ReMusica me dy koncerte në Himara International Music Festival

ReMusica Festival i drejtuar nga kompozitorja Donika Rudi do të ketë dy paraqitje në Himara International Music Festival.

Në pikën më të lartë të kalasë, në kalanë shekullore të Himarës në Shqipëri, “Lament of the Earth” nga kompozitorja Donika Rudi do të hapë festivalin Himara International Music Festival këtë të enjte, përcjell KultPlus.

“Lament of the Earth” është vepër kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë dhe ngrohjes globale  e mbështetur nga platforma IN SITU – European Platform for Artistic Creation in Public Space, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe i Bashkimit Evropian / Teatri ODA.

Shfaqja do të prezantohet dy herë, në orën 19.30 dhe në orën 20.00.

LAMENT OF THE EARTH (Vajtimi i Tokës)është cikël i veprave audio-vizuale nga kompozitorja Donika Rudi kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, është thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit tonë. Fokusi thelbësor i këtij cikli është shtjellimi i temës së ndryshimeve klimatike dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët. Vepra është ndërtuar duke u bazuar në grafikën e “warming stripes” apo shiritat e ngrohjes globale, të cilat vizualisht portretizojnë ndryshimin afatgjatë të temperaturës në sipërfaqen e Tokës. Në pjesën e parë vepra përqendrohet në tinguj organikë, kryesisht në një qetësi dhe harmoni me tekst të autores Doruntina Basha, përderisa kulminacioni arrihet me tinguj të transformuar, të deformuar dhe vajtimin e tokës, thirrjes për veprim nga sopranoja Kaltrina Miftari. Gjuha e shenjave dhe vallëzimi është pjesë integrale e këtij cikli, ku përmes lojës së lëvizjeve, vallëzimit dhe “visual vernacular” do interpretohet dhe përjetohet emocioni i tingullit. Vepra adreson atë që të gjithë ndjejmë por nuk e flasim, vërejmë  por nuk e shohim, atë që na afekton por ne qëndrojmë indiferent.

Për këtë vepër me profesionalizmine  tyre kanë punuar: Donika Rudi, kompozitore, Kaltrina Miftari, soprano, Agnes Nokshiqri, gjuha e shenjave/visual vernacular & vallëzim Doruntina Basha, teksti Hana Zeqa (Fight or Flight), kostumi / skenografia, Labinot Rudi, sound / zëri.

Gjithashtu, kompozitorja Donika Rudi ka bërë më dije për KultPlus se në këtë festival do të paraqiten edhe me një tjetër koncert nga ReMusica Vocal Ensemble.

Nën qiellin e hapur, midis shtëpive të vjetra dhe Kishës së Gjithë Shenjtorëve në fshatin e Himarës, koncerti i Ansamblit vokal ReMusica do të mbahet me datën 3 Gusht 2023. 

Programi i ansamblit vokal ReMusica paraqet një zhytje të madhe në thesarin historik të muzikës shqiptare (deri vonë të panjohura për histiorografinë shqiptare ) të shekullit XIII dhe XIV me kompozitoret Gjergj Danush Lapacaj , Jan Kukuzeli (i cili njihet si reformator i notacioni të kishës lindore) dhe duke vazhduar deri te krijimtaria e kompozitorëve kosovarë si Mendi Mengjiqi, Memli Kelmendi dhe poashtu repertoari modern botëror.

Ky program i pasur, kryesisht  me vepra të autorëve tanë do t’jepet me datën 3 Gusht 2023 në Himarë. 

Ansambli vokal i Kosovës ReMusica është ansambël i formuar nga Festivali ReMusica dhe ai karakterizohet për repertoarin e tij të gjerë stilistik, duke filluar që nga muzika e vjetër – renesansë &  barok, repertoari modern shqiptarë e deri tek repertoari botëror bashkëkohor. Nën udhëheqjen e dirigjentit Rafet Rudi, tetë profesionistë janë bashkuar për të shpalosur muzikën korale me një finesë, ndjeshmëri interpretative duke synuar një standard shumë kërkues. / KultPlus.com

‘Lament of the Earth’ nga Donika Rudi shfaqet në “OORtreders Festival” në Belgjikë


Vepra “Lament of the Earth” e kompozitores kosovare Donika Rudi së fundmi është shfaqur në Belgjikë, në kuadër të “Oortreders Festival 2022”, përcjell KultPlus.

Vepra është cikël i veprave audio-vizuale, kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, ngrohjes globale dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët.

“Lamnet of Earth” është mbështetur nga platforma IIN SITU, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

“Odë jetës” e Donika Rudit me 16 performanca në Festivalin “Theater op de Markt” në Belgjikë

Ode to Life (Odë jetës) vepër akusmatike, instalacion tingullor, performancë nga kompozitorja Donika Rudi do të jetë pjesë e Festivalit Theater Op de Markt në Hasselt të Belgjikës. Ode to Life gjithsej do të ketë 16 performanca në data 11-14 Gusht.

Festivali Theater Op de Markt nis me datën 10 dhe mbaron me datën 14 Gusht këtë vit.

Mjedisi që na rrethon ka ndikim në jetët tona shumë kohë para se ne ta zhvillojmë ndjenjën për vetën, madje edhe para ditës kur shohim për herë të parë. Odë e Jetës eksploron rrugëtimin përmes njërës prej shqisave të para të cilën e zhvillon fetuesi – shqisën e të dëgjuarit dhe të ndjenjës fizike. Duke filluar nga vibrimet e tingujve të mjedisit e deri te njohja e zërave.

Këndvështrim nga brendësia e barkut të nënës. 

Donika Rudi (1982) është kompozitore kosovare e specializuar në muzikë akusmatike, elektroakustike. Që nga viti 2010 ajo është anëtare e FEBEME – BEFEM (Shoqata e kompozitorëve belg për Muzikë Elektroakustike) dhe anëtare e CEC (Komuniteti Kanadez Elektroakustik). Që nga viti 2010 ajo është Drejtoreshë e Festivalit ReMusica në Kosovë. Poashtu, ajo është artiste e asociuar për vitet 2020 -2024 në kuadër të IN SITU – Platforma Evropiane për krijimin artistik në hapësirën publike,  udhëhequr nga publiku i Lieux në Francë.

Rudi studioi kompozimin (muzikë instrumentale dhe elektroakustike) në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë, Zvicër. Ajo ka përfunduar MA në Royal Conservatorium of Mons, Belgjikë, përkatësisht kompozimin në muzikë akusmatike me kompozitoren e cmuar Annette Vande Gorne.

 Disa nga veprat e saja më të rëndësishme janë: Baleti bashkëkohor “Life in Sloë Motion”,dhënë premierë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë; Veprat akusmatike “Emotion Machine “ mbështetur nga Wallonie Bruxelles;, “Unspoken”, “The Echoes of the Crying Earth” ,  “Ode to Life” akusmatike / sound installation, mbështetur nga platforma IN SITU, në kuadër të projektit ACT, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian  ; veprat elektroakustike:  “9” për trombon dhe elektronikë; “Aura I” për violinë, violë, mezosoprano, soprano, perkusion dhe elektronikë; “etj.

Ajo gjithashtu kompozoi muzikë për drama, dokumentarë dhe filma të shkurtër.  “In the name of the Father” docu-theater dhe vallëzim me regji të Darrel Toulon me shfaqje në Sarajevo Ëar Theatre October 2019 ; Srebrenica October 2019 Osijek Peace Aëards 2020 ; , dokumentar SARABANDE me regji të Kaltrina Krasniqit, INSANE – project multivizual me regji të Zineb Benzekri, janë vetëm disa për të përmendur.

Kompozimet e saj janë interpretuar në Francë, Kolumbi, Zvicër, Portugali, Kosovë, Shqipëri, Itali, Australi, Bullgari, Serbi, Kanada, Spanjë, Belgjikë etj.

Kompozimet e saja janë transmetuaa në Radio Spain – Radio Spanjë – UNDÆ! Radio, France Musique (në radioshow Christian Zanési), Dutch National Radio Radio Kombëtare Holandeze “Sonema Lab”, National Portuguese Radio , Radio Kombëtare Portugeze (Arte Eletroacústica). / KultPlus.com

“Lament of the Earth” nga Donika Rudi vjen sonte premierë në Festivalin HAPU

Në kuadër të festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”, sonte do të jepet premiera e veprës “Lament of the Earth” e kompozitores kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.

Vepra është cikël i veprave audio-vizuale, kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, ngrohjes globale dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët.

“Lamnet of Earth” është mbështetur nga platforma IIN SITU, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian.

Vepra do ta ketë premierën sonte në Parkun e Qytetit duke filluar nga ora 21:00. / KultPlus.com

“Lament of the Earth” nga Donika Rudi, premierë në Festivalin HAPU

Në kuadër të festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”, nesër do të jepet premiera e veprës “Lament of the Earth” e kompozitores kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.

Vepra është cikël i veprave audio-vizuale, kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë, ngrohjes globale dhe eksperiencës tingullore për komunitetin e shurdhët.

“Lamnet of Earth” është mbështetur nga platforma IIN SITU, në kuadër të projektit (UN)COMMON SPACES, të bashkëfinancuar nga programi ‘Creative Europe’ i Bashkimit Evropian.

Vepra do ta ketë premierën nesër në Parkun e Qytetit duke filluar nga ora 21:00. / KultPlus.com

muz

ReMusica me një përmbyllje të pakrahasueshme nga Petrit Çeku & Viva String Quartett

Era Berisha

Ajka e veprave të mahnitshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë mbrëmë lindën nëpërmjet talentit të pakrahasueshëm të kitaristit Petrit Çeku dhe Kuartetit harkor “Viva String Quartett”, të cilët së bashku frymuan në një frymë që vazhdimisht buronte melodi dhe tinguj që u ndezën mahnitshëm në atmosferën e ngrohtë dhe lëshuan një harmoni e cila vështirë se do të rikrijohet përsëri, duke përmbyllur kështu edicionin e 21-të të festivalit ReMusica që shtëpinë e gjeti në Sallën e Kuqe, shkruan KultPlus.

Ky vend i cili priti këtë dyshe të mrekullueshme në natën e fundit kishte ndërruar disa detaje të dallueshme nga netët tjera. Salla e Kuqe mbrëmë kishte shtuar dukshëm një numër të madh të karrigeve duke mbushur sallën në tri anë të saj. Me dymbëdhjetë reflektorët në ngjyrë të kaltër, drita precize në formë rrethore që vjen nga lart dhe dritat e ngrohta që ndriçonin vendin në hapësira të caktuara, Salla e Kuqe mori formën të përmbushjes në numër. Ndërkaq, pozicionimin e tyre e kishin ndërruar edhe shkronjat e mëdha në prapaskenë që portretizojnë emrin e festivalit ReMusica të cilat po qëndronin të gjalla në natyrën e tyre gjelbëruese.



Hapjen e kësaj nate e nisi drejtoresha artistike, Donika Rudi dhe producenti i festivalit, Viktor Berishaj, të cilët janë shprehur se janë tejet të kënaqur që më fund publiku është pjesë e këtyre koncerteve dhe po ashtu se festivali i është bashkuar nismës së solidarizimit me festivalet e tjera evropiane, ‘Festivals for Compassion’.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në mbrëmjen përmbyllëse të festivalit ReMusica. Në program sonte do ta kemi premierë veprën e kompozitorit Valton Beqiri, e titulluar “XX”, jo rastësisht. Vitin e kaluar ReMusica ka festuar edicionin e njëzetë të festivalit, fatkeqësisht duke qenë larg jush por jemi shumë të lumtur që sonte po ju shohim dhe që sot do ta dëgjojmë këtë vepër premierë që do të jetë nga “Viva String Quartet” dhe Petrit Çekun në kitarë dhe Valton Beqiri në piano”, thotë Rudi.

