detyrimin moral, bazuar në vlera. Ajo ishte një lëvizje për çlirimin bazuar në virtyte, në moralin e shoqërisë njerëzore.

Thelbi i lëvizjes së Rugovës për çlirim ishte mospërdorimi i dhunës… Para së gjithash kjo strategji kërkonte vetëdije të plotë politike, vetëbesim, si dhe përgatitje psikologjike, shpirtërore, sociale e shoqërore të njerëzve që e përfaqësonin… Dy milion shqiptarë ishin bashkuar në mbështetjen e tyre ndaj politikave të lëvizjes çlirimtare, të cilat i kishte prezantuar Rugova” (Enver Bytyqi, Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës, vep. e cit. fq. 81-83).

Dr. Ibrahim Rugova dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe më gjerë, asaj shqiptare në Ballkan

Ai sigurisht se ishte Lideri ynë që paraqiti kërkesat popullore dhe të drejtën themelore për liri, demokraci dhe vetëvendosje, pas gjithë asaj që kishim pësuar historikisht dhe aktualisht. Bindja e tij e thellë dhe jetësore se shqiptarët jemi në anën e të mirës, të drejtës dhe të vërtetës, pra, kemi argumente si historike, ashtu edhe aktuale, apo si e kisha formuluar unë: ne shqiptarët thënë figurativisht kemi mall të mirë, por jemi tregtarë të dobët, që Ibrahim Rugovës i pëlqente shumë, e shtynte atë për internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës, sepse e dinte fare mirë se bota do të jetë me ne, jo pse jemi shqiptarë, apo kundër serbëve, por për hir të së drejtës dhe të vërtetës, kuptohet, nëse dimë ta paraqesim dhe mbrojmë botërisht.

Kjo “luftë” mediale pamoro-dëgjimore e mjeteve të komunikimit, e qarqeve politike dhe diplomatike, dukej si ajo biblike mes Davidit dhe Goliatit, sepse serbët kishin çdo gjë në dorë. Mirëpo Presidenti Ibrahim Rugova shpesh më thoshte kështu: “Ne anën tonë është e vërteta, historia, toka e Kosovës”.

Këtyre tri të vërtetave duhej t’i shtoheshin edhe dy shtylla të rëndësishme: vetëdija jonë kombëtare dhe përcaktimi ynë paqësor dhe jodhunor deri në fund, pa hequr kurrë dorë prej vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë iliro-shqiptar.

 Pa këtë fitore mediale dhe politike kurrë nuk do të vinte deri te ndërhyrja e NATOS, Lufta Çlirimtare e Kosovës, pra, deri te liria dhe pamvarësia e Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova dhe personalitetet evropiane dhe botërore

Para qëndrimit të tij paqësor dhe jodhunor, para argumenteve historike dhe aktuale, para dëshmive të terrorit dhe tmerrit shtetëror jugosllavo-serb, bota nuk mund të ishte indiferente, sepse ai e kishte prekur ndërgjegjen e Amerikës, të Bashkësisë Evropiane dhe më gjerë. Me Dr. Ibrahim Rugovën çështja jonë u bë tashmë çështje ndërkombëtare e ndërgjegjes së mbarë njerëzimit.

Presidenti Ibrahim Rugova stërgjinë tonë e arsyetonte kështu: “Strategjia paqësore dhe jodhunore është një zgjidhje dhe një nevojë. Në shekujt e kaluar pati shumë lufta në Ballkan dhe ne shqiptarët jemi paditur si ata që e kishim “destabilizuar” paqen. Kështu e kemi zgjedhur strategjinë jodhunore për ta mposhtur këtë tezë…Tani kemi dëshmuar para botës se jemi një popull që ka zgjedhur paqen me mjete paqësore dhe jodhunore. Jodhuna është një mënyrë, sepse që tre  vite kemi mbetur pa polici, pa parlament, pa qeveri, sepse serbët i kanë dëbuar shqiptarët nga këto institucione. Megjithatë strategjia jodhunore dhe paqësore është  më tepër një përcaktim se një nevojë, në mënyrë që bota ta hetojë se jemi të nëpërkëmbur dhe të vetmuar nga të gjithë…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugosllavia, EMI Bologna, 1993, fq. 29-30).

Diplomacia dhe rezistenca paqësore jodhunore e dr. Ibrahim Rugovës

Kjo diplomaci dha fryte ndoshta edhe të papritura dhe të paparashikueshme. Mirëpo si duket ne e kemi një “defekt” ndoshta edhe konstitutiv, të mirën e harrojmë shumë lehtë dhe shpejtë, e të keqen shumë ngadalë, mos të them kurrë. Kështu po ndodh edhe me figurën e Presidentit tonë të parë dhe historik Dr. Ibrahim Rugovën, ku ka pak studime, e ajo që është edhe më keq, aktualizime të porosive të tija.

Dr. Enver Bytyqi strategjinë e Dr. Ibrahim Rugovës e vlerëson kështu në mënyrë përmbledhëse: “Kështu rezistenca e shqiptarëve ishte koncentruar në mosnjohjen e pushtetit serb, në refuzimin e këtij pushteti dhe ligjeve të tij në politikë, në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në çështje sociale, në sipërmarrjet ekonomike e në sistemin e taksave. Bojkoti i shqiptarëve kishte sjellë me vete jo vetëm një risi të re në luftërat ballkanike për liri, pamvarësi e demokraci, por i kishte ndërgjegjësuar shqiptarët në Kosovë e në ish-Jugosllavi se kjo kishte qenë forma më e suksesshme e rezistencës…” /Enver Bityqi, vep. e cit. fq. 103/.

