Flonja Haxhaj
Tri gra të fuqishme, në mesin e shumë grave të tjera me të njëjtën histori në Kosovë, thyen barrierat e kohës për të kërkuar dritë përtej territ dhe shpëtim e drejtësi për historitë e tmerrit që e përjetuan pa të drejtë për shumë vite, shkruan KultPlus.
Janë pikërisht historitë e tyre që u ndërthurën bashkë për t’u bërë zëri i atyre që s’kanë zë, e duke u bërë pjesë e filmit të metrazhit të shkurtër ‘Përtej territ’ të regjisores Donjeta Mejtani dhe që pati premierën dje në Prishtinë në Kino Armata.
Histori të dhunës seksuale në fëmijëri, e dhunë nga bashkëshortët e familjet e tyre pas martesës, e deri te neglizhenca totale e sistemit gjyqësorë e që është një problem i pazgjidhur tash e sa vite, ndërkohë që ato akoma presin për drejtësi.
Pas shfaqjes së filmit u hap një panel diskutimi ku regjisorja e filmit fillimisht falënderoi të pranishmit që u janë bashkuar kësaj kauze kundër një fenomeni shumë shqetësues të shoqërisë sonë.
Mejtani u shpreh se rastet e dhunës janë rritur shumë kohëve të fundit dhe tashmë kanë filluar të bëhen normale, e ajo bën thirrje që këto raste mos të normalizohen sepse nuk janë të tilla.
“Ajo çka më ka nxitur ta realizoj këtë film është sepse edhe unë jam grua në këtë shoqëri. Mjeti im me të cilin mendoj që kam mundur të jap një kontribut është realizimi i këtij filmi dhe gëzohem shumë që e kanë pasë guximin edhe këto tri gra me qenë pjesë e filmit dhe t’i rrëfejnë historitë e tyre”, u shpreh Mejtani e cila mes tjerash tha se shpreson që ky film të jetë një nxitje për shoqërinë edhe për institucionet që ta bëjnë punën e tyre sepse secili në mënyrën e vetë mund të japë kontributin e tij kundër këtij fenomeni.
Më pas fjalën e mori Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila shpjegoi se ku ngecin institucionet kosovare në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
“Fatkeqësisht institucionet ngecin që në momentin kur gruaja e raporton dhunën. Nuk po them që gjithçka është keq, Korniza Ligjore është shumë mirë ku e kemi një bazë shumë të fuqishme që ne më pas me u pagu për të drejtat tona dhe këto institucione të cilat nuk na ofrojnë këto shërbime të cilat duhet me u ofru me e pasë një bazë të fortë që mundemi edhe me i padit për mos ofrim shërbimit dhe këtë duhet të gjitha ta dijnë”, u shpreh Berisha.
Ndërkaq në këtë panel diskutimi, ishte e pranishme edhe Elvedina Hajdari e cila është në mesin e tre grave, historitë e të cilave u ndanë në këtë program.
“Unë kam pas shumë neglizhencë dhe shumë shkelje si nga ana e policisë ashtu edhe prokurorisë dhe më ka shtyrë deri këtu të vij për të treguar të vërtetën që me i nxit edhe viktimat e tjera që të luftojnë për të drejtat e tyre”, u shpreh mes emocioneve Hajdari e cila shtoi ndër të tjerash se ajo që kërkon është vetëm drejtësia.
Ndërkaq, për fund regjisorja Mejtani thotë se shpreson që këtë film ta shfaqë fillimisht në mbarë Kosovës, e për t’u shfaqur më tutje përtej kufijve./ KultPlus.com