Qeveria po përgatit draftstatut për Asociacionin, do ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës.

Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.

Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.

Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.

Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE./ KultPlus.com

Gërvalla me ministrin izraelit flasin për mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njofton se ka pritur në takim ministrin Izraelit të Turizmit, Haim Katz, me të cilin tha se u diskutua për zhbllokimin e turizmit dhe mundësinë e udhëtimit pa viza mes dy vendeve.

Postimi i saj i plotë:

Më herët sot mirëprita në Kosovë Ministrin Izraelit të Turizmit, z. Haim Katz. Ne patëm diskutime produktive rreth zhbllokimit të potencialit të plotë të sektorit tonë të gjallë të turizmit dhe eksplorimit të mundësisë së udhëtimit pa viza midis vendeve tona./ KultPlus.com

Heroi Jusuf Gërvalla me vajzën Donikën (FOTO)

Një fotografi e rrallë e heroit Jusuf Gërvalla, ku afër tij shihet Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës.

Fotografia është e realizuar në Ludëigsburg – Stuttgart të Gjermanisë në vitin 1980.

Nga e djathta është veprimtari e heroi Jusuf Gërvalla (afër tij, vajza e Jusufit – Donika) ndërsa nga e majta bashkëveprimtari i tij Nazmi Selmanaj. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca kanë qëndruar në Dubovik, në shtëpinë e vëllerzërve Gërvalla, ku u pritën nga zv, kryeministrja Donika Gërvalla, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes Osmani.

Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.

Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!

Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!/ KultPlus.com

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit: UDB-ja e vrau babain tim

Krye diplomatja kosovare Donika Gërvalla, gjatë fjalimit në Këshillin e Sigurimit të martën ka treguar arsyen pse shefi i diplomacisë serbe Nikola Selakoviq nuk po ia përmend emrin.

Gërvalla e emocionuar tha se UDB-ja ia kishte vrarë babain.

“Nuk desha të iu mërzis me këto sulme personale, por nuk mund të kaloj këtë. Selakoviq nuk arriti as të më thërras emrin, emri im është Gërvalla, ka arsye që nuk mund të më thërras emrin tim. Babai im është vrarë nga shërbimi i sigurisë së Serbisë”, deklaroi ajo në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kjo deklaratë e Gërvallës erdhi pas “përplasjes” që pati me Selakoviq lidhur me deklaratën e këtij të fundit, i cili tha se “Serbët po vuajnë. Prandaj ngriten në protesta. Qeveria e Kosovës nuk po i mbikëqyrë në mënyrë të barabartë”.

Gërvalla iu kundërpërgjigj duke thënë se Aleksandar Vuçiq ka qenë Ministër i Propagandës në kohën e Millosheviqit.

Ajo po ashtu kujtoi fjalë për fjalë edhe deklaratën e famshme të tashmë presidentit serb gjatë vitit 1995, ku në parlament kishte thënë se “për secilin serb të vrarë, ne do t’i vrasim 100 myslimanë”.

“Ky është kërcënim ndaj paqes”, theksoi mes tjerash Gervalla. / Express / KultPlus.com

Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Sigurimit

Ministrja Donika Gërvalla merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e sotme në New York do të shqyrtojë raportin periodik të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën.

Për këtë, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, dje ka udhëtuar për në SHBA ku do të përfaqësojë Kosovën dhe të arriturat e saj.

Për pjesëmarrjen e Gërvallës, dje ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme.

“Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i Sigurimit, pikë e rendit të ditës janë edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit, përfshirë edhe atë 1244.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të nisë nga ora 15:00 që me orën lokale në Kosovë i bie në ora 21:00./Gazeta Express/ KultPlus.com

Heroi Jusuf Gërvalla me vajzën Donikën (FOTO)

Një fotografi e rrallë e heroit Jusuf Gërvalla, ku afër tij shihet Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës e cila tashmë është ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Fotografia është e realizuar në Ludëigsburg – Stuttgart të Gjermanisë në vitin 1980.

Nga e djathta është veprimtari e heroi Jusuf Gërvalla (afër tij, vajza e Jusufit – Donika) ndërsa nga e majta bashkëveprimtari i tij Nazmi Selmanaj. /KultPlus.com

Gërvalla i prezanton dy projekte për diasporën

Nga 27 korriku e deri më 7 gusht do të mbahet “Karvani i Diasporës”.

Kështu ka thënë Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme, gjatë një konference për media, të martën.

