Më 1 prill të vitit 1929, u miratua njëri prej akteve juridike më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Kodi Civil.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave thekson se Kodi përbënte risi për terrenin normativ dhe shoqëror të Shqipërisë së viteve ‘30.
Vetiu, legjislacioni shqiptar pati shëmbëlltyrën e të drejtave të huaja e veçanërisht të së drejtës franceze, italiane dhe deri diku të asaj gjermane e zvicerane.
Thënë këtë, përgjatë përpilimit, u huazuan dispozitat për barazinë e të gjithë qytetarëve, për emancipimin e pronësisë mbi tokën dhe për lirinë e angazhimit në aktivitete ekonomike.
Hyrja në fuqi e këtij Kodi Civil e grupoi të drejtën civile shqiptare në llojin romano-gjermanik, duke e mëvetësuar nga e drejta otomane. Me ndryshimin e regjimit qeverisës në vend, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ky legjislacion asokohe bashkëkohor, u shfuqizua.
Në dokument, paraqitet një telegram falenderimi që Ministria e Drejtësisë ia drejton Mbretit Zog, për vënien në zbatim të Kodit Civil. / KultPlus.com
Si sot më 21 shkurt 1941, u lind në Qeparo shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi, Andrea Varfi.
Mësimet fillore do t’i merrte nga mësuesi i së parës shkollë shqipe të fshatit, mentori i tij i përhershëm, i ati Epaminonda Varfi. Prirjen për të shkruarin, e zbuloi në mbarim të shkollës së mesme tregtare të Vlorës, në vitin 1932. Mbaroi degën klasike të gjimnazit në Tiranë, në vitin 1935. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Peruxhias, në Fakultetin e Shkencave Agrare. Pas përfundimit të angazhimit të tij akademik, në vitin 1941, u kthye në atdhe.
Varfi ka kontribuar në Luftën Nacional-Çlirimtare. Në vitin 1945, u emërua në krye të nënndarjes për çështje kulturore dhe propagandistike, në dikasterin e Bujqësisë. Në vitin 1947, vuajti për dy vjet dënimin e dhënë nën akuzën e bashkëpunimit me agjenturën angleze. Pas shpalljes së pafajësisë, nisi të punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve.
Krahas krijimtarisë artistike gjatë kohës së luftës, Varfi lëvroi edhe në poezi e prozë satirike, në intervalin e vjetëve 1952-1960. Në letrat shqipe, ka lënë gjurmë edhe përmes përkthimeve dhe studimeve të tij të shumta. Varfi përshtati në gjuhën e sotme veprat kryesore të De Radës, sikurse ishin: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbërit”, “Këngët e Milosaos” etj.
Ai ndërroi jetë më 18 shtator 1992. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kartën postale ku Prof. Mario Marinucat nga Peruxhia, i lutet Varfit t’i dërgojë sa më shpejt dokumentet e tij për pjesëmarrjen në konkursin mes diplomatëve më të mirë. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ka risjellë për publikun ekspozitën e titulluar “Lulet e ftohta të shkurtit”, e cila ofron një fushëpamje të gjerë të zhvillimeve në kapërcyell të vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, prof. asoc. dr. Ardit Bido dhe drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari.
Në një dalje të përbashkët për mediet, krerët e dy institucioneve ndërvepruese, theksuan rëndësinë e pasqyrimit të ngjarjeve politike dhe sociale të viteve 1990-1991, që shënuan gremisjen e regjimit totalitar në vend. Në fjalën e tyre të rastit, iu drejtuan në mënyrë të veçantë studentëve të pranishëm, të cilët në sajë të dokumentimit të së shkuarës, mund të nxjerrin mësime për të ardhmen.
