‘Dilëm n’anërr bre, veç ni ditë’

Poezi nga Donjeta Elshani

Ah bre Nanë ka qelë pranvera,
N’tokë e qiell ka lumtuni,
Lule, e dritë ka si çdo hera,
Folëm nanë, o ku je ti ?

Jam tuj e lypë shpinë tane,
Shpirtin tanë unë du me gjetë,
T’kam lypë n’vargjet e çdo kange,
Folëm oj nanë, o ku m’ke metë ?

I ke mshelë sytë, a m’ke harrue ?
A t’merr malli për t’vetmen çikë,
Që sot si gjithë t’ka kujtue,
Dilëm n’anërr bre, veç ni ditë.

I kam kajtë andrrat e tua,
Bota shpinën kur ta ka kthy,
Pse m’shkove, oj Nanë,
Hajde, folëm, jam me ty.

Kund s’kam gjetë dashninë tane,
Kund shpi s’kam n’qet botë,
Era jote, ah era e nanës,
S’asht’ ma për mu n’qet tokë.

Dikun n’dimensionin e dritës u pafshim.
Qaty ku t’gjaj Ty, dashnine, e driten.

Hanë

Poezi nga Donjeta Elshani.

Jam tuj e lypë ni hanë temën,

Që krejt andrrat mi ka ngu,

Ka folë çka ka dashtë kjo zemën,

Pse moj hanë më je idhnu?

Kam harrue çka kam dashtë,

Kam harrue çka kam andrru,

Dil e folëm oj hanë,

Thujëm pse më je idhnu.

Po e lypi ni ndjenjë t’shpisë,

Qato andrra që mi ke mshefë,

Me ni erë pak t’dashnisë,

Folëm hanë o ku m’ke metë ?

Dashni kanë veç sytë e nanës, e shpija e saj nuk a ma ktu.

“Asht’ e dhimshme me dekë pa pasë kanë afër, pa pasë kanë me t`kajtë…”

Nga: Donjeta H. Elshani

Jeta e eme asht’ te tjertë asht’ e përkthyeme si asgja, s`mujnë me i lidhë nashta as dy tri llafe për me i thanë për mu, kanë me shujtë për pak dakika, e kanë me e kujtue edhe naj fatzeze si puna jem.

Jam n`fund të nji udhe t`pershkrume veç për njerz fatkeq. Jam legjenda t`nji qyteti pa lum, t`zhurmshëm e t`qetë. Çdo qytet a qytezë a katun e ka dikan si unë, dikan që asht` pjesë e perqeshjeve t`tuaja a t`dhembshunisë t`shtirun që e bani.

Nuk e di çka ka ndodhë me menen tem, nuk e di pse unë. Kam mbetë rrugëve t`nji qyteti t`ftohtë, kam flejtë parqeve e qysheve, kam ni dhimtë, jam merdhi, e shpia jem u kanë veç rruga.

M`keni keshë, gjyku, randue. Dhimta jem asht’ qetu, te gjykimi, te randimi, te e keshmja. Keni ikë prej meje, keni përshperitë nën za kjo “e trenta” e m`keni gjujtë me çka keni pasë.

T`njohunit janë largue sa here m`kanë pa, deri kur dikur kanë kalue afër meje si t`panjohun, si t`tjertë.

Unë jam veç ajo, e humbuna, e çmenduna, pa emën, pa histori.

Jam nji legjendë e ktij qyteti t`humbun, t`ktij qyteti që m`ka marrë krejt shpirtin e m`ka gjykue, sha e vra. Krejt e dini ka nji version t`ndryshëm t`jetës tem, te tanë e pranoni si nji t`vërtetë, pa pytje, pa PSE.

Ju folni për mu, për 2-3 storiet që sillen poshtë e përpjetë, eh unë veç “ajo”.

Menja jem s`ka dijtë ma shumë, kam reagu, jam mbrojtë e qysheve t`ktij qyteti kam kajtë. Kam lypë mem nimue dikush, e dikur ma vonë e kam pranue nji jetë t`egër e te dhimshme që m`ka ra hise. Pa luftë ma.

Kam pasë andrra edhe un’ n`gjendjen tem, qato netë kur qielli u kanë i kfjelltë kam kqyrë nji hanë, e kam ba do lutje. Lutje n`heshtje, lutje larg dikun naltë, t`etshme për me u ngue veç nji here. Me ecë rrugëve t`ktij qyteti veç edhe nji here si dikur, mos me ikë prej meje, po mem pranue, mem nimue, mem dhanë ngrohtësi si dikur.