Ndërsa, producenti i ReMusica-s, Viktor Berishaj tha se festivali, si çdo vit tjetër, ka trajtuar një temë e cila duhet të adresohet në shoqëri dhe jo vetëm.

“Me shumë mëdyshje e kemi nisur edicionin. Kjo është hera e parë me publik qysh duhet sepse pe shihni dhe vetë numrin e limituar të ulëseve por ka qenë një sfidë për t’u kthyer në normalitet që na është dashur shumë dhe sivjet kemi arritur që ta bëjmë këtë gjë. Si çdo vit tjetër, jemi munduar që një temë të caktuar që duhet të adresohet si shoqëri, pjesëtarë të komunitetit apo si gjallesa që jetojmë në këtë kohë, janë ato të ndryshimit klimatik dhe urgjencës së veprimit klimatik dhe mjeshtërisht Donika ka qenë ajo e cila ka arritur të futë nëpërmjet veprave këtë temë prej secilës natë të koncerteve nëpërmjet katër elementeve si uji, ajri, toka dhe zjarri”, thotë Berishaj.



Sipas tij, ka pasur një mori aktivitetesh përcjellëse, masterklasë, punëtori të ndryshme në Universitetin e Prishtinës si dhe një numër të madh të dashamirëve të muzikës. Ka pasur ansamble të mrekullueshme dhe talente të mrekullueshëm në Kosovë që kanë performuar në këtë edicion.

“Sonte po bëjmë një përmbyllje ashtu tamam si na përket neve. Sa i përket artistit që ka me performu sonte me kuartetin, nuk ka nevojë për ta prezantuar sepse të gjithë e dimë se kush është Petrit Çeku saqë edhe stadiumin e Prishtinës me pas hap, nuk do të na zinte të gjithëve për me përcjell. Megjithatë koncertin sonte do e nisim përsëri me një mesazh që kemi nevojë për ta adresuar. Pra, ne marrim frymë njësoj me qytetarët ukrainas të cilët janë duke e përjetuar një tmerr të cilin ne fort mirë e dimë. Për këtë arsye si viteve tjera ReMusica i është bashkuar nismave të ndryshme ndërkombëtare me një kauzë të caktuar. Nata do të fillojë me interpretimin e veprës së një kompozitori ukrainas të cilën e ka kompozuar në momentet kur ka nis lufta”, shpalos Berishaj.



Pas kësaj hapjeje, skena e cila mu në mes kishte të vendosura gjithsej pesë karrige të cilat me pozicionin e tyre i ngjasonin një gjysmë hëne dhe pianoja që qëndronte në qosh për t’u gjallëruar kur radha e saj do të vinte, po krijonin një hijeshi dhe atëherë kur me duartrokitje të zjarrta, publiku mirëpriti kuartetin harkor “Viva String Quartett”. Të veshur në të zeza nga koka e deri të këmbët, kuarteti harkor u fut direkt në interpretimin e veprës së parë të titulluar “Drop after drop” nga kompozitori ukrainas Maxim Shalygin, me ç’rast meloditë e veçanta që tërë kohës i ngjasonin një fëshfëritjeje, sollën një bukuri tingujsh të cilat me butësinë, qetësinë dhe ngadalësinë e tyre, vërtetë pikonin si pika të ujit, pikë pas pike deri në pikën e fundit që shënoi fundin e veprës.

Ndërsa, për veprën e dytë të radhës me titull “Guitar Quintet in D major, No.4, G, 448 – Fandango” nga kompozitori Luigi Boccherini, të pranishmit me brohoritje dhe duartrokitje që s’njihnin fund, mirëpritën kitaristin Petrit Çeku në skenë. Njashtu sikurse kuarteti harkor edhe kitaristi i veshur në ngjyra të zeza me një buzëqeshje në fytyrën e tij e nisi veprën e dytë për këtë mbrëmje.

Dy violina, një violë, një violonçel dhe një kitarë jetësuan interpretimin e melodive dhe tingujve të cilat po njëlloj sikurse pronarët e tyre, dilnin jashtë kontrollit për të shpalosur një vijë tejet ritmike. Në një hap me rimtin, kitaristi Petrit Çeku në çdo sekondë po dhuronte shpirtin e tij artistik nëpërmjet lëvizjeve të tij trupore saqë edhe flokët e tij po luhatnin në drejtime të ndryshme. Talenti i tij doli nga brendësia e tij qysh në momentin e parë të mbrëmjes dhe nuk u fut brenda në strofullin e vetë për asnjë çast.



Efikasiteti i shpejtësisë performuese, vështrimet melankolike, ndjeshmëria e tij ndaj instrumentit që qëndronte para tij si vetë hija e tij, bëri që kitaristi të emociononte secilin të pranishëm që po vështronte me kujdes elegancën e tij interpretuese. Ndërsa, kuarteti harkor me lëvizjet e duarve të tyre sollën një precizitet të pashoq. Harmonia e tyre ndërronte sa herë që ndërronte ritmi i veprave, me ç’rast ata ngulitën vështrimin e publikut drejt tyre, për të mos ia lëshuar atë asnjërit deri në notën e fundit.

Pas një pauze pesë minuta, drejt skenës ecte kitaristi Petrit Çeku i cili u shoqërua në piano nga Valton Beqiri për të sjell veprën premierë “XX” nga kompozitori Valton Beqiri, vepër kjo që pati ardhur dedikim ndaj 20 vjetorit të festivalit ReMusica por që u luajt mbrëmë për herë të parë në 21 vjetorin e festivalit. “XX”, hyri në secilin shpirt të pranishëm. Qysh nga minuta e parë e deri tek e fundit, vepra përçoi një emocion që s’kishte kush që do t’ia vinte pikën. Ndërlidhja e tingujve të pianos dhe melodive të kitarës krijoi një atmosferë tejet të ngrohtë me ç’rast publiku u fut në hipnozën e bukur që vepra posedonte. Ndonëse më e shkurtra nga tjerat vepra që u interpretuan mbrëmë, “XX” solli kulminacionin që në strehë të saj kishte dhuntinë e shkathtë të pabarazueshme.

Ndërsa, vepra e fundit për këtë natë, “Guitar Quintet op.143” nga kompozitori Mario Castelnuovo-Tedesco, e riktheu në skenë sërish kuartetin harkor “Viva String Quartett” ku së bashku me kitaristin Petrit Çeku, përmbyllën edicionin e 21-të të festivalit ReMusica në një mënyrë brilante. Pas pothuajse dy orëve interpretimi, ishte radha që publiku të mbizotëronte atmosferën me duartrokitje të pandalshme dhe brohoritje që preknin edhe qiellin. Me një ritëm të duartrokitjeve dhe brohoritjeve për këtë koncert si dhe tërë këtë edicion të mahnitshëm të ReMusica-s, u përmbyll programi i pasur dhe i larmishëm i veprave që do mbahen mend gjatë në kujtesën e secilit që ka ndjekur nga afër të gjitha koncertet e parapara për edicionin e 21-të të festivalit që shënoi një sukses përtej krahasimit.



Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve të saj për këtë mbrëmje dhe tërë edicionit në përgjithësi, për KultPlus foli Donika Rudi.

“Koncerti ishte jashtëzakonisht i bukur, pra një koncert të cilin e kemi pritur tash një kohë. Petriti është njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të festivalit ReMusica dhe pothuajse në çdo vit, në çdo edicion, atë e kemi prezent. Këtë vit ai erdhi me Kuartetin harkor nga Maqedonia Veriore “Viva String Quartet”. Një program tepër i bukur me dy elemente të cilat e karakterizuan koncertin, vepra “Drop after drop”, e kompozitorit ukrainas dhe me këtë rast u solidarizuam me festivalet e tjera evropiane në iniciativën ‘Festivals for Compassionn’ dhe kjo vepër është shkruar në këto muajt e fundit në Ukrainë dhe kush ma shumë se ne, si popull, e përjetojmë gjendjen dhe atë se çka po ndodh në Ukrainë. Me këtë vepër deshëm që të solidarizohemi me gjithë botën dhe festivalet e rëndësishme të muzikës klasike botërore”, thotë Rudi.

Sipas saj, vepra e Valton Beqirit ishte një vepër e cila është dedikim ndaj festivalit ReMusica për edicionin e kaluar. Situata e cila ka ndodhur dy vitet e fundit konsiderohet të kishte qenë mundësia jo e mirë për të dhënë premierën prandaj ajo u dha sonte.

“Mendoj që i gjithë edicioni i 21-të ka qenë një laramani me programe të ndryshme duke filluar nga koncertet në moshë të re e deri tek ajo e vjetra. ReMusica gjithmonë tenton që të ketë një program ku secili mundet me gjet vetën në stile mjaft të ndryshme. Këto njëzet vite, festivali ka pasur në fokus krijimtarinë kosovare duke stimuluar kompozitorë të rinj për vepra të reja por këtë vit kemi tentuar dhe do të tentojmë që bashkëpunimet në mes të artistëve tanë dhe atyre ndërkombëtarë ti jetësojmë duke u bërë kështu një urë lidhëse në mes krijuesve kosovarë dhe atyre ndërkombëtarë. Ajo se çka më së shumti kemi pritur ne si ekip ka qenë kontakti me publikun. Kjo energji në mes të artistit, publikut dhe organizatorëve, është një trekëndësh shumë me rëndësi i cili ka munguar shumë. Andaj, ky rikthim në 21 vjetorin tonë është një prej momenteve më të bukura të cilën kemi mundur ta përjetojmë”, përfundon Rudi.



Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajtoi temën e ndryshimeve klimatike dhe bëri thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, ishte reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Era Berisha

Abigeila Voshtina dhe Artemida Qarri-Haxhiaj, dyshja e fuqishme shqiptare e ReMusica

Era Berisha

Madhështia e gjithsej katër veprave të mrekullueshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë, u jetësuan mbrëmë nga talenti i violinistes Abigeila Voshtina dhe pianistes Artemida Qarri-Haxhiaj në natën e katërt të festivalit ReMusica. Këto vepra gjatë tërë natës frymuan tinguj e melodi të cilat vinë të gërshetuara magjishëm mes vete nga dy instrumentet vezulluese, me ç’rast ritmi i pakrahasueshëm dhe gjallëria perfeksioniste ishin dy aspektet që përkuan me këtë koncert, shkruan KultPlus.

Me dymbëdhjetë reflektorë në ngjyrë të kaltër, drita që rrethakon hapësirën për dy instrumentistet mu në mes të skenës, emri i festivalit që me shkronja të gjelbër gjallëronte fuqishëm në prapaskenë si dhe dritat e ngrohta të drejtuara nga ana e instrumenteve, tashmë është shndërruar në simbolin kyç të koncerteve që po mbahen në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Kjo sallë e cila për tri net rresht priti artistë të shkëlqyer, tashmë është bërë gati të pushtohej edhe nga dy artistet që sonte sollën një muzikalitet dhe teknikë të jashtëzakonshme.

Fotografia: Rrahman Osmani

Me një duartrokitje nga ana e publikut, në skenë me një elegancë të tejskajshme, doli violinistja Abigeila Voshtina dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj, por para se programi të gjente fillimin e tij, violinistja Voshtina iu drejtua audiencës për të treguar për një ndryshim të vogël në interpretimin e veprave.