Presidenti dr. Ibrahim Rugova gjithnjë i pati në mendje dhe në zemër dy figura tejet të dalluara: Papën Gjon Pali II dhe Nënën Tereze.  Këto dy figura markante kishin ndikim dhe frymëzim në jetën dhe në veprën e Ibrahim Rugovës,  sepse ai, por edhe populli shqiptar, nëpërmjet tyre arriti ta informonte dhe sensibilizonte botën, mbi të gjitha Amerikën dhe Bashkësinë Evropiane, për gjendjen tonë reale, si dhe për të kërkuar dhe gjetur bashkë me miqët tanë rrugën e lirisë dhe të demokracisë, atë të bashkëjetesës dhe të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, kuptohet, në dobi dhe të mirë të të gjithëve (Lexo: Enver Bytyqi, vep. e cit. fq. 112-119).

Takimet e mia dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Dr. Ibrahim Rugovën

E kam takuar për herë të parë personalisht në vitin 1981, në Brezovicë, në Takimin e  Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ndër të tjera i kam dhuruar tri botime të mia të shtypura nëpërmjet shtëpisë botuese DRITA: “Krishti ndër ne”, katekizëm për rrëfim dhe kungim të parë; Pjesën e disertacionit tim “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri” dhe monografinë time të parë kushtuar Nënës Tereze “Nëna jonë Tereze”.

Ishte shumë i kënaqur dhe i falënderueshëm për këto botime, sidomos për “Besëlidhja e Re”, botimi i “Dritës” dhe përkthimi i Dom Simon Filipaj.

Më tha ndër të tjera: “Kjo qenka një mrekulli e vogël për ditët tona… Nëpërmjet shtypit të mirëfilltë po ringjallet tradita dhe po përtërihet kultura jonë biblike dhe kristiane. Katër libra që shënojnë katër binare tona: Biblën, katekizmin apo edukimin e mirëfilltë tonë, disertacioni i Juaj i rrallë, ndoshta edhe unik për femrën shqiptare, dhe ajo që në veçanti me pëlqen, monografia kushtuar Nënës Tereze… Do t’i lexoj sa më parë dhe pastaj do t’i diskutojmë dhe shqyrtojmë së bashku, sepse janë me interes të veçantë… Ne doemos duhet të takohemi dhe të bashkëpunojmë… Prej ditës së sotme Ju jeni anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sepse ne kemi nevojë për njerëz dhe literaturë të tillë… Nga zemra u falënderoj!”.

Nga kjo ditë dhe ky takim ne nuk u ndamë më, sepse mirëkuptimi, bashkëpunimi, përplotësimi ishte shumë i natyrshëm aq sa pata përshtypje se jemi rritur dhe edukuar së bashku. Hetova se kishte një kulturë dhe traditë shumë të dalluar, njihte fare mirë historinë e popullit dhe të Kishës katolike gjatë shekujve, sidomos atë gjatë sundimit shekullor turko-otoman. Ishte i hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi. Për herë të parë nga goja, mendja dhe zemra e tij e madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin “Kisha jonë katolike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën, traditën, kulturën, qenien tonë kombëtare shqiptare… Mendoj se po vjen koha kur duhet prapë të takohemi dhe të bashkëpunojmë…”.

Ky vlerësimi ishte për mua risi dhe befasi e dorës së parë, sepse siç dihet, gjatë komunizmit dhe ateizmit të Jugosllavisë së Josip Broz Titos, bashkësitë fetare,  sidomos Kisha katolike, trajtoheshin si “armiq të Popullit dhe të Shtetit”.

Mbi këtë takim e informova në hollësi Imzot Nikë Prelën, i cili më dëgjoi më vëmendje, por edhe  me ndonjë dyshim dhe pyetje. Ndër të tjera ai më tha: “Kujdes, sepse ti je ende shumë i ri e nuk e njeh “politikën” e tyre… Unë i kam njohur mirë nëpër burgje dhe gjyqe, në lëkurën dhe shpinën time… Ndoshta po vjen ndonjë kohe e re”. Dhe i hapi krihet drejt qiellit dhe tha: “Dhashtë Zoti! Ne duhet të punojmë shumë, të lutemi dhe të shpresojmë. Shumë gjatë dhe padrejtësisht kemi vuajtur, e kush e di…”.

Së shpejti qe organizuar një takim i Imzot Nikë Prelës dhe Dr. Ibrahim Rugovës. Që nga ky takim me pak fjalë, por me shumë ndjenja, intuitë, do të thoja edhe “shpirt profetik” këta dy Njerëz u kuptuan, fituan besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, populli do të thoshte “u gjetën”.

Në skenë ishte Kisha katolike Shkup-Prizren, e cila pa dashje u bë në një mënyrë “zëri i Zotit dhe i Popullit”, bartëse dhe përfaqësuese e shumë proceseve që ishin me shekuj të ngulfatura, të ndaluara, siç është liria qytetare dhe fetare, kultura alternative, jo më ajo komunisto-ateiste, e drejta e popullit Shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Pas vdekjes së Josip Broz Tito-s hetohej se hegjemonia komuniste dhe fryma “kolonialiste” ndaj Kosovës dhe Shqiptarëve nuk funksiononte më. Prej Vitit 1981, demonstratave studentore, punëtore dhe gjithëpopullore, populli ynë gjithnjë e më shumë vetëdijesohej se ndoshta erdhi çasti historik që edhe ne të jemi vetvetja, të lirohemi nga premtimet mashtruese të komunizmit.