Kam andrrue për nji përqafim, për pranim, për ni trohë dritë te une. Për dikan që ka me ardhë, që kanë mem lypë, që kanë mem vetë se qysh jam. Kam harrue qysh asht’ me keshë, qysh asht’ era e nji supe t`mire në shpi, nji çaji t`mirë netëve t`egra t`dimnit, bisedave e kujtimeve t`largta. Krejt janë t`panjohuna për mu.

Sod, kur më erdh fundi, jam ka menoj ma qartë, jam ka e shoh për s`fundmi here kete qytet, për s`fundi here qeto udhë, për s`fundi here mi tokë. Asht’ e dhimshme me dekë pa pasë kanë afër, pa pasë kanë me t`kajtë. Shoqni m`banë veç nji cope qielli, uroj që bile sod qielli me kajtë për mu, andrrat e mija t`mbetuna peng, e vujtjet e mija që kush s`i pa. Kam lypë nji trohë paqe, e menja jem m`asht kthy veç tash n`fund, kur trupi jem i asht’ dorëzu dekës.

Nashta, dikujt kam me ju kujtu që s`me ka pa vite e vite, nashta dikush ka me kallxue që unë kam shku larg. Qatje ku gurtë e juj janë t`pa arritshëm për trupin tem që prehet apet qysheve t`qetij qyteti.

Krejt heshtje…

“Jam rritë tuj m’thanë je dera e huej, m`kanë msu mirë me shujtë, mos me qitë za…”

Unë nuk kam emën, ma kan ngjitë nja sa mem thirrë e mem urdhnue, ama emën temin nuk um lanën kurrë me ba. Historia e eme asht’ e trishtë, asht’ e dhimbshme, zor që donë kush me ngue, zor që donë kush me dijtë.

Asht’ veç nja prej historive pa za e t’zakonshme. Asht’ ni histori jete që sot nuk e kam ma. Nuk muj me e qitë as me e hekë asni shkronjë, se koha jeme ka shku, bashkë me andrrat e mija t’vajznisë.
Ditën që un` kam le ish kanë ditë e zezë për tw tanë në shpi, bile i tanë katuni ia kish rrehë krahët me keqardhje babës e i kishin pas thanë herën tjetër djalë ishalla, qekaq, asnji fjalë me e urue për nji jetë t`tre që ka ardhë në tokë, te tanë ulë kryet tuj dale prej odes, e baba i turpnuem që s`mujti me gju pushkë për me i kallxue te tanëve që i ashtx shtu nji pushkë n`shpi.
Nana e shkretë m’ka dashtë gjithë, po as ajo kurrë qikë s`ka dashtë me pasë, ki me hekë qika jeme kish pas thanë nën vajin e dhimtve që e kishin dërrmu.

Historia e nanës asht’ e njejtë si e jemja, veç se nana ish pajtu, e une kurrë s’kam mujtë.

Çka m`kanë thanë po ju tham. Nuk jam kanë kurrë n`shkollë e as knim e lexim nuk m`kanë msu, e gjithë kam dashtë me dijtë çka kanë ato librat e vllaut t`vogël, qysh me dijtë me knue si ai, kurrë s`kam msue, e gjithë kam dashtë.

Kam pasë ba be, që çika jem ka me pasë fatin tjetër prej temit.

Jam rritë tuj m`thanë je dera e huej, m`kanë msu mirë me shujtë, mos me qitë za, me e ngue çdo kanë e vetën me e mytë. Nji ditë m`a vunën kanën, m`thanë që m`kanë dhanë për dikanë, m`kanë dhanë si nji teshë që ma s`ju vynë e i jepet dikujt tjetër.

Mu kerkush s`me veti, çka du une, çka du me thanë une, a due me shku a jo.
Jau dhanë nji plum si dhuratë t`funit, nëse kisha refuzue me shku te ai që shpija m`a ka zgjedhë me t`njejtin plum ai ka mujt mem vra, e gjaku jem ish kanë i hupt. Jeta jeme e pavleftë.

S`e kam njoftë kurrë, s`e kam dijtë kush asht’.

E frikësueme, kam dashtë me kanë n`kthinën tem t`vorfën e t`ftoftë, po jeta jeme kish marrë tjetër kahje, e unë s`kisha ma fuqi me luftue kundër, veç me e pranue nji fat t`mallkuem e t`njetë si t`shoqeve t`mia.