“Dua të ju informoj për një ndryshim të vogël në program. Ne sonte do të fillojmë me sonatën e Çesk Zadejës sepse mendoj që ka një identitet shumë të spikatshëm të muzikës shqiptare. Është e shkruar në vitin 19 2 dhe e luajtur për herë të parë në 19 4. Sonata është shumë atipike jo vetëm për kohën, jo vetëm për ideologjizmin e komunizmit, por edhe për kohën që jemi sot sepse ka vetëm dy kohë. E shikoni që koha e parë ka një hapësirë që mund ta quajmë mjegullore kurse koha e dytë është gjatë gjithë kohës me një ritëm shumë folklorik tonin, shumë të thyer dhe kjo tregon se sa e fuqishme ka qenë pena e Çeskut dhe pse ai quhet ‘babai i muzikës shqiptare’. E them këtë për arsye se e di që ky festival është për të gjithë ata që janë krijues të rinj dhe kompozitorë të rinj të Kosovës”, thotë Voshtina.

Pas kësaj hyrjeje, në sallë mbizotëroi heshtja për të dëgjuar veprën “Sonata për violinë e piano” e kompozitorit Çesk Zadeja. Dyshja shqiptare solli një fillim tejet të bukur ku në njërën anë lehtazi dalloheshin lëvizjet e mprehta të gishtërinjve në piano dhe në anën tjetër ishte teknika e fuqishme dhe përqendrimi preciz në instrumentin e violinës ato që dëshmonin për ritmin dinamik që gërshetohej në atmosferë me ç’rast shpirti i tyre artistik dilte jashtë çdo kufiri për të përfunduar kështu magjishëm veprën e parë për këtë natë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Ndërkaq, në radhë ishte vepra e titulluar “Sonata për violinë e piano No.1 la minor Op.105” nga kompozitori Robert Schumann, vepër kjo që me precizitetin, shprehjet e fytyrës, luhatjet e tërë trupit dhe qetësinë adhuruese që shpërfaqnin dy instrumentistet, bëri që çdo melodi e krijuar të gjente rrugën për të hyrë në shpirtin e të pranishmëve. Performanca e tyre frymëzuese erdhi nën inkuadrimin e harkut të violinës në ngjyrë gjaku që vazhdimisht lëvizte pa ndalim dhe çelësave bardh e zi të instrumentit gjigand në ngjyrë të zezë të cilat përjetuan prekje sa të lehta aq edhe të çmendura për të sjell kështu tinguj që furishëm përçuan ndjenja diversive.

Pas interpretimit të veprës së dytë me radhë, një pauzë e shkurtër zuri vend dhe violinistja Voshtina përsëri iu drejtua publikut para se fillonte vepra e tretë.

“Kur vendosa programin dhe fola me pianisten Artemidën zgjodhëm kompozitorin Johannes Brahms i cili është jashtëzakonisht i rëndë dhe kjo nganjëherë nuk duket sepse njerëzit mendojnë që instrumentistët bëjnë ‘la la la’ por nuk është kaq e thjeshtë. Atëherë ideja se pse zgjodhëm këta dy autorë gjerman si R.Schumann dhe J.Brahms është jo sepse Gjermania për fatin tonë të madh ka shkruar me të vërtetë shumë, por këta të dy lidhen shumë me njëri-tjetrin. Kjo ishte arsyeja pse ne zgjodhëm këta dy autorë, por që me të vërtetë, kush ka dëgjuar dhe kush ka luajtur, e di natyrisht se sa e rëndë është muzika gjermane, e rëndë jo si muzikë sepse muzika është jashtëzakonisht e bukur, por që kërkon me të vërtetë shumë po shumë fuqi. Jam e sigurt se do t’iu pëlqej”, thotë Voshtina.

Fotografia: Rrahman Osmani

Një piano dhe një violinë sollën veprën e radhës të titulluar “Sonata për violinë e piano No.2 në la maxhor, op.100” nga kompozitori Johannes Brahms. Dy instrumentet kësaj here u futën në teknikën e fuqishme të dy pronareve të tyre, me ç’rast muzika e fuqishme që pasonte në çdo moment bëri që edhe flokët e interpretuesve të dridheshin me lëvizjet e tyre të shpejta dhe të sakta. Ndeshja e pianos dhe violinës tërë kohën po krijonte një gërshetim plotësues dhe të gjithanshëm që solli një gjallëri që herë vinte në formën e ngadaltë dhe më lirike, ndërsa në momentin tjetër ndryshonte duke sjell një rrotullim të zhurmshëm dhe energjik të paparë.

Ndërkaq para se edhe vepra e fundit të jehonte, violinistja Voshtina përsëri mori fjalën.

“Kemi një ‘Scherzo’ e cila po luhet për herë të parë. Duhej patjetër që ta futnim një kompozitor kosovar dhe me një krijim të ri, kështu që shpresoj të ju pëlqej”, thotë ajo.

Ishte kjo dyshe shqiptare që mbrëmë solli një interpretim magjepsës me tërë programin e luajtur, duke kapur kështu vëmendjen e të pranishmëve me performimin e notave që dukshëm buronin nga brendësia e tyre shpirtërore e kjo vërehej sidomos nga vepra “Schero” të kompozitorit Drinor Zymberi që shënoi fundin e kësaj nate, duke lënë pas momente dhe kujtime që do i përcjellin të pranishmit për një kohë të gjatë.

Krejt në fund, publiku me duartrokitjet e pa ndalura dhe brohoritjet e shumta falënderoi violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj për performancën e bukur dhe të paharrueshme, duke i rikthyer ato për të dytën herë në skenë, me ç’rast edhe violinistja Voshtina mori fjalën për të përmbyllur këtë koncert.

“Ky koncert ka pasur shumë episode sepse donim ta fillonim që në vitin 2019 por ra pandemia, pastaj pas pandemisë Artemida ka pasur një vajzë dhe tani më në fund erdhi ky moment, kështu që faleminderit shumë për ftesën dhe punën që ju e bëni. Faleminderit dhe publikut për pjesëmarrjen ngase pa ju asgjë nuk do të funksiononte”, thotë Voshtina.

Fotografia: Rrahman Osmani

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte në Teatrin Oda duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Electroacoustic and Acousmatic Night (Earth and Wind)” nga kompozitorja Elizabeth Anderson. Ndërkaq, nga ora 21:00 po ashtu në Teatrin Oda mbahet koncerti audio-vizual “Isolation Music” nga kompozitori Mehmet Can Ozder dhe kompozitori Ilir Bajri.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

Me gërshetimin e veprave të huaja dhe shqiptare, përmbyllet nata e tretë e festivalit ReMusica

Era Berisha

Nata e tretë e edicionit të 21-të të festivalit ReMusica, solli para të pranishmëve një interpretim nga Kuarteti harkor, “Selini String Quartet”, ku së bashku me inkuadrimin e artistëve të ftuar si: sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe pianisti Edon Ramadani, u sollën vepra të kompozitorëve të huaj si dhe atyre shqiptar, me ç’rast mbrëmë mahnitshëm u gërshetuan dy fryma sa të ndryshme, aq edhe të mrekullueshme, shkruan KultPlus.

Tash e tri net, është Salla e Kuqe ai vendi i cili tashmë po pushtohet nga artistë të ndryshëm të cilët gjithmonë prekin skenën e njëjtë por të cilët sjellin vepra krejtësisht unike ku secila ngërthen një veçanti në vetvete. Shkronjat gjigande që shpërfaqin emrin e festivalit në prapaskenë kësaj here kishin ndërruar pozicionimin e tyre në një kënd ndryshe që i përshtatej akoma më shumë hapësirës, ndërkaq në anën tjetër, reflektorët e vendosur mbrapa skenës ishin kthyer përsëri në ngjyrë të kaltër, për t’i shtuar hijeshinë, veprave që pas pak do të performoheshin.

Fotografia: Rrahman Osmani

Hapjen e natës së tretë të festivalit ReMusica e nisi koordinatori Shaban Behramaj, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe tutje tregoi se është bërë një ndërrim i vogël në program.

“Mirë se keni ardhur në natën e tretë të festivalit ReMusica. Jemi shumë të lumtur që ju shohim sonte këtu dhe me të vërtetë na ka marrë malli që të jemi prezent në koncerte, për shkak se ishim dy vite të tmerrshme në formatin online që ishin jo aq të lehta për ne. Sonte prezantohet Kuarteti nga Austria, “Selini String Quartet”, të cilat kanë një program të mirë përzgjedhur edhe mezi po presim t’i dëgjojmë. Por, fillimisht po ju informoj për një ndërrim të vogël në program ku bëhet fjalë për vendosjen e veprës së tretë me radhë, e cila do të luhet krejt në fund të programit”, thotë Behramaj.

Po ashtu për një fjalë rasti në skenë doli dhe ambasadori austriak Christoph Weidinger, i cili thotë se është një kënaqësi që sonte do të interpretohet një program mjaft i larmishëm.

“Jam shumë i kënaqur që mund t’ju mirëpres këtu sonte në këtë koncert, i cili mbështetet nga Ambasada e Austrisë për programin “The Sound of Change”. Ky është një program i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Austrisë i cili jep mundësinë muzicientëve të rinj që të performojnë edhe jashtë vendit, jashtë Austrisë. Andaj, jam shumë i kënaqur që sonte “Selini String Quartet” do të interpretojnë një program të larmishëm për ne. Siç shumica prej jush e dini, muzika kamertale e në veçanti kuartetet harkore kanë një traditë të gjatë në Austri dhe kjo traditë prek edhe kohën e shumë kompozitorëve si Mozart”, thotë Weidinger.

Sipas tij, është një gjë shumë e bukur që programi që do të luhet sonte, përmban një vepër nga Schubert dhe vepra të tjera nga kompozitorë bashkëkohorë nga Kosova dhe Austria.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas këtyre fjalimeve, me veshje në ngjyrë të zezë, në skenë doli Kuarteti harkor “Selini String Quartet”, që qysh në fillim po rrezatonte plot hijeshi dhe elegancë. Me hapa drejt skenës, ato u mirëpritën me një duartrokitje të zjarrtë. Ndërkaq, pas disa ndreqjeve të vogla të instrumenteve të tyre, fuqishëm erdhën meloditë e para të veprës “String Quartet op.20/5” nga kompozitori Joseph Haydn, vepër kjo që futi në funksion të gjithë trupin e këtyre instrumentisteve, duke lëvizur sa në një anë në tjetrën, për të goditur vazhdimisht notat e sakta që po pasonin me lehtësi.

Dy violina, një violë dhe një violonçel në ngjyrë kafe morën vëmendjen e kujdesshme të të pranishmëve, të cilët me një koncetrim të shtuar vëzhgonin lojën madhështore të kuarteti harkor. Nga vepra në vepër, lëvizjet e krahëve dhe të duarve të tyre futeshin në një cikël rrotullimi nga i cili nuk dolën për asnjë moment, me ç’rast secila nga instrumentistet tërë kohën po frymonte në një vijë me meloditë dhe tingujt pasues.

Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti solli dhe veprat e njohura si: “seacoloured lightbellsounds” nga kompozitori Philipp Manuel Gutmann dhe “String Quartet no.13 ‘Rosamunde’” nga kompozitori Franz Schubert, për të lënë kështu një përshtypje se meloditë çelnin ngadalë nga instrumentet porsi lulet në pranverë, teksa ato pothuajse ishin të padëgjueshme në disa çaste por që kjo padyshim ishte dhe veçantia e tyre.