Në këtë kopnferencë për media ka marrë pjesë dhe zëvëndësministrja e MPJ-së, Liza Gashi.

“Programi i dytë i cili është fillimisht një program pilot është një program që ka të bëjë me diplomacinë publike. Është një interesim i natyrshëm i Republikës që të rinjtë që janë lindur e rritur në diasporë që ta njohin Kosovën përtej lidhjeve familjare”, ka thënë Gërvalla.

Po ashtu është bërë e  ditur se platforma “ShijoKosovën” do të lansohet të mërkurën në Gjilan.

“Është program lidershipi i cili është i dizajnuar që të zgjasë 6 muaj. Ky program është si pjesë e ndërlidhjes së strategjisë për diplomaci qytetare. Ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të jenë pjesë e programit dhe të presim një ndërlidhje të tyre”, ka deklaruar ajo. /Express / KultPlus.com

Zyrtare: Gërvalla në Strasburg, dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryediplomatja kosovare ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në KE. Këtë e ka konfirmuar Sharr Jakupi nga kabineti i saj.

Ministrja Gërvalla vizitoi Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit në Jeruzalem

Në vazhdim të vizitës në Izrael, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vizitoi sot qendrën përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem, ku u njoh nga afër me historinë tronditëse të Holokaustit.

“Gjatë ceremonisë zyrtare, ministrja Gërvalla ndezi flakën e përhershme dhe vendosi një kurorë me lule në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Më pas, ministrja Gërvalla vizitoi pavionin e ndërtuar në kujtim të një milion e gjysëm fëmijëve të vrarë gjatë Holokaustit dhe pas një shënimi në gjuhën shqipe në Librin e Përkujtimit iu drejtua të pranishmëve me një fjalim të shkurtër.

“Kjo vizitë shënon vizitën e parë të një përfaqësuesi të Republikës së Kosovës në qendrën më të rëndësishme në kujtim të Holokausti”, thotë MPJ.

Donika Gërvalla në Këshill të Sigurimit, ua thotë në sy Serbisë e Rusisë krimet e bëra

Gati 40 vjet më parë, veprimtari Jusuf Gërvalla qe eliminuar nga UDB-ja serbe. E sot, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ua tha në sy Serbisë e Rusisë krimet e bëra. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Gërvalla e përmendi edhe atentatin e planifikuar ndaj Dick Martyt, por edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Veri.

Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka mbajtur sonte mbledhje për ta shqyrtuar raportin e radhës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonie Guterres rreth punës së UNMIK-ut.

Kosovën, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që u mbajt në Nju Jork, e përfaqësoi ministrja e Jashtme e vendit, Donika Gërvalla.

Donika Gërvalla, sot e ka përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të dinjitetshme.

Ministrja Gërvalla përmendi sulmet ndaj Policisë së Kosovës, për të cilat qeveria po thotë se vijnë nga Serbia, pastaj tha se Serbia e Vuçiqit mbetet kërcënimi më i madh i paqes në rajon.

Pasi ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, tha për Thaçin e Veselin se janë kasapët e Ballkanit, Gërvalla me të drejtë ia kujtoi Selakoviqit krimet që i ka bërë regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili sot njihet si Kasapi i Ballkanit.

Pos përplasjeve në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, reagime të dy ekstremeve pati edhe nga përfaqësuesit e shteteve tjera në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Krejt në fund, Gërvalla përmendi edhe tentativën e Serbisë për ta eliminuar Dick Martyn, ngjashëm si UDB-ja ia kishte vrarë ministres babanë – Jusuf Gërvallën – në Gjermani.

S U L M E T  në Veri

Ishte shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e para që përmendi sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, për të cilat kryeministri Albin Kurti, tha se po vijnë nga Serbia. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sulmin e vlerësoi si akt terrorist.

Ziadeh tha se sulmet në Veri kanë qenë shumë të ashpra dhe kryerësit duhet të sillen para drejtësisë.

“Incidente shqetësuese kanë ndodhur në veri të Kosovës. Sulmet kriminale kanë qenë shumë të ashpra. Ka pasur edhe gjuajtje me armë ndaj patrullave policore. Ata që kanë kryer këto vepra duhet të sillen para drejtësisë”, ka thënë Ziadeh.

Lidhur me këtë çështje Gërvalla përsëriti qëndrimet e Qeverisë Kurti.

