Producentja e serialit ‘Rrushe’, Doresa Rexha, ka reaguar pas diskutimeve të shumta që janë bërë pas titrimit të këtij seriali nga televizioni ‘Top Channel’, përcjell KultPlus.
Rexha nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se ky titrim është bërë që t’ua mundësojnë ndjekjen edhe personave që nuk dëgjojnë apo kanë probleme me dëgjim.
Në vijim gjeni postimin e plotë:
Përshëndetje të gjithë shqiptarëve,
Si producente dhe aktore në serialin “Rrushe”, fillimisht dua ta falënderoj gjithë audiencën shqiptare kudo në botë për vlerësimin e mirë që i ka bërë e po i bën serialit “Rrushe”, prodhim i GjirafaStudios! Kjo është shumë motivuese për mua dhe për ekipin që të vazhdojmë me planifikimin për realizimin e Sezonit të Dytë të serialit.
Duke parë debatet që ka ngjallur titrimi i serialit “Rrushe” në Top Channel, mund të them që arsyeja kryesore pse kemi vendosur të kemi titrim ka qenë ofrimi i mundësisë që serialin të mund ta përcjellin dhe ta shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë apo personat me dëgjim të dëmtuar. Veç kësaj, ata që e kanë parë serialin, e kanë vërejtur që për hir të origjinalitetit, në serial, përveç gjuhës dialektore, përdoren edhe lokalizmat, zhargoni, “slang”-u, etj., që jo domosdo kuptohet nga të gjithë, prandaj është menduar që titrimi për transmetim në Top Channel të bëhet sa më afër gjuhës standarde, në mënyrë që çdo detaj i dialogjeve të kuptohet nga gjithë audienca shqiptare, siç është praktikë në shumë vende të botës me diversitet gjuhësor.
Unë besoj që diversiteti gjuhësor veç na pasuron më shumë si komb, nuk na ndan.
Uroj e shpresoj që së shpejti ta kemi Sezonin e Dytë të serialit “Rrushe” para publikut shqiptar, pse jo bashkëprodhim mes Kosovës dhe Shqipërisë! Ndërsa Sezonin e Parë mund ta ndiqni çdo të martë nga ora 21:00 në Top Channel.
P.S Ju kërkoj ndjesë gjitha mediave të cilat më kanë kontaktuar këto ditë mirëpo për shkak angazhimeve e kam pasur të pamundur të paraqitem./KultPlus.com
‘Rrushe’ është serial i zhanrit dramë – krim, me një tematikë që nuk është trajtuar më parë në Kosovë, e me kthesa të paimagjinuara, që mbajti publikun shqiptar nën emocione të papërsëritshme përgjatë 20 episodave.
Ky serial ka familjen Pirulli si protagonistë kryesorë. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme nga Prishtina, apo të paktën kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, e bija e familjes, punon si një gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që fillin e kishte në bujari e në mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetën atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarjeje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe i dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.
Me regji nga Valter Lucaj, skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, ‘Rrushe’ shfaqi për herë të parë në rolin e producentes, aktoren Doresa Rexha e cila gjithashtu portretizon edhe personazhin kryesor, atë të Vesa Pirullit apo siç njihet në serial, Rrushja.
E idenë, rrugëtimin dhe planet për sezonin e ri, producentja Rexha i ka shpalosur në një intervisë për KultPlus:
KultPlus: “Rrushe”, seriali më i përfolur kosovar i vitit 2021, e ku ju portretizoni personazhin krysor, çfarë ndjesie ju dha i gjithë ky projekt?
Doresa Rexha: “Rrushe” besoj që ka pasur një rezultat të tillë për shkak të formulës së saj se si është krijuar e që është mbledhja e vlerave të secilit artist pjesëmarrës e shumëzuar me dashni, përkushtim, pasion, konsistencë e pergjëgjesi. ‘Rrushe-s’ i kam dhuruar gjithçka nga vetja, jo vetëm unë por i gjithë ekipi, e këtu po më bie ndërmend thënia “aq sa jep edhe merr” prandaj ky projekt është një ndër projektet më të rëndësishme në jetën time. Ky serial më ka dhuruar çdo ndjesi në çdo kohë, në fillim ka qenë ‘uria’ per të krijuar një projekt me vlerë dhe të veçantë, pastaj frikë, besim, sfidë, vështirësi të panumërta, sakrificë, mund e rritje. Une besoj qe nuk ka proces qe të përmbush më shumë se të krijuarit me shumë dashni e pasion.
KultPlus: Si jeni duke qëndruar me emërtimin Rrushe, apo më saktë, tashmë po ju thërrasin më shumë Doresa apo Rrushe?
Doresa Rexha: Më i bukur sesa emri se si po me drejtohen është reagimi i njerëzve që i takoj rastësisht, komplimentet dhe urimet e tyre e sidomos mesazhet nga njerëz që e kanë gjetë veten në storie të serialit e ndikimi që ka pasur tek ta. Ky është shpërblimi më i madh i gjithë punës së deritanishme.
KultPlus: Në fakt, si ishte të jesh një Rrushe?
Doresa Rexha: Para se ta pranoj rolin kam pasur shumë frikë, nuk besoja që mund t’ia dal, nuk besoja qe isha e duhura e nuk guxoja as ta mendoj se çka ndodhë nëse nuk arrij me e jetësu personazhin e Vesës, mirepo jam me fat qe kam njerëz rreth vetes të cilët besojnë në mua më shumë se unë në vete.
Kur i kam lexu skenaret e para dhe pastaj gjatë diskutimit me skenaristin për linjen e Vesa Pirullit dhe linjen e krejt serialit, ka qenë shumë e frikshme por kjo e bënte edhe më emocionues dhe entuziazmues të gjithë procesin.
