Nuk dimë se kur u kthye në simbol viriliteti duhanpirja. Mirëpo, mes atyre pak fotografive që zotëron Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror shohim se duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët. Në fotografitë që prezantojmë duken qartë djem apo vajza në moshë të njomë që mbushin paketat me cigare. E para prej fotografive vjen nga viti i largët 1926 dhe paraqet punishten e cigareve “Taraboshi” në Shkodër. Fotografia e dytë vjen nga punishtja e cigareve ndërtuar prej shoqërisë “Stamles” në Durrës. Kurse e treta është punishtja e cigareve “17 Nëntori” në Tiranën e pas Luftës II Botërore. Aroma e duhanit mund të mos jetë fort romantike, por këto fotografi bardhë e zi sigurisht që po.
Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.
Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.
Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.
Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.
Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com
Më 11 mars të vitit 1997, u votua për krijimin e qeverisë së “Pajtimit Kombëtar”, e cila do të drejtonte ekzekutivin e vendit deri më 29 qershor 1997.
Në pikun e trazirave që patën përfshirë Shqipërinë, pasi firmat piramidale shpallën falimentin, partitë ujdisën një marrëveshje për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike. Zyrtarisht, qeveria e re nën drejtimin e Bashkim Finos, do t’i niste punimet më 12 mars 1997, pas dekretimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
Në këtë gjendje të tendosur, teksa armët kishin rënë në duart e qytetarëve, pësuan dëme të konsiderueshme edhe godinat e Arkivave Shtetërorë Vendorë, së bashku me materialin dokumentar që administronin. Në dokumentin bashkëngjitur, organi më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), vë në dijeni kryetarin e qeverisë së re, Bashkim Finon, mbi dëmet e shkaktuara kryesisht në Arkivin Shtetëror të Tropojës, të Pogradecit, të Beratit dhe të Lezhës.
Në letrën adresuar ish-kryeqeveritarit, paralajmërohej edhe për rrezikun që i kanosej vendruajtjes së dytë të dokumenteve të Arkvit Qendror Shtetëror në Gramsh, ku kishin depërtuar forcërisht njerëz të armatosur. Kreu i atëhershëm i DPA-së, Luan Malltezi, apelon në këtë njoftim për koordinimin mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisariateve të Policisë, për mbrojtjen e integritetit të institucioneve dhe për sigurimin e dokumentacionit. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka nxjerrë një njoftim ku u bën thirrje studiuesve për pjesëmarrjen në botimet e financuara prej institucionit.
Në njoftimin e bërë thuhet se në fokus të botimeve do të jenë figurat historike në vendin tonë, nga Mesjeta e deri në ditët tona.
Të gjithët të interesuarit kanë afat deri në datë 14 mars.
“Kjo thirrje i adresohet çdo anëtari të bashkësisë shkencore, që ka interes të hulumtojë mbi tematikat që DPA-ja ka propozuar për botim. Mes temave të përzgjedhura bëjnë pjesë përvjetorët e lindjes apo të vdekjes të disa prej figurave më të rëndësishme në historinë e kombit, sikurse janë: Marko Boçari, Memet Pashë Dërrala, Nikolla Naço, Shtjefën Gjeçovi, Hilë Mosi, Gjon Shllaku, Hasan Prishtina etj.
Gjithashtu, është i mirëpritur edhe botimi i dokumenteve apo i punimeve monografike për çështje dhe personalitete historike të periudhave të ndryshme, duke nisur nga Mesjeta e deri në ditët tona.
Për vitin 2022, DPA-ja ka marrë përsipër shpenzimet për 5 (pesë) botime, secili prej të cilëve do të ketë një vëllim deri në 120.000 fjalë dhe 300 faqe daktilografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndroje e hapur deri më datën 14 mars, 2022”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë organizuar mbajtjen e një sesioni shkencor ditën e sotme, më 7 mars 2022, në mjedisit e institucionit tjetër bashkëpunëtor, Institutit Albanologjik të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Në punimet e këtij sesioni të zhvilluara nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, morën pjesë dhe kumtuan 25 studiues dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Fjala e rastit u mbajt nga Prof. dr. Lulëzim Lajçi.