“Ekipet tona të policisë etnikisht të përziera po sulmohen në kufi me armë, gurë, granata e gjithçka tjetër. Fatmirësisht nuk kemi ende asnjë të lënduar”, tha Gërvalla.

“Sulmet po vijnë nga territori serb dhe nuk do të ishin të mundura po mos t’i lejonte Vuçiq. Serbia dhe Rusia vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh ndaj paqes në rajon. Nëse nuk e mbyllim Kutinë e Pandorës të hapur nga Dodik, Putin e Vuçiq, Ballkani mund të bëhet përsëri vend i errët”, theksoi ajo.

Përplasja SHBA – Rusi

Aspiratat e Ukrainës drejt perëndimit bënë që në Evropë të krisë lufta pas më shumë se gjysmëshekulli. Por, Rusinë nuk po pengon vetëm Ukraina. Edhe përpjekja e Kosovës për t’u futur në NATO po e pengon Rusinë.

Përfaqësuesja e Federatës Ruse në Këshill të Sigurimit shprehu pakënaqësitë e saj dhe nuk harroi t’i përmendë akuzat ndaj UÇK-së për trafikim organesh.

“Jemi shumë të alarmuar nga përpjekjet e vazhdueshme që nga shkurti ku kryeministri dhe rrjeti i tij që ta minojë situatën në rajon, duke e përshkallëzuar retorikën anti serbe dhe duke e ftuar perëndimin që ta marrë Kosovën nën mbrojtjen e saj dhe ta mbrojë nga kërcënimet e pretenduara që qëndrojnë mbi të.

Prishtina ka filluar të kërkojë integrim të përshpejtuar në NATO për të kërkuar zbarkimin e një baze ushtarake në rajon. Kjo vjen si ide që të krijohet një ushtri e plotë në Kosovë e që është në kundërshtim të plotë me rezolutën 1244 dhe janë në rrezik që të përshkallëzojnë tensionet.”

“Dëshirojmë të kujtojmë kolegët tanë se ky mars shënon përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, ku mijëra civilë janë zhdukur. Qindra objekte mes tyre, spitale shkolla e monumente. UÇK-ja është zgjedhur si aleati në terren dhe krime të shumta të UÇK-së mbeten të pandëshkuara. Vrasje dhe trafikim organesh njerëzore.

Tani jemi në 2022 dhe ende po presim që nga Gjykata Speciale të ketë hetime të drejta dhe dënime meritore.”

I shpejtë ka qenë reagimi i përfaqësuesit të SHBA-së, atje ku ia tha në sy Rusisë se pas zhvillimeve në Ukrainë, s’ka të drejtë të mbajë ligjërata për të drejtat e njeriut.

“Është mbledhja e parë për UNMIK-un prej ndërhyrjes brutale të Rusisë në Ukrainë. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet i rëndësisë së veçantë. Duhet t’i përgjigjemi delegacionit rus. Filloi me informacione të rreme që i presim fatkeqësisht nga delegacioni rus këto ditë, që përdori termin uranium i varfëruar dhe radiacion. Nuk dua të marr kohë për këto informacione të rreme. Por, i kemi parë live pamjet nga Bucha e Mariupol që nuk besoj se mund t’i shohë asnjë rus. Të jesh nga delegacioni i një shteti që ka krijuar këto pamje nuk besoj se mund të mbajë dikush ligjërata për të drejtat e njeriut”, tha ai.

K A S A P I  i Ballkanit — Sllobodan Millosheviq

Një kërkim i thjeshtë në internet “the butcher of Balkan” na tregon më së miri se kush është personi që ka kryer masakra në Ballkan.

Por, kjo nuk e bind partizanin e Millosheviqit, ministrin Nikola Selakoviq, i cili insiston në njollosjen e krerëve të UÇK-së.

“Kasapët e vërtetë të Ballkanit janë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që në këto momente janë në Hagë për krime të UÇK-së për veprimet e tyre të paprecedenta”, tha Selakoviq.

E Gërvalla ia kujtoi Selakoviqit autorin e masakrave në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Nuk dua të humbas shumë kohë këtu. Të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në Ballkan. Është vetëm një e vërtetë. Kasapi i Ballkanit është Millosheviq. Është turp që Serbia nuk e ka pranuar ende realitetin. Millosheviq nisi krimet e tij prej Sllovenisë në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e pastaj në Kosovë. NATO erdhi që të ndalojë atë. E kuptoj pse Rusia flet kundër neve. Ajo nuk është e kënaqur që Kosova është shtet i suksesit. Të jem këtu e teksa dëgjoj prezantuesen e Rusisë duke sulmuar UÇK-në, më kujton njerëzit heronj të Ukrainës që po mbrojnë vendin e tyre dhe propagandën që po bëni kundër tyre. Anëtarët e UÇK-së mbrojtën vendin e tyre dhe shtëpitë e tyre. Nuk do të isha krenare po të përfaqësoja ndonjërin prej shteteve tuaja”, tha ajo.