Për mu aka qenë shumë sfidë pasi që dihet se barra më e madhe bie mbi personazhin kryesor por në anën tjetër duke e ditur se sa shume ngjarje tragjike do te ndodhnin në jetën e Vesës, e kam pasur shumë të veshtirë ndërtimin e linjës së emocioneve të saj në mënyre që mos ta perseris veten. Por pavarësisht sfidave në ndërtimin e personazhit, lehtësia dhe e bukura ka qenë tek bashkëpunimi me gjithë aktorët e serialit.
KultPlus: Na trego për fillimet, e kujt ishte ideja, apo si guxuat të besonit në një serial kaq të madh, duke marrë parasysh se për herë të parë është realizuar një serial i tillë edhe jashtë një platforme televizive, nga një kompani e jashtme siç është “Gjirafa”?
Doresa Rexha: Gjithmonë e theksoj faktin se te punuarit ne Gjirafe te ndryshon mendesine se si i sheh gjërat dhe se si duhet me i tejkalu limitet tona gjithsecili për të arritur atë që dëshirojme dhe e kemi qëllim. Guximi për të nisur një projekt të tillë është ndërtim i të gjitha eksperiencave në Gjirafë, ku nga hiçi mundohemi me ndërtu kështjella të larta, nuk po flas vetëm në fushen artistike por në secilën fushë. Ne në Gjirafë nuk jemi rehat asnjëherë , asnjëherë nuk kemi nje ‘comfort zone’, e kjo normalisht që është stresuese dhe ka presion por në të njëjtën kohë ka progres dhe rritje të madhe ku nuk mungojnë sukseset. Mos të harrojmë se “nga presioni i madh formohen diamantet”.
Me gjirafaVideo funksionojmë që pesë vite e duke e parë rritjen e platformes dhe potencialin e produksionit tebrendsheme, menduam që ka ardhë momenti të provojmë diçka tjetër nga ajo që kemi prodhuar deri më tani. U takuam me skenaristin Jeton Kulinxha, i treguam se cili është qëllimi i serialit, cilat janë temat qe po deshirojmë me i shtjellu dhe pasi ka perfunduar sezoni i parë e konsiderojmë veten me fat që kemi krijuar diçka me një artist si Jetoni. Më pas, ka qenë sfida që me i bind edhe të tjerët me besu në serial dhe me besu në atë që po dëshirojmë me arritë. Ne fund te fundit është diçka që na ka bashku të gjithëve, fakti që shikuesit tanë e kanë merituar një projekt të tillë.
KultPlus: 20 episoda të serialit ‘Rrushe’ kanë sjellë dramë, dashuri e krim të ndërlidhura në dy periudha kohore e që për bazë kanë pasur zhvillimet në Kosovë, sa ishte vështirë të shtjellohej një temë kaq e ndjeshme?
Doresa Rexha: Përgjatë një viti kemi hulumtuar rreth seciles temë, kemi marrë informata për ngjarje të ndryshme, disa i kemi edhe te prekshme pasi janë tema aktuale që na rrethojnë. Vështirësia më e madhe ka qenë shtjellimi i tyre pasi ‘Rrushe’ ka pasë një sezon me vetëm 20 episoda dhe jemi munduar qe secilës temë t’ia kushtojmë kohën dhe mesazhin e duhur. Po ashtu sfidë në vete ka qenë edhe ndërtimi i reagimeve të personazheve ndaj ketyre temave, duke e pasur informatën qe shikuesit do e gjenin veten tek temat apo ngjarjet perkatëse, atëhere ka qenë përgjegjësi e madhe qe edhe reagimet e personazheve të jenë të duhurat. E për këtë në fillim kemi pasur konsultime edhe me psikologë. Pasi e kemi xhiruar episodin e parë dhe para se të fillonim me shkrimin e skenareve për episodet tjera, kemi bërë fokus grupe ku kemi mbledhur persona të vendeve, moshave dhe profesioneve të ndryshme të cilët e kanë parë episodin dhe kanë dhënë mendimin e tyre, e kjo përveç që na ka ndihmuar, ka qenë përvojë në vete si dhe ka shtuar vlerë n vazhdimësi të shkrimit të skenareve.
KultPlus: E konsideroni veten me fat që luajtët me Xhevat Qorraj, një artist që pati një karrierë të bujshme në rininë e tij, e me rolin e Faruk Pirullit tek ‘Rrushe’ ishte një prej aktorëve më të pëlqyer
Doresa Rexha: Së pari e konsideroj veten shumë me fat qe kam njohur një njeri, i cili ka një energji fantastike dhe që të bën të mësosh shume nga ai dhe është privilegj për mua të punoj përkrah një aktori si Xhevat Qorraj.
Më duhet të them edhe këtu dhe e di që axhi Xhevat do të qeshë me mua kur do ta lexojë këtë intervistë, unë kam qenë e para që jam takuar me të dhe ia kam propozuar rolin e Faruk Pirullit. E në takimet e para, meqë nuk njiheshim personalisht, e kam pasur shumë të vështirë, nuk dija sit i qasem, nuk ia kuptoja humorin, friksohesha kur kujtoja se po flas me një actor me gjithë atë karrierë. Mirëpo përveç që kemi ndarë skenën së bashku, gjë që më ka rritë profesionalisht, tani jemi edhe shokë shumë të mirë,
Po ashtu, dua të theksoj se jam shumë me fat që në këtë projekt kam punuar edhe me aktorë të tjerë shumë të suksesshëm siç janë Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj.