 Në këto procese prijës dhe vizionar ishte Imzot Nikë Prela, i cili me shumë guxim, përkushtim e filloi “luftën” informative, me shkrime, letra solidariteti, proteste kundër dhunës, burgimeve, montimeve të proceseve gjyqësore, “spastrimeve” që i shkaktonte Jugosllavia ndaj nesh, më mirë të themi Serbia nëpërmjet Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare Imzot Nikë Prela kishte takuar shpesh, gati rregullisht “Disidentin e fshehur” të sistemit, intelektualin e heshtur, por shumë të guximshëm dhe vizionar, Dr. Ibrahim Rugovën, atëherë pak të njohur nga opinioni i gjerë tek ne.

Ky bashkëpunim qe përforcuar nëpërmjet prof. Anton Çettës, i cili e bindi edhe më shumë Imzot Nikë Prelën, ne, se Dr. Ibrahim Rugova është njeri i mirë dhe i besueshëm, me të cilin mund të bisedohet dhe bashkëpunohet lirisht dhe vëllazërisht. Urëlidhësi mes nesh dhe Dr. Ibrahim Rugovës, pa dyshim, ishte prof. Anton Çetta, i cili për së afërmi, do të thoja në shpirt e njihte, nderonte dhe donte Dr. Ibrahim Rugovën.

Dr. Ibrahim RUGOVA – Katedralja “Nëna Tereze” në Prishtinë

Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, më 26 gusht 2005, Presidenti Rugova tha: “Sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”. (Prishtinë, 26 gusht 2005)

Mu për këtë unë do ta formuloja kështu vlerësimin tim ndaj tij: Dikush shkruan histori, dikush mbetet në histori, dikush është histori. Dr. Ibrahim Rugova shkruajti histori, si dhe mbeti në histori, dhe çka është edhe më e rëndësishme, Ai është  për ne  jo vetëm histori, por edhe e tashmja dhe ardhmëri. /KultPlus.com

Don Lush Gjergji: Gjergj Kastrioti ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, lashtësinë, traditën e kulturën

Kaluan 552 vjet pas vdekjes së tij. Shumëçka ka shkruar historiografia botërore, diçka më pak ajo arbërore dhe shqiptare. Megjithatë kemi mjaft elemente për ta portretizuar dhe paraqitur atë në dimensione historike dhe aktuale.

Figura e tij zgjon gjithnjë shumë mendime, vlerësime, shqyrtime, këndvështrime, deri te kundërshtimi, urrejtja, keqinterpretimi, frika nga e vërteta dhe jeta e tij. Kjo dëshmon bindshëm që aktualiteti i tij, “ballafaqimi” me të, siç duket, jo vetëm që nuk zbehet kurrë, por gjithnjë është personalitet, përmbajtje, porosi për të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Ai popullit tonë Ilir dhe Arbëror ia gjeti rrënjët, ia gjeti damarin, ia ktheu besimin dhe dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë, duke i përmirësuar gabimet e shumta të dinastive apo princave tanë, që të ndarë dhe përçarë, luftonin njëri – tjetrin duke u bërë “pré” e të huajve, në vend që të bashkoheshin për t’i luftuar armiqtë tanë të përbashkët dhe të përbetuar..

Besëlidhja e Lezhës (1444), akti kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij, ku u vunë themelet për shtetin arbëror, me kohezion dhe bashkim në çdo kuptim dhe drejtim për formimin e binomit Shtet dhe Komb.

Hapi tjetër i strategjisë dhe urtisë së tij ishte bashkëpunimi me aleatet perëndimor, ndër të cilët duhet përmendur Mbretërinë e Napolit, atë të Venedikut, Raguzës, Papatin, Hungarinë, sidomos trimin Janos Hunyadi, por edhe shumë të tjerë. Këtu erdhi në shprehje aftësia e tij në diplomacinë e mirëfilltë dhe komunikim i vazhdueshëm me qendrat e rëndësishme evropiane.

Këtë punë tejet të madhe dhe vendimtare Gjergj Kastrioti i ndriçoi dhe vlerësoi rrënjët tona ilire, pra, lashtësinë, traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë që nga kohët apostolike, duke u frymëzuar nga këto vlera dhe virtyte ai dhe populli ynë, si pasardhës të Aleksandërit të Madh, të Ilirikut antik, të një historie dhe tradite të gjatë dhe të lavdishme shekullore, që qëllimisht ishte mbuluar me harresë dhe mospërfillje.

Nëpërmjet Jeroni De Radës, më vonë rilindësve tanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte “ngjallur” edhe një herë në popullin tonë, në histori, traditë, kulturë, qytetërim, si model dhe ideal për çdo shqiptar, si mundësi për rikuperimin e historisë, ndërgjegjes, vlerave dhe virtyteve tashmë të harruara dhe tjetërsuara.

Nga ajo që dimë dhe mund të theksojmë:

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

Ai është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë.

Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftëtarit të pashembullt për popullin tonë ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë gjithëkombëtare me popuj dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

Kështu unë e vlerësoj figurën më madhore të historisë sonë, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili së bashku me Shën Nënën Tereze, është përfaqësuesi më i mirë i lashtësisë, autoktonisë, krishterimit, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë shekullor ilir, arbëror dhe shqiptar, Njeri i Provanisë së Zotit dhe historisë sonë, figurë për nderim, admirim, mbi të gjitha imitim dhe vijim për çdo shqiptar. Historia, si Mësuesja e jetës, edhe një herë na fton dhe na mëson për atdhedashuri dhe vëllazëri gjithëshqiptare, si parakusht për zhvillim dhe përparim të gjithanshëm./drita.info/ KultPlus.com

Shën Nëna jonë Terezë, Nëna e Paqes

Sivjet, në 40 – vjetorin e Shpërblimit Nobel për Paqe të Nënës Tereze, në festën e saj, do ta shqyrtojmë, vlerësojmë, mundësisht edhe imitojmë atë në këto këndvështrime: paqja me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten, si burim dhe fryt jete dhe dashuri, sipas shembullit dhe dëshmisë së saj ndër ne dhe në botë.