Tentativa e Serbisë për ta njollosur Kosovën duke vrarë Dick Martyn

Prokurori zviceran Dick Marty, raporti i të cilit i parapriu themelimit të Gjykatës Speciale, ka më shumë se një vit që po mbrohet nga autoritetet atje, pasi BIA serbe deshi ta ekzekutojë, për t’ia lënë më pas fajin Kosovës.

Kjo temë gjithashtu u përmend në Këshill të Sigurimit nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

“Ministri i Jashtëm jo vetëm që po mundohet të falsifikojë faktet, por edhe të krijojë një perceptim sikur Millosheviqi. Ai u mundua të krijojë një perceptim sikur serbët janë në rrezik dhe duhet ndërhyrja ushtarake për t’i mbrojtur. Kemi pasur raste të tilla. Kemi rastin “Panda” në Pejë ku faji iu la UÇK-së për vite të tëra, ndërkohë që ishin serbët që vranë serbët. Më lejoni të flas për Dick Martyn. Ai akuzoi për krime përfaqësues kosovarë që kanë kryer krime lufte gjatë luftës dhe pas saj. I njëjti, zotëri Dick Marty, u tha mediave ditëve të fundit se policia zvicerane iu afrua dhe i ofroi sigurinë më të mëdha për shkak se inteligjenca serbe deshi ta vrasë dhe t’ia lë fajin Kosovës. Janë fjalët e Policisë Zvicerane e jo të Kosovës. Është traditë e lashtë dhe shumë e rrezikshme. Siç e shohim edhe në Ukrainë kur njerëzit thonë se kemi njerëz në rrezik, e që ata nuk janë. Por kjo bëhet vetëm për përfitime politike. Serbët deshën ta vrasin e t’ia lënë fajin Kosovës”, tha Gërvalla.

“Nuk është për qytetarët serbë në Kosovë, pasi ata mbrohen nga një kushtetutë shumë moderne e krijuar më 2008. Jam krenare që them se kemi një ndër kushtetuat më moderne në Europë që u jep minoriteteve përfaqësim në të gjitha nivelet dhe institucionet. Nuk është për serbët por për Serbinë dhe qëllimet e tyre politike që ta largojnë shtetin e Kosovës. Por ne jemi aty dhe do të jemi aty. Kemi treguar se demokracia dhe liritë janë fundamentet tona. Nëse shihni shtetet tjera të Ballkanit perëndimor, kemi 90% aprovim të qytetarëve për anëtarësim në BE dhe më shumë se 90% në NATO. Ju apeloj që e dimë se lufta në Urkainë ju merr kohën që keni, por ajo që po ndodh tani në Ballkan dhe jo më 1999, të dërgoni mesazhin e duhur. Është shumë e madhe që të injoroni atë që po ndodh tani”, ka thënë Gërvalla.

“Babai im ishte një gazetar dhe muzikant në Kosovë. Ai u largua nga Jugosllavia që të shkonte në Gjermani dhe nga kjo tani ajo që quhej UDB, e tani BIA, që vranë në Gjermani në moshën 36 vjeçare për qëndrimet e tij për lirinë e Kosovës dhe janë të njëjtët serbë që kanë vrarë mbi 39 disidentë kroatë në Gjermani. Është një traditë e gjatë e vrasjes së personave në Evropë. Edhe kjo që Dick Marty tha, pasi ai nuk është mik i Kosovës dhe nuk do të jetë kurrë pasi akuzat që bëri ai do të bijnë në Gjykatë, por është mik i Serbisë dhe tregoi të vërtetën se deshët ju ta vrisni, është përvojë e gjatë e juaja. Të gjithë të nderuarit këtu e dinë“, tha ajo. / Nacionale / KultPlus.com

Në RTK me gjuhë seksiste ndaj ministres Gërvalla, deputeti Haxhiu: I bëjmë thirrje RTK-së që të distancohet nga kjo gjuhë

Në Konferencën e Sigurisë në Munih u bënë takime mes liderëve dhe përfaqësuesve të shumë vendeve pjesëmarrës në këtë ngjarje të sektorit të sigurisë ndërkombëtare. Ndër shumë vende, në këtë konferencë merrte pjesë edhe Republika e Kosovës me përfaqësuesit e saj. Kosova u përfaqësua nga Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, si dhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, dhe kjo konferencë po transmetohej edhe nga RTK, e përgjatë transmetimit, përdorej gjuhë seksiste ndaj minsitres së Ministrisë së Punëve të Jashtme Donika Gervalla, për të cilën ka reaguar edhe deputeti Haxhi Avdyli.