KultPlus: Të flasim për aktorët e rinj që kanë luajtur në këtë serial, për cilin aktor/aktore ndiheni mirë që me serialin “Rrushe” e keni bërë të famshëm, duke marrë parasysh që në këtë serial keni edhe rolin e producentes
Doresa Rexha: Ndjehem mirë që secili aktor ka shtuar vlerë në ‘Rrushe’ dhe duke u bazuar ne punën, përkushtimin, pasionin e tyre kanë arritur të pëlqehen nga publiku.
E kam lexuar me vëmendje çdo kritikë per secilin aktor qe kanë dhënë shikuesit dhe secila ka qenë më e mirë se tjetra. Por mbi të gjitha jam e lumtur që “Rrushe” ka qenë mundësi shumë e mirë per ne aktorët e rinj qe të dhurojmë 100 për qind nga vetja jonë dhe të tregojmë potencialin që kemi arritur deri më tani.
KultPlus: Cilin nga 20 episodat e keni shikuar më shumë se një herë?
Doresa Rexha: Secilin episod e kam shikuar më shumë se një here, kam qene prezentr ne 80 për qind të xhirimeve, i kam percjellur në montazhe, para transmetimit si dhe në transmetim. Kurse tash, gjatë pushimeve të Vitit të Ri do të mblidhemi me disa nga pjesëtarët e ekipit dhe do t’i shikojmë të gjithë episodat në mënyrë që t’i analizojmë dhe të mendojmë për përmirësime në të ardhmen.
KultPlus: Ndërkohë, flasim pak për skenarin, sa jeni befasuar edhe ju si kastë e serialit nga kthesat dhe prurjet e skenaristëve?
Doresa Resha: Sa i perket skenarit, kam përshtypjen që në atë kohë gjatë shkrimit, përveç Jetonit dhe Patrikut qe jane skenaristët, edhe ne kemi jetuar bashkë me secilin personazh. Përveç që kemi xhiruar, në të njëjtën kohë kemi mbajtur edhe takime të shumta me skenaristët dhe regjisorin se si t’ia bëjmë, nga me e drejtu ngjarjen. Edhe pse qysh në fillim i kemi bërë linjat e secilit personazh, për disa na kanë ndryshuar rrugës. Besoj që ngjarjet, mëyra se si janë trajtuar temat dhe kthesat dramatike, e kanë bërë skenarin më të veçantë dhe më origjinal.
Aktorët e kanë mirëpritur secilën ngjarje, por me disa kthesa edhe janë befasuar siç ëstë rasti i Arsimit, Dinora Lahut, Faruk Pirullit etj.
KultPlus: Kur jemi te skenari, mund të zbulojmë më shumë për lexuesit, janë shkruar apo janë duke u shkruar episodet e reja të sezonit të dytë, nëse po, kur do të fillojnë xhirimet e sezonit të dytë?
Doresa Rexha: Sa i perket sezonit të dytë, jemi duke planifikuar që të fillojmë sa më parë me konceptim dhe shkrim të skenarëve, mirëpo për xhirime na pret shume pune dhe kërkon kohë, e sidomos në këtë projemkt ku jemi duke u munduar që sezoni i dytë me e tejkalu të parin në çdo aspekt. Por lexuesve të KultPlus ju premtojëe se në momentin që do të kemi një datë, do të jenë të parët qe do të informohen.
KultPlus: Përtej serialit “Rrushe”, kompania Gjirafa tashmë dëshmoi se mund të jetë një institucion alternativ për realizimin e projekteve filmike, a mund të pritet ndonjë serial i ri apo edhe ndonjë film artistik?
Doresa Rexha: Nga momenti i parë që është menduar krijimi i platformës GjirafaVideo, ka qenë idea që të jetë një hapësirë për të gjithë krijuesit, ku do të mund t’i shfaqin online veprat e tyre dhe kështu funksionon edhe tani. Në këtë platformë mund të shihni prodhime të produksioneve të ndryshme.
Ndërsa me produksionin GjirafaStudios kemi plane të mëdha të cilat besojmë shumë që do të kenë ndikim pozitiv në tregun tonë. Kemi në plan shumë seriale, reality shoë, emisione dhe në një të ardhme të afërt pse jo edhe film artistik.
KultPlus: A ka ndonjë angazhim tjetër artistik, që mund ta shfaqë Doresa Rexhën në një format ndryshe?
Doresa Rexha: Jam në pritje të disa projekteve, e gjatë kësaj pritjeje jam duke punuar edhe vetë në një projekt interesant, po e them publikisht qe me ia vënë vetes kusht per vitin 2022. Po ashtu shumë shpejt do jetë edhe premiera e filmit “Stork” nga Isa Qosja ku aty e kam një personazh shumë të dashur e që është krejt ndryshe nga kjo qe jeni mësuar të më shihni këtë vit.
KultPlus: Në sezonin e parë keni hequr flokët vetëm për shkak të karakterit të Rrushes, deri ku kishit sakrifikuar për këtë serial?
Doresa Rexha: Rrushes ia kam dhuruar komplet veten si nga ana fizike ku i kam humbur 6 kilogramë për një kohë shumë të shkurtër, kam hequr tërësisht flokët, ashtu edhe nga ana emocionale. Për këtë serial nuk kam kursyer asgjë nga vetja./KultPlus.com
KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.
Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.
Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.
Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.
Ashtu siç nuk jemi mësuar të shohim më parë, nën ombrellën e dramës dhe krimit tash e sa kohë ”Rrushe” ka shpalosur një histori të papriturash që publikut kosovar i dhuruan emocione të shumta. Me një kastë të mrekullueshme aktorësh, loja e të cilëve zuri vend shumë shpejt tek adhuruesit e këtij zhanri duke i marrë këta të fundit pas vetes në secilën episodë, drejt një rrugëtimi të mahnitshëm kinematografik, shkruan KultPlus.
