Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, festivalin ‘Etno Fest’ e ka quajtur ngjarje me rëndësi kulturore ku sipas saj e vjetra bashkëjeton me të renë duke u ngritur çdo vit mbi vlera me të cilat individi reflekton për veten dhe shoqërinë.
Drejtoresha Halimi, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se edicioni i sivjetmë i “Etno Fest” përthekon lumturinë e shpërfaqur nëpërmjet artit në shumë dimensionalitetin e saj.
“Lumturia pa lirinë e individit është trajtë likuide që do t’i përshtatej dogmave të imponuara. Ndaj liria nderon trashëgiminë, të djeshmen duke i dhënë shtysë individit për të qenë i lumtur me veten dhe tjetrin në interaksion. Rrjedhimisht, lumturia përmban në thelbin e vet diversitetin dhe empatinë, si vlerat më të rëndësishme që bart kultura jonë në qenien e saj!”, është shprehur Drejtoresha Halimi./ KultPlus.com
10 ditë pas atentatit ndaj Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen drejtoresha e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kimberly Cheatle, pasi ish-presidenti nxori në pah dështime të shumta në reagimin e agjencisë ndaj autorit të sulmit.
Zonja Cheatle e bëri të ditur largimin nga detyra përmes një mesazhi dërguar punonjësve.
Pas përpjekjes për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump pati reagime në rritje ndaj dështimit të agjencisë e cila siguron mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve.
Zonja Cheatle, e cila shërbente në detyrën e drejtores së Shërbimit Sekret që nga gushti 2022, u përball me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen, si dhe disa procese hetimore për rrethanat se si autori i atentatit arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president në një tubim elektoral në Pensilvani.
“Marr përgjegjësinë e plotë për dështimet e sigurisë”, tha ajo në email-in drejtuar personelit të martën. “Në dritën e ngjarjeve të fundit, me zemër të rënduar kam marrë vendimin e vështirë për të dhënë dorëheqjen si drejtorja juaj”.
Dorëheqja e zonjës Cheatle vjen një ditë pasi ajo u paraqit përpara një komisioni të Kongresit dhe u kritikua me orë të tëra nga ligjvënës demokratë dhe republikanë për dështimet e sigurisë. Ajo e quajti përpjekjen për ta vrarë ish-presidentin Trump “dështimin më të rëndësishëm operacional” të Shërbimit Sekret në dekada dhe tha se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e sigurisë. Ajo megjithatë shkaktoi zemëratën e ligjvënësve duke mos iu përgjigjur pyetjeve konkrete në lidhje me hetimin.
Nëpërmjet një deklarate, presidenti Joe Biden u shpreh se “të gjithë e dimë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk mund të ndodhë kurrë më” dhe njoftoi se do të emërojë së shpejti një drejtues të ri për Shërbimin Sekret, por nuk dha detaje se kur do të bëhet ky emërim. Presidenti gjithashtu falenderoi zonjën Cheatle për punën e saj prej dekadash në shërbim të publikut amerikan.
Sekretari i Sigurisë Alejandro Mayorkas njoftoi se ka emëruar si drejtor të përkohshëm zëvendës drejtorin Ronald Rowe.
Zoti Rowe ka punuar në Shërbimin Sekret prej 24 vitesh.
Në seancën dëgjimore të hënën, zonja Cheatle vazhdoi në mënyrë sfiduese të deklarojë se ajo ishte “personi i duhur” për të udhëhequr Shërbimin Sekret, edhe pse tha se mbante përgjegjësi të plotë për dështimet e sigurisë. Kur ligjvënësja republikane Nancy Mace i sugjeroi zonjës Cheatle të fillonte të hartonte letrën e saj të dorëheqjes, zonja Cheatle iu përgjigj: “Jo, faleminderit”./ VOA/ KultPlus.com
Drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan, Kimberly Cheatle tha sot se atentati ndaj ish-presidentit Donald Trump është “dështimi më i madh operacional” i agjencisë në dekada.