“Duhet të përkujtojmë përmes dokumenteve dhe fotografive të kohës, ngjarjet e vitit 1990. Studentët e pranishëm në këtë aktivitet kanë lindur pas vitit 2000. Duke jetuar në demokraci, ne nuk e kuptojmë se sa i pamundur je ndaj diktaturës dhe se sa energji nevojitet për ta rrëzuar atë. Në fund të ditës, është rinia ajo që sjell demokracinë apo diktaturën. Është rinia ajo që sjell regjimin. Prandaj, përmes këtyre dokumenteve, dua t’i japim mundësinë çdo të riu e të reje të shohë përmes dokumenteve e fotove të kohës dhe të frymëzohet në mënyrë që ta gëzojmë këtë liri, por të jemi edhe vigjilentë. Janë të rinjtë ata që duhet ta çojnë përpara nevojën për të patur një demokraci sa më shumë funksionale. Ky është qëllimi i kësaj ekspozitë në një nga ndërtesat më famëkeqe të periudhës së komunizmit”, tha kreu i DPA-së, Bido.
Në fjalën e saj, Demollari u shpreh se akti i rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, një prej ngjarjeve të trajtuara në ekspozitë, është simbol i ngadhënjimit të qëndresës antikomuniste në Shqipëri.
“Jemi të lumtur që sot, në kuadër të Muajit të Kujtesës të shpallur nga Ministria e Kulturës, por edhe me rastin e 20 Shkurtit, ditës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, si edhe të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, të çelim këtë ekspozitë. Kontributi që sjell Muzeu në këtë ekspozitë përbëhet nga dokumente dhe foto që përcjellin atmosferën e viteve ‘90-‘91. Janë dokumente të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vendime që merrte Gjykata e Lartë ndaj një grupi të rinjsh që organizuan demonstratën e 14 janarit, 1990, në Shkodër, raporte për Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin mbi demonstratën në Kavajë në mars të ‘90-ës, raporte të Hetuesisë së Përgjithshme për ministrin e Brendshëm, Simon Stefani, mbi futjen e personave në ambasada në qershor dhe më 2 korrik të ‘90-ës. Ekspozita mbyllet me një raport për ngjarjet e 20 shkurtit 1991 dhe foto të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës”, tha Demollari.
Në ekspozitën “Lulet e ftohta të shkurtit” shfaqen për herë të parë dokumente që janë deklasifikuar së fundmi, duke u bërë të qasshme për çdo hulumtues apo të interesuar.
Mes materialeve të ekspozuara janë dokumente të vrasjeve në kufi, heqja e emrit të universitetit, kushtet e studentëve, krijimi i partive politike, liria fetare, kriza e ambasadave, takimet e Ramiz Alisë në OKB, takimet me përfaqësues të SHBA-së, vizita e Nënë Terezës etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për pesë ditë në oborrin rrethues të Muzeut “Shtëpia me Gjethe”, godinë që ka shërbyer si Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret në vitet 1944 – 1991. /atsh/ KultPlus.com
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, Akademia e Shkencave (ASH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), kanë prezantuar një ekspozitë me dokumente arkivore.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof.Asoc.Dr Ardit Bido, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (SSHSHA), Pëllumb Xhufi, sekretari shkencor i ASH-së, Shaban Sinani, drejtori i Qendrës së Botimeve Albanologjike, Mariglen Kasmi etj.
Në konferencën e mbajtur në kuadër të Ditës së Kujtesës, u vu theksi tek ndihmesa e popullit shqiptar, si i vetmi mes europianëve, në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita e paraqitur dëshmon se asnjë prej rreth 3750 hebrenjëve që arritën të depërtojnë në Shqipëri pas vitit 1945, nuk u dorëzua, ndonëse historia e mbijetesës së tyre përmbledh sprova të shumta.
Gjithashtu iu kushtua vëmendje mes të tjerash humanizmit të kombit shqiptar shprehur ndaj çdo bashkësie në rrezik dhe tolerancës ndërfetare, si një vlerë e jona përfaqësuese. / KultPlus.com
Si sot, më 12 janar 1944 doli në shtyp numri i parë i revistës Bleta.
Revista Bleta ishte organ kulturor i përdymuajshëm, me seli në rrugën Carnarvon nr. 15 në Tiranë. Revista trajtonte zhanre të pasur tematikash nga fusha e letërsisë, gazetarisë, fejtone të shkurtra, përrallëza për fëmije, rubrikë mbi fotografinë, informacione mbi teatrin dhe kinematografinë.