Rrushe është serial i zhanrit dramë, krim, me familjen Pirulli si protagonistë kryesor. Familja Pirulli janë një familje e zakonshme nga Prishtina, apo të paktën kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, e bija e familjes, punon si një gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që fillin e kishte në bujari e në mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetën atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarjeje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe i dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.
Në një intervistë për KultPlus, Valter Lucaj, regjisori i këtij seriali tejet të dashur për publikun, tash kur seriali veçse i është afruar përfundimit të sezonit të parë, ka treguar më detajisht për rrugëtimin e ”Rrushe-s”, si dhe për komplet realizimin e këtij sezoni, njëherit edhe sezoni i parë i serialit ”Rrushe”.
Lucaj ka treguar për KultPlus se që nga fillimi i projektit të serialit ”Rrushe” ai dhe ekipi realizues kanë punuar me besim, dashuri dhe përkushtim të madh për këtë projekt të cilin regjisori e konsideron mjaft sfidues. Ai po ashtu ka theksuar se ka kohë që në Kosova është dëshmuar në aspektin kinematografik, për të cilin pohon të jetë një nivel shumë i lartë si në rajon edhe më gjerë, meritë kjo që sipas regjisorit sigurisht se i përket aktorëve dhe regjisorëve kosovarë.
”Shikuesit tanë tani më janë mësuar të shohin krijimtari të shumta cilësore nga trendi botëror, sidomos serialet filmike. Fatkeqësisht, në Kosovë pak i kemi nënvlerësuar shikuesit deri më tani, duke ju servuar gjëra të shpejta dhe jo aq cilësore. Këtë normalisht që e ka diktuar edhe tregu vendor sepse për të krijuar një serial të mirëfillt artistik duhen fonde dhe duke qenë të vetëdijshëm që mënyra e vetme për përkrahjen e projekteve të tilla është nëpërmjet sponsorëve pasi që deri më tani qendra e filmit, televizioni publik dhe disa televizione nacionale nuk e kanë pasur në agjendë që të kenë projekte cilësore të punuara në shqip për publikun kosovar. Ne si Gjirafë jemi munduar që t’i tregojmë publikut tonë që edhe ne mund të prodhojmë seriale të tilla. Prandaj edhe për këtë arsye ndihem shumë i lumtur që këtë avancim e ka bërë Gjirafa dhe se pritshmëritë e mija sa i përket shikueshmërisë duke e ditur se me sa përkushtim dhe energji kemi punuar për këtë projekt, natyrisht që i kam pritur”, ka theksuar regjisori Lucaj për KultPlus.
Për idenë e fillimit të këtij seriali, Lucaj ka treguar se u ka ardhur në shkurt të vitit 2020, pastaj pas takimeve me skenaristin Jeton Kulinxha, me të cilin regjisori ka bashkëpunuar edhe më parë, janë dakorduar të fillojnë punën edhe për këtë projekt. Piloti i serialit i është xhiruar në nëntor të vitit të kaluar, për të cilin regjisori ka treguar se kanë hasur nëpër shumë vështirësi duke pasur parasysh masat anticovid dhe situatën pandemike në tërësi. ”Ishte dashuria dhe përkushtimi që ne kishim ndaj projektit ”Rrushe” që erdhi deri te realizimi i pilotit, i cili na ka ndihmuar sa i përket aspektit të shitjes dhe marrëveshjeve me bashkëpunëtorë të tjerë. Në janar te vitit 2021 kemi vazhduar xhirimet e epizodeve të tjera dhe nuk jemi ndalur deri më tani. Pa pikë dyshimi e them që ”Rrushe” nuk do të ishte kjo që është pa stafin realizues me të cilët kam pasur rast të punoj një kohë të gjatë, pa kastën e aktorëve por edhe pa dashurinë e madhe për punën dhe artin”, shprehet tutje regjisori për KultPlus.
Pavarësisht se Kosova numëron shumë aktorë të talentuar dhe profesionistë, për regjisorin përzgjedhja e kastës nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai ka treguar për KultPlus se duke pasur parasysh që në serial ndërthuren shumë lidhje familjare në mes të personazheve, ka bërë që të krijohen edhe vështirësi në përzgjedhjen e tyre. Ndërkaq, regjisori nuk harron të pohojë se për sa i përket aktorëve të këtij serialit ai ndjehet i lumtur dhe i nderuar që i është dhënë mundësia të punojë me këta artistë, që sipas tij, janë aktorët më të mëdhenj të kinematografisë sonë, e në anën tjetër edhe për artistët e rinj të cilët janë paraqitur në këtë serial.