KultPlus e sjell të plotë edhe reagimin e deputetit Avdyli.

REAGIM

Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të Konferencës së Sigurisë në Mynih në Radio Televizionin e Kosovës, është dëgjuar komunikimi i evidentuar si në foton më poshtë.

Gjuha e tillë karshi Zv. Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme, njëheri Drejtuese e GUXO Zj. Donika Gërvalla Schwarz, por edhe kujtdo tjetër, është denigruese, seksiste dhe e papranueshme.

Gjuha e tillë nuk duhet të ketë vend në asnjë format, e lëre më në një platformë mediatike që për më tepër është institucion publik.

I bëjmë thirrje edhe Radio Televizionit të Kosovës që të distancohet nga kjo gjuhë, dhe këtë rast ta trajtoj me seriozitetin më të lartë, ashtu që të sigurohet që një nivel i tillë mendimi e diskutimi të mos tolerohet më kurrë.

Njëkohësisht, i bëjmë thirrje të gjitha mediave, gazetarëve e shoqërisë civile që të reagojë karshi një gjuhe të tillë që fatkeqësisht nuk është e rrallë në shoqërinë tonë, por që nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta lejojmë të tejkalohet pa u dënuar nga shoqëria./ KultPlus.com

Pjesë nga ditari i Jusuf Gërvallës: Jetën po e jetoj falas deri sa të më jepet rasti që ta jap për Kosovën, Shqipërinë e shqiptarizmin

Sot, Donika Gërvalla ka publikuar në profilin e saj në Facebook një pjesë nga ditari i babait të saj, Jusuf Gërvallës, shkruan KultPlus.

Ajo ka shkëputur fjalët që babai i saj kishte shkruar më datë 30 dhjetor të vitit 1979.

KultPlus ua sjell postimin e saj:

Donika Gëvalla Jusuf Gërvalla, Fletë nga ditari
30 dhjetor 1979, ora 00:45
(16 ditë pas largimit përgjithmonë nga Kosova)

Pas të gjitha gjasave, Kosova ime po hy në rrezik të madh, por pikërisht duke hyrë në këtë rrezik do ta gjejë edhe shpëtimin.
Jetën po e jetoj falas, deri sa të më jepet rasti (nderi) që ta jap për Kosovën, Shqipërinë, për shqiptarizmin./ KultPlus.com

Gërvalla bisedon për mundësi bashkëpunimi me komunitetin kulturor e biznesor në Tiranë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka është takuar atje me përfaqësues të institucioneve kulturore, të arsimit si dhe komunitetin e biznesit në Tiranë.

Përmes një njoftimi për media nga MPJD-ja thuhet se Gërvalla vizitoi shkollën e Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Ajo po ashtu vizitoi Liceun artistik “Jordan Misja”, ku edhe ka ndjekur mësimet si nxënëse si dhe muzeun “Shtëpia me Gjethe”.

Gërvalla takoi edhe përfaqësues të bizneseve që promovojnë inovacionin dhe bizneset në sektorin e teknologjisë së informacionit si ICTS Lab.

”Në të gjitha vizitat ajo bisedoi për mundësi bashkëpunimi me institucionet dhe komunitetin artistik e biznesor të Kosovës në krijimin e përmbajtjeve promovuese shqiptare nëpër botë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së. /KultPlus.com

Viti 1985, kur Donika Gërvalla interpretonte me flautë në Radio Symphony Orchestra Tirana (VIDEO)

Donika Gërvalla, e cila është Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëkohësisht njihet edhe si një flautiste e zonja, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, e njohur tashmë për publikun edhe si një flautiste e shkëlqyer, KultPlus ju sjell një video të vitit 1986, ku Gërvalla performonte me flautë.