Fotografia: Rrahman Osmani

Në anën tjetër, ëmbëlsia tjetër e këtij koncerti padyshim që ishin veprat e njohura shqiptare si: “Vet’ ke mbetë” nga kompozitori Gjergj Kaçinari dhe e ripërpunuar nga Edon Ramadani dhe “Valsi i lumturisë” nga kompozitori Avni Mula, e po ashtu që erdhi e ripërpunuar nga Edon Ramadani. Këto dy vepra erdhën nën interpretimin e fuqishëm të sopranos Zana Abazi-Ramadani e cila së bashku me “Selini String Quartet” dhe pianistin Edon Ramadani, pushtuan skenën me frymën shqiptare të pakrahasueshme.

Publiku ishte ai i cili dukshëm dëgjonte me entuziazëm vokalin e pastër të sopranos teksa edhe buzëqeshjet nuk mungonin në fytyrën e tyre. Meloditë mallëngjyese dhe tejet melankolike u përjetuan nga secili i pranishëm, me ç’rast ishin ndjenjat unike ato që morën përsipër që të shfaqeshin edhe në formën fizike, atë të rrëqethjes në trupin e njeriut në një formë trajektoreje.

Kështu, krejt në fund ishte publiku ai i cili duartrokiti dhe brohoriti performancën e jashtëzakonshme të “Selini String Quaret”, sopranos Zana Abazi-Ramadani dhe pianistit Edon Ramadani, të cilët u rikthyen për të dytën herë në skenë për t’i dëgjuar nga afër ritmikën e krijuar nga të pranishmit.

Fotografia: Rrahman Osmani

“Selini String Quartett” për KultPlus tha se kjo është hera e parë që vijnë në Prishtinë dhe se veprat shqiptare janë me të vërtetë tejet të bukura.

“Është hera e parë që ndodhemi këtu në Prishtinë dhe në fakt e kemi shijuar shumë. Njerëzit janë kaq të mirë dhe moti është kaq i ngrohtë kur mbërritëm dje. Ne patëm një provë shumë të bukur dhe një masterklasë shumë të mirë këtë mëngjes me studentët, gjë për të cilën u befasuam shumë këndshëm. Sonte patëm kënaqësinë të performojmë për një publik të madh kështu që shpresojmë të kthehemi”, thotë “Selini String Quartett”.

Sipas tyre, pjesët shqiptare vërtetë ishin të mahnitshme dhe diçka e re për to, ku muzika u konsiderua më e lehtë dhe tejet e bukur.

Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve për koncertin, për KultPlus foli sopranoja Zana Abazi-Ramadani.

“Fillimisht jam shumë e privilegjuar që mu dha mundësia të performoj me këtë Kuartet fantastik dhe dua të them se nuk kemi bërë asnjë provë përpos sot që kemi bërë provën që ka zgjat vetëm pesë minuta, dhe ja suksesi po shihet edhe vetë dhe shpresoj që edhe publikut i ka pëlqyer”, thotë Abazi-Ramadani.

Sipas saj, programi ishte i veçuar për shkak të shkaqeve natyrore që duhet të përkrahen në mënyrë maksimale dhe në mënyrë që vetëdijesimi të jetë akoma më i pranishëm në popull.

“Besoj që do të ketë edhe më shumë koncerte të tilla sepse siç po shihet, publiku është shumë i interesuar për të dëgjuar. Ndërsa, në anën tjetër do të duhej të ishte edhe një sallë tjetër, që është tejet e domosdoshme, njëlloj sikur shtëpia operistike për solo këngëtarët. Besoj që në të ardhmen do të realizohet një sallë e tillë, ngase kjo sallë nuk i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për muzicientët”, përfundon Abazi-Ramdani.

Ndërsa, pianisti Edon Ramadani për KultPlus tha se ishte një kënaqësi që ai po bashkëpunon me një Kuartet të përmasave botërore.

“Ishte një kënaqësi që të kem bashkëpunim me një Kuartet të tillë prestigjioz dhe botëror sepse “Selini Quartet” ka një agjendë të ngjeshur dhe një turne të paracaktuar nëpër botë, kështu që është me të vërtetë një kënaqësi që ReMusica së bashku me Ambasadën Austriake na mblodhi për të interpretuar së bashku ku unë dhe pata dy përpunime të dy këngëve ikonike të dy këngëtareve tona siç është Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela”, thotë Ramadani.

Sipas tij, eleganca, muzikaliteti dhe saktësia e Kuarteti, janë tri veçoritë kryesore që u panë edhe në koncert.

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Duo Ko-Art” me violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

Kitaristi Lorik Pylla solli magjinë e veprave moderne në natën e dytë të festivalit ReMusica

Era Berisha

Lorik Pylla, kitaristi i talentuar mbrëmë në festivalin ReMusica solli para publikut një program jo dhe aq të zakonshëm, me ç’rast ishin veprat e përzgjedhura për këtë mbrëmje ato të cilat rrallë herë dëgjohen në shoqërinë tonë. Performimi unik dhe diversiteti i teknikave, ishin dy shtyllat kryesore që përkuan me këtë natë e cila frymoi tërësisht në stilin modern, për të shpalosur kështu melodi e tinguj që rrëshqisnin mrekullisht në skenë dhe lehtazi depërtonin përballë të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Pikërisht si në natën e parë, nata e dytë e priti kitaristin Lorik Pylla në Sallën e Kuqe, vend ky i cili po qëndronte gjithmonë i ndezur edhe pa asnjë trup mbi të. Me reflektorë në ngjyrë të kuqe, drita të ngrohta që vështronin nga lart skenën si dhe ndriçimi i posaçëm mbi kitaristin në një formë rrethore, rriste emocionet e publikut dhe parashikonte kahjen e kësaj mbrëmjeje të veçantë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Njashtu si perdet në ngjyrë të zezë që ishin të lëshuara prapa karriges që qëndronte e vetmuar në skenë, i veshur në të zeza kokë e këmbë, doli kitaristi Pylla me një besueshmëri në vetvete dhe hapa preciz drejt skenës. Me një ndreqje të shpejtë të duarve të tij dhe kitarës, ai hyri direkt në veprën e parë të titulluar “Chiton” nga kompozitori Uros Rojko, vepër kjo që qysh në sekondat e parë vodhi shikimin dhe përqendrimin e të pranishmëve.

E vendosur përballë tij si një trup i dytë, ishte kitara ajo e cila vazhdimisht godiste fuqishëm atmosferën me nota dhe timbër të mrekullueshëm. Në anën tjetër, ishte vetë Pylla ai i cili ishte futur në hipnozën e kitarës, për t’iu bindur plotësisht asaj e për t’i qëndruar besnik deri në momentin e fundit. Ndërsa, me plot elegancë, ishin gishtërinjtë e kitaristit ato të cilat hynin vazhdimisht në labirintin e notave dhe jo vetëm. Ato herë trokitnin e herë të tjera dhe zhdjergshin nga maja e instrumentit e vazhdonin deri në fund të saj.

Shprehjet e fytyrës, lëvizjet e kokës dhe të njërës këmbë, efikasiteti dhe teknika gjallëruese e kitaristit, dëshmoi se interpretimi në kitarë sado i lehtë të duket nga jashtë, në fakt kërkon durim dhe përqendrim të jashtëzakonshëm. Andaj, në mesin e tingujve të lehtë ku njeriu herë pas here duhej dhe të sforconte veshët për të dëgjuar atë mrekulli, shfaqej një cikël i butë prej melodive të cilat me bukurinë e tyre vërshonin mbi ajër dhe pushtonin skenën nga vepra në vepër.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kitaristi Pylla interpretoi vepra si: “12 Impressionistic Sketches” të Allan Willcocks dhe Tilman Hoppstock, “Homenaje a Debussy” dhe “Danza del Molinero” nga kompozitori  Manuel De Falla, “Due Canzoni Lidie” nga kompozitori Nuccio D’angelo, “Sonata për kitarë op.47“ nga A.Ginastera, duke kapur kështu dukshëm vëmendjen e çdo njeriu të pranishëm për të dëgjuar nga afër botën melodike të kitaristit, aty ku dhe shihej më së miri talenti i tij i cili në çdo vepër dilte jashtë për të përshëndetur secilin njeri në publik.

Po ashtu, në këtë mbrëmje si artistë të ftuar ishin dhe violinisti Rron Bakalli dhe baritoni Shaban Behramaj, të cilët së bashku me kitaristin Pylla, sollën veprën “Danza Espanola no.5” nga kompozitori Enrique Granados si dhe veprën premierë që vjen si porosi e festivalit ReMusica, e titulluar “Experior” e kompozuar nga Ersan Januzi. Ndërlidhja kitarës, violinës dhe vokalit vjen si një formacion jo i zakonshëm por që la mbresa të shumta e të veçanta në këtë mbrëmje. Tre trupa në skenë që ishin në posedim të tre talenteve, interpretuan këto dy vepra në një mënyrë tejet brilante, me ç’rast telat e kitarës dhe violinës dridheshin nën duart e pronarëve, ndërsa vokali i baritonit Behramaj dëgjohej me një kujdes të veçantë nga ana e publikut.

Ndërsa, vepra e njohur “Njëzet e pesë gërsheta” nga kompozitori Rafet Rudi, ishte veçantia e kësaj mbrëmje, ku ndonëse dallohej si më e shkurtra nga të gjitha veprat tjera, ajo la një gjurmë të ëmbël në skenë dhe jo vetëm. Në anën tjetër, ishte delikatesa e butë e kitaristit Pylla, ajo që vallëzonte si një hije e mëndafshtë mbi tërë instrumentin e kitarës, për të sjell kështu një program modern i cili do të mbahet mend për shumë gjatë si një nga programet më unike të festivalit ReMusica, ngase secila vepër qysh nga fillimi e deri në fund, fillonte si zjarri i qiririt dhe përfundonte në mënyrë precize dhe të saktë, si ndezja e një çibriti.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas gjithë kësaj nate ishte publiku në një numër të shumtë, ai i cili duartrokitjet dhe brohoritjet nuk i kurseu, duke e rikthyer në skenë përsëri kitaristin i cili me një buzëqeshje falënderonte për prezencën e tyre.

Fotografia: Rrahman Osmani

Për të treguar më shumë rreth programit si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje, për KultPlus foli kitaristi Lorik Pylla.

“Ishte një atmosferë mjaft e mirë dhe e ngrohtë duke nisur qysh nga ndriçimi dhe gjithçka çfarë kanë bërë me skenën në këtë festival në një mënyrë profesionale, duke më bërë dhe mua të ndihem mjaft mirë. Ajo se çka më la më së shumti përshtypje është mikpritja e publikut të një programi mjaft eksperimental që e kam zgjedh me performu sonte, ngase është një muzikë moderne, muzikë të cilën unë e adhuroj shumë dhe më erdh mirë që edhe publiku e priti në një mënyrë mjaft të mirë”, thotë Pylla.

Sipas tij, muzika klasike moderne është njëra ndër adhurimet e tij dhe si pasojë edhe kitara është një instrument i dedikuar për të ardhmen dhe ai po beson dhe shpreson se kompozitorët të shkruajnë sa më shumë për këtë instrument për arsye të mungesës së një repertori.

“Deri më tani asnjëherë nuk kam luajtur një vepër premierë dhe sonte më erdhi rasti. Ishte një ndjenjë mjaft e mirë që iu dha rasti kompozitorit Ersan Januzi që atij t’i luhet vepra në prezencë fizike. Shpresoj se i ka pëlqyer. Ndërkaq, unë po ndihem mjaft mirë që jam pjesë e këtij edicioni, pasi që ky edicion i dedikohet mbrojtjes të natyrës dhe njëra nga veprat e luajtura sonte, kishte pikërisht këtë tematikë. Isha me fat që isha pjesë e këtij edicioni të festivalit ReMusica, e sidomos pas dy viteve pa publik, në këtë herë me publik, unë isha pjesë dhe ishte një ndjenjë tejet e veçantë”, thotë Pylla.