”Seriali si zanafillë lidhet me vuajtjet e popullit tonë në vitet e 90-ta dhe kjo reflekton te pasardhësit, por mendoj që tema e ”Rrushe-s” është universale, që në mënyra të ndryshme prekë çdo gjeneratë. Kemi pasë shumë komente të ndryshme, njëri prej komenteve që më ka lënë përshtypje ka qenë prej një djaloshi të ri, i lindur dhe i rritur jashtë Kosovës, komenti i tij ka qenë që familjarët i kanë folur shumë për Kosovën dhe për atë se çfarë ka ndodhur por ai nuk e ka kuptuar mirë këtë. Pasi që ka pa serialin ”Rrushe” tanimë e ka më të qartë se për çfarë flisnin më saktësisht rrëfimet dhe përjetimet e familjarëve të tij. Thënë shkurt, unë mendoj që ”Rrushe” është një temë universale që përçon te shikuesi emocione dhe ndjenja me të cilat pothuajse të gjithë ballafaqohen në jetë të përditshme, tema këto si dashuria, familja, atdhedashuria, tradhetia e sidomos rolin e gruas në shoqërinë tonë”, deklaron Lucaj për KultPlus
Seriali ndahet në dy periudha kohore që parë nga vështrimi historik i Kosovës, kanë qenë tejet të rëndësishme dhe një temë kaq e ndjeshme për publikun tonë, sigurisht se ka vështirësitë e veta drejt realizimit. Mirëpo, për këtë gjë, regjisori falenderon skenaristin, për të cilin thekson se ka ardhur me një storie që i ka lënë gojëhapur. ”Prej që kemi filluar përgatitjet për ”Rrushe-n”, Jetoni ka ardhur me një storie që na ka lënë gojëhapur. Skenari është shkruar dhe analizuar në çdo detaj, dukë i përcjellur personazhet, raportet mes tyre, mangësitë që munden me u shfaqë rrugës dhe njëkohësisht kemi marrë edhe feedback nga shikuesit. Përpos Jetonit, bashkësekenarsit ka qenë edhe Patrik Lekaj i cili po ashtu ka dhënë një kontribut të madh”, thekson tutje regjisori për KultPlus.
Ndërkaq, sa i pëërket sezonit të dytë të serialit ”Rrushe”, nuk ka akoma ndonjë plan konkret se kur apo se çfarë do të trajtojë, mirëpo regjisori Lucaj ka treguar për KultPlus se pas përfundimit të sezonit të parë do të ulen dhe analizojnë e pastaj edhe të vendosin për rrugëtimin e këtij seriali, për të cilin pohon se kanë opsione të shumta para vetes por akoma asgjë definitive.
Ndërkaq, sa i përket mesazhit që ky serial tenton të përçojë tek shikuesit, Lucaj ka thënë: Rrushe është nje storie universale dhe siç e kemi menduar dhe parë nga komentet e shumta që kemi nga shikuesit, çdo person pavarësisht moshës, nivelit arsimor apo edhe vendit se ku jeton do të gjejë copëza nga perditshmeria, dhimbje nga e kaluara si dhe lidhshmëri me personazhet kryesore.
Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.
Prodhimi nga Gjirafa Studios ka sjellur këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala. / KultPlus.com
Në një zhanër krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja, nën zgavrën sfiduese e ambicioze të dramës dhe krimit, shpaloset një histori me plot të papritura që do i dhurojnë një kahje tjetër zhvillimit të ngjarjes duke e vendosur kështu kastën e aktorëve të jashtëzakonshëm në një rrugëtim sa argëtues po aq edhe drithërues, me rastin e nisjes së serialit më të ri vendor të titulluar ”Rrushe”, shkruan KultPlus.
Emri i serialit “Rrushe”, vjen nga vetë fakti që është shumë i kapshëm nga publiku ku edhe shumica e njerëzve të paktën një herë gjatë jetës së tyre e kanë thirrur një person të dashur në atë pseudonim. Ndërsa, emri i personazhit kryesor siç është Vesa, e që emrin e saj përkëdhelës ia ka vendosur gjyshi i saj, Faruk Pirulli, i cili njëkohësisht është personi i saj më i dashur, befas do të ndodhi një e papritur që do të ndërrojë kahjen e ngjarjes e për çka edhe do të zbulohet se jo rastësisht emri i serialit ka këtë titull.
Seriali “Rrushe”, është i vendosur në dy periudha kohore që ndërlidhen mes vete, të tashmen dhe fundin e viteve ’90 dhe përfshin familjen Pirulli si protagonistë kryesorë, një familje e zakonshme prishtinase, apo së paku kështu duken në sytë e të tjerëve. Vesa, vajza e familjes, punon si gazetare hulumtuese. Por, një e kaluar e errët, e mistershme dhe brutale, që gjenezën e kishte në bujari e mirësi, rikthehet që t’ua ndryshojë jetërat atyre që më së paku e meritojnë. E në udhëkryq të kësaj ngjarje gjendet Vesa, për të cilën koncepti i drejtësisë dhe dashurisë do të ndryshojë përgjithmonë.
Puna në serialin “Rrushe” kishte filluar para një viti, në kohën kur të gjithë ndodheshim në karantinë dhe ideja për realizimin ka lindur nga ekipi i ‘Gjirafa Studios’, ku pavarësisht situatës pandemike, produksioni ka ndikuar pozitivisht në mobilizimin, vullnetin dhe dëshirën që stafi të krijojë diçka. Kështu, ata çdo ditë kanë mbajtur mbledhje online duke diskutuar rreth historive së gjithë secilit që i kanë ndodhur përgjatë jetës së tyre.
Përmes këtyre historive të lexuara në njërën nga mbledhjet ku nuk ka munguar humori dhe emocionet që nuk njihnin fund, aktorët kanë njohur njëri-tjetrin më mirë dhe kështu ata kanë vendosur që të takoheshin me novelistin Jeton Kulinxha, të cilit i kishte pëlqyer energjia e ekipit dhe ka filluar të shkruante skenarin së bashku me Patrik Lekaj për realizimin e një projekti të tillë që besohet se do të lë gjurmë në vend. Pas shumë diskutimeve dhe takimeve që kanë ndodhur me Kulinxhin, skenari i episodit të parë ka gjetur vend në një periudhë kohore qysh nga muaji qershor e deri në tetor.
Seriali deri më tani përmban gjithsej dy sezone me nga 10 episode, ku deri më tani janë shkruar rreth 17 episode dhe ekipi gjendet në përfundim të xhirimeve për episodet 6-10. Ndërsa, për ekzistencën e sezoneve të radhës do të vendos publiku i cili mbetet të vulos jetëgjatësinë e këtij seriali.
