Doruntina Kastrati është përzgjedhur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në edicionin e 60-të të Bienalës së Venedikut.
Nëpëmjet praktikës së saj hulumtuese dhe artistike, Kastrati ka shqyrtuar trupin dhe marrëdhënien e tij me pushtetin biopolitik, shpesh duke u fokusuar në çështje sociale dhe politike të punës në kontekstin global. Në vitin 2024 ajo do të prezantojë projektin “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, një instalacion skulpturor që trajton punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës. Pavijoni i Kosovës do të kurohet nga Erëmirë Krasniqi dhe do të prezantohet në Museo Storico Navale, lokacion ky në mes të Arsenales dhe Giardinit.
Deindustrializimi i ekonomisë dhe derregullimi i tregut të punës pas Luftës së vitit 1999 në Kosovë, krijoi mundësi mundësi të mëdha të zhvillimit të industrive të lehta (p.sh. prodhimi i ushqimit, letrës, plastikës etj.). Ky mjedis i ri ekonomik targetoi gratë dhe krijoi kërkesë për punë fleksibile dhe me pagesë të ulët. Angazhimi në punë me pagesë u ka dhënë grave një masë pavarësie financiare dhe pjesëmarrje në shoqëri. Larg nga të qenurit emancipues, feminizimi i fuqisë punëtore në industritë e lehta i ka mbajtur të paprekura rolet tradicionale gjinore, dhe duke mundësuar pak ose hiç promovim në pozita pune, i ka bërë gratë ekonomikisht të cenueshme dhe politikisht margjinale.
Projekti i Kastratit, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” sjell në publik rrëfimet e grave, të cilat punojnë në margjinë të shoqërisë. Puna në fabrika është repetitive dhe dhe mund të bëhet vetëm në këmbë. Në këtë linjë pune, afër një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit; objektet metalike të implantuara në gjunjë në mënyrë kirurgjikale janë gjurmë materiale të punës së tyre për orë të gjata me pagesë të ulët. Me synimin për të nxitur reflektim se pse dhe si këto praktika shfrytëzuese në vendin e punës kanë mbetur të pashqyrtuara, Kastrati do ta bëjë këtë në mënyrë abstrakte, duke theksuar karakteristikat e mishëruara të materialeve, veçanërisht atë të metalit.
Komisinere e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Artit 2024 është Hana Halilaj, Kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës
Doruntina Kastrati është artiste pamore me bazë në Prishtinë, Kosovë. Praktika e saj artistike përqëndrohet në skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me çmimin Artistët e Rinjë Vizuel nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe ka fituar çmimin Hajdex6 nga Fondacioni Hajde! në vitin 2017. Ajo ishte artiste në rezidencë në International Studio and Curatorial Program (ISCP) në Nju Jork në vitin 2015; në Art House në Shkodër në vitin 2018, dhe në Initiators në Athinë në vitin 2018. Puna e saj së fundmi është shfaqur në Eugster Belgrade (2023); Ring The Bells My Land në Manifesta 14, Prishtinë (2022); Temel në Muzeun Hessel, Nju Jork, (2022); Life without buildings në ETH Cyrih, (2022); Here (Air Carries Poison But Yet We Breathe) në ChertLüdde, Berlin (2021), What if a Journey në Autostrada Biennale, Prizren (2021); Bigger than Myself–Heroic Voices from ex Yugoslavia, Muzeun MAXXI, Romë (2021); Not Fully Human, Not Human at All në Fondacionin Kadist, Paris, dhe Kunstverein Hamburg, Hamburg (2021-2022); Tirana Patience, Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2020); Public Heroes and Secrets, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Prishtinë (2020), ndër të tjera.
Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese me bazë në Prishtinë, Kosovë. Krasniqi magjistroi në Kolegjin Dartmouth dhe studimet bazë i mori nga Kolegji Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, Edicionin e 39-të të EVA International, Irlandë dhe Manifesta 14, Kosovë. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të krijuar prani dhe korrigjuar mungesat në rrëfimet historike. Interesimet e saja kërkimore variojnë nga historitë e artit modern socialist deri tek njohuritë që vijnë nga poshtë dhe që kontribuojnë në sfidimin e narrativave historike zyrtare. Nga viti 2017, Krasniqi është drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim dixhital me qasje të hapur që angazhon forma të reja të prodhimit kulturor, duke mbështetur dhe avokuar për punën thelbësore të arkivave mediatike.
Republika e Kosovës është përfaqësuar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut me pavijone shtetërore që nga viti 2013. Prezantimet e mëhershme përfshijnë ekspozita vetanake nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). / KultPlus.com