Nga Don Lush Gjergji

NËNA E JETËS

Nëna Tereze e ka çmuar, nderuar, dashur dhe përkrahur jetën e njeriut në çdo kënd dhe vend të botës,  prej ngjizjes deri te ofshama e fundit para kalimit në amshim, duke e mbrojtur nga kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme, me parimin e njohur të saj“Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.

Rreziku i parë i jetës është mospranimi dhe shkatërrimi i jetës së fëmijëve ende të palindur, aborti apo dështimi. Tradita jonë e mirë shqiptare mbështetet në pranimin e jetës dhe të familjes, në kujdes për fëmijë dhe për pleq. “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” dhe “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë”.

Këtë parim ungjillor dhe  fryt të traditës sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, Nëna Tereze e ka shpallur dhe mbrojtur vendosmërisht  nga “Katedra e Paqes” në ditën e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979). Ajo  para gjithë botës,me guxim, bindje, përkushtim dhe dashuri kathënë kështu: “Shkatërruesi më i madh i paqes sot është vaji i fëmijëve të pafajshëm të palindur. Sepse, nëse një nënë mund ta vras fëmijën në kraharorin e saj, çfarë na ndal ty dhe mua që të vrasim njëri-tjetrin? … Për mua kombet që kanë legalizuar abortin, janë kombet më të varfra. Ata kanë frikë nga një fëmijë, ata janë të frikësuat nga fëmijët e palindur dhe ata duhet të vriten, sepse ata nuk donë ta ushqejnë një fëmijë më shumë, ta edukojnë një fëmijë më shumë, dhe fëmija duhet të vdes… Aborti është fillimi i të gjitha të ligave në botë”.

Kështu Shenjtëresha jonë ka dëshmuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si përgjigje më të mirë ndaj frikës së jetës së re, fëmijës,  dhe braktisjes së të moshuarve, duke i “varrosur” ata për së gjalli, edhe para vdekjes. Kjo dukuri është vetëshkatërrimi i të ashtuquajturës  botës së të pasurve material, pra, kultura e vdekjes,  varfëria  dhe të mjerimi  shpirtëror i botës së sotme.

Jeta është e rrezikuar edhe nga varfëria, sëmundjet, mungesa e shkollimit dhe kulturës, mospërfilljeve, sidomos sot nga egoizmi, materializmi, konsumizmi, hedonizmi dhe ateizmi praktik, që njeriun e trajton më shumë si gjësend, objekt,vegël pune dhe përfitimi,  se subjekt, person, qenie njerëzore, edhe më pak vëlla apo motër.

Mu për këtë Nëna Tereze ka thënë: “Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por mungesa e kujdesit dhe dashurisë, vetmia… Nëse vejmë në veprim dashurinë, nëse jetojmë dhe bëjmë çdo gjë për Jezusin, atëherë jeta jonë bëhet shërbim për Zotin dhe për vëllezërit tanë”.

Feja dhe dashuria e frymëzonin dhe aftësonin Nënën Tereze për dashuri flijuese dhe dhuruese, pa asnjë dallim dhe përjashtim, si Nënë universale. “Nuk ka asnjë sëmundje që mund ta shëmtojë njeriun aq,  saqë  unë në të mos ta njoh Njeriun, Vëlla apo Motër, edhe më tepër vetë Jezusin. Unë jam më e lumtura në botë sepse, 24 orë në ditë jetoj me Jezusin dhe për Jezusin… Ai për mua është çdo gjë që unë jam dhe kam. Ai është zemra dhe jeta ime, buka e jetës. Atë unë e shoh, njoh, dua dhe shërbej në çdo njeri, sidomos në të varfër ndër më të varfër, në të gërbulur, në ata që janë në buzë të vdekjes…”

NËNA E DASHURISË

Jeta ka kuptim, shije, bukuri, lumturi vetëm në dashuri. Burimi i jetës dhe dashurisë, për ne të krishterët, në veçanti për Nënën Tereze, është Zoti – Dashuri, që na ndihmon, udhëzon, aftëson për takim, afrim dhe bashkim me Vëllain apo Motrën Njeri.

Sipas Nënës Tereze, feja pa dashuri është si kandili pa vaj, si trupi pa shpirt, si jeta pa frymëmarrje. “Sekreti im është Jezusi, dashuria e tij për ne… Çdo gjë për Jezusin, apo ungjilli në pesë gishta: Ç’do të bëj sot për Zotin?” .

Ajo me dorën dhe zemrën e saj na ka shkruar dhe dhuruar këtë porosi: “Dashnija fillon n’familje  Dhe familja qi lutet bashk, mbetet bashk”.

NËNA E PAQES

Porosia e saj për të gjithë ne është kjo: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim. Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën. Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”.

Në këto tri shtylla mbështet e tërë jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze, edhe më mirë, jeta dhe vepra e Jezu Krishtit nëpërmjet saj, si “ungjilli i pestë”, që aq bindshëm ka dëshmuar në mbarë botën nëpërmjet jetës, dashurisë dhe paqes.

Porositë e Shën Nënës Tereze për paqe mund të përmblidhen në këto qëndrime dhe parime:

“Për ta mbajtur që ndezur një llambë, duhet vazhdimisht të shtojmë vajin”.

“Nëse gjykon dikë, nuk ke kohë për ta dashur”.

“Në këtë botë mund të bëjmë shumë pak. Atëherë të bëjmë  vepra të vogla me dashuri të madhe”.

“Një buzëqeshje e vogël është fillimi i paqes”.

“Mos të përdorim armë për ta fituar luftën. Arma jonë është mirëkuptimi dhe dashuria”.