Për herë të parë në vend ‘Gjirafa’, sjell një veçanti të bukur ku grumbullon një kast të mrekullueshëm, mbi 80 aktorë të cilët përmes serialit do të trajtojnë tema si: krimi, korrupsioni, ndikimi i familjes tek fëmijët, roli i gruas në shoqëri, zhvillimi i karrierës, bullizmi në shkolla dhe më gjerë, tradhtia, çrregullimet mendore e shumë tema tjera për të cilat besohet se do të kenë një ndikim tek audienca.
Ky serial përfshin aktorët si: Doresa Rexha, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi, Andi Bajgora, Lum Veseli, Ema Koxha, Xhevat Qorraj, Armend Smajli, Eshref Durmishi, Qëndresa Jashari, Bislim Muçaj, Arta Muçaj, Agron Shala, Labinot Raci, Enver Petrovci, Ernest Malazogu, Adriana Matoshi, Çun Lajçi, Ermal Sadiku, Adrian Morina, Basri Lushtaku, Semira Latifi, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti, Allmir Suhodolli, Adelina Halitjaha, Eden Kastrati, Lurni Krasniqi, Donikë Ahmeti, Berat Pllana, Xhelal Haliti, Artiola Hamdia, Erta Leci, Vjosa Abazi, Shkëlqim Islami, Nexhat Xhokli, Mikel Markaj, Kastriot Saqipi, Gojrat Kqiku dhe Dashuri Rexhepi.
Prodhimi nga Gjirafa Studios sjell këtë serial me regji nga Valter Lucaj, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, producente Doresa Rexha, menaxhere e produksionit Adele Gjoka, skenografia nga Enes Sahiti, drejtor i fotografisë Burim Tufa, inxhiner i zërit Gëzim Berisha, muzika nga Samer Agolli, kostumografia nga Bahtije Krasniqi, montazhi dhe ngjyrat nga Kreshnik Shala.
Valter Lucaj, regjisori i këtij serali, ka treguar për KultPlus se para pranimit të skenarit të parë për serialin ”Rrushe”, për shkak të pandemisë ai ndodhej në një periudhë të vështirë me ‘GjirafaStudios’, ku ekipit i ka ndryshuar tërësisht mënyra e të menduarit dhe punuarit.
“Gjatë gjithë procesit për projektet që ishim duke i zhvilluar në përputhje me rrethanat e reja, në të njëjtën kohë ishim duke u munduar që të vinim deri tek ideja për të sjell diçka më ndryshe, më sfiduese dhe ambicioze. Kur e kemi lexuar dhe diskutuar rrjedhën e historisë së Rrushe-s, së bashku me vizualizim në kokën time, më ka dhuruar emocione por edhe një ndjenjë që seriali do të jetë njëri ndër projektet më të veçanta për mua dhe ashtu po del të jetë”, tha Lucaj.
Regjisori po ashtu ka theksuar se që nga fillimi i prodhimit të serialit, ata kanë pasur qëllime të sakta që të tejkalohet kualiteti ku edhe Kosova si vend të radhitet për prodhime me kualitet të lartë duke u krahasuar jo vetëm me Ballkan por edhe tutje.
“Mesazhin të cilin e përçojmë me temat e trajtuara në këtë projekt, është që t’i mbledhim aktorët e mirënjohur në një vend duke i dhuruar kështu vlerë audiencës”, thotë Lucaj.
Sipas tij, bashkëpunimi i jashtëm me Gjirafën dhe puna në këtë kompani e ka intriguar regjisorin mjaft shumë duke pasur parasysh risitë që kanë sjell në treg dhe përkushtimin e tyre në fusha të caktuara. Prandaj, duke u bazuar në atë eksperiencë, para dy vjetëve Lucaj i është bashkangjitur ekipit të Gjirafës si producent ekzekutiv dhe regjisor duke realizuar kështu qëllimin e tij për prodhimin e një seriali me këto përmasa.
Regjisori tutje ka theksuar se vështirësitë gjatë procesit kanë qenë të shumta për shkak të projektit sfidues. Ndërkaq, për procesin e punës në tërësi ka thënë se deri tani është shumë i kënaqur me komplet punën ekipore e sidomos për dashurinë dhe vullnetin e tyre, me ç’rast puna është duke shkuar për mrekulli dhe për regjisorin konsiderohet një privilegj që po punon me secilin nga ata.
“Vështirësi ka pasur duke pasur parasysh situatën pandemike, pastaj projekti është sfidues dhe si ekip na ka frikësuar dhe shpesh herë i kemi krijuar vështirësi vetes sepse projekti është ambicioz. Por, vështirësi ka qenë edhe besimi në një projekt të tillë, menaxhimi i një ekipi kaq të madh por gjithsesi ekipi, dashuria dhe vullneti për të krijuar këtë projekt i kanë lehtësuar të gjitha punët”, shpalos regjisori.
Për Lucaj, përzgjedhja e aktorëve nuk ka qenë proces i lehtë sepse seriali ka personazhe të shumta prandaj edhe për disa role të caktuara janë mbajtur audicionet dhe për disa të tjerë janë ftuar aktorët pasi që Kosova nuk është vend i madh dhe nga puna e tij disa vjeçare, ai ka punuar edhe më herët me shumicën prej tyre.
Gjithashtu, ai ka folur edhe rreth provave për këtë serial që trajton tema dhe ngjarje të ndryshme prandaj edhe kasta e aktorëve janë të ndarë në bazë të ngjarjeve dhe provat mbahen në grupe të caktuara, gjithmonë duke pasur parasysh masat e shtruara.
