Të kam falë

Donika Gashi

T’i kam falë
të tana rrenat e vogla e të mëdha,
Të nevojshmet e të panevojshmet që i baje
n’ emën të betejës së impresionimit.

Ta kam falë
secilën përpjekje lakuriqe
që të më mbroje prej dramave të jetës,
Tu e pretendu kalorësin
shpëtimtar të ndjenjave
gjithqysh të trazueme të mia,
pa dashtë të dije se drama ishte vetë kjo.

Të kam falë
për të tana pamundësitë
njerëzore
me përmbushë personin tim
vetmitar.

Të kam falë.
Se m’ ke dashtë./KultPlus.com

Ëndrra e një gruaje

Poezi nga Donika Gashi

Gjithmonë e dashuruar
Në njeriun e fortë e të fuqishëm
Në të pashmin mbështjellë me ngjyra stinësh gjithë sharm
Në burrin që qesh me mua e për mua qan
Në të mirin, në më të bukurin djalë.

E dashuruar përherë
Në të dashurin plot mirësi, butësi e mençuri
Atë që dhe deti e ka zili për thellësinë e mendjes së tij.

Ah! Sa e dashuruar jam!
Në njeriun që për mua rrokullis dhe malet
Që botën të vogël ma bën sa një yll majë gishti
E trupin lart në qiell ma dërgon me puhizën e fundit të para agimit.

Ai nuk ma trazon shpirtin udhëve të të dëshpërimit
As kthinave të gënjeshtrës,
As momenteve të pendimit.
Në errësirën time më sheh veç si rrezullim drite
Jam muzë e tij!
E vetmja dashuri.
E vetmja dhimbje.

Ai nuk pranë të bëj çdo gjë! Çdo gjë!
Nuk lë gjë pa bërë për mua.

E dashuruar! Ah!
Gjithmonë e dashuruar
Në burrin që nuk e njoha
Kurrë./KultPlus.com

Vasfijeve të Kosovës

Donika Gashi

Isha e re, e njomë, ende fëmijë
Më zuni lufta, kaosi, frika.
Hije ndjellakeqe më ndoqi urrejtja e tjetrit
Për atë e cila në sytë e tyne isha.

Nuk qaja që ato mund të ishin ditët e mia të fundit.
As pse ndoshta kurrë ma,
Nanës
S’do t’ia ndjeja përqafimin.
Brenda meje qante secila frymë
Nga frika për mundësinë e të jetuemit
me llahtarin e kujtimit.

Ndodhi ajo që nuk e kisha mendu asnjëherë.
(Babai im as një thikë të hairit në shpi nuk e kishte siguru.)
Nanës kur më përcolli te dera e shpisë,
peng ia lashë zemrën,
Atdheun,
timen paprekshmëni.

Mbaj mend mirë fytyrat e llahtarshme
Egërsinë mbi njomësinë time.
Kam qenë e bukur, e di!
(Plus shqiptare Kosove
në një moment aq fatligë.)

M’u desh të jetoja gati njëzet vjet
Me ankthin e asaj dite që ma dërmoi
Qenien.
Shpesh doja të mos isha ma, të tretesha si harrimi.

Ika larg,
Të mos ecja përditë nëpër të kaluemen
e mijëra vetëve të mia…

Largësia nuk ma veniti dhimtën.
As dashninë për Shtëpinë,
As guximin.

U ktheva kah Dielli
Të shpaloja,
Të Vërtetën./KultPlus.com

Këngëtarja Donika Gashi rreshtohet në këtë parti politike

Gjeneratat e ndryshme në Kosovë e kujtojnë këngëtaren Donika Gashi, e cila pati realizuar në vitet 90-të disa këngë e një pjesë e tyre edhe hite të kohës.

Por sot, Donika Gashi e cila tashmë njihet edhe si poete, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i VV’së, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“Sot na u bashkua në Lëvizjen tonë, Donika Gashi, poete dhe qytetare prishtinase. Anëtarësimi i Donikës është vlerë dhe vlerësim për VETËVENDOSJE!-n. Na presin shumë punë bashkë, sidomos për rininë dhe artin e kulturën në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Gashi ka thënë që është bërë anëtare e VV’së për të dhënë më të mirën e mundshme.

“Është nder t’i shërbesh popullit shqiptar, thotë Albin Kurti, andaj me këtë besim dhe bindje i bashkohem sot Lëvizjes VETËVENDOSJE! Për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja në rrugëtimin tonë të përbashkët”. /KultPlus.com