Më poshtë gjeni videon e plotë. / KultPlus.com

Kurti: Donika Gërvalla e afirmon luftën e UÇK-së, dhe dënon krimet serbe si pakkush tjetër

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kritikave që po i bëhen zëvendëses së tij dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, lidhur me një deklaratë të mëparshme ku ajo i quante kriminelë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, shkruan KultPlus.

Kurti është shprehur se Gërvalla e mbron dhe afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UCK-në, madje në takimet me ndërkombëtarët ajo e shpjegon agresionin dhe krimet serb në Kosovë si pakkush tjetër.

“Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel.

Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, shkruan Kurti. / KultPlus.com

Gërvalla – Schwarz në përvjetorin e Çekaj: Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ka kujtuar heroin Sali Çekaj në 22 vjetorin e rënies së tij, shkruan KultPlus.

Gërvalla nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se ndonëse e kemi fituar luftën ndaj të huajve ende nuk e kemi fituar lirinë tonë të brendshme.

“Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera ministrja.

Tutje ajo ka shtuar se Sali Çekaj dëshironte një Kosovë me dinjitet, prandaj sipas saj duhet ta bëjmë krenar Çekaj dhe të gjithë të tjerët të rënë për lirinë e Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Sali Çekaj, heroi im i pavarësisë

Para pak ditësh ishim në Koshare për të përkujtuar betejën e Koshares dhe të gjithë heronjtë e saj. Sot është 22-vjetori i rënies së vizionarit dhe strategut, babait të dashur dhe shokut besnik, luftëtarit të paepur dhe politikanit largpamës, Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.

Trim, i vendosur, i mençur, i matur, i thjeshtë. Personalieti i Sali Çekajt tregon se si mund të jetë Kosova. Ai ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë. Për lirinë e Kosovës ai luftoi me mjete politike dhe në fund edhe me pushkë në krah.

Ai dha jetën për lirinë e Kosovës. Është detyra jonë ta çojmë deri në fund amanetin e tij. Lirinë ndaj të huajve e fituam, por lirinë tonë të brendshme nuk e kemi fituar ende. Drejtësia, kaq e rëndësishme për Sali Çekajn, nuk mbretëron gjithkund në Kosovë. Kosova ka tani armiq të rinj, të cilët duhet t’i luftojë, krimin dhe korrupsionin. Këta janë armiqtë e lirisë, të drejtësisë dhe të Kosovës.

Sali Çekaj e dëshironte një Kosovë me dinjitet. T’ia kthejmë së bashku dinjitetin vendit tonë. Ta bëjmë krenar Sali Çekajn dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. T’i bëjmë krenarë për Kosovën e tyre./ KultPlus.com

Gërvalla në OKB përmend gjenocidin serb: Si mundet Serbia të mos ketë kurrfarë ndjenje për këtë?

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshilli të Sigurimit ka filluar fjalimin e saj duke thënë se Qeveria e re e Kosovës do të përfundojë epokën e krimit dhe korrupsioni.

Ajo tha se vizionin e Kosovës e dëshmon edhe prapavija e saj në takimin virtual ku mbante flamurin e Kosovës, Bashkimit Europian dhe NATO-s.

Gërvalla përmendi edhe viktimat e luftës që tashmë janë përfaqësues në Parlament e Qeveri të Kosovës.

“Kryeministri jonë ka qenë i gjykuar si student në një montim politik nga regjimi autoritar serb dhe është keqtrajtuar për më shumë se dy vjet në burgjet serbe. Nënkryetarja e Kuvendit është e mbijetuar nga një masakër ku nëna, gjyshja dhe dy vëllezërit e saj ishin vrarë. Ajo ishte gjetur me 16 plumba dhe me zor e mbijetuar. Një prej deputeteve tona me votën më të madhe është përdhunuar nga forcat serbe dhe e ka marrë përsipër që të shtyjë përpara këtë çështje. Asnjë prej përdhunuesve s’ka dalë para drejtësisë deri më sot”.

“Edhe kolegët e mi amerikanë dhe rusë kanë një nënë. Dhe unë jam vetë nënë. S’ka gjë më të dhimbshme dhe të tmerrshme në botë për një nënë sesa ta humbësh fëmijën e saj. Ju ftoj të dëgjoni grupin e nënave të Gjakovës. Këto gra trime që kanë humbur fëmijët e tyre janë ende në dhimbje, por qëndrojmë drejt dhe nuk dorëzohen. Na kërkojnë asgjë më shumë së t’iu tregojmë se ku i kanë fëmijët e tyre. Si është e mundur që Serbia s’ka kurrfarë ndjenje për këtë çështje?”.

