Visar Kuçi e Lirika Pula, duo që përcolli ndjenja mallëngjimi në natën e katërt të ‘ReMusica’

Suada Qorraj

Udhëtimi pati rrugë të parë Amsterdamin, për të shkuar më pas larg, shumë më larg këtij metropoli, në kryeqytetin e një vendi të vogël, që ishte nikoqiri i natës së dytë të festivalit ‘ReMusica’, Prishtinën. Por, rrugën e gjatë që tashmë e kishte përpara, nuk e mbaroi këtu, shtegtimet, mbase më të shpeshta së një zog shtegtar, e sollën natën e tretë të ‘ReMusica’ në qytetin e muzikës dhe artit, Vjenë. Hijeshinë që vit pas viti festivali ndërkombëtar i kishte dhënë ‘Sallës së Kuqe’, nuk kishte si të mos e rikthente, dhe një herë në natën e katërt të këtij festivali, shkruan KultPlus.

Nën tingujt e lehtë të violinës të shoqëruar me lojën e pianos, filloi si pa zë, të luhej sonata për violinë dhe piano e Claude Debussy. Historia e trishtë që përcolli jetën e kompozitorit, përgjatë kohës sa punonte për gjashtë sonatat për instrumente të ndryshme, i dha frymë ‘Sallës së Kuqe’, duke shënuar pak nga pak, në secilën notë, veprën që i mbeti në mes, e çastet e fundit të Debussys.

Ndonëse të ulur përballë ekraneve, kombinimi i duos Visar Kuçi dhe Lirika Pula, bëri që në secilin prej nesh të ngjalleshin, si me pahir, ndjenja mallëngjimi, por dhe emocione nga ato që as fjalët s’mjaftojnë për t’i përshkruar. Mjeshtëria me të cilën sollën përballë publikut veprat gjatë natës së mbrëmshme Lirika Puka dhe Visar Kuçi, bënë të dukej sikur secila prej tyre ishte kompozuar pikërisht për gishtat e tyre.

Violinisti, Visar Kuçi teksa rrëfente për përvojën e tij në edicionin e pazakontë e të mbushur përplot me surpriza të festivalit ‘ReMusica’, theksoi se nata e këtij festivali do të qëndronte gjatë dhe e palëkundur në memorien e tij. Ai madje e konsideron veten me fat që përgjatë kësaj kohe punoi së bashku me Lirika Pulën.

“ReMusica 2020 ishte një përvojë shumë e veçantë të cilën do ta mbaj me vete për një kohë të gjatë, ndoshta përjetësisht. Isha shumë me fat që në këtë edicion të luaj së bashku me Lirika Pula-Kasapollin me të cilën ishte shumë kënaqësi me punu për herë te parë si duo”, ka thënë Kuçi.

Edhe për pianisten Pula – Kasapolli pjesëmarrja në një format të tillë të festivalit ishte e mirëseardhur. Madje për të, bashkëpunimi me violinistin siç e quan ajo shumë dimensional e bëri që pa hezitim ti përgjigjej në mënyrë pozitive ftesës për pjesëmarrje në ‘ReMusica’.

“Fillimisht, kur mu bë ftesa për pjesëmarrje, patjetër që u ndjeva mirë, sepse mbas gjithë këtyre muajve pauzë nga paraqitjet koncertale, një paraqitje e tillë, qoftë edhe në format të tillë çfarë është, ishte e mirëseardhur, besoj për secilin artist do të ishte e tillë.  E aq me tepër, bashkëpunimi me një artist si Visar Kuqi, një muzikant shumë dimensional dhe profesionist i detajeve, më bëri që ftesës ti përgjigjesha pozitivisht”, është shprehur Lirika Pula.

Sikurse në netët paraprake edhe në natën e mbrëmshme, salla ishte bosh, ishte skena ajo që i jepte jetë e ngjyrë Prishtinës. Mbase publiku tashmë kishte filluar që dal nga dalë të mësohej, por për violinistin Kuçi kjo mungesë e bëri që të mësoj shumë. Ai ka theksuar se muzika që luhet në sallat e koncerteve nuk u takon vetëm atyre që e bëjnë, por edhe atyre që e dëgjojnë.

“Ishte Recitali i parë dhe ndoshta i vetmi për këtë vit si dhe hera e parë që luanim një recital pa publikë ne sallë. Mësova shumë nga kjo përvojë dhe e ndjeva jashtëzakonisht shumë mungesën e publikut sepse muzika që ndodhë në sallë gjatë një koncerti nuk i takon vetëm atyre që e bëjnë atë, por edhe atyre që e dëgjojnë”, ka pohuar për KultPlus Visar Kuçi.

Por, nuk ishte vetëm violinisti ai që publikun e konsideronte të nevojshëm, edhe Pula tregoi se për të publiku është vet frymëzimi dhe se loja në sallë pa publik nuk ishte e këndshme.

“Duhet cekur, që për artistin përformues publiku është një domosdoshmëri, është vet frymëzimi, prandaj edhe për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj drejtë, them se ndjenja e lojës në sallë pa publik nuk ishte fort e këndshme, mungesa e tij të krijonte idenë e provës me shumë se të interpretimit në skenë”, ka shtuar pianistja.

E veçanta e kësaj nate nuk ishin veprat premierë të kompozitorëve shqiptarë që kanë karakterizuar përherë ‘ReMusica’, por premiera e kompozitores greke-holandeze Calliope Tsoupak , ‘Thin Air’ e cila është shkruar në kohën e pandemisë dhe përmban një mesazh të fortë, atë të solidarizimit në kohë pandemie.

Ishte violinisti, Visar Kuçi, ai që solli premierën e kësaj vepre përball publikut shqiptar e të huaj. Violina e tij, por dhe talenti që posedon, jehuan në ‘Sallën e Kuqe’, veprën që do të udhëtoj në pesëdhjetë vende të ndryshme në Evropë, e nga festivali në festival.

Mirëpo në festivalin ndërkombëtar të muzikës nuk ka si të mungojnë veprat e kompozitorëve shqiptarë, edhe atëherë kur nuk vijnë si premierë përpara publikut. Nën tingujt e pianos ku e vetme në skenë luante Lirika Pula – Kasapolli, muzika e kompozuar nga Esat Rizvanolli, tashmë kishte marrë jetë, dhe për pak minuta, ngjalli skenën e kryeqytetit.

Krejt në fund Pula dhe Kuçi kanë thënë se shpresojnë që interpretimi i tyre të arrij tek secili që përcjellë koncertin online. Njëherësh ata kanë shprehur mirënjohjen e tyre kundrejt festivalit dhe përpjekjet e tyre për të sjellë një mori koncertesh interesante.

‘ReMusica’ rrugëtimin e saj do ta vazhdoj edhe në Francë e Gjermani, për të bërë kështu të mundshme edhe tre netë të tjera, që synojnë të përcjellin emocion, kënaqësi por edhe magjinë e të interpretuarit të veprave monumentale, që i qëndruan kohës./ KultPlus.com