”Veçantia më e madhe e ‘Rrushe’, është trajtimi, xhirimi dhe mënyra se si është duke u krijuar seriali me një ekip i cili mundohet të dhuroj gjithçka nga vetja, vetëm e vetëm që ky serial të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Performanca dhe përkushtimi i aktorëve janë një tjetër veçanti sepse është projekti i parë ku këta aktorë janë në një vend”, përfundon Lucaj për KultPlus.
Ndërsa, Doresa Rexha, producentja e këtij seriali dhe njëkohësisht edhe aktore, ka treguar për KultPlus se ‘Rrushe’ është projekti që e ka sfiduar atë më së shumti deri më tani e edhe nga i cili ka mësuar më së shumti.
“Sinqerisht, kur lexova titullin “Rrushe”, e paragjykova paksa, por pasi që e lexova u binda për të 500 herë që libri nuk gjykohet nga kopertina. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë dhe frikësuar deri në palcë”, thotë Rexha.
Sipas saj, duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe brenda ekipit të Gjirafa Video, së bashku me themeluesin e kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani është vendosur kërkimi për profesionistë të duhur për pozita të caktuara ku kështu janë takuar edhe me regjisorin Lucaj.
“Duke e njohur punën e Valterit, përkushtimin dhe pasionin për profesion sigurisht që ai e kishte vendin në ‘Gjirafë’. Pa Valterin si regjisor dhe pa ekipin si Adele, Kiqa, Fisi, Giza, Trashegimi, Patriku, Bled, Edon, Frasher, Bahtie, Driton, Atdhe, Besnik, Leona dhe Jeton nuk do të mundësohej ky serial”, tregon ajo.
Për Rexhën, ka qenë e vështirë menxhaimi si producente dhe aktrimi në xhirime por që dashuria, pasioni, përkushtimi dhe ndihma e regjisorit dhe ekipit, e ka bërë të mundur këtë arritje. Por edhe pse e vështirë, ajo këtë proces e ka cilësuar si njëri ndër më të bukurit që ka përjetuar ndonjëherë.
“Ekipi i GjirafaStudios jo që nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre por i kanë tejkaluar edhe limitet e tyre. Prandaj, ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që po bashkëpunoj më të gjithë aktorët e sidomos me: Xhevat Qorraj, Çun Lajçi, Enver Petrovci dhe Bislim Muçaj”, tregon Rexha për KultPlus.
Krejt në fund, ajo është shprehur se dashuria për profesionin dhe profesionalizmi i tyre janë shkollë për aktorë dhe të gjithë këta aktorë janë vlerë e serialit prandaj ajo ndjehet me fat që i kanë besuar këtij projekti.
Sa i përket aktorëve, dy nga ata si: Afrim Muçaj dhe Aurita Agushi, tashmë janë pjesë e serialit dhe aktualisht ndodhen në përfundim të xhirimeve.
“Ishte ftesa e producentes Doresë Rexha, e cila me prezantimin e projektit “Rrushe” në formën më të mirë të mundshme, nuk më la zgjidhje tjetër pos ti bashkohem këtij produkti ambicioz dhe shumë interesant. Pastaj, pa dyshim që ishte nder për mua ti bashkohem regjisorit Valter Lucaj dhe gjithë kastës fantastike që ka përzgjedhur ai”, thotë Mucaj.
Sipas tij, tema e serialit është njëra ndër pikat më të forta. Trajtimi dhe guximi i një teme të tillë konsiderohet maja e arsyejës që mblodhi këta aktorë ku së bashku me skenarin e mirë, regjisorin dhe produksionin profesional është menduar se ”Rrushe” do të jetë shumë e bukur për publikun.
Roli i aktorit Muçaj është menduar të jetë mjaft interesant dhe atraktiv për publikun duke pasur parasysh që nuk është i lehtë për tu interpretuar.
“Bashkim Pirulli, vëllai i vogël i familjes së madhe Pirulli, të cilin e luaj, është një personazh atdhetari i cili bashkë me “Lëvizjen Qëndresa” në krye me Mixhen Zekë (të cilin e qëndisë aktori Çun Lajçi), mundohemi për disa episode ti ofrojmë publikut pamje të atdhedashurisë dhe kontributit të shumë brezave të viteve të 90-ta, që kontribuuan në mundësinë qe ne sot të xhirojmë të lirë ‘Rrushen”’, tregon ai për KultPlus.
Për Muçaj, si çdo punë serioze dhe profesionale siç është edhe ky produkt, do të haset në pengesa gjatë rrugës por që gjithsesi ata po punojnë me një qejf të madh duke arritur synimin që ky produksion ka.
“Jam shumë i lumtur që po punoj me regjisorin Lucaj sepse energjia e tij e madhe pozitive dhe profesionalizmi ekstre, të fut në përgjegjësi të mëdha”, përfundon Muçaj për KultPlus.
Kurse, për aktoren Aurita Agushi, ftesa për të qenë pjesë e serialit ka ardhur nga vetë regjisori i cili ka punuar edhe më herët me aktoren e për çka ajo nuk ka hezituar as edhe një sekondë që të bëhet pjesë e serialit.
“Që në bisedën e parë shihej qartë se bëhej fjalë për një projekt shumë premtues që do të na bëjë krenarë të gjithëve dhe jo vetëm neve por edhe ata që do e shikojnë serialin”, tregon Agushi.
Sipas saj, kur bëhet fjala për një projekt kaq të madh, vështirësitë nuk mungojnë. Pandemia konsiderohet si vështirësia më e madhe por që me një organizim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga ‘Gjirafa’, çdo gjë ka qenë më e lehtë për të.