Fotografia: Rrahman Osmani

Po ashtu, baritoni Shaban Behramaj për KultPlus tregoi se kjo është hera e parë që ai performon si një solist në festivalin ReMusica.

“Së pari unë jam edhe pjesë e festivalit ReMusica dhe pa diskutim jam shumë i lumtur që festivali sivjet po rikthehet në formën fizike para publikut, që është diçka shumë e bukur duke pasur parasysh që dy vitet e kaluara kemi qenë online dhe normalisht ndjenja nuk është e njëjtë. Unë sonte pata mundësinë dhe kënaqësinë që po ashtu sonte të performoj në këtë festival si mysafir në koncertin recital të Lorik Pyllës, një kitarist i mrekullueshëm i ri dhe i talentuar, i cili vepron dhe jeton në Gjermani. Për mua është një ndjenjë tepër e veçantë për të performuar në skenën e ReMusicas pasi që është hera e parë që performoj si solist”, thotë Behramaj.

Sipas tij, veçantia e programit është që tematika jo vetëm e kësaj nate por e komplet edicionit, është lidhja direkte me ndryshimet klimatike, me ç’rast dhe vepra premierë e kompozitorit Ersan Januzi po ashtu lidhet me këtë tematikë. Po ashtu, një tjetër veçanti është bashkimi i kitarës, violinës dhe vokalit, një formacion jo i zakonshëm por i cilësuar si mjaft i lezetshëm.

“Më së shumti sonte më la përshtypje fakti që publiku ishte në një numër shumë të madh dhe fakti që publiku ka qëndruar deri në fund të koncertit duke marrë parasysh muzikën jo shumë të popullarizuar tek ne. Kjo për mu është shumë mbresëlënëse. Ndërkaq, performimi i një vepre premierë sonte ishte një ndjenjë e veçantë për shkak se është pothuajse si një vulë e vazhdimësisë së kësaj vepre në gjeneratat e ardhshme”, përfundon Behramaj.

Kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe vjen koncerti i radhës me kuartetin harkor Selini Quartet  nga Austria si dhe artisët e ftuar si: Zana Abazi Ramadani dhe Edon Ramadani.

 Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

“Syrene Saxophone Quartet” me komunikim të veçantë muzikor bëri hapjen e festivalit ReMusica

Era Berisha

Edicionin e tij të 21-të, festivali ReMusica e nisi mbrëmë me një interpretim nga kuarteti i saksofonëve nga Holanda, “Syrene Saxophone Quartet”, që për publikun solli vepra mjaft interesante. Këto vepra që ngërthyen në vete temën e ujit, u interpretuan me një elegancë dhe hijeshi të pakrahasueshme, me ç’rast ky kuartet me të vërtetë lëvizi si rrjedhë e ujit përgjatë gjithë këtij koncerti, për të sjell kështu vepra të cilat aq butësisht hynin në shpirtin e pranishëm, shkruan KultPlus.

Salla e Kuqe ishte vendi i cili mbrëmë mirëpriti koncertin e parë të festivalit, ku me gjithsej dymbëdhjetë reflektorë të kaltër, dritat e ngrohta që vinin nga lart, dhe skena e ndriçuar në një rreth të veçantë për interpretueset, bëri që akoma pa nis ky koncert, publiku të jetë pjesë e tij. Ndërkaq, me shkronja të mëdha dhe perde të zeza të vendosura prapa, ishte emri i festivalit që erdhi në ngjyrë të gjelbër ku pothuajse dukej se po frymonte nga posedimi gjallërues që përmbante.

Hapjen e festivalit ReMusica e nisi drejtoresha artistike, Donika Rudi, e cila është shprehur se po ndjen një kënaqësi të madhe pas mungesës fizike që zgjati për dy vite.

“Është shumë kënaqësi që po ju shoh sonte këtu. Ka dy vite që po e presim këtë natë. Këtë vit shënohet 21 vjetori i festivalit. Vitin e kaluar, me shënimin e 20 vjetorit kemi planifikuar një mori koncertesh e aktivitetesh, por në minutë të fundit, u anuluan të gjitha ngase ato erdhën vetëm në formatin online. Festivali këtë vit trajton një temë të veçantë ku i kemi katër elemente të natyrës si: toka, ajri, uji dhe zjarri. Në këtë formë, është ndërtuar dhe gjithë programi që është para jush. Pra, sonte tematikën e kemi me ujë, prandaj edhe sirenat i kemi sonte këtu”, thotë Rudi.

Sipas saj, netët e tjera do të vazhdojnë me këtë tempo e ritëm. Ndërkaq, në koncertin e fundit e paraparë është edhe një vepër e një kompozitori ukrainas, Maxim Shalygin, që vjen e shkruar qysh vonë, në mënyrë që solidarizimi të jetë i pranishëm edhe në këtë festival.

Fotografia: Rrahman Osmani

Pas kësaj hapjeje, me veshje në ngjyrë të kuqe e të pembe, në skenë doli kuarteti i saksofonëve “Syrene”, që pas pak do të pushtonte skajet e gjithë sallës me tinguj të fuqishëm por edhe të butë e komplekse. Në një ndërlidhje me qetësinë absolute të të pranishmëve, erdhi  vepra e parë e titulluar “Water music – Suite No.1 in F Major” e kompozitorit George Frideric Handel si dhe vepra e dytë “The Waves”, nga kompozitori Jacob Ter Veldhuis.

Katër saksofona që shndrisnin në ngjyrë ari arritën që të vjedhin vëmendjen e gjithsecilit. Të lëshuar nga agresiviteti, meloditë e zhveshura që po pasonin, herë vallëzonin në një butësi që rrëshqiste lehtazi në atmosferë e herë tjetër shndërroheshin në një cikël prej lozonjareve.

Pas këtyre dy veprave aq bukur të luajtura, Kuarteti i saksofonëve “Syrene” iu drejtua publikut për t’i thënë se ato me të vërtetë po ndihen krenare që po performojnë për herë të parë në Prishtinë.

“Faleminderit shumë për duartrokitjet tuaja. Jemi shumë të lumtur që luajmë këtu në Kosovë, në këtë mjedis. Ne ndihemi shumë të mirëpritur këtu dhe njerëzit janë shumë të mirë. Është hera e parë që luajmë këtu në Prishtinë, prandaj jemi shumë të nderuara që jemi këtu dhe luajmë për ju. Kemi vizituar edhe Universitetin e Prishtinës, ku i mësuam talenteve të reja, saksofonin”, thotë “Syrene”.

Sipas tyre, ato u ndjenë shumë të lumtura që kanë ndarë njohuritë e tyre për muzikën në ato mësime, pasi në të njëjtën kohë ato kanë ndarë edhe dashurinë e tyre për muzikën.

“Pjesa tjetër quhet “An American in Paris” nga kompozitori holandez George Gershwin. Vendi ynë, Holanda, është i rrethuar nga deti, dhe pjesa më e madhe e tokës është nën nivelin e detit, kështu që kur kemi të bëjmë me ndryshimet klimatike dhe niveli i ujit shkon më lart, shumica e tokës do të jetë në ujë. Për shekuj me radhë, ne po luftojmë kundër ujit ose thjesht po jetojmë me të. Në këtë pjesë po shkojmë vërtet në ‘ujë’, pak a shumë, prandaj është një pjesë e gjatë ku koha zhduket. Ideja është përjetimi i juaj ku ju jeni në ujë dhe deti është i pakohshëm”, thotë tutje “Syrene”.

Fotografia: Rrahman Osmani

Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti dëshmoi se audioja e çdo dridhjeje që pason nga interpretimi në saksofon, timbri i pasur kualitativ, ndryshimi i dinamikës dhe teknikat e avancuara, janë vetëm disa nga magjitë e vogla të cilat krijojnë një madhështi hyjnore që publiku ka rastin të dëgjojë nga afër.

Energjia e tyre dhe komunikimi që ato kanë mes vete bëri që ky koncert të jehojë dyfish më shumë. Duke nisur nga lëvizjet trupore të tyre që herë afroheshin afër instrumentit dhe herë tjera sa më larg tij, lëvizjet e duarve dhe këmbëve në ritëm me meloditë, shikimet herë pas here në notat para tyre si dhe harmonia që ka zënë vend qysh në sekondën e parë, dëshmoi për talentin e tyre që nën heshtje derdhej dalëngadalë, porsi vala në breg të detit.

Në anën tjetër, përpara se vepra e fundit e kompozitorit Douwe Eisenga të fillonte, kuarteti përsëri mori fjalën.

“Kjo është pjesa e fundit që do të interpretojmë sonte për ju. Kjo vepër është kompozuar nga një kompozitor holandez. Është një material muzikor i vogël i cili ndërtohet mbi njëri-tjetrin. Ne thjesht duam të themi se jemi të lumtura që jemi këtu dhe nëse keni dëshirë që të na merrni me vete në shtëpi, atëherë në dispozicion janë edhe dy CD-të tona që po ashtu përmbajnë pjesët që u interpretuan sonte por edhe mjaft të tjera”, thotë “Syrene”.

Fotografia: Rrahman Osmani

Kështu, krejt në fund koncerti i kuartetit të saksofonëve “Syrene”, përmbylli natën e mahnitshme me një performancë të një vepre e cila me tinguj joshës depërtoi edhe në zemrën e të gjithë të pranishmëve duke i dërguar ata në shtëpi me kujtime aq bukur të krijuara nga ky kuartet.

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “ReNEW” me kitaristin Lorik Pylla dhe artistët e ftuar si: Shaban Behramaj dhe Rron Bakalli.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

‘Vajtimi i Tokës’ nga Donika Rudi, premierë në Festivalin ‘Belgian Music Days’

Premiera e veprës së re e kompozitores kosovare Donika Rudi, e titulluar LAMENT OF THE EARTH do të jepet nesër, 11 Mars 2022, e premte, në kuadër të Festivalit Belgian Music Days në Eupen, Belgjikë. Kjo vepër do t’jetë pjesë e koncertit bashkë me katër autor të tjerë të FeBeME Shoqata e kompozitorëve belg për muzikë elektroakustike ku kompozitorja Donika Rudi është anëtare që nga viti 2010.

Bienalja e “Ditët të Muzikës Belge” organizohet nga Archipel Vlaanderen (ComAV), nga Forumi i Kompozitorëve Belg, Kunstenpunt, Point Culture, FeBemE-BeFEM (Shoqata e Kompozitorëve Belg për Muzikë elektroakustike),  Matrix, ISCM Vlaanderen dhe Unioni i kompozitorëve Belg.  Belgian Music Days nis me datën 11 dhe mbaron me datën 13 Mars këtë vit  .LAMENT OF THE EARTH (Vajtimi i Tokës) premierë në Festivalin BELGIAN MUSIC DAYS.
Lament of the Earth (Vajtimi i Tokës)
është vepër vepër kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike në Tokë. Vepra është ndërtuar bazuar në grafikën e “warming stripes” apo shiritat e ngrohjes të cilat vizualisht portretizojnë ndryshimin afatgjatë të temperaturës në sipërfaqen e Tokës. Fillimi i veprës përqëndrohet në tinguj organikë kryesisht në një qetësi dhe harmoni, përderisa kulminacioni do t’arrihet me tinguj të transformuar dhe të deformuar.Vepra adreson atë që të gjithë ndjejmë por nuk e flas, shikojmë por nuk e shohim, dicka që na afekton por ne qëndrojmë indiferent.