Jam derrmu shumë here, po kush zanin s`ma ka ni, kush s`me ka vetë najhere a jam lodhë ? A kam nevojë për najçka ?
Kam pasë shpesh nevojë me nejtë vetë, me pushue shpirtin e molisun, me flejt ma shumë, e mi dhanë pak jetë vetit. Nuk e maj men ni ditë veç temen. Gjithçka u kanë për tjertë. Un’ jam kanë për tjertë.

Kam dashtë shpesh here me ngajtë e lirē ledinave t’blerta, me u shtri veç pak e me lujtë sikur ditët e feminisë. Gjithë kam jetue me mallin e qatyne ditëve kur s’kam ditë gja për jetën. Hera e vetme kur kam rrnue qysh kam dashtë.

Kam dashtë shumë here me folë, me britë, me kajtë, me iu thanë atyne që jam njeri, po kush s`me kish ngu, më kishin thirrë emna, më kishin keshë ditë e natë, se qashtu kanë ba me ato t`rrallat që kanë guxue me britë, që s`kanë mujtë me rrnue qashtu.

Jam kanë gjithë dera e huej, pa emën, pa t’drejta, pa za.

S`kam gjetë kurrë dikush mem kuptue, me m`i fshi lotë e syve, e me m`i shnosh plagtë e shpirtit. Rrallë kam keshë, m`paten msue se asht’ mëkat edhe kjo.

Kam pasë ba be e rrfe që fati i çikës tem ka me kanë ndryshe. Që çika jem ka me pasë emën, andrra, e t’drejta, njejtë si djemt e mi.

Une gati shkova, qatje ku ma nuk ka kthim. Nuk dijë shumë për atje, athu a kam me pasë emën ? A kam me kanë edhe atje vec ni derë e huj ?

Ti që po e nis fakultetin

Shkruan: Donjeta Elshani

Po fillon viti i ri akademik, e Prishtina mbushet me studenta, të rij e të reja që vijnë me i ba andrrat e tyne realitet.

Ndoshta nja prej periudhave ma të mira të jetës asht koha e studimeve — ani pse ty shpesh ka me t’u dokë që po ngulfatesh, edhe mezi pret me i kry provimet, se secili provim të doket si dhimbtë e madhe edhe e padurueshme dhambi.

Ti që vjen prej jashtë Prishtinës që në ditët e para ke me u përballë me rrugët e panjoftuna. Ato kanë me të ba me u ndi pasigurtë në nji qytet që në shikim të parë të jep ndjenjë të huej e të ftohtë. Por ky qytet shum shpejt ka me qenë shpija jote, e siguria jote.

Dy javët e para unë s’pata guxu me ndërru rrugë. E merrsha busin 1-sh prej banesës në Fushë-Kosovë, e shkojsha deri te FShMN-ja, e përskaj Bibliotekës Kombëtare ecsha deri te Fakulteti Juridik. (Qët rrugë ma pat rekomandu baba.) Qyteza jeme ish kaq afër kryeqytetit, sa ish dashtë edhe unë me i dijtë ma mirë rrugët, por ja që nuk i dijsha.

Qebesa, Prishtina nuk asht qaq e madhe sa të doket në fillim. Ti që je vendas e din këtë.

Të thonë mbasandej se në fakultet nuk ka shoqni të vërtetë. Rrenë asht kjo! Nëse je pak me fat, e pak njeri i drejtë, gjasshëm gjatë studimeve ke me kriju shoqni që ka me të përcjellë tanë jetën, e ka me t’u ba familje.

Me qata njerëz, me qat shoqni, ke me u shty me orë për nji pyetje. Ama pikërisht qata njerëz kanë me të shty me me studiu me rrajë laminë që ti e ke zgjedhë.

Ke me keshë e me kajtë bashkë me ta gjatë atyne viteve. Me kriju qaq kujtime të mira, sa ke me u lutë për nji kerr të kohës me e u kthy mbrapa veç edhe njiherë.

Provimet ta bijnë stresin. E ta bijnë edhe qefin me ba qef. Bash në qat periudhë të flehet ma shumë, të dilet ma shum, edhe filmat të kqyren ma shum. Për me i ndihmu vetes, lexo përditë kapak. Asht pak klishe ky send, se krejt thonë qështu, por qëkjo metodë njime të ndihmon shum.