Agushi do të luaj rolin e Merita Pirullit, bashkëshorte dhe nëna e tre fëmijëve. Merita është një profesoreshë arti e cila përballet me shumë sfida si në jetën personale ashtu edhe ne atë profesionale.
“Seriali është përditshmëria jonë ku secili prej nesh do ta gjejë veten në personazhet dhe skenat e Rrushe-s. Mesazhi është që secili prej nesh duhet të bëjë pjesën e tij që Kosova të jetë vendi për të cilin të gjithë ëndërrojmë dhe duam ta shohim ashtu siç e ëndërrojmë”, përfundon Agushi për KultPlus.
”Rrushe” është seriali më i ri vendor i cili vjen premierë sonte dhe mund të ndiçet çdo të diel nga ora 20:00 në T7 si dhe online në GjirafaVideo.
Ndërkaq, disa nga pritshmëritë e ekipit janë që ky projekt të mirëpritet nga publiku as më shumë e as më pak nga sa kanë punuar e munduar ata, fillimi dhe krijimi i një projekti ku çdo anëtar të jetë krenar për punën e tij si dhe është cilësuar se ”Rrushe”, është projekti më serioz dhe më i madhi ndonjëherë në të gjitha trevat ku flitet shqip. Prandaj, për “Rrushe“ do të flitet gjithandej./ KultPlus.com
Alberina Haxhijaj
“Kosovo’s Rising Stars” është një program i ri në kuadër të PriFilm Fest, që ka filluar vitin e kaluar dhe që ka për qëllim promovimin e aktorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në këtë edicioni të 10-të, Yjet e Kosovës në ngritje, të përzgjedhur nga PriFilm Fest janë: Afrim Muçaj, Armend Smajli, Bujar Ahmeti, Doresa Rexha, Fatlume Bunjaku, Florist Bajgora, May-Linda Kosumovic, Rifat Smani, Rina Krasniqi dhe Shpëtim Selmani.
Aktorët të cilët u zgjedhën në kuadër të këtij programi vlerësohen si një aset i çmuar i Kosovës në kuptimin e industrisë filmike.
Festivali përmes përzgjedhjes që bënë mundohet që të promovojë artistët dhe punën e tyre tregoi për KultPlus Fatos Berisha një ndër themeluesit e festivalit PriFilm Fest.
“Vitin e kaluar e kemi lansuar këtë projekt, kjo është hera e dytë. Do të tentojmë si festival që të ndihmojmë në promovimin e aktorëve sidomos në arenën ndërkombëtare në mënyrë që sa më shumë regjisorë dhe producent të huaj por edhe vendor të kenë mundësi që të njihen më punën e tyre, e që mund të rezultojë me angazhimin e tyre në projekte ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Në kuadër të Prifilm Fest sot në sallën e vogël të teatrit Kombëtar u dha një projeksion i veçantë, para të pranishmëve. Aty u treguan disa sekuenca nga filma të ndryshëm ku luajnë aktorët e përzgjedhur si pjesë e programit “Kosovo’s Rising Stars”.
“Në mesin e miqve të festivalit, ndërkombëtarëve por edhe para aktores Vanessa Redgrave, patëm prezantimin e aktorëve që janë pjesë e ‘Kosovo’s Rising Stars’. Ne do të vazhdojmë edhe në vitet në vijim për të përkrahur promovimin e aktorëve. E mira e gjithë kësaj është që ne kemi se çfarë të promovojmë pasi që kemi aktorë të mirë dhe dëshira jonë nuk mungon”, theksoi tutje Berisha.
Aktorët do të prezantohen përsëri në përmbyllje të edicionit të 10-të të festivalit pasi që dita e sotme mund të konsiderohet si një projeksion në hapësirë më të vogël, e që ishte i dedikuar për njerëzit të cilët janë pjesë e industrisë filmike.
“I jam shumë falënderues PriFilm Fest-it që na ka ftuar, është nder për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë vetën tonë. Është nder të jemi pjesë e të zgjedhurve si “Yjet e Kosovës në ngritje”, u shpreh aktori Shpëtim Selmani.
Të jesh pjesë e kësaj përzgjedhje sipas aktores Fatlume Bunjaku është shumë e rëndësishëm për faktin se disa prej tyre, duke përfshirë edhe aktoren Bunjaku, janë në fillim të karrierës së tyre si aktorë.
“Besoj që rëndësia qëndron edhe te fakti se kjo bëhet pikërisht në kuadër të PriFilm Festi-it një festival i cili çdo vit e më shumë ka evoluar duke përfshirë këtu edhe mysafirët me nam botëror. Mbështetja e artistëve të ri është shumë e rëndësishme dhe ndjehem shumë e privilegjuar edhe për faktin që puna jonë është prezantuar edhe para aktores Vannesa Redgrave”, theksoi aktorja Fatlume Bunjaku për KultPlus.
Pikërisht ideja e projekti dhe përzgjedhja e vitit të kaluar ka qenë mjaft intriguese për aktoren Doresa Rexha e cila këtë vit përcolli përsëri ceremoninë e prezantimit, por tani si pjesë e ekipit të përzgjedhur nga festivali.
“Vitin e kaluar vetëm e kam përcjellë këtë program si shikuese dhe e kam vlerësuar shumë idenë e këtij programi. PriFilm Fest çdo herë është befasuese me përkrahjen që ua jep aktorëve. Kur mora lajmin që këtë vit unë jam pjesë e përzgjedhjes ishte një privilegj i madh”, u shpreh ajo për KultPlus.
Vitin e kaluar pjesë e përzgjedhjes në kuadër të “Yjet e Kosovës në ngritje”, ishin aktorët: Andi Bajgora, Blerta Ismaili, Dukagjin Podrimaj, Lum Veseli, Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com