Çdo qenie e gjallë është është pjesë përbërëse e Tokës, si e tillë ne ngrihemi dhe kthehemi tek ajo. Kjo vepër është mediumi midis dëgjuesit dhe gjenomit të tij të humbur prej kohësh, pasi përpiqet të eksplorojë ekzistencën e secilit prej nesh me një thirrje, një thirrje për të dëgjuar dhe vepruar, para se të jetë tepër vonë.

Ajo foli, por ne dëgjuam?

Ajo pyeti, por ne u përgjigjëm?

Ajo gulçoi, por a belbëzuam?

Jemi, derisa ajo të jetë!

Bienalja e “Ditët të Muzikës Belge” organizohet nga Archipel Vlaanderen (ComAV), nga Forumi i Kompozitorëve Belgjikë, Kunstenpunt, Point Culture, FeBemE-BeFEM (Shoqata e Kompozitorëve Belg për Muzikë elektroakustike),  Matrix, ISCM Vlaanderen dhe Unioni I  kompozitorëve Belg.

Donika Rudi (1982) është kompozitore kosovare e specializuar në muzikë akusmatike, elektroakustike. Që nga viti 2010 ajo është anëtare e FEBEME – BEFEM (Shoqata e kompozitorëve belg për Muzikë Elektroakustike) dhe anëtare e CEC (Komuniteti Kanadez Elektroakustik). Që nga viti 2010 ajo është Drejtoreshë e Festivalit ReMusica në Kosovë. Poashtu, ajo është artiste e asociuar për vitet 2020 -2024 në kuadër të IN SITU – Platforma Evropiane për krijimin artistik në hapësirën publike,  udhëhequr nga publiku i Lieux në Francë.

Rudi studioi kompozimin (muzikë instrumentale dhe elektroakustike) në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë, Zvicër. Ajo ka përfunduar MA në Royal Conservatorium of Mons, Belgjikë, përkatësisht kompozimin në muzikë akusmatike me kompozitoren e cmuar Annette Vande Gorne.

Disa nga veprat e saja më të rëndësishme janë: Baleti bashkëkohor “Life in Slow Motion”,dhënë premierë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë; Veprat akusmatike “Emotion Machine “ mbështetur nga Wallonie Bruxelles;, “Unspoken”, “The Echoes of the Crying Earth” ,  “Ode to Life” akusmatike / sound installation, mbështetur nga platforma IN SITU, në kuadër të projektit ACT, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe i Bashkimit Europian  ; veprat elektroakustike:  “9” për trombon dhe elektronikë; “Aura I” për violinë, violë, mezosoprano, soprano, perkusion dhe elektronikë; “etj.

Ajo gjithashtu kompozoi muzikë për drama, dokumentarë dhe filma të shkurtër.  “In the name of the Father” docu-theater dhe vallëzim me regji të Darrel Toulon me shfaqje në Sarajevo War Theatre October 2019 ; Srebrenica October 2019 Osijek Peace Awards 2020 ; , dokumentar SARABANDE me regji të Kaltrina Krasniqit, INSANE – project multivizual me regji të Zineb Benzekri, janë vetëm disa për të përmendur.

Kompozimet e saj janë interpretuar në Francë, Kolumbi, Zvicër, Portugali, Kosovë, Shqipëri, Itali, Australi, Bullgari, Serbi, Kanada, Spanjë, Belgjikë etj.

Kompozimet e saja janë transmetuaa në Radio Spain – Radio Spanjë – UNDÆ! Radio, France Musique (në radioshow Christian Zanési), Dutch National Radio Radio Kombëtare Holandeze “Sonema Lab”, National Portuguese Radio , Radio Kombëtare Portugeze (Arte Eletroacústica)./ KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Donika Rudi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ua sjell në vazhdim kompozitoren e specializuar në muzikën elektroakustike dhe akusmatike, Donika Rudi.

Në kuadër të Festivalit Festival Viva Cité i cili shënoi edicionin e 32-të të tij në Francë, kompozitorja dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, performoi tri koncerte autoriale duke interpretuar disa nga veprat e saj akusmatike.

Po ashtu, kompozitorja shqiptare Donika Rudi, është bërë pjesë e “Pergine Festival” në Itali ku zyrtarisht nisi puna e saj si hulumtuese në kuadër të ‘In Situ’, platformë kjo evropiane për krijime artistike në hapësira publike, lidhur me impaktin e muzikës akusmatike tek komuniteti i shurdhër.

Ajo ka performuar me projektin e saj të fundit “Të ndjesh / Të dëgjosh” në edicionin e 46-të të “Pergine Festival”, qyteti i Trentos, Itali.

Ndërsa, përveç punëtorisë “Sentire / Ascoltare”, që Donika zhvilloi lidhur me teknikat e përjetimit të tingujve me anë të prekjes dhe vibrimeve por edhe metodave tjera kryesisht “spaciale”, ajo interpretoi disa nga veprat e saj në oktofoni dhe së bashku me publikun eksploroi eksperienca të tjera të përjetimit dhe dëgjimit të muzikës.

Gjithashtu, portali italian “Scene Contemporanee”, i pati dedikuar një shkrim interpretimit të artistes shqiptare, duke vlerësuar lartë artin e saj. / KultPlus.com

“The shound of change”, publikohen datat e mbajtjes së festivalit ‘ReMusica’

Tashmë janë bërë publike datat e edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.

‘ReMusica’ këtë vit do të mbahet përgjatë datave 5 deri më 13 prill të këtij viti në Prishtinë.

Kujtojmë se edicioni i 20-të i këtij festivali ishte mbajtur në formatin online ku të gjithë pjesëmarrësit kanë performuar nga vende e skena të ndryshme./ KultPlus.com

Festivali ReMusica rikthehet me ndryshime, prezantohet përmes një Edicioni Hibrid

Me ndryshimin e masave AntiCovid, Festivali ReMusica ka bërë disa ndryshime, duke ri-adaptuar kështu programin në moment të fundit dhe t’i përshtatet masave të reja, duke realizuar Festivalin në formë hibride, përcjell KultPlus.

Për dallim nga viti i kaluar, sivjet Festivali do të vijë në një Edicion Hibrid (të kombinuar) të programit festivalesk.

Një mori aktivitetesh do të mbahen me prezencë fizike siç janë punëtoritë, ligjëratat, kurse pjesa tjetër e koncerteve, në të cilin prezentohen emra të shquar si Elbenita Kajtazi, soprano; Asasello String Quartet nga Gjermania, artistët e shquar nga Franca violinisti Pierre Fouchenneret dhe pianisti Théo Fouchenneret; Merita Rexha Tershana, piano; artistet tona kosovare Kaltrina Miftari, soprano dhe Tringa Sadiku, kitarë , artisti Holger Maik Mertin, Ilir Bajri do të vijnë në skenën e ReMusicas në formë dixhitale.

”Të themi në fund se edicioni jubilar i Festivalit ReMusica shënon 20 vjetorin e tij, duke hedhur një vështrim në arritjet e deritanishme, si themel i vlefshëm i asaj që do të pason. Siç thotë Kierkegaard: Jeta mund të kuptohet vetëm duke vështruar të kaluarën; por duhet jetuar përpara. Bashkohuni me ne në këtë edicion të 20-të të ReMusica-s për të RIKTHYER PARA”, thuhet tutje në komunikatën për media. / KultPlus.com

Portali italian “Scene Contemporanee”, i dedikon një shkrim interpretimit të Donika Rudit

Kompozitorja e muzikës elektroakustike dhe instrumentale Donika Rudi, jeton dhe ushtron aktivitetin e saj në Bruksel, Belgjikë. Ajo ka performuar me projektin e saj të fundit “Të ndjesh / Të dëgjosh” në edicionin e 46-të të “Pergine Festival”, qyteti i Trentos, Itali.

Portali italian “Scene Contemporanee”, i ka dedikuar një shkrim interpretimit të artistes shqiptare, duke vlerësuar artin e saj.

“Sfida e Donikës ishte të kuptonte se si mund të flasim për të dëgjuar dhe çfarë mundësish shfaqin tingujt, veçanërisht ato të jetës së përditshme, të dëgjohen, madje edhe nga një auditor i shurdhër.

Edhe një herë ishte një ngjarje që zhvendosi qendrën e gravitetit të kënaqësisë muzikore nga njëra ndjenjë në tjetrën, nga një funksion në tjetrin. Në një dhomë të Palazzo Hippoliti dëgjuam dhe, mbi të gjitha, pamë se çfarë mund të thotë muzika për një person të shurdhër, i cili e jeton atë mbi të gjitha si një përvojë shqisore prekëse. Gjatë hapësirës për pyetje dhe komente, shumica e pjesëmarrësve deklaruan se nuk mund të perceptojnë asgjë përveç dridhjeve shumë të lehta, ndjesi që përmirësohen duke mbyllur derën e hyrjes që shikonte rrugën. Dikush mendon se sa ky lloj dëgjimi mund të takojë vërtet një auditor, në të njëjtën mënyrë që ne kemi kënaqësinë të zgjedhim, në kontekstet në të cilat ne zakonisht shijojmë muzikën, një këngë më shumë sesa një tjetër” – citon portali.

http://www.scenecontemporanee.it/pergine-festival-46ma-edizione-limpero-dei-sensi/?fbclid=IwAR33ff9FPrp0mHc2-lNUCWebmiSQ1fLzTWilWDSdPI9Gh4JCbNuZ7EYCsRA / KultPlus.com

Donika Rudi pjesë e Pergine Festival në Itali me interpretime e eksperienca të veçanta

Kompozitorja shqiptare Donika Rudi, së shpejti do të bëhet pjesë e Pergine Festival në Itali ku zyrtarisht do të nisë puna e saj si hulumtuese në kuadër të ‘In Situ’, platformë kjo evropiane për krijime artistike në hapësira publike, lidhur me impaktin e muzikës akusmatike tek komuniteti i shurdhër, përcjellë KultPlus.

Ndërsa, përveç punëtorisë “Sentire / Ascoltare”, që Donika do ta zhvillojë lidhur me teknikat e përjetimit të tingujve me anë të prekjes dhe vibrimeve por edhe metodave tjera kryesisht “spaciale”, ajo do të interpretoj disa nga veprat e saj në oktofoni dhe së bashku me publikun do të eksplorojë eksperienca të tjera të përjetimit dhe dëgjimit të muzikës.

Me datë 17 korrik, ajo do të jetë pjesë e Pergine Festival në kuadër të edicionit 46-të në Itali.

Pergine Festival është themeluar në vitin 1976 si një nga ngjarjet e para kulturore në Trentino, me fokus në teatër dhe muzikë.

Kurse, projekti është në kuadër të ‘’In Situ – European Platform for Artistic Creation in Public Space’’, pjesë e së cilës Donika do të jetë në 4 vitet e ardhme (2020-2024), si artiste e asociuar nga Teatri ODA. / KultPlus.com

Donika Rudi së shpejti me 3 koncerte autoriale në Francë

Në kuadër të Festivalit Festival Viva Cité i cili shënon edicionin e 32-të të tij në Francë, kompozitorja dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, do të performojë tri koncerte autoriale duke interpretuar disa nga veprat e saj akusmatike më 24 dhe 25 qershor, shkruan KultPlus.

Festivali Viva Cite bashkë-organizohet nga Komuna e Sotteville-lès-Rouen nën udhëheqjen artistike të Atelier 231.

