Në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Prozës “FICTION FEST”, që mbahet më 4 e 5 tetor në Prishtinë do të paraqitet edhe Donika Dabishevci.
Donika Dabishevci është autore e vlerësuar deri tash si poete dhe studiuese e letërsisë, ndërsa në “Fiction Fest” do të prezantohet për herë të parë edhe si prozatore.
“Ky është një lajm që do ta prodhojë “Fiction Fest”, duke qenë i nderuar që në të merr pjesë një emër i respektuar i letërsisë aktuale shqipe, sikurse Donika Dabishevci”, thuhet në njoftimin për media.
Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Fakultetin dhe Masterin në Letërsi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”.
Ka botuar këto libra: ‘Krizantema të plasura’ (1996), “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015), “Kam me ardhë si deka” (2015), ‘La tua robinja’ (Romë, 2017).
Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës dhe e Klubit të Shkrimtarëve të Kosovës. Me punimet e saja ka marrë pjesë në dhjetëra seminare e konferenca të fushës së albanologjisë dhe gazetarisë.
Përveç kësaj është edhe themeluese e Gazeta Observer si dhe profesoreshë në njërin nga universitetet private në Prishtinë.
“FICTION FEST” do t’i ketë dy net dhe do të mbahet në Prishtinë me datat 04 dhe 05 tetor, 2018, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në natën e parë do të lexojnë këta autorë: Srdjan Tesin, Donika Dabishevci, Stefan Boskovic, Virion Graçi dhe Dimitar Samardjev.
Në natën e dytë do të lexohen fragmente nga romanet e shkrimtarit tonë të njohur, Rexhep Qosja. Pas leximit të fragmenteve nga romanet e tij, që do ta bëjnë aktorët profesionistë të vendit tonë, me shkrimtarin Rexhep Qosja do të ketë një orë diskutimi lidhur me prozën e tij dhe artin e tij të shkrimit letrar./Gazeta Observer