“Buzëqeshu së paku pesë herë në ditë. Dikush ka nevojë për ty dhe për buzëqeshjen tënde”.

“Nëse nuk e gjejmë paqen, kemi harruar që jemi bijtë e Hyjit, pra, vëllezër apo motra me njëri-tjetrin”.

“Të tjerët dalin nëpër sheshe në manifestime për paqe. Unë lutëm dhe jetoj për Paqe. Paqja ime është Jezusi, Eukaristia”.

“Dikush më pyeti:  “Çka mund të bëj unë për Paqe? I thashë kështu: “Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

“Paqja fillon në mua dhe në ty, në ne. Me Zotin Dashuri dhe Vëllain apo Motrën Njeri, ne jetojmë në paqe dhe jemi bartësit, dëshmitarët e Paqes”.

“Dashuria është përgjigjja e vetme për vetmi”.

“Njerëzia fillon me shenjtëri”.

“Gëzimi është dashuri. Gëzimi është uratë. Gëzimi është fuqi”.

“Sa e dhimbshme është jeta pa Zotin”.

Deri tash ndoshta ne e kemi njohur, nderuar dhe dashur Bijën, Motrën, Nënën, Shenjtëreshën tonë Terezen si emër, si shqiptare, si përfaqësuese të Kishës dhe Popullit tonë shqiptar. Tash, pas shenjtërimit të saj, në praninë e gjakut – reliktit të gjakut këtu në Shenjtërore dhe Katedrale, ajo na thërret, pret dhe frymëzon për jetë me Zotin dhe me të afërmin, për dashuri dhe paqe, që buron nga ndërgjegjja dhe zemra e pastër, me ndihmën e Zotit dhe përkrahjen vëllazërore.

Shën Nëna Tereze, lutu për ne, për Kishën dhe Popullin tonë!/drita.info / KultPlus.com

Dr. Ibrahim RUGOVA – Histori dhe mrekulli (1944-2006)

Shkruan: Don Lush Gjergji

                                    (Përvjetori i vdekjes)

Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë, jam në shoqëri” me Mikun, Vëllain, Vizionarin, nuk është teprim të thuhet  edhe “profetin” dhe arkitektin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem “mirë” së bashku me Të shpirtërisht, edhe pse më mungon prania e tij fizike. Komunikoj me Të nëpërmjet fesë, uratës, dashurisë, falënderimit. Si shpesh herë, kur rrinim, bisedonim, takoheshim, shqyrtonim, analizonim gjendjen tonë historike dhe aktuale, planifikonim udhëtimet tona nëpër botë, në kërkim, “shfletoj” kujtimet, shënimet, albumet…

Kërkonim shteg apo rrugëdalje për një popull të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkëmbur dhe të nënçmuar, të poshtëruar dhe të sfiduar, shpesh në breg të “varrit”, si “Pakica” e Izraelitëve që ishte në pritje të kthimit në atdhe, të lirisë së humbur dhe të mohuar, të rrezikimit deri te shfarosja…

Mirëpo Presidenti ynë dr. Ibrahim Rugova kishte në besim të madh dhe të pathyeshëm në Zotin dhe në Popullin, si dhe në miqtë tanë, SHBA-në, Bashkësinë Evropiane dhe Selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Pali II. Dhe nuk ishte mashtruar. Përpos Zotit, që i besonte dhe e kërkonte në mënyrë “burimore” nëpërmjet Drejtësisë, Paqes, Lirisë, Demokracisë, Pavarësisë, vlera këto që janë universale, për të gjithë, pra, edhe për ne Shqiptarët, dhe Popullin të cilin duhet ta “motivojmë dhe bashkojmë”.

Shi për këtë ai çmonte, nderonte dhe e donte shumë Prof. Anton Çettën, Imzot Nikë Prelën, veprimtarët e Pajtimit, sepse thoshte, “këta njerëz dhe bashkëpunëtorët e tyre, po e lirojnë popullin nga ndarja, përçarja, ngatërresa, hak apo gjak – marrja, si parakusht për liri, demokraci dhe pavarësi”. Dhe vazhdonte: “Kur të jemi të bashkuar, një, atëherë edhe Zoti do të jetë me ne, si dhe bota demokratike, paqedashëse dhe liridashëse…”.

Dhe ndodhi ajo që pak kush besonte, mos të them askush, lufta mes Davidit – Dr. Ibrahim Rugovës, dhe Goliatit – Milosheviqit, Serbisë, me fitore mahnitëse, ndërhyrja e botës në dobi dhe të mirë tonë, si Lufta e parë dhe e vetme “humanitare, preventive, shpëtimprurëse” për një popull, për ne Shqiptarët, që ishim para sfidave të shkatërrimit dhe asgjësimit apo dëbimit masiv.

Dr. Ibrahim Rugova çështjen shqiptare, në veçanti atë të Kosovës, e shndërroi në çështje të ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe bashkëpërgjegjësisë botërore.

Unë e vlerësoj Presidentin Dr. Ibrahim Rugova si simbol e asaj çka ishte e kaluara jonë shekullore ilire-arbërore dhe shqiptare, tradita, kultura, qytetërimi dhe aspiratat shumëshekullore. Më kujtohet thënia e tij bindëse dhe profetike: “Nëse Nëna Tereze e ka përfituar mbarë njerëzimin me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, përse ne mos ta fitojmë lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me strategjinë paqësore jo-dhunore gandiane, edhe më mirë tereziane…”.

Nëpërmjet Imzot Pjetër Bogdanit, autorit të studiuar dhe të preferuar të Rugovës, ai e kishte krijuar  një “Çetë të Profetëve” moderne dhe për ditët tona nëpërmjet Zotit, Popullit Shqiptarë dhe botës mbarë.