“Më 13 korrik, ne dështuam”, u tha zonja Cheatle ligjvënësve të hënën, gjatë një seance dëgjimore në Kongres. Ajo shtoi se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e agjencisë lidhur me sulmin në tubimin elektoral të republikanit Trump në Pensilvani në fillim të këtij muaji.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret dëshmoi para një komisioni të Kongresit, mes thirrjeve në rritje për dorëheqjen e saj për shkak të dështimeve të masave të sigurisë në tubimin ku një 20 vjeçar i armatosur tentoi të vriste ish-presidentin Trump.
Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi deklaratat e zonjës Cheatle në paraqitjen e parë të saj para ligjvënësve që nga sulmi i 13 korrikut në Pensilvani, që la të vdekur një pjesëmarrës në tubim.
Zoti Trump u plagos në vesh dhe dy pjesëmarrës të tjerë u plagosën nga Thomas Matthew Crooks, i cili hapi zjarr nga çatia e një objekti aty pranë.
Ligjvënësit kanë shprehur zemërim dhe kanë ngritur pikëpyetje se si një person i armatosur arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ishte i mbrojtur.
Shërbimi Sekret e ka pranuar se ka mohuar disa kërkesa të fushatës së zotit Trump për masa shtesë sigurie në aktivitetet e tij para atentatit.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas e cilësoi atentatin si një “dështim”, ndërsa disa ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e zonjës Cheatle ose shkarkimin e saj nga presidenti Joe Biden.
Shërbimi Sekret ka thënë se drejtoresha e agjencisë nuk ka ndërmend të dorëhiqet. Deri tani, ajo ka mbështetjen e presidentit demokrat dhe sekretarit të sigurisë kombëtare.
Zyrtarët i kanë thënë agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ se para atentatit, forcat e zbatimit të ligjit janë vënë në dijeni të veprimeve të dyshimta të autorit të sulmit, afër vendit ku po mbahej tubimi. Ai ishte vërejtur duke kryer matje të distancës nga çatia prej nga sulmoi, tek skena ku më vonë u ngjit ish-presidenti. Po ashtu kanë qarkulluar pamje të Crooks pranë perimetrit të sigurisë.
Më vonë dëshmitarët e panë atë duke u ngjitur në çatinë e një objekti që ndodhej 135 metra larg skenës ku ish-presidenti mbajti fjalimin para mbështetësve të tij.
Ai qëlloi disa herë me një armë automatike, ndërsa në xhep kishte një pajisje për aktivizimin e një mjeti shpërthyes në makinën e tij të parkuar aty pranë.
Sulmi ndaj zotit Trump ishte përpjekja më serioze për vrasjen e një presidenti apo kandidati për president që nga plagosja e Ronald Reaganit më 1981.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet mbi motivin e autorit të sulmit, por deri tani nuk kanë gjetur ndonjë prirje ideologjike që do të hidhte më shumë dritë mbi sulmin.
Hetuesit që kontrolluan telefonin e tij gjetën fotografi të republikanit Trump, demokratit Biden dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë. Hetuesit zbuluan gjithashtu se ai kishte kërkuar në internet datat e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe datat e tubimeve tjera të zotit Trump. Ai kishte kërkuar edhe informacione mbi depresionin./VOA/ KultPlus.com
Drejtoresha e Shërbimit Sekret Amerikan Kimberly Cheatle publikoi të hënën deklaratën e saj të parë që nga atentati i ndodhur të shtunën ndaj ish-presidentit të ShBA-së Donald Trumpit.
Më poshtë mund të lexoni deklaratëne e plotë të publikuar nga CNN:
“Dëshiroj të filloj duke shprehur ngushëllimet e mia më të thella për familjen dhe miqtë e Corey Comperatore, i cili u vra gjatë atentatit ndaj jetës së ish-presidentit Donald Trump në Butler, Pensilvani, të shtunën, si dhe atyre që u plagosën gjatë këtij akti dhune të pakuptimtë.