Donika Rudi (1982) është kompozitore e specializuar në muzikën elektroakustike dhe akusmatike. Ka studiuar  kompozimin në Konservatorin e Muzikës në Gjenevë në  muzikë  instrumentale dhe drejtimin e muzikës elektroakustike. Studimet master i kreu në degën e kompozimit, akusmatik në  Konzervatorin Mbretëror të Muzikës në Mons, në klasën e Annette Vande Gorne dhe Ingrid Drese.

Disa nga veprat e saja të rëndësishme janë: Baleti Kontemporan “Life in Slow Motion”,e cila u dha premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës; “9” për trombon të amplifikuar & shirit manjetik; “Aura I” për violinë, violë, mezosoprano, soprano, perkusione & shirit manjetik;“Emotion Machine” vepër akusmatike; Emotion MachineI dhe II” mbështetur nga Ministria e Kulturës në Belgjikë – Federation Wallonie Bruxelles etj

Ajo gjithashtu ka kompozuar për teatër, filma, dokumentarë si dhe është koautore librave shkollorë 1,2 dhe 6 .

Kompozimet e Rudit janë performuar në Portugali, Kolumbi, Australi, Itali, Kosovë, Shqipëri, Francë, Belgjikë, Zvicër, Serbi , Spanje dhe Kanada. Gjithashtu, ato janë transmetuar në Radio Spain – UNDÆ! Radio, France Musique (Christian Zanési radioshow), Dutch National Radio (Café Sonore), “Sonema Lab”, Portugese National Radio (Arte Eletroacústica), “Phonogène” RadioHDR Rouen France.

Që nga viti 2010 ajo është anëtare e shoqatës së kompozitorëve belg të muzikës elektroakustike FEBEME-BEFEM ; anëtare e shoqatës së kompozitorëve ne KANADA – CEC SONUS  si dhe është  drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtëar të Prishtinës- ReMusica Festival.

Po ashtu, ne kuadër të platformës IN SITU – European Platform for Artistic Creation in Public Space në mesin e 16 artistëve nga bota, ajo merr titullin e artistes së asociuar nga Kosova (In-Situ Artist), për periudhën 2020 – 2024 ku vazhdon punën e saj hulumtuese/krijuese. / KultPlus.com

Muzika e kompozitores Donika Rudi jehoi mbrëmë në “Osijek Peace Awards 2020” në Kroaci

Gjatë natës së mbrëmshme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Paqes Osijek 2020, u dha edhe premiera e shfaqjes – doku – vallëzimit “U IME OCA/ In the Name of the Father” , që mban edhe  emrin e kompozitores së mirënjohur kosovare Donika Rudi, shkruan KultPlus.

U IME OCA/ In the Name of the Father në vete përmban rrëfimet më të dhimbshme të fëmijëve të lindur nga përdhunimet e luftës në Bosnie, të cilët janë në kërkim të prindërve të tyre. Disa nga ta paraqiten edhe në skenë, së bashku me aktorët e tjerë.

Kurse ky prodhim muzikor me një histori kaq të dhimbshme, të bukur e njëkohësisht me një mesazh kaq të fuqishëm mban edhe emrin e kompozitores kosovare Donika Rudi.

Për koreografin Darrel Tulon premiera e këtij doku vallëzimi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Paqes do te thotë shumë. Sipas tij fakti që kjo ngjarje është transmetuar online ka bërë që fëmijët e lindur nga lufta të flasin me më shumë njerëz.

“Kjo është me të vërtetë një ditë shumë e veçantë, që U IME OCA do të transmetohet për më shumë shikues sesa do të ishte në gjendje të paraqitej brenda Teatrit Kombëtar Kroat Osijek. Fëmijët e Lindur nga Lufta do të jenë në gjendje të flasin me kaq shumë njerëz. Mbase së bashku mund të ecim përpara, dhe me paraqitja e kësaj shfaqjeje në Çmimet e Paqes është një konfirmim: që arti mund dhe duhet të na flasë për jetën dhe kohën tonë. Që ne mund të përdorim artin tonë për të bërë një ndryshim në jetën e njerëzve”, ka thënë Tulon.

E gjithë ideja për këtë doku vallëzim ka filluar nga intervistat me fëmijët Boshnjakë të Lindur nga Lufta (CBOW), disa nga të cilët paraqiten edhe në skenë, së bashku me aktorë nga qyteti i Tuzlës dhe këngëtarin e shkrimtarin Norbert Wally (Austri) . Teksti fjalë për fjalë u zhvillua me material biografik nga Jelena Cajić, Ivana Cook, Nadia Delić-Klevstad, Alma Erika Erikson dhe Ajna Jusić.

Shfaqja u realizua para publikut në Teatrin e Luftës në Sarajevë (SARTR) më 12 Tetor të vitit 2019, dhe u xhirua nga Vardo films (MB), drejtuar nga Dheeraj Akolkar.

Premiera Botërore u mbajt me 20 Mars 2019 në Teatrin Kombëtar të Tuzlës dhe pastaj në Teatrin e Luftës në Sarajevë – Sarajevo Theatre of War (SARTR).

Performanca është ideuar, drejtuar nga koreografi Darrel Toulon, me të cilin kompozitorja Donika Rudi ka bashkëpunuar edhe në Kosovë me trupën e baletit nga Kosova për shfaqjen “YOUR STORIES, MY STORY”./ KultPlus.com

Sonte në festivalin ‘ReMusica’ mbahet koncerti tematik ‘Skena e Re’, prezantohen artistët e talentuar nga Kosova

Sonte në kuadër të edicionit të 19-të special të festivalit “ReMusica” do të mbahet koncerti tematik ‘Skena e Re’, përmes të cilit prezantohen artistët e talentuar nga Kosova, shkruan KultPlus.

Ky segment i Festivalit, i cili është pjesë e ReMusica-s ndër vite dhe dikur i njohur si Podium i Hapur, i dedikohet artistëve, kompozitorëve dhe instrumentistëve të rinj vendas. Në të, hapat e parë si krijues i kanë bërë e tërë plejada e re e artistëve të talentuar kosovarë, në radhë të parë kompozitorët e rinj.

Kësaj rradhe ReMusica i krijon hapësirë një ansambli të udhëhequr nga violonçelisti Arian Zherka, i përbërë nga violonçelistja Poema Dylhasi, pianisti Bimi Milla dhe flautistja Jeta Gërqari. Përderisa në pjesën tjetër do të paraqiten pianistja Erita Qafleshi, kitaristja Tringa Sadiku, tenori Granit Musliu, të cilët në vitet e fundit kanë tërhjekë vëmendjen me paraqitjet e tyre si solistë.

Programi i Skenës së Re si karakteristikë sivjet ka përfshirjen e veprave të kompozitorëve vendas, ku në mes tjerash në program është vepra premiere, porosi e Festivalit ReMusica, e kompozitorit të ri të ri nga Kosova Lum Halabaku. / KultPlus.com

Nata e tretë e ‘ReMusica’ solli magjishëm në skenë ‘Trio Klavis’, u performuan vepra të huaja e shqiptare

Dritat u ndezën në sallë, skena ku do të performonin tashmë ishte nën prezencën e tyre, por përballë tyre, si asnjëherë më parë, qëndronte vetëm audienca virtuale. Një sallë e heshtur, që mbushej vetëm me melodinë e bukur të kombinimit violinë, saksofon e piano, Trio Klavis dhuruan performancën e magjishme në natën e tretë të Festivalit ReMusica, shkruan KultPlus.

Treshja nga nga Lorely Saal në Vjenë kanë vendosur edhe emërtimin ta kenë nga instrumentet me të cilat kanë shëtitur skenat e ndryshme botërore. ‘’Kla’’ për piano të cilës i jep gjallëri Sabina Hasanova, ‘’Vi’’ për violinën të cilës i fal ndjenjë Jenny Lippl dhe ‘’s’’ për saksofonin të cilën e bën të mrekullueshëm performanca e Miha Ferk.

Në natën e tretë të edicionit të 19-të të Festivalit ReMusica Trio Klavis i falën ritmin e tyre veprave të njohura botërisht të Moxartit, Marc Eychennit, Astor Piazollës dhe Miha Ferkut. Vepra këto që nën duart e Trio Klavis-it, bënë që ajo sallë e zbrazur të frymonte ndryshe, të jetësohej përmes tingujve të mrekullueshëm që dilnin qetësisht nga instrumentet e tyre.

Ata veçuan Kegelstatt Trio-3rd Movement të Moxartit, për të cilën treguan se kompozitori i famshëm botëror e kishte shkruar enkas për shokët e tij të ngushtë, teksa ‘’kegelstatt’’ kishte kuptimin e lojës që ata e luanin shumë, bowling.

Trio Klavis tregoi për KultPlus se ishte një eksperiencë e re për ta, pasiqë për herë të parë po performonin pa audiencë dhe pa energjinë që marrin nga ajo. Mirëpo, siç deklaruan tutje, ata e menagjuan këtë situatë mjaft mirë, ku nga fillimi deri në fund u shndërruan në një lloj energjie për njëri tjetrin, teksa do të dëshironin të sjellnin muzikën e tyre drejtpërdrejtë për publikun e Kosovës.

‘Mundësia e performimit ishte një rreze drite për ne në këtë kohë të çuditshme që është kaq e vështirë për të gjithë. Kështu ishte me një buzëqeshje dhe një lot në të njëjtën kohë, emocione shumë të forta dhe të komplikuara. Shpresojmë se do të luajmë në Prishtinë edhe një herë në të ardhmen’’, shprehet për KultPlus violinistja e Trio Kalvis, Jenny Lippl.

Tutje ata tregojnë se ndjehen krenarë dhe të lumtur për të marrë pjesë në një Festival të tillë, që është kaq i guximshëm për të vazhduar me koncerte në një mënyrë jo-tradicionale, gjë që e bëri moto të saj përhapjen e shpresës përmes muzikës.

Përveç veprave të huaja, ReMusica në këtë natë u bë nikoqir edhe i veprave të kompozitorëve shqiptarë. Vepra me premierë botërore e cila u kompozua enkas për këtë Festival, ‘’Quest’’ nga Valton Beqiri dhe vepra e cila erdhi si piano solo, ‘’Dream’’ nga Artan Hasani u bënë gërshetim i sallës së huaj dhe veprës vendore, duke i dhënë kështu kësaj nate një atmosferë që do të mbahet mend gjatë.

Drejtoresha e Festivalit ReMusica, Donika Rudi shprehet se ndjehet e lumtur për paraqitjen me shumë precizitet dhe emocion të Trio Klavis, teksa shpreh rëndësinë e veprave nga kompozitorët shqiptarë për këtë Festival.

‘Kishim kënaqësinë që në kuadër të këtij koncerti t’i kishim dy vepra nga kompozitorët kosovarë. Ju e dini se gjithmonë në koncertet tona të ReMusicas, kujdes të veçantë kemi ndaj kompozitorëve vendor. Sivjet, kjo është më e theksuar, ngaqë koncertet po mbahen në vende të ndryshme nëpër Evropë, përfshirë edhe Kosovën’, potencoi për KultPlus drejtoresha Rudi.

Nata e tretë e këtij Festivali solli në skenë magji, ku përmes tingujve e notave të instrumenteve, secila skutë e asaj salle përcillte një art madhështor në shtëpinë e secilit. /medinapasoma/ KultPlus.com

Dr. Sylejman Krasniqi: Edhe COVID19 luftohet më lehtë me muzikë të mirë e artistë fantastik

Ndër shekuj, muzika ka qenë arti i cili ka ndihmuar në relaksimin e secilit.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë me Festivalin e ReMusicas, i cili si pasojë e situatës pandemike u mbajtë në platformën online, mirëpo ajo që ka mahnitur organizatorët, ka qenë reagimi i një mjekut nga Spitali Rajonal i Prizrenit, shkruan KultPlus.