Ky ishte botëkuptimi i tij filozofik, kulturor, shpirtëror, shoqëror për popullin tonë Shqiptar, për Kosovën tonë të tashme dhe të ardhme.

Presidenti i parë i Kosovës dr. Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë të Istogut më 2 dhjetor 1944. Pas dramës familjare, pushkatimit të babait Ukë Rugovës, më 10 janar 1945, doli në pah burrnesha e rrallë dhe trimëresha e vërtetë, Sofë Rugova, e cila e theu traditën shekullore dhe vendosi ta rriste djalin Ibrahimin, kuptohet me shumë flijime dhe me dashuri shembullore.

Këto dy ngjarje janë rrënjët e thella dhe të forta në personalitetin e shquar të Presidentit tonë të ndjerë dr. Ibrahim Rugova, i cili ia dëshmoi botës lashtësinë, martirizimin, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë ilir-arbëror dhe shqiptar, aftësinë për flijime, vëllazërinë gjithëshqiptare, strategjinë paqësore jo-dhunore, nevojën, dëshirën dhe domosdoshmërinë për liri dhe demokraci me mjete paqësore.

Shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, fakultetin në Prishtinë (1971). Gjatë një viti akademik (1976-1977) ishte në specializim në Paris. Doktoroi në Universitetin e Kosovës në vitin 1984.

Dallohej si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për shumë vite, sidomos si mbrojtës i dinjitetit, identitetit dhe lirisë sonë kombëtare dhe kulturore, atëherë kur ishte rrezik të jetosh e jo më të veprosh në lëmin politik dhe kulturor. Të gjitha këto ai i përmblidhte në binomin bërthamor dhe me porosi tashmë të njohur: vetëvendosja dhe pavarësia e Kosovës.

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të së mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jo-dhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët  dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd… Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullitÇka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet… Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Këto mendime, vlerësime dhe përcaktime Presidenti dr. Ibrahim Rugova i ka shprehur shumë më herët, si vizion dhe profeci, që për disa dukeshin ëndërrime, utopi, pasivizëm, dhe ja, fatbardhësisht, ato tani janë proces dhe në fazën e zbatimit përfundimtar.

Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askend, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999  si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënësn Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Si  “testament” kulturor e la kompletin e tetë vëllimeve, kujtimin e njeriut të qetë dhe të urtë, të flijimtarit të pakursyeshëm, të strategut të paqes dhe të lirisë, këmbëngulesin e bindur dhe besnik të pavarësisë së Kosovës.

Bota e çmoi dhe nderoi me shumë shpërblime. Bota demokratike ishte me Presidentin tonë gjatë jetës së tij, sidoms në varrimin e tij madhështor, që në një mënyrë ishte edhe promovimi i pavarësisë sonë. Shpërblimi më i madh, kuptohet, nga ana e Zotit, është pavdekësia, amshimi, jeta e pasosur, ndërsa nga ana njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, është pa dyshim pavarësia e Kosovës, që edhe ne gjurmave të tija të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë.

Prishtinë, 21 janar 2019                                                              

Historia flet dhe thërret – 550 vjetori i vdekjes së Gjegj Kastriotit – Skënderbeut

Don Lush Gjergji

Si përfaqësues i Kishës Katolike, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, në emër të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Dodë Gjergji, i cili gjendet në Vatikan, në Sinodin e Ipeshkvijve, dua të bashkëndaj disa fjalë, mendime mbi Gjergjin tonë të madh, në 550-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe afroi Arbët, asht edhe sot na afron dhe bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë.

Kush ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe si ndodhi “mrekullia” që një popull i vogël, Arbërorët, t’i bënte ballë perandorisë turko – otomane në krye me kryetrimin e Arbërisë së atëhershme Gjegj Kastriotin – Skënderbeun? Pse dhe si ai u shpall nga Papa Piu II “Athleta Christi et difensor fidei christianae”? Si e ka njohur dhe vlerësuar bota Gjergj Kastriotin, nëpërmjet tij Popullin tonë? Çka na mëson dhe dhuron jeta, figura dhe personaliteti i tij ne për kohën dhe hapësirat tona?

Ja strategjia largpamëse dhe vendimtare i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:
1. Takimi – rreth kërkimit dhe zbatimit të mirës së përbashkët me princat arbërorë të asaj kohe, duke i vlerësuar ata si përkrahës dhe mbrojtës të rëndësishëm të lirisë dhe trojeve tona kombëtare;
2. Afrimi – rreth drejtësisë dhe barazisë me të gjithë dhe për të gjithë, pa përjashtuar askënd, pa të cilën nuk ka jetë, edhe më pak sukses dhe fatbardhësi;

3. Bashkimi – si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, kush ky për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale;

4. Bashkëpunimi – si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë;

5. Bashkëjetesa – si shprehje atdhedashuri dhe flijimi, kërkimi i vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës. Prandaj, takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën, Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.

Nga ajo që dimë mbi personalitetin, porosinë, personifikimin dhe aktualizimin e tij duhet të theksojmë:
• Gjergj Kastrioti – Skënderbeu pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

• Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.
• Ai është shembëll i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt histories dhe ardhmerisë.

• Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftetarit të pashembull për popullin ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë tonë gjithëkombëtare me popujt dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

(Fjala përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes)

Shën Nëna Terezë, muzika e Zotit për shërimin dhe frymëzimin e botës së sotme

Nga Don Lush Gjergji

Lorenc Anton ka mbajtur rregullisht dhe vazhdimisht ditarin personal dhe familjar, ku pothuaj vend qendror dhe thelbësor ka Gonxhe Bojaxhiu, më vonë Nëna Tereze, me të cilën ishte në afërsi të gjakut dhe të shpirtit. Aty kam gjetur shumë hollësi dhe shënime për fëmijërinë dhe rininë e saj, për prindërit Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, për famullinë e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, për veprimtaritë dhe organizimet e ndryshme të rinisë katolike shqiptare në atë kohë, gjithmonë me qëllime edukative,bamirëse, shpirtërore, kulturore, muzikore dhe argëtuese.

