Shkarkohet Komisioni Përzgjedhës për drejtorin e ri të Muzeut të Kosovës

Është shkarkuar sot Këshilli Drejtues i Muzeut të Kosovës, këtë e ka bërë me dije ministri i kulturës në largim, Kujtim Gashi i cili ka njoftuar se ky proces nuk ka qenë transparent ndaj edhe është anuluar, shkruan KultPlus.

Për këtë vendim të Gashit ka shkruar edhe Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka thënë se nuk do të lejojë korrupsion dhe nepotizmin nën udhëheqjen e tij.

“Shkarkimi i Komisionit Përzgjedhës për drejtorin e ri të Muzeut të Kosovës nga ministri Kujtim Gashi dhe anulimi i tërë këtij procesi është dëshmi se nën udhëheqjen time nuk do të lejoj korrupsion dhe nepotizëm. Korrupsioni dhe nepotizmi po na dëmtojnë në të gjitha fushat e jetës dhe ne do ta luftojmë atë në të gjitha drejtimet, jo me fjalë, por me vepra konkrete.

Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit nuk përfundon për një ditë, por kërkon vendime të guximshme, sikurse vendimi i sotëm i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ne duhet t’u japim sa më shumë mundësi të rinjve, siç kemi filluar ta bëjmë në PDK dhe siç do të vazhdojmë ta bëjmë. Duke e luftuar korrupsionin dhe nepotizmin, sikurse ministri Kujtim Gashi, ne do të mund të investojmë edhe më shumë tek të rinjtë dhe ta ndalojmë largimin e tyre”, ka shkruar Veseli

Ndërsa, ministri Kujtim Gashi ka thënë se korrupsioni nuk luftohet me koktej molotovi dhe me gaz lotsjellës.

“Rastet sikurse ky tregojnë që korrupsioni nuk luftohet me koktej molotovi dhe me gaz lotsjellës. Partitë tjera nuk kanë bërë asgjë kundër korrupsionit dhe nepotizmit, por ato vetëm po na shikojnë neve. Ata po vazhdojnë të rekrutojnë fatkeqësisht njerëz që kanë problem me ligjin”, u shpreh Gashi, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media. / KultPlus.com