Në mesin e referuesve qenë krerët e dy institucioneve arkivore shqipfolëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, i cili kumtoi mbi organizimin e shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova, si edhe homologu i tij nga Kosova, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, që foli lidhur me sprovat e UÇK-së. Në radhët e pjesëmarrësve, u prezantuan me kumtesa edhe Prof. Dr. Paskal Milo, akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Asoc. Dr. Maringlen Kasmi, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti etj.
Në përmbyllje të sesionit, u lexua Deklarata e përbashkët e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, prej institucioneve arkivore, përgjegjëse për ruajtjen, administrimin dhe shërbimin e materialeve dokumentareve rreth të kaluarës historike të trojeve shqiptare. Në këtë dokument, datimi i të cilit përkon me 23-vjetorin e krijimi të UÇK-së, shprehej vlerësimi për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. / KultPlus.com
Si sot më 21 shkurt 1941, u lind në Qeparo shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, Andrea Varfi.
Mësimet fillore do t’i merrte nga mësuesi i së parës shkollë shqipe të fshatit, mentori i tij i përhershëm, i ati Epaminonda Varfi. Prirjen për të shkruarin, e zbuloi në mbarim të shkollës së mesme tregtare të Vlorës, në vitin 1932. Mbaroi degën klasike të gjimnazit në Tiranë, në vitin 1935. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Peruxhias, në Fakultetin e Shkencave Agrare. Pas përfundimit të angazhimit të tij akademik, në vitin 1941, u kthye në atdhe.
Varfi ka kontribuar në Luftën Nacional-Çlirimtare. Në vitin 1945, u emërua në krye të nënndarjes për çështje kulturore dhe propagandistike, në dikasterin e Bujqësisë. Në vitin 1947, vuajti për dy vjet dënimin e dhënë nën akuzën e bashkëpunimit me agjenturën angleze. Pas shpalljes së pafajësisë, nisi të punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve.
Krahas krijimtarisë artistike gjatë kohës së luftës, Varfi lëvroi edhe në poezi e prozë satirike, në intervalin e vjetëve 1952-1960. Në letrat shqipe, ka lënë gjurmë edhe përmes përkthimeve dhe studimeve të tij të shumta. Varfi përshtati në gjuhën e sotme veprat kryesore të De Radës, sikurse ishin: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbërit”, “Këngët e Milosaos” etj.
Ai ndërroi jetë më 18 shtator 1992. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kartën postale ku Prof. Mario Marinucat nga Peruxhia, i lutet Varfit t’i dërgojë sa më shpejt dokumentet e tij për pjesëmarrjen në konkursin mes diplomatëve më të mirë. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, prezantoi sot në sheshin “Skënderbej”, ekspozitën e titulluar “Tirana kryeqytet”.
Në këtë datë me domethënie historike për mbarë vendin, ekspozita ilustron përmes dokumenteve dhe fotove, rrugëtimin e kryeqytetit të caktuar në punimet e Kongresit të Lushnjës (1920), si dhe zyrtarizimin e këtij vendimi me mbërritjen në Tiranë të anëtarëve të Këshillit të Lartë, siç ishin: Aqif Pasha, Mihal Turtulli dhe Abdi Toptani.
Mes materialeve të paraqitura, publiku kryeqytetas ka mundësinë të njihet edhe me disa fragmente të historisë së kryeqytetit (1604-1937) nën autorësinë e Osman Myderrizit, me telegramin dërguar qyteteve të vendit për ngritjen e flamurit në Tiranë (28 Nëntor 1912), me foto të godinës ku u vendos qeveria pas Kongresit të Lushnjës, me një imazh të Bashkisë së vjetër etj.
Në vijim të ndërveprimit të vazhdueshëm, përfaqësues të DPA-së morën pjesë në një tjetër ekspozitë me tematikën e këtij përvjetori.