Studioje shumicën e landëve. Mundohu me i mësu mirë qato që po t’ofrohen, por lexo hala ma shum se që të kërkohet. Fatkeqësisht, sistemi ynë nuk asht ma i miri i mundshëm, e këtij vendi nuk i intereson me nxjerrë kuadro të mira, por veç numra. Por ti mos e zen veten për numër.

Asht në rregull mos me dijtë. S’prish punë me gabu. S’bahet nami me u përgjigje keq. Kurrgja s’asht e përkryeme. Ti je kah mëson, dhe ke me mësu tanë jetën.

Mos harro që profesionin nuk e mëson në fakultet. Imtësitë harrohen. Por kjo s’të ban joprofesional ose jo të mirë.

Mos u tut me ra prej provimit, as me e refuzu nji notë, nëse ti mendon se din ma shum. Veç mbaje mend, nota s’kallxon se kush je ti, as kush ke me qenë ti në t’ardhmen.

Ka me ndodhë që ke me mësu e s’ke me mbërri rezultatin që e ke dashtë. Ke me u dëshpëru. Por në rregull asht edhe kjo.

Ka me ndodhë që nuk ke mësu, ose ke mësu shum pak, por ke me mbërri rezultat fort të mirë. Thjesht ke me pasë fat me pyetjet. Ke me u gëzu shum, e qaq ke me u ndi në faj pse s’e ke mësu mirë landën.

Mos kopjo. Asht hajni. Hile! Ndaj vetes dhe ndaj atyne që kanë mësu dhe nuk kopjojnë. Veç pse asistenti nuk vjen me ta nënshkru cepin e testit, e me të shti në listë të zezë, s’domethanë që nuk të ka pa, që të tjerët nuk e dijnë se ti po vjedh, e që kolegët e profesionistat nesër kanë me hangër foren tande. Kur ti e lyp, rrethi din me ta ba rrafsh. Edhe qaq fort sa ti nuk e vëren hiç.

Mos mëso përmendsh. Ose të paktën, mos e ba shprehi.

Kurrë, ama kurrë mos thuj, nuk po e mësoj qët temë se nuk bjen. Të paktën mos e thuj, e në daç, mos e mëso. Se gjithë të bjen bash qajo temë në provim, e madje të bjen ma së shumti pikë.

Keshni pak ma shum. Definitivisht, periudha e studimeve nuk asht koha kur duhet me e marrë jetën fort seriozisht. (Por pak seriozisht gjithsesi).

Kam dijtë me keshë me loçkë t`shpirtit

Poezi e shkruar nga Donjeta Elshani.

Kam dijtë me keshë me loçkë t`shpirtit,
Kam pritë pranvera t`hershme me lulue,
e flladitë shpirtin me ujë t`kroneve t`dynjes,
Kam knue kangë, e kam lujtë lojna me verën,
tuj përqesh shpirta t`frikshëm,
e tuj harrnue panla t`moçme.
Kam nga dathë, e jam qortue,
Po lumninë hiq kerkush s`ma ka nalë,
As n`shi,
e aq ma pak n`borë..
Jem lagë tuj e vizatue n`tokë nji copë dilli n’tokë,
e kem recitue vargje për me na lanë me lujt,
E na çka ka thanë qiellit e kem mirëpritë,
Me gëzim, lojë e t`keshme,..
tuj recitue vargje tjera, n`lojna t`tjera,
Dikah, dikun veç n`do ankthe ka pasë perbindsha,
Tjerat janë kanë dashni e dritë..

Aman, m’thuej

Poezi nga Donjeta Elshani

Asht’ qetë n’kit natë vere,
n’dritare rri tuj pa hanën,
tuj folë me ta n’menyren tem,
tuj e knue n’veti
nji kangë t’moçme,
tuj t’lypë ty n’çdo kujtim,
sa n’heshtje e sa zashëm,
tuj e vetë nji hanë që s’flet.

Aman, m’thuej çka t’baj un’

N’zhurmën tane,
t’njejtën natë,
e sheh hanën edhe Ti,
n’pije mshefesh o i ngratë,
dehesh, qeshesh si gjithnji.

Aman, m’thuej.

Sod kur fjalët janë harrue,
e shumë pije janë përbi,
kur të tanë t’janë largue,
A kjanë e qirresh si gjithnji ?

E n’tjera valle,
n’toka tjera,
përvajshëm..
e lypë shpinë./KultPlus.com