Ajo ishte e vetmja reviste e cila pasqyronte programin e Radio Tiranës për kohën, dhe në faqet e saj do të ndeshnim emrat më të spikatur radiofonikë, si këngëtarja Liza Vorfi, Bardhyle Nase, Behije Çela, Kel Sata e baritoni Mihal Tziko si edhe mjeshtrin e pianos Mario Ettore.
Nga rubrikat më të pëlqyera për kohën do të ishte edhe “Ju flet mjeku”, rubrikë prej 15 minutash që transmetohej ditën e diel me mjekun Hamdi Sulçebe. Dizanjimin e kësaj reviste, por edhe të reklamave të saj, do ta drejtonte Shoqnia Publicitare S.A.P.A.S.
Fotografitë më poshtë janë publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ku shihet ballina e revistës Bleta dhe programi radiofonik i revistës. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapën sot në Ulqin ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.
Ekspozita, e hapur në ambientet e Librarisë “Ulqini”, pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si kryeministër i Shqipërisë.
Në këtë aktivitet mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqësuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.
Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.
Në këtë aktivitet Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup i dhuroi librarisë së parë shqipe në Malin e Zi, e hapur së fundmi në qytetin e Ulqinit, mbi 100 tituj nga fondi i tij botues.
Shumë shpejti DPA do të jetë përsëri në këtë ambient për të hapur Këndin Arkivor Ulqin. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot artistin Nikoll Idromeno në 82 vjetorin e vdekjes.
Si sot, më 12 dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta artisti Nikoll Idromeno.
U lind më 15 gusht 1860 në Shkodër. Nikoll Idromeno i njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Mban titullin “Piktor i Popullit”. Ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, 1919.
Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi një fotografi e një autoportret të tij dhe një fotografi të pikturës së Kolë Idromenos e titulluar “Dasma Shkodrane”. / KultPlus.com
Gjuha shqipe është shkruar me alfabete të ndryshme që kanë qenë në përdorim në rajon. Në periudhën Osmane gjuhën shqipe e gjejmë të shkruar edhe me alfabet arab.
Klerikët shqiptar shpesh herë na kanë sjellë tekse dhe shkrime me përmbajtje fetare në gjuhën shqipe. Në këto dy fletë kemi pjesë ilahi në turqishten e vjetër dhe në shqip. Karakteristikë është mënyra e të shkruarit shqip.
Duke qenë me përmbajtje fetare, në shkrim kemi edhe fjalë me terminologji arabe. Tek një nga poezitë: “Hadha ilahi arnavuça” – “Kjo është ilahi shqip” kaligrafia e përdorur është nesih. Teksti është ndarë në katër kolona. Ndarja e kolonave është bërë me një shenjë luleje me ngjyrë të kuqe. Vargjet janë të shkruara në dy rreshta.
Ashtu si në gjuhën arabe janë shkruar vetëm bashkëtingëlloret, kurse zanoret vendosen sipas shqiptimit. Si lexohet: Jam ni vaiz ipa yxhret le t’vijë për thevap t’vet e kush t’do t’shejtit për her t’bin salavat Kush t’do t’me nigjue se s’due me mpague se me ditë kijamet jardëm iban arasat.
Kortezi e Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/ KultPlus.com
Si sot, më 30 tetor të vitit 2017, në moshën 88 vjeçare u nda nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi.
Luarasi lindi më 16 shtator 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.
Për herë të parë në teatër si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957 në Teatrin Popullor, spektakël që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt mbi 300 herë.
Mihal Luarasi është njëri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tille”. Më 1996 vë për herë të parë në skenë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”.
Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen “Njollat e Murrme”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kritikën e kësaj vepre. / KultPlus.com
Si sot, më 12 shtator 1922, Kisha Ortodokse e Shqipërisë u shpall Autoqefale nga Kongresi i Beratit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli në vëmendje detaje historike nga kjo ngjarje.