Gërvalla ka thënë se Serbia nuk po përballet me të kaluarën e saj gjenocidale dhe se kriminelët që janë autorë të më shumë se 13 mijë të vrarëve në Kosovë shëtisin të lirë në Serbi.

“S’po flasim për ngjarjet e shekullit XIX19, por po flasim për tani. Viktimat janë gjallë dhe kryesit e këtyre veprave të pakuptimta që kanë shkaktuar më shumë se 13 mijë viktima janë ende gjallë. Gëzojnë jetën në Serbi përmenden dhe përgëzohen për këto ngjarje. Këto viktima do të ishin 1.2 milionë rusë të vrarë, 2.6 milionë amerikanë apo 11.6 milionë kinezë të vrarë në më pak se një vit. Dhe bota ka parë që pak nga këta kriminelë janë ndjekur dhe atë sa për sy e faqe dhe janë shfajësuar”.

Gërvalla tha se Serbia është përgjegjëse për ndërhyrjet që ka bërë në shtetet tjera ballkanike duke kryer gjenocid në emër të Serbisë së Madhe.

“Kriminelët e luftës kanë ulëse në parlamentin e tyre. Kjo nuk është diçka që mund të thuhet të tejkalohet. Po flasim për vlerat më bazike të njerëzimit. Serbia duhet të marrë përsipër dhe të paguajë çmimin për këto maskara, të lirohet nga rrënjët e veta gjenocidale dhe të bëhet komb i civilizuar. Serbia e ka kaluar një periudhë të errët të një mendësie mesjetare e kthyer nga e kaluara që e ka çuar Serbinë në racizëm, fashizëm dhe gjenocid. T’ju pyes sinqerisht se çka e dallon viktimën e gjenocidit para 80 vitesh kur Gjermania naziste kishte kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve dhe çka e bën viktimën të kryejë vetë fashizëm dhe të mos ballafaqohet me këtë?”./klan/ KultPlus.com

Flamuri i Kosovës nuk hiqet, vazhdon takimi i Këshillit të Sigurimit pavarësisht kërkesës së Rusisë

Këshilli i Sigurimit vendosi që të vazhdojë punimet e seancës virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.

Pas fillimit të seancës, kryediplomatja Donika Gërvalla nuk ka ndryshuar prapavijën dhe flamuri i Kosovës po qëndron sërish prapa saj në ambientin ku ajo po qëndron.

Zahir Tanin, Përfaqësuesi Special i Sekretarit Gjeneral në fjalën e tij përmbledhi ngjarjet e gjashtë muajve të fundit, si zgjedhjet e fundit parlamentare, zgjedhjen e presidentes dhe situatën me pandeminë.

Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që po mbahet për Kosovën ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj ose të ndryshojë ambientin.

“Ne nuk jemi kundër ndaj përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.

Ndaj kësaj kërkese të Rusisë, ka reaguar përfaqësuesi i Britanisë së Madhe duke thënë se nuk shohin arsye që të kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar./ KultPlus.com

​Rusia i kërkon Gërvallës ta heq flamurin shtetëror, mbyllet për publikun mbledhja e Këshillit të Sigurimit

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën ka filluar me tensione, pasi udhëheqësi i seancës nga Rusia kërkoi që ministrja e Jashtme Donika Gërvalla të heq flamurin e Kosovës mbrapa saj.

Por përfaqësuesi i Rusisë është kundërshtuar nga Britania e Madhe duke thënë se nuk ka asnjë arsye që kryediplomatja kosovare të ndryshojë pamjen nga ku do të prezantojë.

“Ky nuk është një takim zyrtar dhe ne nuk shohim ndonjë arsye që ministrja Gërvalla të ndryshojë pamjet mbrapa për të vazhduar prezantimin”, tha përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka suspenduar mbledhjen e hapur virtuale për Kosovën për konsultime të mbyllura pas kërkesës së Rusisë.

Mbetet të shihet pas rifillimit të mbledhjes së hapur se çfarë do të ndodh lidhur me këtë çështje./ KultPlus.com

Donika Gërvalla e përfaqëson Kosovën në seancën e sotme të KS të OBK-së

Një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku temë do të jetë Kosova, do të mbahet sot pasdite në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gazeta Express mëson se Kosova në këtë seancë do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Në seancën e cila do të kryesohet nga Vietnami dhe do të zhvillohet në mënyrë elektronike, do të diskutohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK për periudhën nga shtatori 2020 deri në mars 2021.

