Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë romanin “Idioti” të autorit rus Fjodor Dostojevskit.
Idioti është një roman i shkruar nga shkrimtari Rus i shekullit XIX Fjodor Dostojevski. Ky roman ishte publikuar fillimisht në mënyrë episodike në revistën ruse Russkiy Vestnik (Lajmëtari Rus) gjatë viteve 1868–9.
Titulli i librit është një referencë ikonike për personazhin kryesor të librit, Princin Lev Nikollajeviç Mishkin, një djalë i ri të cilit mirësia, zemërgjerësia, dhe çiltërsia e tij e bëjnë atë të duket në sytë e personazheve tjerë si njeri me mungesë intelegjence dhe mprehtësije.
Dostojevski i ka vendosur vetës detyrën që nëpërmjet këtij personazhi të përshkruaj “njeriun e bukur me natyrë të mirë.” Romani shtjellon pasojat e vendosjes së një individi të tillë unik në qendër të konflikteve, dëshirave, pasioneve, dhe egoizmit të shoqërisë.
Xhozef Frenk e përshkruan Idiotin si “librin më personal të Dostojevskit nder veprat e tij më madhore, libër i cili mishëron bindjet e tij më të dashura, intime, dhe të shenjta”
Romani përfshin përshkrime nga telashet më të mëdha të Dostojevskit, si epilepsinë dhe njoftimin për ekzekutim (i cili më vonë doli të jetë i rrejshëm), dhe hulumton tematikat morale, filozofike dhe shpirtërore që rrjedhin nga ato telashe. Motivi i tij parësor për shkrimin e këtij romani ishte nënshtrimi i idealit të tij më të lartësuar, ai i dashurisë së vërtetë Krishtere, në shoqërinë Ruse të asaj kohe.
Metoda e tillë artistike e testimit të ndërgjegjshëm të idesë së tij thelbësore nënkuptonte që autori jo gjithmonë mund ta parashikonte se si tematika që ai e shkruante do të zhvillohej. Romani është strukturalisht i vështirë, dhe shumë kritik letrarë kanë komentuar mbi organizimin kaotik të veprës.
Sipas Geri Saul Morson, “Iditoti shkel çdo normë mirëpo prapë ia del të jetë madhështor.” Vetë Dostojevksi ishte i mendimit që eksperimenti i tij nuk ishte plotësisht i sukseshëm, mirëpo romani mbeti nga më të parapëlqyerit nga veprat e tij.