Statuti i KOASH-it u miratua në Kongresin e dytë kishtar ortodoks. Ky Sinod u mblodh në Mitropolinë e Korçës nën kryesinë e Kryeepiskopit Visarion. Në Kongres u zgjodhën delegatë intelektualët dhe klerikët e shquar të vendit. Më 16 qershor 1929 delegatët përfaqësues të klerit dhe të ortodoksëve shqiptarë filluan punimet e Kongresit të dytë kishtar.
Imzot Visarioni në fjalën e tij, parashtroi përmbajtjen kryesore të Statutit dhe të Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe parimet e përgjithshme që frymëzuan Sinodin e Shenjtë për hartimin e Statutit.
Statuti sanksionoi Autoqefalinë e deklaruar në Berat më 12 shtator 1922, duke qenë dogmatikisht e bashkuar me patriarkanat e shenjta dhe me kishat e tjera ortodokse autoqefale. Ndërkohë administrativisht Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare mbetej tërësisht më vete nën flamurin kombëtar. Imzot Visarioni këmbënguli që gjuha zyrtare e Kishës të jetë gjuha shqipe.
Kjo për shkak se ajo i zotëron të gjitha aftësitë e duhura dhe kurorëzon përpjekjet më të hershme dhe të rilindasve. Në një artikull të veçantë u përcaktua pavarësia e kishës shqiptare: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare”.
Në përfundim të diskutimeve, në datën 29 qershor të vitit 1929, të gjithë delegatët firmosën dokumentet për t’u miratuar në statutin përfundimtar. DPA solli edhe dy fotografi të delegatëve të mbledhur në Kongresin e mbajtur në Korçë, që ruhen në Fototekën e AQSH-së. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot 232-vjetorin e ndarjes nga jeta të Teodor Anastas Kavaliotit, mendimtar, filozof dhe iluminist, drejtor i Akademisë së Voskopojës.
Në çdo vepër të tij, Teodor Anastas Kavalioti nuk harron të shënojë, bashkë me emrin, edhe vendin ku kishte lindur, Voskopojën.
Data e lindjes nuk i dihet me siguri. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa studimet më të zgjeruara i kreu në Janinë, me mësuesit më të shquar të kohës. U kthye në Voskopojë, ku vijoi të studionte, por edhe të mësonte nxënësit e zonës.
Më 1743 u emërua mësues i shkollës së Voskopojës, kurse më 1746 drejtor i saj. Pas përfundimit të ndërtesës së re më 1750, shkolla u emërtua Akademi e Voskopojës, duke marrë mbi vete, me meritë, lavdinë e së dikurshmes Akademi të Athinës.
Voskopojarët patën meritën e ndërtimit të saj, kurse Kavalioti, pa dyshim, mban meritën e zhvillimit dhe kthimit të Akademisë në shkëndijë iluministe në një kohë jo fort të përshtatshme për të bluar idetë e Aristotelit, Antrakitit e Dekartit.
Teksa merrej me mësimdhënien, Kavalioti edhe përgatiste tekste mësimore e vepra të mirëfillta autoriale. Kështu, më 1743 shkroi “Logjikën”, më 1752 “Fizikën” dhe më 1767 “Metafizikën”. Më 1760 botoi në shtypshkronjën e Voskopojës “Gramatikë e greqishtes”, kurse më 1774, meqenëse shtypshkronja në Voskopojë u shkatërrua bashkë me qytetin më 1769, botoi në Venecia veprën “Protopiria” (“Fillesat”), ku përfshihet dhe një fjalor trigjuhësh në greqisht, vllahisht e shqip me 1170 fjalë, duke na dhënë një fjalës të pasur, gjithmonë për kohën, të shqipes së asaj periudhe. Veç veprimtarisë arsimore, Kavalioti ishte edhe klerik, dhe mbante gradën e protopapës së Voskopojës.
Vdiq në vendlindje më 11 gusht 1789.
DPA publikoi edhe dorëshkrimet e dy prej veprave të Kavaliotit që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, “Fizika” me 2 vizatimet e barometrit që shoqërojnë tekstin, dhe “Metafizika”. / KultPlus.com