Ai ishte bufoni më i madh i epokës bashkohore, me sytë e mëdhenj dhe zërin e tij, atë përzierje fjalësh dhe tingujsh, që jehon përgjithmonë në veshët e pasardhësve.
Nëse dikush mendon për Dario Fo (lindur më 24 mars 1926), mendja i vete pashmangshmërisht tek grammeloti i tij, ai grumbull tingujsh, të huazuar nga gjuhë të ndryshme, rezultat i marrëzive dhe palaçollëqeve (gjeste zhurmuese me buzë), ajo furi gjuhësore dhe satirike që trondiste gjithçka (së pari shastisi pushtetin, kundër të cilit shakaxhiu u godit i paepur dhe gojëndyrë). Një shpikje që i dha çmimin “Nobel” në vitin 1997, me motivacionin e mëposhtëm: “duke ndjekur traditën e shakave mesjetare, ai u tall me pushtetin duke i kthyer dinjitetin të nënshtruarve”.
Dario Fo ishte krenar për nderimin e Akademikëve të Suedisë, të cilët me atë motivim treguan se e kuptonin misionin e tij, më mirë akoma misionin e tyre, të tijin dhe të Franka Rames. Ai u shpreh menjëherë: ai çmim nuk ishte vetëm i tiji, por ishte edhe i Frankës, Frankës së tij, partneres së tij, këshilltares së tij, gruas së tij, bashkautores së shumë dramave, engjëllit të tij, gruas që pas vdekjes do t’i shfaqej në ëndërr çdo natë, si për të hedhur poshtë ateizmin e tij.
Dario Fo dhe Franka Rame e kryen së bashku misionin e tyre: të tallen me pushtetin, të lëkundnin moralin, të tregonin forcën shpërthyese të asaj që i shpëton të zakonshmes, të asaj që i shpëton sanksionimit. Ishin vitet gjashtëdhjetë kur ata filluan të vënë në skenë teatrin e tyre të absurdit, duke e epuar atë në një dimension komik, me konotacione të forta klounistike. Dimensioni i absurdit (të trashëguar nga Jarry) shprehej që në tituj (“Kryeengjëjt nuk kërcejnë pupthi”, “Kush vjedh një këmbë, ka fat në dashuri”, “Zonja duhet dëbuar”, “Fajin e ka gjithmonë djalli” ), ndërsa aktrimi dhe skenari ishin të orientuar drejt satirës dhe kritikës sociale. Suksesi i madh erdhi me “Zotëria qesharak” në ‘69, kur Fo, në vazhdën e shakave dhe tregimeve, luajti me materiale fetare, duke treguar, të shenjta dhe profane, histori të papëve pompozë dhe fshatarëve harbutë. Pikërisht atëherë satira u shfaq me gjithë fuqinë e saj subversive, duke ngjallur pakënaqësinë e Italisë Demokristiane dhe Papale, të cilat e dëbuan çiftin Fo-Rame nga qendra e vëmendjes televizive dhe nga i gjithë qarku i teatrove bardh e zi. Më pas, erdhën vitet e protestës, me masakrën e “Piazza Fontana” dhe strategjinë e tensionit.
Teatri i Fosë iu drejtua lajmeve dhe gazetës.
Satira drejtohej drejt një objektivi të ri: nga tallja e hipokrizisë fetare, kaloi në sulm kundër politikës, institucioneve, shërbimeve sekrete. Lindi pjesa “Vdekja aksidentale e një anarkisti” (për vdekjen e Pinelit); “Rrëmbimi i fanfanit”; “Nuk paguaj, nuk paguaj”, “Kush është?” etj. Grammelot dhe satirë: me këto armë, të rafinuara ndër vite, e ndërtoi Dario Fo teatrin e tij, duke e zgjedhur atë si vendin suprem për misionin etik, civil dhe politik. Një mision që nuk pësoi kurrë disfatë, edhe pas vdekjes së Franka Rame (e cila u nda nga jeta më 29 maj 2013).
Deri në fund Dario Fo punoi, shkroi libra, pikturoi (duke rizbuluar profesionin e tij të parë, pasi kishte ndjekur liceun artistik dhe Akademinë Brera). Në ditët e fundit, ai vuri në skenë tekstin e tij më të dashur, “Zotëria qesharak”. Dhe kjo, përkundër mendimit të mjekëve, pavarësisht insuficiencës respiratore dhe pavarësisht se i mungonte fryma në atë përmbytje përrallore që e bëri unik dhe të papërsëritshëm. / KultPlus.com