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi punën e UNMIK-ut përfshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës më 14 shkurt dhe aktakuzës e Prokurorisë Speciale në Hagë kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në nëntor të vitit të kaluar si ngjarjet kryesore politike.

Raporti thekson se këto ngjarje e kanë ngadalësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe se paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe zhvillimi socio-ekonomik në Kosovë dhe rajon varen nga progresi i qëndrueshëm i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Së fundmi, Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e përfaqësoi ish-kryediplomati, tani kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca. / KultPlus.com

Donika Gërvalla: Ai që nuk e di se nga vjen, ai nuk e di as se për ku është nisur

Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur Donika Gërvalla të jetë si Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shkruan KultPlus.

Donika e cila është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listën e Vetëvendosjes, sot përmes një statusi në facebook ka folu rreth familjes së saj dhe sfidave me të cilat janë ballafaquar gjatë viteve, përderisa është shprehur se sot për të është përmbyllur një biografi 40 vjeçare.

Ajo tutje ka shkruar se besimi i dhënë nga qytetarët dhe punët që i kanë përpara janë kolosale.

Ky është postimi i plotë i Gërvallës:

Mbi 40 vjet kanë kaluar nga dhjetori i vitit 1979 kur Babi detyrohet të largohet nga Kosova e robëruar për të mos u kthyer më asnjëherë. Eshtrat e tij sot prehen në Kosovën e lirë, në Dubovik, pranë Bacit Bardhosh, Nanës Ajshe, Babës Bardh dhe të gjithë paraardhësve të tyre.

Mbi 40 vjet histori të një familjeje shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj, pasqyrë e vuajtjeve dhe sfidave të kaq shumë familjeve shqiptare gjatë shumë dekadave.

Sot për mua u përmbyll një biografi mbi 40-vjeçare.

Vajza e atëhershme, e cila në moshën 8-vjeçare u detyrua të largohej nga vendlindja, në moshën 10-vjeçare përjetoi atentatin ndaj babait dhe axhës, u rrit në një prej diktaturave më të egra komuniste në Evropë, përjetoi shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, përjetoi rëndë diskriminimin dhe shtypjen e bashkëqytetarëve të saj në Kosovë gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta dhe më në fund në vitin 1999 e përjetoi lirinë dhe në qershor 1999 për herë të parë pas 19 vitesh mundi të kthehet në Kosovë, pra po ajo vajzë, të cilën përvoja e saj jetësore e mësoi që liria dhe demokracia e mirëfilltë është ajo, për të cilën asnjëherë nuk duhet ndalur së luftuari, sot ka marrë besimin të jetë përfaqësuese e Republikës në politikën e saj të jashtme.

Mirënjohja ime për besimin ndaj meje është e thellë sa nuk thuhet.

Aq më i madh detyrimi për ta përmbushur këtë detyrë me nder, punë të mira për Kosovën dhe hapjen e shtigjeve të reja për vendin dhe të gjithë qytetarët e tij.

Besimi i dhënë dhe punët që i kemi përpara janë kolosale. Mbetet që në asnjë ditë të punës sonë gjatë 4 viteve të ardhshme mos ta harrojmë besimin e dhënë dhe shpresën e qytetarit, që fatin dhe të ardhmen e tij dhe të vendit ta kemi udhërrëfyesin kryesor gjatë punës sonë. / KultPlus.com

Viti 1985, kur Donika Gërvalla interpretonte me flautë në Radio Symphony Orchestra Tirana (VIDEO)

Donika Gërvalla, sot u zgjedh Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, e njohur tashmë për publikun edhe si një flautiste e shkëlqyer, KultPlus ju sjell një video të vitit 1986, ku Gërvalla performonte me flautë.

Më poshtë gjeni videon e plotë. / KultPlus.com

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar përbërjen e plotë të kabinetit qeveritar që pritet të votohet pas pak në seancën që po mbahet, përcjell KultPlus.

Në këtë listë, Donika Gërvalla është e renditur si Zëvendës Kryeministre e Dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Pas një faze të angazhimit pa funksione partiake, në vitin 2015 u zgjodh kryetare e LDK-së në Gjermani. Pas dështimit të përpjekjeve për reforma të brendshme, në vitin 2018 jep dorëheqje dhe largohet përfundimisht nga LDK-ja. Donika është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listën e VetëVendosjes. / KultPlus.com