Promovimi i doracakut “Gratë dhe gjinia” këtë të mërkurë në BKK

Doracaku “Mësimi i historisë me perspektivë gjinore: GRATË DHE GJINIA” NË DY DEKADAT E FUNDIT TË SHEKULLIT XX NË KOSOVË”, shpaloset këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 14:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, përcjell KultPlus.

Ky doracak, ka në fokus perspektivën gjinore në historinë e re të Kosovës, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe njohjen e gjinisë si kategori analitike në mësimin e historisë dhe pjesëmarrjen e grave në procese dhe ngjarje të rëndësishme historike në fund të viteve ’80 dhe ‘90-të shekullit XX.

Doracaku përbëhet prej pesë kapitujve, duke përfshirë prezantimin, materialin bazë, si dhe udhëzime metodologjike për përdorimin e materialit:

Kapitulli I. Gjinia, gratë dhe konflikti në Kosovë 1989-1999

Kapitulli II. Institucionet paralele/ të pavarura: Mobilizimi qytetar dhe jeta e përditshme

Kapitulli III. Aktivizmi i grave në vitet e 1990-ta

Kapitulli IV. Zhvendosja e paradigmës së rezistencës

Kapitulli V. Mësimi i historisë me perspektivë gjinore

Ky projekt realizohet nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). / KultPlus.com