Nën organizimin e Kalasë së Tiranës koleksionistë dhe historianë të pasionuar, treguan kryesisht përmes fotografive historinë dhe fizionominë e Tiranës ndër vite./atsh/ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me rastin e 554 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta e përkujton sot me dy fotografi të pikturave me portretin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, tre ekzemplarë dekretesh të përgatitura në emrin e Gjergj Kastriotit të cilat ndodhen të ruajtura në AQSH, si dhe me një fotografi të një tabloje të titulluar “Skënderbeu gjatë një beteje”.
“Zot i Arbërisë, ashtu siç ai e nënshkroi veten, ai paraqet një epokë të tërë të historisë kombëtare në luftën shekullore kundër zgjedhës osmane, në mbrojtje të tokës, pasurisë e të lirisë.
Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar evropiane.
Pavarësisht se ka jetuar para më shumë se 5 shekujsh, nderimi i shqiptarëve për të edhe sot mbetet i pakursyer! Monumenti i tij ndodhet në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë dhe disa qytete të tjera. Emri i tij shënon shumë institucione arsimore, ndërsa është figurë për të cilën ende nuk rreshtin hulumtimet e studimet”, shkruhet ne tekstin shoqërues. / KultPlus.com
Më 13 janar 1871 do të lindte në Korçë Mihal Grameno, një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes sonë kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar.
I shkolluar fillimisht në vendlindje, në vitin 1885 do të mërgonte drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe në vitin 1889 Mihal Grameno u zgjodh Sekretar i Shoqatës “Drita”.
Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe mori pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit, për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, i vrarë nga grekët në Selanik.
Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.
Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.
Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen “Koha” të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919.
U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e Paqes në Paris dhe si korrespondent i gazetës “Albania” që botonte A. G. Naçe në New York.
Pas një viti u kthye në Shqipëri. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat të posaçme në në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot imazhe të tregimit “Saideja Engjëllore”, shkruar nga Mihal Grameno. / KultPlus.com
Më 10 janar të vitit 1893, në qytetin e Korçës, u lind mësuesi, përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe ndoqi mësimet në gjimnazin Zosimea në Janinë. Studimet universitare i ndoqi në Vjenë në Fakultetin e Filozofisë dhe ishte një nga studentët që i paraqitën letrën presidentit amerikan Willson në lidhje me çështjen shqiptare.
Me kthimin në atdhe u emërua mësues në qytetin e Shkodrës dhe drejtor i Gjimnazit të Shkodrës. Në aspektin politik, ai ishte një nga mbështetësit e Lëvizjes së Qershorit dhe përkrahës i Nolit, dhe për këtë arsye u detyrua të largohej nga vendi pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet. U vendos në Beograd për disa vjet, ku shërbeu edhe si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitet, më tej emigroi në Vjenë, Graz dhe Fiume (Rijeka), dhe për disa kohë ishte edhe anëtar i KONARE-s.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, kthehet në atdhe dhe më 1942 mori postin e ministrit të arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, ku ndihmoi në lirimin e disa patriotëve shqiptarë me profesion mësues, të internuar nga italianët. Ishte një nga themeluesit dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij shkencor. Xhevat Korça ka dhënë një kontribut të madh dhe në fushën e përkthimeve, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në dorëshkrim në AQSH. U dënua nga Gjyqi Special në prill të 1945 me vdekje, por që iu konvertua në burgim të përjetshëm. Ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në korrik të vitit 1949.
Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë nga një letër që Fan Noli i dërgon Xhevat Korçës në lidhje me përkthimet e tij dhe probleme të tjera. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapën sot në Ulqin ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.
Ekspozita, e hapur në ambientet e Librarisë “Ulqini”, pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë.
Në këtë aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.
Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.
Në këtë aktivitet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i dhuroi librarisë së parë shqipe në Malin e Zi, e hapur së fundmi në qytetin e Ulqinit, mbi 100 tituj nga fondi i tij botues.
Shumë shpejti DPA do të jetë përsëri në këtë ambient për të hapur Këndin Arkivor Ulqin. / KultPlus.com