Nisin përgatitjet për botimin e numrit të 57 të revistës “Arkivat shqiptare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës kanë nisur punën për përgatitjen dhe botimin e numrit të 57 të revistës shkencore “Arkivat shqiptare”.

Synimi i kësaj reviste është të mbledhë ekspertë dhe studiues të arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët për çdo vit diskutojnë për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionit, si dhe vizionit të punës të arkivave në realitetin e sotëm.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ftojnë studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe, të kontribuojnë në këtë revistë me studime.

Përveç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u bëhet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë për ruajtjen e kujtesës kolektive. Afati i dërgimit të artikujve është data 3 shtator 2021 dhe për të gjithë artikujt e pranuar do të dërgohet email më 17 shtator 2021.

Temat e propozuara:– Crowd sourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara nga përdoruesit– Automatizimi i arkivave dhe etika– Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave– Risitë digjitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit– Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin– Trashëgimia arkivore e përbashkët përtej kufijve gjeografikë– Arkivat, përgjegjësia, qasja në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale– Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore– Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare– Etika dhe arkivat– Ndryshimet klimaterike dhe arkivat– Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional– Turizmi dhe promovimi i arkivave.

Në artikujt duhen respektuar kritere të cilat gjenden në adresat www.chicagomanualofstyle.org, ose për me tepër informacion dhe specifika të tjera mund të shihni faqen zyrtare www.arkiva.gov.al / KultPlus.com

Përkujtohet Panajot Kanaçi në 97 vjetorin e lindjes, themeluesi i artit koreografik kombëtar

Sot shënohet 97-vjetori i lindjes së koreografit të mirënjohur dhe pedagogut Panajot Kanaçi, i cili lindi më 2 gusht 1924.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përkujtuar këtë datë duke theksuar se, Panajot Kanaçi interpretoi një sërë rolesh kryesore, ku veçohen baletet “Shatërvani i Bahçisarajt” (1951) dhe “Esmeralda” (1953).

Kanaçi kreu studimet e larta për baletmaester në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë, e më pas ishte drejtor artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit.

Me koreografinë e baletit të parë shqiptar “Halili e Hajria” (1963, me muzikë të Tish Daijës), Kanaçi u bë themeluesi i artit koreografik kombëtar.

Për këtë koreografi u nderua më 1964-ën me Çmimin e Republikës të Shkallës I, me motivacionin: “Për vënien në skenë të baletit të parë kombëtar “Halili e Hajria” dhe merita të shquara në fushën e koreografisë”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar edhe foto të Vendimit të Këshillit të Ministrave që i akordon prof. Kanaçit, çmimin në fjalë. / KultPlus.com