Arta Balaj emërohet drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Uran Ismaili ka prezantuar sot Arta Balajn si drejtoreshë e Kulturës për këtë komunë.

Ismaili ka thënë se përgatitja e lartë profesionale dhe përvoja e madhe në sektorin publik dhe privat në Kosovë, e bëjnë Artën një kuadër mirë të kualifikuar për këtë pozitë.

“Si një grua e përgatitur mirë, me shkollim ndërkombëtar dhe e dëshmuar për rreth dy dekada në sektorin publik e privat, Arta ka besimin dhe mbështetjen time të plotë në detyrën e re. Ajo ka punuar në disa shtete të ndryshme ndërsa ka bashkëpunuar edhe me shumë organizata ndërkombëtare që shërbejnë në Kosovë. Përvojën e saj të madhe do ta sjell tani në Prishtinë, për t’i dhënë gjallëri jetës dhe aktiviteteve kulturore në kryeqytetin tonë”, ka thënë Ismaili.

Sipas një komunikate, Partia Demokratike e Kosovës deri më sot kishte emëruar nënkryetaren dhe katër drejtorë, nga pesë sa i takojnë nga marrëveshja për bashkëqeverisje.

Me emërimin e Artës, kompletohet ekipi i PDK-së për kryeqytetin.

Donjeta Sahatçiu (nënkryetare), Besianë Musmurati (drejtoreshë e Arsimit), Plator Gërdovci (drejtor i Bujqësisë), Ilirik Musliu (drejtor i Shërbimeve Publike), Granit Rugova (drejtor për Sport) dhe Arta Balaj (drejtoreshë e Kulturës). / KultPlus.com