Personeli i Shërbimit Sekret në terren lëvizi me shpejtësi gjatë incidentit, me ekipin tonë kundër snajperistit që neutralizoi sulmuesin dhe agjentët tanë po zbatonin masa mbrojtëse për të garantuar sigurinë e ish-presidentit Donald Trump.
Që nga të shtënat, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me personelin e Shërbimit Sekret në Pensilvani, i cili punoi për të ruajtur integritetin e skenës së krimit derisa FBI-ja mori rolin e saj si agjencia kryesore e hetimit në tentativën për vrasje. Unë kam qenë gjithashtu duke u koordinuar me detajet mbrojtëse për ish-presidentin Trump dhe kam informuar presidentin Biden për detajet e incidentit.
Shërbimi Sekret po punon me të gjitha agjencitë federale, shtetërore dhe lokale të përfshira për të kuptuar se çfarë ndodhi, si ndodhi dhe si mund të parandalojmë që një incident si ky të mos ndodhë përsëri. Ne e kuptojmë rëndësinë e rishikimit të pavarur të shpallur dje nga presidenti Biden dhe do të marrim pjesë plotësisht. Ne gjithashtu do të punojmë me komitetet përkatëse të Kongresit për çdo veprim mbikëqyrës.
Incidenti në Pensilvani ka çuar në mënyrë të kuptueshme në pyetje në lidhje me përditësimet ose ndryshimet e mundshme të sigurisë për Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee. Shërbimi Sekret i ShBA-së, në bashkëpunim me partnerët tanë federalë, shtetërorë dhe vendorë të zbatimit të ligjit dhe sigurinë publike, harton plane operacionale të sigurisë për Ngjarjet e Sigurisë Speciale Kombëtare (NSSE) që të jenë dinamike në mënyrë që t’i përgjigjet një mjedisi kinetik të sigurisë.
Jam e bindur në planin e sigurisë që kanë vendosur koordinatori ynë i Shërbimit Sekret RNC dhe partnerët tanë, të cilin e kemi shqyrtuar dhe forcuar pas të shtënave të së shtunës. Planet e sigurisë për Ngjarjet e Sigurisë Speciale Kombëtare janë krijuar për të qenë fleksibël. Ndërsa konventat përparojnë dhe në përputhje me udhëzimet e presidentit, Shërbimi Sekret do të përshtatë vazhdimisht operacionet tona sipas nevojës për të garantuar nivelin më të lartë të sigurisë dhe sigurisë për pjesëmarrësit e kongresit, vullnetarët dhe qytetin e Milwaukee. Përveç përmirësimeve shtesë të sigurisë që siguruam detajet e ish-Presidentit Trump në qershor, ne kemi zbatuar gjithashtu ndryshime në detajet e tij të sigurisë që nga e shtuna për të siguruar mbrojtjen e tij të vazhdueshme për konventën dhe pjesën e mbetur të fushatës.
Shërbimi Sekret është i ngarkuar me përgjegjësinë e jashtëzakonshme për të mbrojtur liderët aktualë dhe të mëparshëm të demokracisë sonë. Është një përgjegjësi që unë e marr jashtëzakonisht seriozisht dhe jam e përkushtuar për ta përmbushur atë mision.”
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, sot ka zhvilluar një aktivitet të veçantë me fëmijët e Kopshtit “Zogjët” duke lexuar letërsi së bashku.
Në këtë aktivitet, drejtoresha Halimi ka thënë se me fëmijët diskutuan për përfitimet që sjell leximi në përgjithësi, duke konkluduar gjithashtu se përzgjedhja e asaj që lexohet është po aq e rëndësishme sa vetë të lexuarit.
“Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë, hapem dyert e imagjinatës duke lexuar letërsi së bashku me fëmijtë.
Diskutuam për botën shumëngjyrshe që na ofron leximi duke konkluduar se aq sa leximi është me rëndësi se çfarë lexojmë!”, ka shkruar drejtoresha Halimi në facebook./ KultPlus.com