Arbër Selmani
Në martesën e saj, nuk pati një çejz.
Doruntina Ukimeri megjithatë, nuk e la pa e shpalosur çejzin e saj. Në një formë, mbrëmë ajo e pati natën e saj të çejzit, kur e ekspozoi atë në teknikën e filigranit me letër, në hapësirën ekspozuese ‘Motrat’ në kryeqytet.
E çejzi ndër shqiptarë është traditë, dëshirë, investim në martesë. Doruntina vendosi që këtë traditë dhe pjesë të artizanatit ta sjellë në ekspozitën e saj. Me këtë teknikë, ajo thotë se nxjerrë vetëm gjëra të bukura.
“Filigrani me letër është një mënyrë e punës të cilën e praktikoj viteve të fundit, dhe mbetet si teknikë e cila të lejon të punosh gjëra të bukura, lule, elemente me shumë ngjyra. Çejzi gjithmonë më ka pëlqy, dhe ka shumë pak informata për të edhe në internet, edhe pse të gjithë kanë dëgju për të dhe dijnë për të” tregon Doruntina.
Mbrëmë, ajo në Prishtinë e hapi ekspozitën e saj të radhës, e cila do të qëndrojë e hapur deri në 22 shkurt. Tentene, goblena, jelek, çorape e mindila janë pjesë e ekspozitës, të punuara dalëngadalë nga dora e Doruntinës, për tu puthur me murin e bardhë të hapësirës “Motrat”.
Doruntina aplikoi në programin HERITAGE SPACE nga Culture Heritage Without Borders – Trashëgimia Kulturore pa Kufinj, dhe kësisoj e nisi punën në këtë teknikë. Pasuan dy punëtori ku Doruntina ndihmoi edhe gjashtë pjesëmarrës të tjerë të punojnë në këtë teknikë.
Dhe rezultati janë 20 punime, prej të cilave gjashtë janë pjesë e ekspozitës, ndërsa vjen edhe një video e realizuar nga Dardan Zhegrova – ku tregohet procesi i punës nga Ukimeri. Ukimeri thotë se kësisoj po e promovon këtë teknikë dhe do të donte që ajo të merrte vëmendjen e duhur, e të mos humbej.
“Përmes këtyre punëve, kam dasht me bo një analizë të kësaj tradite, qysh ka qenë dhe qysh është sot ajo në kulturën tonë, dhe në kulturat tjera. Çejzi ka ekzistuar në Babiloni, në Greqinë Antike, në Romë…. Te shqiptarët, çejzi është përcaktu edhe me Kanunin e Skënderbeut, atë të Lekë Dukagjinit, pra e ke pasë të caktume çka mundesh me qu në çejz. Më parë, është dashtë me pasë shumëçka në çejz, ndërsa sot kohërat kanë ndryshu sepse mundesh me ble çkado që ke nevojë pas martesës, e nuk ke nevojë me e pasë në arkën e çejzit” tregon Ukimeri.
Të rralla janë gratë që sot janë në moshë dhe nuk kanë kaluar nëpër procedurën e çejzit. Dikush e sheh si traditë më primitive e dikush si mundësi të bukur kreativiteti, por çejzi ndër shqiptarë është dukuri që mbrohet me fanatizëm.
“Sot shumë gra e bojnë figurativisht çejzin, pra nëse nuk e bojnë vet e porosisin. Për mua është një formë e ekspozitës, pasi gratë që e punojnë vet, e kanë në fund mundësinë ta ekspozojnë atë para të tjerëve. Mendoj se është mirë me vazhdu me bo tentene, me bo çejz, me qëndisë, këto janë artizanate dhe duhet me u promovu e mbështetë” tregon tutje Ukimeri për KultPlus.
Ekspozita e mbrëmshme është e dyta në këtë teknikë nga Ukimeri. Ajo thotë se së shpejti do të dalë me një vazhdimësi të projektit, ku do të parashihet edhe shitja e këtyre copëzve të bukura të punuara prej inspirimit të saj artistik. / KultPlus.com