Ja si e përshkruan kompozitori ynë i njohur, Lorenc Antoni, Gonxhen si vajzë të re: “Gonxhja është tejet aktive në çdo lëmi të jetës. Ka prirje edhe për letërsi. Ka shkruar dy artikuj në “Blagovest”. Unë i thashë se kishte talent për shkrim. Ajo m’u përgjigj se s’kishte talent, por që kishte dëshirë të ishte ndonjë shkrimtare. Unë sërish i thashë se kishte talent, ajo sërish më tha se nuk kishte, sepse për çdo faqe të shkruar po i harxhonte pesë faqe. Të gjithë bëjnë kështu në fillim, i thashë unë në mbarim”

Ja edhe dëshmia e Lazër Bojaxhiut, vëllait të Nënës Tereze: “Ne si fëmijë kemi marrë pjesë në jetën kulturo-zbavitëse të Qytetit”.

Gjithë anëtarët e familjes Bojaxhiu ishin shumë të talentuar për muzikë. Muzika, kënga, instrumentet muzikore, pritja e mysafirëve, bamirësia dhe bujaria ishin përvoja të rëndomta, ndërsa kënga dhe muzika, gëzim dhe harmonia familjare ishte gjë e përditshme për ata. Në një ambient të tillë familjar, në një bashkësi dhe famulli katolike mjaft aktive dhe me shumë veprimtari, kishte kaluar fëmijërinë, pjesërisht edhe rininë Gonxhja jonë.

Vetë Kolë Bojaxhiu merrej me muzikë. Ishte anëtar dhe një ndër themeluesit dhe përkrahësit financiar i Ansamblit të instrumenteve me frymë “Zani i maleve”, që nga viti 1912. Kolë Bojaxhiu ishte edhe organizator i ndërtimit të teatrit të parë në Shkup.

Drane Bojaxhiu, nëna e Nënë Terezës, merrej me punë dore. Përgatiste rroba për martesa dhe për festa të ndryshme… “Gonxhja dhe Agëja kanë kënduar kompozimin tim të parë. Atëherë unë isha gjimnazist. Kompozimi quhej “Në breg të liqenit”, sipas tekstit të Hil Mosit. Ishte kjo një akademi e organizuar më 25 mars të vitit 1928, për qëllime humanitare, pikërisht për të varfrit. Shfaqje dhe programe të tilla kishim shpesh, së paku një herë në muaj. Gonxhja vinte rregullisht në prova, ishte e para, shumë e përpiktë dhe shumë e gëzuar”, kujton kompozitori i njohur Lorenc Antoni.

Ai pastaj vë në pah edhe këtë fakt, talentin muzikor dhe zërin e bukur të saj: “Gonxhja këndonte jashtëzakonisht bukur. Ishte soprane, ndërsa Agëja këndonte alt. Gonxhen e kam mësuar që t’i binte mandolinës. Ajo këtë e mësoi mjaft shpejt dhe mirë. Kishte me të vërtetë talent për muzikë. Gjithnjë ka marrë pjesë aktive në shoqatën e rinisë katolike: shumë herë ka recituar, ka kënduar, ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme, në kor… Ajo ishte si qendër rreth të cilës tuboheshin të gjithë, posaçe vajzat. Ishte bërë e gjetur për organizim. Të gjitha këto aktivitete, prova i bënim në lokale të kishës, si dhe programet. Në këto lokale në fillim ushtronte edhe orkestra, si dhe jepeshin të gjitha programet. Më vonë u ndërtua një sallë tjetër, në oborr të kishës…”.

Edhe në kujtimet e të vëllait, Lazër Bojaxhiut, Gonxhja shihet si një vajzë e pasionuar ndaj dijes dhe kulturës, veçmas ndaj krijimit të poezisë. Ja si e kujton i vëllai Lazri: “Qysh në fëmijëri kishte prirje për poezi, shkruante dhe ju lexonte shoqeve”.

Lorenc Antoni e përshkruan edhe afërsinë që kishte me të. “Si fëmijë jemi rritur së bashku. Të gjithë ne jemi rritur në oborrin e kishës. Edhe në shkollë kemi qenë bashkë. Katër vitet e para i kemi kryer në gjuhën shqipe, në lokalet afër kishës. Mësues të parë kishim Engjëll Nocajn nga Shkodra. Pastaj erdhi edhe Ndue Vorfi. Në vitin e katërt kemi mësuar edhe gjuhën serbishte. Gonxhja në shkollë ka qenë shumë e mirë. Përpos kësaj ajo ishte edhe organizatore shumë e mirë”.

Në kujtimet e Lorenc Antonit vend të rëndësishëm zë edhe fshati Letnicë, shenjtërorja dioqezane “Zoja Cërnagore”, në komunën e Vitisë, në kishën e të cilës Gonxhja edhe vendosi t’i përgjigjej përfundimisht thirrjes rregulltare misionare. Lorenc Antoni vendimin e saj për jetën e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut, e përshkruante kështu: “Ne për çdo vit, të gjithë së bashku shkonim në Letnicë. Dy vitet e fundit, pra se të nisej në misione për motër, Gonxhja ishte në Letnicë edhe për ushtrime shpirtërore. Atje qëndroi gati dy muaj, ku mësonte edhe gjuhën angleze. Herën e fundit, në vitin 1928, u kthye prej Letnicës dhe prej ushtrimeve shpirtërore disa ditë para festës së Zonjës së Madhe. E kemi ditur se ajo do të bëhet motër. Njëherë kur u hidhërova diçka me të, sikur bëjnë shpesh fëmijët dhe rinia, i thashë: si mund të jesh ti kështu si shenjtëreshë? Ajo qysh atëherë ishte shumë e angazhuar për t’i ndihmuar të varfrit. Kemi mbledhur të holla, tesha, kemi dhënë edhe shfaqje në ndihmë për të varfrit”.

