Në Gjirokastër pritet të nisë së shpejti një tjetër investim i rëndësishëm në drejtim të ruajtjes së vlerave muzeale të qytetit dhe zhvillimit të turizmit. Bëhet fjalë për rikualifikimin e Qendrës Historike dhe Kalasë së Argjirosë.
Lajmin e konfirmoi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëkohësisht edhe deputete e qarkut. “Ne e kemi përfshirë Gjirokastrën në një seri projektesh. Kam kënaqësinë të ndaj me ju sot lajmin e mirë që Gjirokastra do të ketë rikualifikimin e rrjetit muzeal, ku përfshihet jo vetëm Qendra Historike, por edhe rehabilitimi i Muzeut të Armëve, Muzeu Etnografik etj. Ky investim është në kuadër të programit të Bankës Botërore”, tha Kumbaro gjatë një komunikimi me mediat, shkruan gazetatema.net
Ndërkohë gjatë mbrëmjes ministrja e Kulturës pati edhe një darkë pune në Gjirokastër me Patrizio Pagano, një prej drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore, si dhe vizituan pazarin karakteristik. Projekti për Zhvillimin e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore i mbështetur nga Banka Botërore do të zbatohet në 4 qytete; Gjirokastër, Berat, Sarandë dhe Përmet. Më herët gjatë ditës Kumbaro ishte edhe në Universitetin ‘Eqrem Çabej’, ku u zhvillua një leksion i hapur nga Adrian Majuru, i cili kishte mbërritur në qytetin e gurtë bashkë me një delegacion rumun, të përbërë nga 4 drejtorë muzeumesh të Bashkisë së Bukureshtit./ KultPlus.com