Dr.Sylejman Krasniqi, radiolog në Spitalin Rajonal të Prizrenit ka publikuar një fotografi në të cilën shprehej se edhe Covid19 luftohet më lehtë me muzikë e artistë të mirë.

Më pas fotografia e mjekut u bë publike edhe në faqen zyrtare të ReMusica-s.

Më poshtë keni postimin e plotë.

”Mbrëmë teksa ndodhte koncerti i artistëve nga Kosova: Besa Llugiqi dhe Misbah Kaçamaku, në kuadër të #ReMusicaFestival, pranuan nje fotografi me një mesazh “Edhe COVID19, luftohet më lehtë me muzikë të mirë e artistë fantastik!”

Është fjala për fotografinë e Dr. Sylejman Krasniqi, radiolog në Spitalin Rajonal të Prizrenit, adhurues i muzikës dhe përcjellës i madh i Festivalit ReMusica, gjë që fotografia edhe na e tregon.

Tash gati njëzet vite kemi punuar në vazhdimësi që të sjellim një program të përpiluar me kujdes, në mënyrë që të përmbushë nivelin artistik dhe programor, gjithnjë në trend me kohën, apo në vendosjen e trendeve.

Megjithatë, misioni është që ajo copë muzikore nga skena të përmbushë qëllimin e ekzistencës së vet muzikës, si ushqim dhe kujdes për shpirtin dhe mirëqenjen tonë.

Në këtë stratosferë digjitale, për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, arritëm të vizitojmë pjesën më intime dhe të ndjeshme të jetës së publikut që të përmbushim misionin tonë dhe këtë nuk e tregon më mirë se sa fotografia e dërguar nga Dr. Krasniqi.

I jemi mirënjohës secilit që gjatë këtyre muajve u kujdesët për mirëqenien tonë, në rradhë të parë mjekëve, si Dr. Krasniqi, në linjën e parë të mbrojtjes nga pandemia, tek prodhuesit e të mirave ushqimore që mbajtën të furnizuara dyqanet dhe punëtorët që ndejtën dita ditës në shërbimin tonë, mësuesit dhe profesorët që po kujdesen të mbajnë në jetë arsimin në këto kushte të vështira, e shumë e shumë të tjerëve.

Misioni është larg përmbushjes, ndërsa motivi që na vjen nga publiku dhe artistët vetëm sa vjen e shtohet’, thuhet në postimin e ReMusicas / KultPlus.com

Me moton “Të ngriteni” fillon edicioni i 19-të i festivalit ‘ReMusica’, trajtohet shpresa dhe nevoja për ringjallje

Suada Qorraj

Minutat e para të festivalit “ReMusica” këtë vit filluan ndryshe, nuk kishte një sallë të mbushur me njerëz, nuk mund të dëgjoje duartrokitjet, e as të shihje emocionet në fytyrat e publikut. Ishin Donika dhe Viktori ata që përmes një video bënë shpalosjen e programit të katërmbëdhjetë netëve të festivalit, nën moton “Të ngriteni”, që në vetvete përmban një qëllim të vetëm, shpresën dhe nevojën për ringjallje, shkruan KultPlus.

Të ulur përballë një publiku që nuk e shihnin dot, në skenën prestigjioze të sallës Het Concertgebouw Amsterdam, katërshja e grupit Ebonit Saxophone Quartet, Dineke Nauta, Alberto Tara Alcaniz, Paulina Culesza dhe Matuesz Pusiewicz, shënuan hapjen e edicionit të 19-të të ReMusicas.

Mbrëmjen e filluan me tingujt e kuarteti të vargjeve të operës 44 të Mendelssohnit, vepër kjo që kishte një melodi të lehtë e tepër sensuale. Katërshja e ansamblit përmes lojës me sakosofonët tyre, përcollën ndjeshmëri dhe frymëzim përgjatë interpretimit të kësaj vepre.

Duke mos ju larguar një prej elementeve që e bënë “ReMusica” të veçantë, përfaqësimit të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar, ansambli Ebonit Saxophone Quartet, në mes të heshtjes, dritave që mbushin skenën dhe i jepnin asaj ngrohtësinë e magjinë që i nevojitej, solli përballë ekraneve të publikut, që nuk kufizohej në një shtet të vetëm, veprën monumentale “Humorusques” të Rafet Rudit.

Në sallën ku artistët kishin nuk kishin ndërruar vendet që nga fillimi i këtij festivali, tashmë kishin filluar të dëgjoheshin tingujt e parë të sonatës së Bartokut, “Transylvanian Dances”. Kjo vepër ishte shkruar në vitin 1915 kur kompozitori kishte mbledhur meloditë popullore të Rumanisë, nga shtëpia e bastionit legjendar të vampirëve në Translivani.

Njëlloj sikur historia e sonatës, që është po aq e jashtëzakonshme sa dhe e mistershme, ishin edhe minutat përgjatë të cilave kjo vepër kishte pushtuar sallën e zbrazët, e ekranet e secilit prej nesh.

Ansambli Ebonit Saxophone Quartet ndonëse larg Prishtinës, vendit ku që nga ditët e para të organizimit të këtij festivali duhej të vinin e të shënonin hapjen e këtij festivali, shprehen të lumtur për faktin që arritën të merrnin pjesë në edicionin e tij online.

“Disa muaj më parë ne u ftuam nga drejtoresha artistike e ReMusica Festival, Donika Rudi për të ardhur në Kosovë, Prishtinë për të luajtur koncertin e hapjes. Fatkeqësisht për shkak të pandemisë COVID -19, ne nuk mund të udhëtonim dhe të takonim audiencën kosovare personalisht. Sidoqoftë ne jemi shumë mirënjohës për organizimin mahnitës të ReMusica i cili doli me një edicion sekular në internet të festivalit”, kanë deklaruar ata për KultPlus.

Por, nata e parë e “ReMusica” nuk përfundoi këtu, për publikun tashmë ishin përgatitur të luheshin vepra që i kishin qëndruar kohës, por dhe të atilla që në sallën Het Concertgebouw Amsterdam patën premierën e parë.

Katërshja e ansamblit tashmë kishte filluar të luante tingujt e parë të veprës “Po vijn’ krushqit”, duke shënuar kështu edhe premierën e saj. E shkruar posaçërisht për festivalin “ReMusica”, vepra e kompozitorit shqiptar Kushtrim Gashi, përmbante në vete elemente të këngëve të vjetra që luheshin në dasmat shqiptare.

Gashi ka treguar se këtë vepër fillimisht e kishte punuar për ansambël vokal, e më pas e kishte përpunuar edhe për kuartet të saksofonave. Sipas tij pjesa që është luajtur mbrëmë është e njohur për ne, por tashmë i është shtuar fryma aktuale.

“Në  fakt këtë vepër e pata punuar edhe për ansambël Vokal, e meqenëse ishte kohe e shkurtë, kam bërë pastaj një përpunim edhe për Kuartet Saxofonave, që në fakt i bie, ka qenë premierë për këtë Kuartet. Pjesa është në fakt e njohur për ne, por jam munduar pakëz me e sjell ne një fryme ma aktuale, por edhe që i përgjigjet instrumentit, në këtë rast, Saksofonit. Prej ritmit tradicional, ballakanas në përgjithësi, që është 7/8, kam kthyer në ritmin e rregullt 4/4, e që është pakëz më e kapshme edhe për vet Kuartetin, pavarësisht qe ata ishin tepër profesionist” ka thënë ai.

Drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi shprehet e lumtur që nata e parë e “ReMusica” kishte filluar me ansamblin profesional Ebonit Saxophone Quartet. Njëkohësisht ajo e konsideron një privilegj të madh, faktin që hapja e festivalit u bë nga dy vepra të mrekullueshme kosovare.

“Koncert fantastik nga ansambli Ebonit Saxophone Quartet në hapje të edicionit të 19 të ReMusica Festival! Jemi shume të lumtur që i kishim në hapjen e ReMusicas këtë vit një ansambël të tillë, aq profesional dhe aq të përgatitur. Jemi të lumtur që ndër të tjerash kishim dy vepra të mrekullueshme nga Kosova, e posaçërisht ajo e kopozitorit Kushtrim Gashi që ishte vepër e porositur dhe premierë në ReMusica”, ka thënë Rudi për KutlPlus.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin që nata e parë e festivalit ndërkombëtar “ReMusica” është përcjellur nga një numër i madh i njerëzve në shtete të ndryshme të botës.

Festivali që për më shumë se një orë kishte përçuar kënaqësi e në të njëjtën kohë magjinë që mbante salla prestigjioze e Amsterdamit, shëmoi përfundimin e saj nën tingujt e kuartetit të saksofonit.

Krejt në fund Ebonit Saxophone Quartet shtoi se ishte një nderë që kishte bërë regjistrimin e koncertit në sallën e bukur të Concertgebouw në Amsterdam, mirëpo ata mezi presin që vitin tjetër të jenë prezent në Prishtinë.

‘Ka qenë një kënaqësi dhe nder i madh duke bërë regjistrimin e koncertit tonë në një sallë të bukur të Concertgebouw në Amsterdam. Ne përgatitëm një program që përfshinte muzikë kosovare të shkruar posaçërisht të rregulluar për këtë rast! I urojmë audiencës tonë një mbrëmje të mrekullueshme dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të jemi në gjendje të kthehemi në Prishtinë, por këtë herë personalisht”, ka përfunduar kështu ansambli.

Nesër do të vazhdoj nata e dytë e Festivalit “ReMusica”, e cila para publikut do të sjellë sopranon e njohur Besa Llugiqi dhe pianistin Misbah Kaqmaku, në Sallën e Kuqe të Prishtinës, ku do të interpretohen vepra monumentale të huaja, por edhe shqiptare. Koncerti ashtu si në natën e parë fillon nga 21:00 dhe transmetohet në Klan Kosova si dhe live në faqen e ReMusica./ KultPlus.com

Festivali “Remusica” i bashkohet iniciativës “Festivals for Compassions”

Me nismën e titulluar Festivals for Compassions, festivalet rreth Evropës solidarizohen në këtë kohë të Korona virusit duke prezantaur dhe e futur në programet e tyre, veprën e kompozitorës greke-holandeze Calliope Tsoupaki e cila zyrtarisht mban titullin “Kompozitorja e Holandës”. Secili Festival do të zgjedhë artistët përfaqësues të cilët do ta luajnë këtë vepër.
Kjo vepër do të udhëtoi nëpër Evropë nga Festivali në Festival dhe të gjitha interpretimet e secilit Festival do të gjinden online. Deri më tani, janë 54 Festivale Evropiane që janë pjesë e kësaj inciative, gjersa ReMusica Festival ka marrë ftesë para disa muajsh dhe tash është një ndër to.

Vepra e titulluar “Thin Air” është shkruar në kohën e pandemisë dhe përmbanë mesazh të fortë, përderisa për interpretimin e kësaj vepre e cila do të ipet si premierë kosovare, ReMusica ka zgjedhur violinistin e shquar kosovar Visar Kuci.

Kjo vepër do të jetë pjesë e koncertit të datës 14 Shtator 2020, në kuadër të Festivalit ReMusica | SPECIAL TV & ONLINE EDITION 19 – RISE.