Dorëzohet në Prokurori peticioni “Drejtësi për Kujtimin”, kërkohet të dënohet vrasësi i 11-vjeçarit

Aktivistë të shoqërisë civile kanë dorëzuar në Prokurori peticionin bashkë me listën e nënshkruesve “Drejtësi për Kujtimin”.

Gazmend Qyqalla, aktivist i shoqërisë civile tha se në njëvjetorin e vrasjes dhe përdhunimit të 11-vjeçarit nga Fushë-Kosova, kishin nisur një peticion për të kërkuar drejtësi për Kujtimin.

Ai ka sqaruar se peticioni i dorëzuar është nënshkruar nga më shumë se 1.300 qytetarë dhe se përmban tri kërkesa.

“Policia dhe Prokuroria t’i kërkojnë falje publike familjes për shkelje të të drejtave të tij në jetë dhe neglizhim të rastit. Nga Kryeprokurori i Shtetit kërkojmë inicim të hetimeve të pavarura penale si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Kosovës. Si dhe nga Qeveria e Kosovës kërkohet kompensim për shkeljen e të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit”.

Kurse Rina Kika, avokate e familjes Veseli tha se kanë bërë kërkesë për zgjerim të aktakuzës ndaj O.S i dyshuar për vrasjen e Kujtim Veselit, pasi që aty nuk përfshihet dhunimi, por vetëm vrasje e tij.

“Ne konsiderojmë që patjetër duhet të përfshihet edhe dhunimi, ngase aktakuza pa përfshirjen e kësaj vepre është e mangët dhe nuk e adreson në plotëni përgjegjësinë penale”.Ajo ka treguar se seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 9 shtator, raporton EO.“Në këtë seancë ne do të kërkojmë nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor për vrasje, ngase këtë e dëshmojnë edhe të gjitha provat e prezantuar deri më tash”.

Më 11 korrik 2019, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa” të Fushë Kosovës, ishte gjetur i vdekur 11-vjeçari Kujtim Veseli./ Gazetaexpress / KultPlus.com