Sigurisht që një moment të veçantë në kujtesën e kompozitorit Lorenc Antoni shënon edhe ky shkrim në ditarin e tij: “Unë isha duke i mësuar tri vajza për muzikë, pikërisht që t’i binin mandolinës. Ato dëshironin që për këtë të më paguanin, të ma jepnin nga një dinar, por unë nuk doja t’i merrja. “Merre, merre nga një dinar e pastaj m’i dërgon mua për misione në Indi”. Ishte kjo në vitin 1927, pra, një vit para se Gonxhja të nisej për misione. Nga kjo shihet se si është përgatitur me zell e dashuri dhe si ka menduar gjithnjë për jetën e mëvonshme”.

Ndërsa takimin e fundit me të motrën, në vitin 1924, Lazri e përshkruan kështu: “Ishte një e diele. Gonxhja dhe Ageje përgatiteshin për në kishë. Më thirrën dhe mua lart në kor. Atë ditë të dyja këndonin si soliste. Ageja ishte alt, ndërsa Gonxhja sopran. Për herë të parë i dëgjova të dyja së bashku si soliste. Këndonin për mrekulli, aq bukur sa populli si dhe shoqëria i quante me simpati dhe dashuri “dy bilbilat e kishës”.

Shoqëria e saj, rinia katolike, dëshironte që në mënyrë sa më të mirë të ndahej prej saj, ta përshëndeste dhe t’i dëshironte rrugë të mbarë dhe jetë të frytshme në thirrje. Për këtë vendosën që për programin e Akademisë së Pashkëve një pikë e programit të jetë edhe një përshëndetja me Gonxhen.

Këtë program edhe e ruante gjithnjë me dashuri Lorenc Antoni. Pika e dytë e këtij programi ishte “Lamtumira” për Gonxhe Bojaxhiun, me katër pika tjera.

Në një rast Nëna Terze më tha kështu: “Dy gjëra në jetë nuk kanë nevojë për shpjegim: dashuria dhe muzika”. Thënie e bukur dhe shumë e vërtetë.

Kur isha në vizitë dhjetëditore në Kalkut në vitin 1989, përjetova një befasi të këndshme . “Misionaret e Dashurisë” në mbarim të meshës këndonin himnin e Virgjrës Mari “N’Cërnagore kem një Nënë” në gjuhën anglishte. Fill e kuptova që Nëna Tereze e kishte përkthyer dhe i kishte mësuar ta këndojnë këtë këngë vërtet të thjeshtë, por kaq të dashur për të dhe për të gjithë ne.

Do ta përfundoj paraqitjen time me poezinë e Shën Nënës Tereze kushtuar muzikës dhe këngës:

Falënderimi për muzikë dhe për këngë

Faleminderit, o Zot,
për dhuratën e këngës:
në praninë Tënde
pranojmë harmoninë e mrekullueshme të saj

Kur këndoj për Ty
të dëgjoj në këngën time.
Aleluja.

Falëminderit, o Zot,
për këngët:
dhe për Ty që je muzikë në këngë.

Kur këndoj për Ty, tashmë je i pranishëm
Në aftësinë time për këndim.
Amen.

(Ligjëratë e mbajtur në Tryezën muzikologjike në ASHAK, seksioni i arteve, 30 nëntor 2017)

Don Lush Gjergji: Nuk i përdhosëm flamujt

Don Lush Gjergji, ishte i ftuar në emisionin “Mëngjesi në Tribunë” në Tribuna Channel, ku ka sqaruar vendosjen e flamujve në tokë, gjatë ceremonisë së shugurimit të Katedralës “Shën Tereza” që ndodhi para pak ditësh.

Ai ka thënë se nuk ka ndodhur përdhosja e flamujve, por simbolike e vendosjes së tyre në tokë ka qenë, për shkak se brenda flamujve ka qenë një grup i dheut të Kosovës, ku kemi dashur që përmes Kadrinalit Shqiptar, t’i përqojmë mesazh Papa Franceskut, që shqiptarët janë mirënjohës ndaj nderit që ky i fundit po i bën me shugurim të Katedralës në Prishtinë.

“Simbolike ka qenë se kemi mbështjellur vazo me dheun e trojeve shqiptare, ku përmes kësaj vazoje kemi dashur ta përqojmë mesazh përmes Kadrinalit shqiptar, tek Papa Franceku, se shqiptarët dëshirojnë ta përqojnë mesazhin se janë me ju, jo vetëm në kontekstin e territorit, por edhe të traditës sonë.

Dhe duke i falënderuar për mundësinë e shugurimit të Katedralës në Prishtinës me emrin e shqiptares Shën Nënë Terezës” ka thënë Don Lush Gjergji.

Ai ndër të tjera shtoi se gjesti më i bukur në atë ceremoni është keqinterpretuar dhe për të kjo gjë ka qenë shumë e pakuptimtë.

“Nuk ka qenë qëllimi sic është proklamuar. Mendoj se ky ka qenë njëri ndër gjestet më të të bukur gjatë asaj ceremonie, e që normalisht ka qenë e përgatitur nga ana jonë. Mirëpo, është e pakutimtë që është keqinterpretuar një gjest i tillë, që fare nuk ka pasur të bëjë me atë që është thënë” ka shtuar Lush Gjergji.